“5–11 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“5–11 Gusht. Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
5–11 Gusht
Romakëve 1–6
“Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”
Të shënuarit e nxitjeve do t’ju ndihmojë ta mbani mend atë që po ju mëson Shpirti. Merrni parasysh gjithashtu të shkruani se si ndiheni rreth këtyre nxitjeve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në kohën kur Pali e shkroi Letrën e tij drejtuar anëtarëve romakë të Kishës, të cilët ishin një grup i përzier judenjsh dhe johebrenjsh, Kisha e Jezu Krishtit ishte rritur shumë më tepër sesa një grup i vogël besimtarësh nga Galilea. Rreth 20 vite pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, kishte bashkësi të krishterësh pothuajse kudo ku logjikisht Apostujt mundeshin të udhëtonin – përfshirë Romën, kryeqytetin e një perandorie të gjerë. Por ndërkohë që auditori i drejtpërdrejtë i Palit ishin shenjtorët romakë, mesazhi i tij është universal dhe na përfshin të gjithëve ne sot: “Ungjilli [i] Krishtit … është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson” (Romakëve 1:16, kursivet shtuar).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Romakëve–Filemonit
Çfarë janë letrat dhe si janë organizuar ato?
Letrat janë dokumente të shkruara nga udhëheqësit e Kishës drejtuar shenjtorëve në vende të ndryshme të botës. Apostulli Pal shkroi shumicën e letrave në Dhiatën e Re – duke filluar me Romakëve dhe duke përfunduar me Filemonit. Letrat e tij janë të organizuara sipas gjatësisë. Ndonëse letra e Romakëve është letra e parë në Dhiatën e Re, ajo në të vërtetë u shkrua nga fundi i udhëtimeve misionare të Palit. Për më shumë informacion mbi letrat, shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”, [f. 100–101].
Kur tregoj besim te Shpëtimtari duke i zbatuar urdhërimet e Tij, unë shfajësohem nëpërmjet hirit të Tij.
Përkufizimet në vijim mund t’ju ndihmojnë që ta kuptoni më mirë Letrën drejtuar Romakëve:
-
Ligji:Kur Pali shkroi për “ligjin”, ai po i referohej ligjit të Moisiut. Në mënyrë të ngjashme, fjala “vepra[t]” në shkrimet e Palit shpesh i referohej ceremonive dhe riteve të ligjit të Moisiut. Pali e krahasoi këtë ligj me “ligji[n e] besimit” (shih Romakëve 3:27–31) apo doktrinën e Jezu Krishtit, që është burimi i vërtetë i shpëtimit tonë.
-
Rrethprerja, mosrrethprerja/parrethprerja:Në lashtësi, rrethprerja ishte një shenjë apo simbol i besëlidhjes që Perëndia bëri me Abrahamin. Pali e përdori termin “rrethprerje” për t’iu referuar judenjve (popullit të besëlidhjes) dhe termin “mosrrethprerje/ parrethprerje” për t’iu referuar johebrenjve (atyre që nuk janë të besëlidhjes së Abrahamit). Rrethprerja nuk është më e nevojshme si shenjë e besëlidhjes së Perëndisë me popullin e Tij (shih Veprat e Apostujve 15:23–29).
-
Shfajësim/ justifikim, shfajësoj, shfajësuar:Këto terma i referohen heqjes apo faljes së mëkatit. Kur shfajësohemi, ne falemi, shpallemi të pafajshëm, dhe çlirohemi nga ndëshkimi i përjetshëm për mëkatet tona. Ashtu siç e shpjegoi Pali, kjo u bë e mundur nëpërmjet Jezu Krishtit (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj”, [f. 176–177], scriptures.lds.org; shih edhe D. Todd Christofferson, “Justification and Sanctification” [“Shfajësimi dhe Shenjtërimi”], Ensign, qershor 2001, f. 18–25). Te Romakëve, fjalë si i drejtë dhe drejtësi mund të shihen si sinonime për fjalë si të drejtë [/të shfajësuar] dhe shfajësim [/justifikim].
-
Hir:Hiri është “ndihmë ose forcë … hyjnore, dhënë nëpërmjet mëshirës bujare dhe dashurisë së Jezu Krishtit”. Nëpërmjet hirit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe do të marrin pavdekësi. Përveç kësaj: “Hiri është një fuqi aftësuese që i lejon burrat dhe gratë të sigurojnë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin pasi të kenë bërë përpjekjet e tyre më të mira”. Ne nuk e fitojmë hirin nga përpjekjet tona; përkundrazi, është hiri ai që na jep “forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira që [ne] përndryshe nuk do të ishim në gjendje t’i vazhdonim” (Bible Dictionary [Fjalori Biblik], “Grace” [“Hir”]; shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 107–110; 2 Nefi 25:23).
Veprimet e mia të jashtme duhet ta pasqyrojnë dhe rritin kthimin e brendshëm në besim.
Mësimet e Palit tregojnë që disa prej të krishterëve judeas në Romë ende besonin që bindja ndaj riteve dhe ceremonive të ligjit të Moisiut sillte shpëtim. Ky mund të duket si një problem që nuk gjen më zbatim meqenëse ne nuk jetojmë sipas ligjit të Moisiut. Por ndërsa i lexoni shkrimet e Palit, veçanërisht Romakëve 2:17–29, mendoni për përpjekjet tuaja vetjake për ta jetuar ungjillin. A po ju çojnë kryerjet tuaja të jashtme, të tilla si marrja e sakramentit apo frekuentimi i tempullit, drejt kthimit në besim dhe forcim të besimit tuaj në Krisht? (shih Alma 25:15–16). Si mund të siguroheni që veprimet tuaja të jashtme po çojnë në një ndryshim të zemrës?
Nëpërmjet Jezu Krishtit mund të më falen mëkatet.
Disa njerëz mund të ndihen të shkurajuar nga shpallja e guximshme e Palit që “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10). Por ka edhe mesazhe shpresëdhënëse te Romakëve. Kërkojini ato te kapitujt 3 dhe 5, dhe merrni parasysh arsyen përse të kujtuarit që “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23), është një hap i rëndësishëm drejt të mësuarit që të “mburremi në shpresën” nëpërmjet Jezu Krishtit (Romakëve 5:2).
Ungjilli i Jezu Krishtit më fton që të “ec[i] në risinë e jetës”.
Pali dha mësim që ungjilli duhet ta ndryshojë mënyrën se si ne jetojmë. Cilat thënie te Romakëve 6 do të përdornit për ta ndihmuar dikë që ta kuptonte mënyrën se si ungjilli ju ka ndihmuar të “ec[ni] në risinë e jetës”? (vargu 4). Cilat përvoja vetjake do të tregonit?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Si mund të tregojmë se nuk kemi “turp për ungjillin e Krishtit”?
Disa njerëz mund të thonë se për shkak se ne jemi “shfajësuar vetëm me anë të hirit” të Perëndisë (Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it], Romakëve 3:24 [te (botimi shdm i Biblës) Romakëve 3:24, poshtëshënimi a]), nuk ka kërkesa për ne që ta marrim hirin. Ndonëse ne kurrë nuk mund të bëjmë mjaftueshëm për ta “merituar” hirin e Perëndisë, Perëndia vërtet na kërkon që të bëjmë disa gjëra për ta marrë atë. Çfarë mund të bëjmë që të marrim hir?
Çfarë shtrëngimesh kemi provuar? Si na kanë ndihmuar këto shtrëngime që të zhvillojmë durim, përvojë dhe shpresë?
Çfarë tha Pali në këto vargje rreth simbolikës së pagëzimit? Ndoshta familja juaj mund të planifikojë që të marrë pjesë në një pagëzim të afërt. Ose një person në familjen tuaj mund të tregojë fotografi apo kujtime nga pagëzimi i tij apo i saj. Si na ndihmon bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve tona të pagëzimit që të “ecim në risinë e jetës”?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.