“5–11 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“5–11 Gusht. Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
5–11 Gusht
Romakëve 1–6
“Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”
Çfarë nxitjesh merrni ndërsa i lexoni Romakëve 1–6? Këto nxitje mund t’ju ndihmojnë të zgjidhni nga idetë vijuese të mësimdhënies.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë bënë në përgjigje të ndonjë ftese që ju u bëtë atyre në mësimin e javës së kaluar. Për shembull, a u folën familjeve të tyre për mbytjen e anijes së përshkruar te Veprat e Apostujve 27 dhe rreth ndjekjes së profetit?
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta tregoj besimin tim te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë.
Pali dha mësim se ungjilli ka fuqinë t’i sjellë shpëtim gjithkujt që jeton me anë të besimit në Jezu Krisht. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta tregojnë besimin e tyre te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta gjejnë Romën në një hartë. Shpjegoni se libri i Romakëve përmban një letër që Pali ia shkroi shenjtorëve në Romë për t’i ndihmuar që të kuptonin parime të ungjillit, të tilla si besimi.
-
Lexojuni fëmijëve Romakëve 1:17 dhe ndihmojini ta mësojnë përmendsh frazën: “I drejti do të jetojë me anë të besimit”. Ju mund t’i caktoni secilit fëmijë një fjalë te fraza dhe t’u kërkoni që ta thonë fjalën kur ju tregoni me gisht nga ata. Shpjegoni se kjo frazë do të thotë që ne duhet të jetojmë çdo ditë me besim në Jezu Krisht. A e dinë fëmijët se çfarë është besimi? Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe shpjegoni se ne besojmë që Ai është i vërtetë, edhe pse nuk e kemi parë Atë. Ky është besimi – të besuarit te diçka edhe pse nuk e kemi parë atë.
-
Shpjegoni se ne e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti duke iu bindur Atij. Fshihni nëpër dhomë figura të njerëzve të cilët po bëjnë atë që Jezusi na ka kërkuar të bëjmë. Lërini fëmijët që me radhë t’i gjejnë dhe t’i përshkruajnë figurat. Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur Jezusin?
-
Lidhini sytë njërit prej fëmijëve dhe udhërrëfejeni atë nëpër dhomë drejt një figure të Jezusit. Jepini secilit fëmijë një radhë [për këtë]. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata duhet t’i ndjekin mësimet e Jezusit pikërisht ashtu si ndoqën udhërrëfimin tuaj.
Të pagëzohesh është si të bëhesh një njeri i ri.
Fëmijët që po i mësoni, po përgatiten për pagëzim. Çfarë mund të mësojnë ata rreth pagëzimit nga udhëzimi i Palit që “të ecim në risinë e jetës”?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta përsëritin frazën: “Ec[ni] në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Shpjegoni se kur pagëzohemi, neve na falen mëkatet. Ne kemi mundësinë të shkojmë përpara duke bërë zgjedhje të mira, duke u penduar kur bëjmë gabime dhe duke u përpjekur që të bëhemi më shumë si Jezusi. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u mësuar fëmijëve që pagëzimi na ndihmon të bëhemi një njeri i ri.
-
U thoni fëmijëve se si u ndiet kur u pagëzuat dhe ftojini që të tregojnë përvoja kur kanë marrë pjesë në një pagëzim. Ftojini të bëjnë një vizatim të vetes në pagëzimin e tyre të ardhshëm dhe tregoni se çfarë mund të bëjnë për t’u përgatitur për pagëzimin e tyre.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “When I Am Baptized” [“Kur Un’ t’Pagëzohem”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 103). Çfarë mësojmë rreth pagëzimit nga kjo këngë?
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund ta tregoj besimin tim te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë.
Pali dha mësim se ungjilli ka fuqinë t’i sjellë shpëtim gjithkujt që jeton me anë të besimit në Jezu Krisht. Besimi është parimi i parë i ungjillit. Ai na nxit që t’u bindemi urdhërimeve. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë më mirë besimin?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije ta gjejë Romën në një hartë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se gjatë disa javëve në vijim, ata do të mësojnë nga letrat që Pali u shkroi anëtarëve të Kishës në vende të ndryshme, duke filluar me letrën e tij drejtuar romakëve.
-
Shkruajeni në tabelë tekstin nga Romakëve 1:16, duke i zëvendësuar disa fjalë me vende bosh. Kërkojuni fëmijëve ta shikojnë shkrimin e shenjtë dhe t’i plotësojnë vendet bosh. Vini në dukje frazën: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit”, dhe ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë kuptimi ka kjo frazë për ta.
-
Ftojeni një fëmijë të lexojë me zë të lartë Romakëve 1:17, dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë [të kenë vëmendjen] për të dëgjuar një fjalë që përsëritet. Çfarë do të thotë të “jetojë me anë të besimit”? Ndihmojini fëmijët të gjejnë një përkufizim për besimin në një burim të tillë si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim”, [f. 15–16], scriptures.lds.org. Si do të ishte jeta jonë e ndryshme nëse nuk do të kishim besim te Jezu Krishti?
-
Tregojuni fëmijëve një bimë dhe një farë, dhe pyetini se si e ndihmojmë një farë që të bëhet bimë. Shpjegoni se kur e mbjellim dhe e ujitim një farë, ne tregojmë se kemi besim që ajo do të rritet. Si e tregojmë ne se kemi besim te Jezu Krishti? Merrni parasysh të këndoni një këngë rreth besimit, të tillë si “Faith” [“Besimi”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 96), si pjesë të kësaj veprimtarie.
Ne të gjithë kemi nevojë për Jezu Krishtin në mënyrë që të falemi për mëkatet tona.
Pali donte që romakët ta kuptonin se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe hirit të Tij. Përsiatni se si mund t’ua mësoni këtë të vërtetë fëmijëve.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një prej fëmijëve të lexojë Romakëve 3:23–24. Si mendojnë fëmijët, çfarë po na mësojnë këto vargje? Shpjegoni se fjala “hi[r]” te vargu 24 nënkupton dhuratën e dashurisë dhe mëshirës së Shpëtimtarit, çka bën të mundur që ne të marrim falje për mëkatet tona.
-
Varni një produkt gostitës ose figurë lart në mur ose në një vend tjetër që fëmijët nuk mund ta kapin dot vetë. Lërini të përpiqen ta arrijnë atë dhe krahasojeni këtë me atë që jep mësim Pali te Romakëve 3:23. Më pas ndihmojini që ta kapin atë. Çfarë ka bërë Shpëtimtari për ne që ne nuk mund ta bëjmë dot për veten tonë? Ftojini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth Shpëtimtarit kur mendojnë për atë që Ai ka bërë për ta.
Të pagëzohesh është si të bëhesh një njeri i ri.
Pali dha mësim se pagëzimi simbolizon vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit. Ai gjithashtu simbolizon “vdekje[n]” e vetes sonë mëkatare dhe ngritjen në “risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Ne e përtërijmë zotimin tonë për të ecur në risinë e jetës sa herë që e marrim sakramentin.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të lexojë Romakëve 6:3–6. Si tha Pali, me çfarë është i “ngjash[ëm]” pagëzimi?
-
Diskutoni se në ç’mënyrë pagëzimi simbolizon vdekjen dhe ringjalljen. Merrni parasysh të paraqitni materialin filmik “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (LDS.org). Përse janë vdekja dhe ringjallja simbole të mira të asaj çfarë ndodh kur pagëzohemi?
-
Lexojini së bashku lutjet e sakramentit (shih DeB 20:77, 79). Kujtojuni fëmijëve se kur marrim sakramentin, ne e përtërijmë zotimin që bëmë kur u pagëzuam, për ta ndjekur Jezu Krishtin. Si na ndihmon sakramenti që të “ecim në risinë e jetës”?
-
Ftojini fëmijët të bëjnë afishe që tregojnë se çfarë do të thotë për ta që të “eci[n] në risinë e jetës”? Fëmijët mund t’i varin këto në dhomën e tyre për t’i ndihmuar që të kujtohen të bëjnë zgjedhje të mira.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Nxitini fëmijët t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes që t’ua bëjnë të ditur atyre sa herë që i shohin duke bërë diçka që tregon besim.