“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“29 Korrik–4 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
29 Korrik–4 Gusht
Veprat e Apostujve 22–28
“Shërbyes dhe Dëshmues”
Ndërsa lexoni te Veprat e Apostujve 22–28, rrëfime nga shërbesa e Palit, Apostullit, kërkoni parime që do të jenë domethënëse për fëmijët që i mësoni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni figura të një qelie burgu, varke dhe një gjarpri. Ftojini fëmijët të tregojnë ndonjë histori që dinë rreth Palit, të cilat kanë të bëjnë me këto figura.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor dhe Jezusi kujdesen për mua dhe do të më ndihmojnë gjatë periudhave të vështira.
Të mësuarit se në ç’mënyrë Shpëtimtari e ndihmoi Palin, mund t’i ndihmojë fëmijët ta dinë se Ati Qiellor dhe Jezusi kujdeset për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni historinë e Shpëtimtarit duke e vizituar Palin në burg, te Veprat e Apostujve 23:10–11. Ose paraqitni materialin filmik “Be of Good Cheer” [“Mos e Humb Kurajën”] (LDS.org), i cili e portretizon këtë histori. Tregoni një rast kur patët një sprovë dhe morët udhërrëfim dhe ngushëllim nga Perëndia. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur u ndien të ngushëlluar nga Perëndia.
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh atë që Jezusi i tha Palit: “Kurajo”. Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për dikë që mund ta ftojnë të marrë kurajë – ndoshta dikë që është i trishtuar ose i shqetësuar.
Unë mund ta ndaj dëshminë time me të tjerët.
Shqyrtimi i dëshmisë së Palit para mbretit Agripa mund t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë se si të flasin për atë që e dinë se është e vërtetë.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni një kurorë në klasë dhe lëreni një fëmijë ta vërë atë dhe të hiqet sikur është mbreti Agripa. Ftojeni një fëmijë tjetër të qëndrojë përpara mbretit për të luajtur rolin e Palit, ndërsa ju përmblidhni dëshminë e Palit dhe reagimin e mbretiti Agripa, që gjendet te Veprat e Apostujve 26:1–29 (shih “Kapitullin 63: Pali Mbaron Misionin e Tij”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 162–166, ose materialin përkatës filmik te LDS.org). Shpjegoni se ne mund t’i ndajmë dëshmitë tona me të tjerët, siç bëri Pali.
-
Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë ndërsa ju këndoni ose lexoni një këngë për dëshminë, të tillë si vargun 2 të himnit “Dëshmia” (Himne, nr. 75) ose himnin “E Di, Ati Im Rron” (Himne, nr. 197). Ftojini fëmijët të ngrenë duart kur dëgjojnë diçka për të cilën mund të japin dëshmi. Ju mund të doni ta këndoni këngën disa herë; ftojini fëmijët t’ju bashkohen juve sapo të jenë familjarizuar me fjalët. Kërkojuni që të tregojnë disa gjëra rreth ungjillit që ata e dinë se janë të vërteta.
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë rreth diçkaje që mund të thonë kur japin dëshminë e tyre. Ftojini që ta ndajnë dëshminë e tyre me dikë brenda familjes së tyre.
Profetët më paralajmërojnë për rrezikun.
Merrni parasysh në ç’mënyrë rrëfimi i mbytjes së anijes ku ishte Pali, mund t’u mësojë fëmijëve që profetët e shohin rrezikun që ne nuk mund ta shohim.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të hiqen sikur janë në një anije që është duke u mbytur në stuhi. Lexojeni paralajmërimin e Palit drejtuar njerëzve, që gjendet te Veprat e Apostujve 27:9–10, dhe tregojeni historinë e mbytjes së anijes që ndodhi ngaqë ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit të tij (shih vargjet 11, 39–44). Paraqitni një fotografi të Presidentit të Kishës. Çfarë lloj paralajmërimesh na jep ai neve?
-
Vendosni disa figura ose sende nëpër dhomë që përfaqësojnë gjëra që profetët na kanë mësuar që t’i bëjmë, të tilla si të marrim pjesë në kishë ose të pagëzohemi. Si klasë, ecni nëpër dhomë, duke ndaluar te secila figurë apo send për të folur se si zbatimi i mësimeve të profetit është i dobishëm që të na mbajë të sigurt [jashtë rrezikut].
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Veprat e Apostujve 23:10–11; 27:18–26; 28:1–6
Kur përballem me vështirësi, Perëndia nuk më braktis.
Gjatë sprovave që përjetoi Pali, Zoti qe me të. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i krahasojnë përvojat e Palit me vetë jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Duke përdorur Veprat e Apostujve 23:10, shpjegoni se Pali u fut në burg ngaqë i mësoi njerëzit për Jezusin. Më pas lexojini me fëmijët Veprat e Apostujve 23:11. Ose paraqitni materialin filmik “Be of Good Cheer” [“Mos e Humb Kurajën”] (LDS.org), i cili e portretizon këtë histori. Si mund të kishte Pali “kurajo” edhe pse ishte në burg?
-
Shkruani në tabelë Veprat e Apostujve 23:10–11; Veprat e Apostujve 27:18–26; dhe Veprat e Apostujve 28:1–6. Paraqitni figurat e një burgu, anijeje dhe një gjarpri, dhe ftojini fëmijët t’i përsëritin këto vargje dhe t’i kombinojnë ato me figurat. Në secilin nga këto rrëfime, si i tregoi Zoti Palit që Ai ishte me të?
-
Ftoni dikë nga lagjja që të tregojë një përvojë kur Zoti qe me të gjatë një periudhe të vështirë. Ndoshta ju ose fëmijët mund të tregojnë përvoja gjithashtu.
Unë mund ta jap me guxim dëshminë time për Jezu Krishtin.
Kuraja e Palit në dhënien e dëshmisë së tij mund t’i ndihmojë fëmijët që të jenë të guximshëm kur japin dëshmitë e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët t’i lexojnë Veprat e Apostujve 26:1–29 dhe të gjejnë disa të vërteta të ungjillit që Pali ia mësoi mbretit Agripa. Përse mund të ketë qenë e frikshme për Palin të fliste për këto gjëra para mbretit? Ftojini fëmijët të renditin disa parime të ungjillit që ata e dinë se janë të vërteta. Kërkojuni të mendojnë për dikë që njohin, i cili ka nevojë të dëgjojë dëshminë e tyre për këto të vërteta.
-
Ftojini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të shkruar diçka që mund ta thonë në dëshminë e tyre.
Profetët më paralajmërojnë për rrezikun.
Fëmijët mund t’ia vënë veshin mesazheve të profetëve modernë dhe t’i dallojnë paralajmërimet e tyre. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë se si t’ia vënë veshin atyre paralajmërimeve?
Veprimtari të Mundshme
-
Priteni një copë letër që ka formën e anijes, në copëza si një gjëzë-formuese. Ftojini fëmijët t’i shkruajnë te copëzat e prera paralajmërimet e Palit te Veprat e Apostujve 27:9–11 dhe t’i bashkojnë për të formuar anijen. Përse njerëzit nuk ia vunë veshin Palit? (Shih vargun 11.) Ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet 18–20 dhe 40–44 për të zbuluar se çfarë ndodhi për pasojë. (Shpjegoni se ngaqë njerëzit e ndoqën këshillën e mëpasshme të Palit për të qëndruar në anije, asnjë nuk vdiq nga mbytja e anijes; shih vargjet 30–32.) Çfarë mund të mësojmë nga kjo përvojë rreth ndjekjes së profetit?
-
Sillni një mesazh të fundit të konferencës së përgjithshme nga Presidenti i Kishës dhe tregojuni fëmijëve ndonjë paralajmërim ose këshillë që dha ai. Ftojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si ata mund ta ndjekin profetin.
-
Shfaqni materialin filmik “Blessed and Happy Are Those Who Keep the Commandments of God” [“Të Bekuar dhe Të Lumtur Janë Ata Që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”] (LDS.org). Si ngjasojnë profetët me burrin me dylbitë?
-
Shkruani disa veprimtari që fëmijët mund t’i bëjnë, të cilat do t’i ndihmojnë ata të mësojnë rreth rolit të profetit – për shembull, “Lexoni Doktrinën e Besëlidhjet 21:4–7” ose “Këndoni ‘Follow the Prophet’ [‘Ndiqe Profetin’]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 110–111, ose përdorni një këngë tjetër rreth profetëve). Vareni listën e veprimtarive jashtë klasës dhe ftojeni një fëmijë që të qëndrojë te dera dhe t’ia lexojë një e nga një veprimtaritë pjesës tjetër të fëmijëve, duke i lejuar ata ta bëjnë veprimtarinë përpara se ai të lexojë një tjetër. Shpjegoni se ashtu sikurse një fëmijë i ka dhënë udhëzime të tjerëve, një profet na mëson se çfarë do të donte Perëndia që të bënim ne. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësuan rreth profetëve nga veprimtaritë.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Kërkojuni fëmijëve ta përdorin atë që mësuan rreth Palit, për t’i nxitur familjet e tyre që ta studiojnë mesazhin më të fundit të profetit dhe të diskutojnë se si mund ta ndjekin këshillën e tij.