Eja, Më Ndiq
2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’


“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16: ‘Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“2–8 Shtator. 1 Korintasve 14–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

vaskë pagëzimi në tempull

2–8 Shtator

1 Korintasve 14–16

“Perëndia Nuk Është Perëndi Trazimi, por Paqtimi”

Shënojini mbresat tuaja ndërsa i lexoni 1 Korintasve 14–16. Lutuni rreth asaj që ju ka mësuar Shpirti dhe pyeteni Atin Qiellor nëse ka diçka më shumë që Ai do të donte që ju ta mësonit.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ngaqë Kisha dhe doktrinat e saj ishin relativisht të reja në Korint, është e kuptueshme që shenjtorët korintas përjetuan trazim. Pali më parë u kishte mësuar atyre të vërtetën themelore të ungjillit: “Se Krishti vdiq për mëkatet tona … se u varros dhe u ringjall të tretën ditë” (1 Korintasve 15:3–4). Por disa anëtarë shpejt filluan të jepnin mësim se “nuk ka ringjallje të të vdekurve” (1 Korintasve 15:12). Pali iu përgjërua që t’i “mbani[n]” mend të vërtetat që u ishin mësuar atyre (1 Korintasve 15:2). Kur përballemi me opinione kontradiktore rreth të vërtetave të ungjillit, është mirë të kujtojmë që “Perëndia nuk është Perëndi trazimi, por paqtimi” (1 Korintasve 14:33). Të dëgjuarit e shërbëtorëve të caktuar nga Zoti dhe të kapurit pas të vërtetave të thjeshta që ata vazhdimisht i japin mësim, mund të na ndihmojnë që ta gjejmë paqen dhe të “qëndro[jmë] të palëkundshëm në besim” (1 Korintasve 16:13).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Korintasve 14

Unë mund ta kërkoj dhuntinë e profecisë.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se çfarë është dhuntia e profecisë? A është ajo aftësia për ta parashikuar të ardhmen? A mund ta marrë ndonjë këtë dhunti? Apo mos është ajo vetëm për profetët?

Presidenti i Kishës është personi i vetëm që mund të profetizojë dhe të marrë zbulesë në emër të të gjithë Kishës; megjithatë, Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta e përkufizon profecinë si “fjalë ose shkrime të frymëzuara në mënyrë hyjnore, që një njeri i merr nëpërmjet zbulesës nga Fryma e Shenjtë. … Kur një njeri profetizon, ai flet ose shkruan atë që Perëndia dëshiron që ai të dijë, për të mirën e tij ose të të tjerëve” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profeci, Profetizoj”, [f. 157], scriptures.lds.org; shih edhe DeB 100:5–8). Zbulesa 19:10 gjithashtu e përkufizon shpirtin e profecisë si “dëshmia e Jezusit”.

Çfarë mësoni rreth kësaj dhuntie shpirtërore nga 1 Korintasve 14:3, 31, 39–40? Çfarë donte të thoshte Pali kur i ftoi korintasit që të “kërkoni[n] me zemër të zjarrtë të profetizoni[n]”? (1 Korintasve 14:39). Si mund ta pranoni këtë ftesë?

Shih edhe Numrat 11:24–29; Jakobi [LiM] 4:6–7; Alma 17:3; Doktrina e Besëlidhje 11:23–28.

1 Korintasve 14:34–35

Përse tha Pali që gratë duhet të heshtin në kishë?

Mësimet e Palit te 1 Korintasve 14:34–35 mund të duket se shkaktojnë trazim, meqenëse më herët në po këtë letër ai shkroi që gratë luteshin dhe profetizonin (shih 1 Korintasve 11:5). Përkthimi prej Joseph Smith-it e zëvendëson fjalën flasin te vargjet 34 dhe 35 me fjalën sundojnë. Ky sqarim sugjeron që Pali mund t’u jetë referuar grave që po përpiqeshin ta uzurponin autoritetin në mbledhjet e Kishës. (Shih edhe 1 Timoteut 2:11–12.)

 .

1 Korintasve 15:1–34, 53–58

Jezu Krishti fitoi lavdi mbi vdekjen.

Ringjallja e Jezu Krishtit është kaq thelbësore për Krishterimin, [saqë] mund të thuhet se pa atë Krishterimi nuk ekziston – për të përdorur fjalët e Palit “predikimi ynë është i kotë dhe i kotë është edhe besimi juaj” (1 Korintasve 15:14). Prapëseprapë disa prej shenjtorëve korintas po jepnin mësim se “nuk [do të kishte] ringjallje të të vdekurve” (1 Korintasve 15:12). Ndërsa e lexoni përgjigjen e Palit te 1 Korintasve 15, kaloni një çast për të përsiatur se si do të ishte e ndryshme jeta juaj nëse nuk do të besonit në Ringjallje. Si ju ka bekuar ajo? Çfarë bekimesh do t’ju vijnë për shkak se Jezu Krishti u ringjall? (shih 2 Nefi 9:6–19; Alma 40:19–23; Doktrina e Besëlidhje 93:33–34). Çfarë do të thotë për ju fraza “në qoftë se Krishti nuk është ringjallur, i kotë është besimi juaj”? (vargu 17).

1 Korintasve 15:35–54

Trupat e ringjallur janë të ndryshëm nga trupat e vdekshëm.

A e keni pyetur ndonjëherë veten se si është një trup i ringjallur? Sipas 1 Korintasve 15:35, disa prej korintasve po e pyesnin veten për të njëjtën gjë. Lexojeni përgjigjen e Palit te vargjet 36–54 dhe vini re fjalë e fraza që përshkruajnë ndryshimet ndërmjet trupave të vdekshëm dhe trupave të ringjallur. Për shembull, vargjet 40–42 na mësojnë që trupat e ringjallur do të ndriçojnë në lavdi në shkallë të ndryshme, ashtu si dielli, hëna dhe yjet ndryshojnë në shkëlqim (shih edhe Joseph Smith Translation [Përkthimi prej Joseph Smith-it te botimi shdm i Biblës], 1 Korintasve 15:40; DeB 76:50–112).

Shih edhe Alma 11:43–45; Lluka 24:39.

agim

“Tjetër është lavdia e diellit” (1 Korintasve 15:41).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

1 Korintasve 15:29

Ne mësojmë nga vargu 29 që shenjtorët në lashtësi morën pjesë në pagëzime për të vdekurit, ashtu siç bëjmë ne në Kishë sot. Si është ecuria jonë si familje lidhur me përgatitjen e emrave të paraardhësve tanë për ordinancat e tempullit?  .

1 Korintasve 15:35–54

Çfarë objektesh apo figurash mund të shfaqni për ta ndihmuar familjen tuaj që t’i kuptojë disa prej termave që Pali përdori për të përshkruar mënyrat se si trupat e vdekshëm janë të ndryshëm nga trupat e ringjallur? Për shembull, për të treguar ndryshimin ndërmjet termave që prishet dhe paprishshëm (shih vargjet 52–54) ju mund të tregoni një metal që është ndryshkur (të tillë si hekuri) dhe një metal që nuk ndryshket (të tillë si çelik i pandryshkshëm [inoks]). Ose ju mund ta krahasoni diçka të dobët me diçka të fuqishme (shih vargu 43).

1 Korintasve 15:55–57

Një diskutim rreth këtyre vargjeve mund të jetë veçanërisht domethënës nëse familja juaj njeh dikë që ka ndërruar jetë. Pjesëtarët e familjes mund të japin dëshmi për mënyrën se si Jezu Krishti e heq “gjëmb[in] e vdekjes” (vargu 56). Mesazhi i Plakut Pol V. Xhonson “Dhe Vdekja Nuk Do Të Jetë Më” (Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 121–123) mund të jetë një shtesë e mirë për diskutimin tuaj.

1 Korintasve 16:13

Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes suaj ta lidhin këtë varg me veten, ju mund të vizatoni një rreth në dysheme dhe ta udhëzoni një pjesëtar të familjes të “qëndro[jë i] palëkundshëm” brenda tij ndërsa i ka sytë e lidhur dhe të tjerët përpiqen ta nxjerrin atë nga rrethi. Çfarë ndryshimi ndodh kur pjesëtari i familjes brenda rrethit nuk i ka sytë e lidhur dhe mund të “rri[jë] zgjuar” [e shohë]? Çfarë mund të bëjmë që të “j[emi] të fortë” në jetën tonë kur tundohemi për të bërë zgjedhje të gabuara?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni modele. Në shkrimet e shenjta ne gjejmë modele që tregojnë se si e bën Zoti punën e Tij. Çfarë modelesh gjeni te 1 Korintasve 14 që na ndihmojnë ta kuptojmë se si të japim mësim dhe ta lartësojmë njëri-tjetrin? Shih edhe DeB 50:13–23.

Krishti i shfaqet Maries te varri në kopsht

O Grua, Pse po Qan? nga Simon Dewey