Eja, Më Ndiq
26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishti’


“26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

mbledhje sakramenti

26 Gusht–1 Shtator

1 Korintasve 8–13

“Ju Jeni Trupi i Krishti”

Ndërsa i lexoni plot lutje 1 Korintasve 8–13, Fryma e Shenjtë mund t’ju flasë në mënyra të qeta (shih 1 Mbretërve 19:11–12). Shënimi i këtyre mbresave do t’ju ndihmojë t’i kujtoni ndjenjat dhe mendimet që patët gjatë studimit tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Në kohën e Palit, Korinti ishte një qendër e pasur tregtare me banorë nga e gjithë Perandoria Romake. Me kaq shumë kultura dhe rajone të ndryshme brenda qytetit, anëtarët e Kishës në Korint patën vështirësi ta ruanin unitetin, kështu që Pali u përpoq t’i ndihmonte që të gjenin unitet te besimi i tyre në Krisht. Ky unitet kishte për qëllim të ishte më tepër sesa bashkëjetesë paqësore; Pali nuk po u kërkonte atyre që thjesht të ishin të mirëkuptueshëm ndaj dallimeve njëri me tjetrin. Përkundrazi, ai dha mësim se kur ju i bashkoheni Kishës së Jezu Krishtit, ju “pagëz[oheni] … në të njëjtin trup” dhe çdo pjesë e trupit është e nevojshme (1 Korintasve 12:13). Kur një gjymtyrë [anëtar] humbet, është si të humbasësh një anësi dhe për rrjedhojë trupi është më i dobët. Kur një gjymtyrë [anëtar] vuan, ne të gjithë duhet ta ndiejmë atë dhe të bëjmë pjesën tonë për ta lehtësuar atë. Në këtë lloj uniteti, dallimet jo vetëm që pranohen, por ato pëlqehen fort, pasi pa anëtarë me dhunti dhe aftësi të ndryshme, trupi do të ishte i kufizuar. Kështu që qoftë nëse ndieni se kur jeni në Kishë, ndiheni gjithmonë si në shtëpi apo qoftë nëse e shihni që pyesni veten a ka në të vërtetë vend për ju aty, mesazhi i Palit për ju është që uniteti nuk është të qenit njëlloj. Ju keni nevojë për shenjtorët tuaj miq dhe shenjtorët tuaj miq kanë nevojë për ju.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Korintasve 10:1–13

Perëndia siguron një rrugëdalje për [mposhtjen e] tundimit.

Përvojat shpirtërore, edhe ato që karakterizohen nga mrekullia, nuk na përjashtojnë nga përjetimi i tundimeve që janë “tundim njerëzor” (1 Korintasve 10:13). Ajo mund të jetë një arsye përse Pali shkroi rreth asaj se si izraelitët në kohën e Moisiut luftuan me tundimin, pavarësisht se përjetuan mrekulli të fuqishme (shih Eksodi 13:21; 14:13–31). Ndërsa i lexoni 1 Korintasve 10:1–13, cilat paralajmërime në përvojat e izraelitëve duket se gjejnë zbatim për ju? Çfarë lloj “[rrugë]dalje[sh]” nga tundimi, ka siguruar Ati Qiellor për ju? (shih edhe Alma 13:27–30; 3 Nefi 18:18–19).

1 Korintasve 10:16–17; 11:16–30

Sakramenti na bashkon si pasues të Krishtit.

Ndonëse ordinanca e sakramentit përfshin një zotim vetjak ndërmjet një individi dhe Zotit, ajo është gjithashtu një përvojë që e ndajmë me të tjerët – ne pothuajse gjithmonë e marrim sakramentin së bashku, si një trupë shenjtorësh. Lexojeni atë që Pali dha mësim rreth sakramentit dhe mendoni për mënyrën se si kjo ordinancë e shenjtë mund t’i ndihmojë “të shumtit” të bëhen “një” në Krisht (1 Korintasve 10:17). Si mund të fitoni forcë nga marrja e sakramentit me besimtarë të tjerë? Si ndikon kjo në mënyrën se si përgatiteni për sakramentin dhe mënyrën se si përpiqeni t’i mbani besëlidhjet tuaja të pagëzimit?

1 Korintasve 11:3–15

Përse shkroi Pali rreth mbulimit të kokës dhe modeleve të flokëve?

Pali iu referua zakoneve kulturore të veshjes dhe paraqitjes së jashtme me qëllim që të jepte mësim për marrëdhëniet ndërmjet burrave, grave dhe Zotit. Ndërkohë që ne nuk i ndjekim këto zakone sot, ne ende mund të mësojmë nga deklarata e Palit te 1 Korintasve 11:11 që burrat dhe gratë janë të dy të nevojshëm në planin e Zotit, si në martesë, edhe në Kishë. Ashtu si dha mësim Plaku Dejvid A. Bednar: “Burri dhe gruaja janë paracaktuar të mësojnë nga njëri–tjetri, ta forcojnë, ta bekojnë, ta plotësojnë … njëri–tjetrin” ndërsa përparojnë së bashku drejt ekzaltimit (“Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë”, Ensign ose Liahona, maj, 2013, f. 42; shih edhe Marku 10:6–9).

1 Korintasve 12–13

Dhuntitë frymërore janë dhënë për dobinë e të gjithë fëmijëve të Atit Qiellor.

Lista e dhuntive frymërore te 1 Korintasve 12–13 nuk është gjithëpërfshirëse. Por është një vend i mirë për t’ia filluar ndërsa i përcaktoni dhe i përsiatni dhuntitë frymërore që Ati Qiellor ju ka dhënë.   Ju mund t’i shtoni listës së Palit dhunti që keni vënë re tek të tjerët, te vetja ose te njerëz në shkrimet e shenjta. Nëse e keni bekimin patriarkal, ai gjithashtu mund të përmendë disa nga dhuntitë tuaja frymërore. Si na ndihmojnë këto dhunti që ta ndërtojmë mbretërinë e Perëndisë? Merrni parasysh atë që do të bëni për t’i kërkuar “me zemër të zjarrtë dhuntitë më të mira” (1 Korintasve 12:31).

Shih edhe Moroni 10:8–21, 30; Doktrina e Besëlidhje 46:8–26; Nenet e Besimit 1:7.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, kërkoni frymëzim me qëllim që t’i përmbushni nevojat e familjes suaj. Sugjerimet që vijojnë mund të ndihmojnë:

1 Korintasve 9:24–27

Meqenëse Pali e krahasoi të jetuarin e ungjillit me vrapimin në një garë, ju mund të bëni një garë si familje për ta ilustruar këndvështrimin e tij. Shpërblejeni me një kurorë cilindo që e mbaron garën, dhe diskutoni për atë se si të gjithë që janë të zellshëm në ndjekjen e Jezu Krishtit në këtë jetë, do ta fitojnë çmimin “që nuk prishet” (1 Korintasve 9:25; shih edhe 2 Timoteut 4:7–8). Çfarë mund të bëjë një kampion vrapi për t’u përgatitur për një garë? Në të njëjtën mënyrë, çfarë mund të bëjmë ne për t’u përgatitur që të kthehemi tek Ati Qiellor?

vrapues në një pistë

Pali e krahasoi të jetuarin e ungjillit me vrapimin në një garë.

1 Korintasve 12:1–11

Merrni parasysh t’i jepni çdonjërit një copë letër me emrin e një pjesëtari tjetër të familjes në krye. Kërkojini çdonjërit që t’i renditë dhuntitë frymërore që vënë re se ka ai person. Më pas, mund t’i kaloni letrat në rreth derisa të gjithë të kenë pasur mundësi që të shkruajnë rreth dhuntive të secilit pjesëtar të familjes.

1 Korintasve 12:3

Përse është e nevojshme Fryma e Shenjtë për të marrë një dëshmi për Jezu Krishtin? Çfarë mund të bëjmë për ta ftuar Frymën e Shenjtë që t’i forcojë dëshmitë që kemi për Të?

1 Korintasve 12:12–27

Analogjia e Palit për trupin mund të jetë një mënyrë e paharrueshme për të diskutuar për unitetin në familje. Për shembull, pjesëtarët e familjes mund të përpiqen të vizatojnë një trup vetëm me sy ose veshë (shih vargun 17). Çfarë sugjerojnë këto vargje rreth mënyrës se si duhet të sillemi me njëri-tjetrin si pjesëtarë të familjes?

1 Korintasve 13:4–8

Përkufizimi i Palit për dashurinë mund të jetë një lajtmotiv frymëzues për familjen tuaj. Ju mund t’i caktoni secilit pjesëtar të familjes që të studiojë një frazë te vargjet 4–8 dhe t’i japë mësim pjesës tjetër të familjes se çfarë do të thotë ajo duke përdorur përkufizime, shembuj dhe përvoja vetjake. Si është Shpëtimtari shembull i këtyre cilësive? Ju gjithashtu mund të bëni së bashku afishe për secilën prej këtyre frazave dhe t’i vendosni ato nëpër shtëpinë tuaj. Jini krijues!

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ekspozoni një shkrim të shenjtë. Paraqiteni një varg që ju duket domethënës, në një vend ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që me radhë të zgjedhin një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.

mbledhje sakramenti

“Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë pjesëmarrje në trupin e Krishtit? Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup” (1 Korintasve 10:16–17).