Eja, Më Ndiq
26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishtit’


“26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“26 Gusht–1 Shtator. 1 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

mbledhje sakramenti

26 Gusht–1 Shtator

1 Korintasve 8–13

“Ju Jeni Trupi i Krishtit”

Ndërsa i lexoni 1 Korintasve 8–13, dëgjoni për nxitje nga Shpirti në lidhje me mënyrën se si t’i jepni mësim parimet në këta kapituj. Kujtoni se secila prej ideve të veprimtarisë mund të përshtatet si për fëmijët më të mëdhenj, edhe për ata më të vegjël.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë diçka që bënë gjatë mbledhjes së sakramentit sot për të menduar rreth Jezusit.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

1 Korintasve 10:13

Ati Qiellor do të më ndihmojë të bëj zgjedhje të drejta.

Nuk është përherë e lehtë ta zgjedhësh të drejtën, por Ati Qiellor do të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të drejta.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve 1 Korintasve 10:13, duke i ftuar që të largohen nga ju kur dëgjojnë fjalët “tundojnë” ose “tundim”.

  • Bëni për fëmijët shenja të vogla ndalimi. Tregoni disa histori të shkurtra të njerëzve që janë gati duke e bërë një zgjedhje të gabuar. Ndërsa fëmijët dëgjojnë, ftojini që t’i ngrenë shenjat e tyre kur personi në histori bën një zgjedhje të gabuar. Cila do të ishte zgjedhja e drejtë? Dëshmoni se Ati Qiellor do t’i ndihmojë ata që ta zgjedhin të drejtën.

  • Paraqitni një figurë të Jezusit dhe këndoni me fëmijët një këngë rreth Jezu Krishtit, të tillë si “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’Jem si Jezusi”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 78–79). Si na ndihmon të kujtuarit e Jezusit që të bëjmë zgjedhje të mira? Paraqitni figura të gjërave të tjera që na ndihmojnë të bëjmë zgjedhje të mira, të tilla si prindërit ose shkrimet e shenjta. Pyetini fëmijët se çfarë i ndihmon ata që të bëjnë zgjedhje të mira.

1 Korintasve 12:4, 7–11

Ati Qiellor më ka bekuar me dhunti shpirtërore.

Ati Qiellor u ka dhënë të gjithë fëmijëve të Tij dhunti shpirtërore. Çfarë dhuntish shpirtërore shihni te fëmijët të cilëve u jepni mësim.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojini së bashku 1 Korintasve 12:7–11, dhe përcaktojini dhuntitë shpirtërore që përmendi Pali. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjestet që mund të përshtaten me këto dhunti të Frymës, dhe përdorini gjestet për t’i ndihmuar fëmijët t’i mbajnë mend dhuntitë.

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një vizatim të një dhurate të parapëlqyer që kanë marrë. Shpjegoni se Ati Qiellor na jep dhunti shpirtërore për ta forcuar besimin tonë dhe për të na ndihmuar të bekojmë të tjerët.

  • Shkruani një pusullë për secilin fëmijë, duke përshkruar një dhunti shpirtërore që keni parë tek ai apo ajo (ose ju mund të ftoni prindërit që t’i shkruajnë këto pusulla). Mbështillini pusullat në formë dhuratash. Lejojini fëmijët t’i hapin dhuratat e tyre dhe ndihmojini që të lexojnë rreth dhuntive të tyre shpirtërore.

kuti dhuratash

Ati Qiellor u ka dhënë të gjithë fëmijëve të Tij dhunti shpirtërore.

1 Korintasve 13:1–8

Unë mund t’i dua të tjerët.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta zhvillojnë dhe shprehin dashurinë si të Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojini 1 Korintasve 13:8 dhe Moronin 7:47, dhe ndihmojini fëmijët ta përsëritin frazën “Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”. Paraqitni figura të Jezusit duke qenë i dashur dhe i mirë, dhe pyetini fëmijët se si e shfaqi Ai dashurinë për të tjerët (shih Librin e Figurave Artistike të Ungjillit për ide).

  • Zgjidhni një fëmijë të dalë përpara dhomës. Pyeteni fëmijën se si do t’i shërbente ai apo ajo një personi tjetër në klasë. Shpjegoni se kjo është një mënyrë se si ne mund t’u tregojmë dashuri hyjnore të tjerëve. Ftojini fëmijët e tjerë që me radhë të tregojnë dashuri hyjnore.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth pasjes së dashurisë për të tjerët, të tillë si “Jesus Said Love Everyone” [Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 61) ose “Doni Njëri-Tjetrin” (Himne, nr. 203). Paraqitni figura të njerëzve të ndryshëm (të tillë si një prind, mësues ose shok) dhe kërkojuni fëmijëve të flasin për mënyrën se si ata mund t’i shërbejnë atij personi. Ftojini fëmijët të mendojnë për dikë të cilit mund t’i shërbejnë, dhe të shkruajnë një pusullë ose të bëjnë një vizatim që t’ia japin atij personi. Nëse kanë nevojë për ide të tjera, paraqitni materialin filmik “Pass It On” [“Përçojeni Atë”] (LDS.org).

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Korintasve 10:13

Ati Qiellor do të më ndihmojë t’i bëj ballë tundimit.

Premtimet në këtë varg mund t’u japin fëmijëve vetëbesimin se Ati Qiellor do t’i ndihmojë ata kur tundohen.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët t’i lexojnë 1 Korintasve 10:13 në dyshe dhe ta përmbledhin vargun me vetë fjalët e tyre. Ftojini fëmijët të tregojnë një përvojë në të cilën Ati Qiellor i ndihmoi që ta shmangnin tundimin ose t’i bënin ballë atij. Çfarë mund të bëjmë për t’u mbështetur tek Ati Qiellor kur tundohemi?

  • Shkruani në copëza letre tundimet me të cilat mund të përballen sot fëmijët. Ftojini fëmijët që secili të zgjedhë një letër dhe të tregojë se çfarë na ka dhënë Ati Qiellor për të na ndihmuar t’i shmangim këto tundime ose t’u bëjmë ballë atyre. Për disa ide, lexojeni së bashku Almën 13:28–29.

1 Korintasve 11:23–29

Gjatë sakramentit, unë mund të mendoj për mënyrën se si po e ndjek Shpëtimtarin.

Sakramenti ka domethënie shtesë për fëmijët që janë pagëzuar. Ndihmojini ta shohin këtë ordinancë të shenjtë si një mundësi për ta “shqyrt[uar]” veten dhe për ta përtërirë zotimin e tyre ndaj Shpëtimtarit (1 Korintasve 11:28).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojini një fëmije t’i lexojë 1 Korintasve 11:28. Çfarë do të thotë ta “shqyrto[ni]” veten para se ta merrni sakramentin? Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për njerëz të tjerë që shqyrtojnë gjëra, si p.sh. mjekët, detektivët apo shkencëtarët (për shembull, mjekët i shqyrtojnë trupat tanë për të parë mos kanë plagë ose sëmundje që kanë nevojë të shërohen). Çfarë na mëson puna e tyre rreth mënyrës se si ne duhet ta shqyrtojmë veten kur marrim sakramentin?

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një listë të gjërave për të cilat mund të mendojnë kur marrin sakramentin. Ftojini që t’i përdorin listat e tyre si një kujtues për ta shqyrtuar veten gjatë sakramentit.

1 Korintasve 12:4, 7–12, 31; 13:1–8

Unë kam dhunti shpirtërore.

Pali dha mësim se “secilit i jepe[n]” dhuntitë e frymës (1 Korintasve 12:7). Ky parim mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë ndjenjën e tyre të vetëvlerësimit, veçanërisht ndërsa i përdorin dhuntitë e tyre për të bekuar të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të shkruajnë në tabelë dhuntitë shpirtërore që gjejnë te 1 Korintasve 12:7–11; 13:2. Ftojini të gjejnë ndonjë dhunti shtesë të përmendur te Moroni 10:8–18 dhe Doktrina e Besëlidhje 46:13–26. Tregojuni atyre disa dhunti të tjera shpirtërore të përmendura nga Plaku Marvin J. Ashton: “Dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të dëgjuarit [të tjerëve], … dhuntia e shmangies së grindjes …dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim … dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve … dhuntia e bërjes së lutjes; dhuntia e dhënies së një dëshmie të fortë” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20). Ftojini fëmijët të flasin për dhuntitë shpirtërore që i shohin te njëri-tjetri.

  • Përpara fillimit të orës mësimore, pyetini prindërit për dhuntitë që shohin te fëmijët e tyre ose mendoni vetë për dhuntitë e tyre. Tregojuni fëmijëve për këto dhunti dhe kërkojuni që të gjejnë se kush fëmijë e ka atë dhunti. Ftojini fëmijët të shkruajnë një mënyrë se si do ta përdorin dhuntinë e tyre për të bekuar dikë këtë javë.

  • Tregoni situata të ndryshme në të cilat njerëzit mund ta përdorin një dhunti shpirtërore nga 1 Korintasve 12:7–10. Ftojini fëmijët t’i përcaktojnë dhuntitë shpirtërore që mund të përdoren në secilën situatë.

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’ia tregojnë dhuntitë e tyre shpirtërore familjeve të tyre dhe t’i pyesin pjesëtarët e familjes së tyre se cilat janë dhuntitë e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni ftesa që e respektojnë lirinë e zgjedhjes. Ndërsa i ftoni fëmijët të veprojnë në përputhje me atë që po mësojnë, mendoni për mënyra se si ta nderoni lirinë e tyre të zgjedhjes. Në vend që të jepni ftesa [për diçka] të veçantë, merrni parasysh t’i ftoni të mendojnë për vetë mënyrat e tyre se si ta vënë në jetë atë që kanë mësuar.