Eja, Më Ndiq
9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’


“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)

“9–15 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019

Jezu Krishti

9–15 Shtator

2 Korintasve 1–7

“Paqtohuni me Perëndinë”

Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar 2 Korintasve 1–7. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide mbi mësimdhënien.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Disa nga fëmijët në klasën tuaj mund të kenë shkruar letra gjatë kësaj jave rreth mënyrës se si një pjesëtar i familjes është shembull i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit. Nëse e bënë këtë, kërkojini atyre paraprakisht që t’i tregojnë klasës një [prej këtyre] letrave. Ose kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka tjetër që mësuan.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Vegjël

2 Korintasve 1:3–4

Ati Qiellor më ngushëllon dhe unë mund t’i ngushëlloj të tjerët.

Si mund t’u jepni fëmijëve siguri se Ati Qiellor do t’i ngushëllojë ata? Si mund t’i nxitni ata që t’i ngushëllojnë të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Sillni sende në klasë që japin ngushëllim, të tilla si një batanije ose fasho. Pyetini fëmijët se çfarë i ngushëllon ata kur janë të trishtuar ose të frikësuar apo kur kanë probleme të tjera. Lexoni me fëmijët 2 Korintasve 1:3–4 dhe shpjegoni se “shtrëngim” është një fjalë tjetër për probleme të vështira. Tregoni disa mënyra me anë të të cilave Ati Qiellor ju ka ngushëlluar dhe dëshmoni se Ai do t’i ngushëllojë fëmijët gjithashtu.

  • Tregoni figura të njerëzve që po pagëzohen (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103 dhe 104) ndërkohë që u lexoni fëmijëve 2 Korintasve 1:4 dhe Mosia 18:8–9. Shpjegoni se kur pagëzohemi ne premtojmë t’i ngushëllojmë të tjerët. Si mund ta ndjekim këshillën e Palit për t’i “ngushëll[uar] ata që janë në çfarëdo shtrëngimi”?

  • Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të vetes së tyre duke ndihmuar dikë në nevojë. Lërini të shpjegojnë se si mund t’u sjellë ngushëllim të tjerëve bërja e këtyre gjërave.

2 Korintasve 2:7–8, 10

Unë mund t’i fal të tjerët.

Përzgjidhni nga veprimtaritë vijuese – ose ejani me vetë idetë tuaja – për të ndihmuar që të forcohet dëshira e fëmijëve për t’i falur të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se Pali dëshironte që shenjtorët korintas ta falnin një njeri që kishte mëkatuar. Lexojeni 2 Korintasve 2:7–8, 10 dhe ftojini fëmijët t’i vendosin duart e tyre mbi zemër sa herë që dëgjojnë fjalët falni dhe falur.

  • Ftojini fëmijët të interpretojnë me role mënyrën se si mund të reagojnë ndaj situatave kur dikush ka bërë diçka të pakëndshme. Lërini të thonë me radhë “Më vjen keq” dhe “Të fal”. Si i ndihmojmë njerëzit kur i falim ata? Shpjegoni se një mënyrë mund të jetë që t’u “shfaqni dashuri” ose t’u tregoni dashuri atyre (2 Korintasve 2:8).

2 Korintasve 4:1–2

Unë besoj në të qenit të ndershëm.

Pali dha mësim se shërbëtorët e Krishtit nuk i gënjejnë të tjerët – ata kanë “hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi”. Përsiatni mbi mënyrat se si mund t’ua forconi fëmijëve dëshirën për të qenë të ndershëm në të gjitha gjërat.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh frazën: “Ne besojmë në qenien të ndershëm” (Nenet e Besimit 1:13). Shkruajeni këtë frazë në byzylykë prej letre që fëmijët mund t’i zbukurojnë dhe t’i vënë në shtëpi. Shpjegoni se të jesh i ndershëm do të thotë të thuash të vërtetën.

  • Kërkojuni fëmijëve t’i ngrenë duart e tyre lart kur ju thoni diçka që është e vërtetë dhe t’i ulin ato kur ju thoni diçka që nuk është e vërtetë. Thoni pohime të thjeshta por të qarta, të tilla si: “Sot është e diel” ose “Unë kam 3 hundë”. Përsëriteni veprimtarinë disa herë, duke i lënë fëmijët që me radhë të jenë ai që thotë pohime të vërteta dhe të rreme. Përse është gjë e mirë të jesh i ndershëm?

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Korintasve 1:3–4

Ati Qiellor më ngushëllon dhe unë mund t’i ngushëlloj të tjerët.

Kur fëmijët e kujtojnë mënyrën se si Perëndia i ka ngushëlluar, ata mund të frymëzohen për t’i ofruar ngushëllim të tjerëve.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërsa lexoni 2 Korintasve 1:3–4, kërkojuni fëmijëve që të mbajnë vesh për një përgjigje ndaj pyetjes: “Çfarë bën Perëndia për ne?” Ndihmojini fëmijët të renditin mënyrat se si na ngushëllon Perëndia. Ftojini fëmijët që të tregojnë përvoja kur ata ishin të trishtuar ose të shqetësuar apo të frikësuar dhe Perëndia i ngushëlloi ata.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë për mënyrat se si ne mund t’i ngushëllojmë të tjerët. Jepuni atyre kohë të mendojnë për dikë që e njohin, i cili ka nevojë për ngushëllim dhe të bëjnë një plan për ta ndihmuar atë individ.

2 Korintasve 2:5–11

Unë mund t’i fal të tjerët.

Mund të jetë e vështirë t’i falësh të tjerët kur ata janë të pasjellshëm ndaj nesh. Por fëmijët të cilëve u jepni mësim do të përjetojnë dashuri, paqe dhe lumturi ndërsa mësojnë të falin.

Veprimtari të Mundshme

  • Thuajuni fëmijëve se dikush në Korint kishte mëkatuar dhe kishte “shkaktuar trishtim” për shenjtorët (shih 2 Korintasve 2:5). Kërkojini klasës të studiojë 2 Korintasve 2:7–8 për të zbuluar atë çfarë Pali donte që shenjtorët të bënin.

  • Tregoni një përvojë kur ju e falët dikë – ose dikush ju fali juve – dhe mënyrën se si u ndiet më pas.

2 Korintasve 5:6–7

Unë “eci nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”.

Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i nxitni fëmijët që t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë edhe kur nuk i shohin menjëherë bekimet që dëshirojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët te 2 Korintasve 5:6–7 dhe Alma 32:21, dhe kërkojuni atyre të kërkojnë fjalë e fraza që i ndihmojnë për ta përkufizuar besimin. Kërkojuni atyre t’i shkruajnë përkufizimet e tyre, t’i lexojnë me zë të lartë dhe t’i vendosin ato në tabelë.

  • Lidhjani sytë një fëmije dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë që t’i japin udhëzime për ta ndihmuar të kryejë një detyrë të tillë si të ndërtojë një kullë me blloqe, të vendosë së bashku copëzat e një figurëformueseje apo të ecë përmes dhomës. Si na ndihmon kjo veprimtari të kuptojmë se çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit” në Perëndi?

  • Shfaqeni materialin filmik “Pure and Simple Faith” [“Besim i Pastër dhe i Thjeshtë”] (LDS.org), dhe pyetini fëmijët se si eci e reja nëpërmjet besimit. Tregoni një përvojë kur juve ju desh të kishit besim në Perëndi. Ftojini fëmijët të tregojnë ndonjë përvojë që kanë pasur me ecjen nëpërmjet besimit.

2 Korintasve 7:8–11

Trishtimi sipas Perëndisë më çon drejt pendimit.

Është e natyrshme që fëmijët të ndihen të turpëruar apo në siklet kur kapen duke bërë diçka të gabuar. Ndihmojini ata që t’i dallojnë këto ndjenja nga trishtimi sipas Perëndisë, i cili çon drejt pendimit të vërtetë.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se te 2 Korintasve 7:8–11, Pali iu referua një letre që ua kishte shkruar më parë shenjtorëve duke i paralajmëruar hapur për mëkatet e tyre. Lexojini këto vargje së bashku. Përse Pali qe i gëzuar që shenjtorët ishin të trishtuar? Vini në dukje se ky lloj trishtimi quhet trishtimi sipas Perëndisë.

  • Kërkojuni fëmijëve t’i mbyllin sytë dhe të mendojnë për një rast kur ata bënë diçka të gabuar dhe u ndien keq për këtë. Ftojini që ta pyetin veten: “Përse u ndjeva keq?” Shkruajini në tabelë disa nga arsyet përse njerëzit ndihen keq pasi kanë bërë diçka të gabuar, të tillë si “Kisha frikë se do të ndëshkohesha” ose “Pata turp nga ajo që njerëzit do të mendonin për mua”, apo “E dija se Ati Qiellor ishte i zhgënjyer nga unë”. Cilat prej përgjigjeve në tabelë duket si “trishtimi sipas Perëndisë”? Përse është trishtimi sipas Perëndisë më i mirë se sa llojet e tjera të trishtimit që mund të ndiejmë pasi bëjmë diçka të gabuar?

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Thuajuni fëmijëve se ata mund ta bëjnë një prej veprimtarive të orës së sotme mësimore me familjet e tyre në shtëpi, ndoshta gjatë një mbrëmjeje familjare.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Paraqitni një shkrim të shenjtë. Përzgjidhni një varg të shkrimit të shenjtë që ju duket domethënës dhe vëreni në klasën tuaj atje ku fëmijët do ta shohin shpesh. Ndoshta fëmijët mund të përzgjedhin me radhë një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.