Eja, Më Ndiq
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta


“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

familje duke diskutuar shkrimet e shenjta

Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Familjar të Shkrimeve të Shenjta

Studimi i rregullt familjar i shkrimeve të shenjta është një mënyrë e fuqishme për ta ndihmuar familjen tuaj që të mësojë ungjillin. Sa shumë faqe dhe për sa kohë lexoni si familje nuk është aq e rëndësishme sa të qenit të vazhdueshëm në përpjekjet tuaja. Kur e bëni studimin e shkrimeve të shenjta një pjesë të rëndësishme të jetës suaj familjare, ju do t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të vijnë më pranë Jezu Krishtit dhe t’i ngrenë dëshmitë e tyre mbi themelin e fjalës së Tij. Merrni parasysh pyetjet që vijojnë:

  • Si mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes që t’i studiojnë vetë shkrimet e shenjta?

  • Çfarë mund të bëni për t’i nxitur pjesëtarët e familjes që ta tregojnë atë që po mësojnë?

  • Si mund t’i theksoni parimet që po mësoni në Dhiatën e Re, në çastet e përditshme të mësimdhënies?

Theksoni se shtëpia është vendi i përsosur për mësimin e ungjillit. Ju mund ta mësoni dhe ta jepni mësim ungjillin në shtëpi në mënyra që janë të pamundura në një orë mësimore të Kishës. Jini krijues kur mendoni për mënyra se si ta ndihmoni familjen tuaj që të mësojë nga shkrimet e shenjta. Përdorni disa nga idetë vijuese që ta përmirësoni studimin tuaj familjar të shkrimeve të shenjta:

Lexoni Shkrime të Shenjta Kuptimplote

Jepuni kohë pjesëtarëve të familjes që të tregojnë fragmente të shkrimeve të shenjta të cilat i kanë gjetur domethënëse gjatë studimit të tyre vetjak.

Përdorni Vetë Fjalët Tuaja

Ftojini pjesëtarët e familjes të përmbledhin me fjalët e tyre atë që mësojnë nga shkrimet e shenjta që studioni.

Zbatojini Shkrimet e Shenjta në Jetën Tuaj

Pas leximit të një fragmenti të shkrimeve të shenjta, kërkojuni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë mënyra se si fragmenti gjen zbatim në jetën e tyre.

Bëni një Pyetje

Ftoni pjesëtarë të familjes që të bëjnë një pyetje nga ungjilli dhe më pas shpenzoni kohë duke kërkuar vargje që mund të ndihmojnë për t’i dhënë përgjigje pyetjes.

Paraqitni një Shkrim të Shenjtë

Përzgjidhni një varg që e mendoni domethënës, dhe paraqiteni atje ku pjesëtarët e familjes do ta shohin shpesh. Ftoni pjesëtarë të tjerë të familjes që ta bëjnë me radhë duke përzgjedhur një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.

Bëni një Listë të Shkrimeve të Shenjta

Si familje, zgjidhni disa vargje që do të donit t’i diskutonit gjatë javës së ardhshme.

Mësoni Përmendsh Shkrime të Shenjta

Përzgjidhni një fragment të shkrimeve të shenjta që është domethënës për familjen tuaj, dhe ftojini pjesëtarët e familjes ta mësojnë përmendsh duke e përsëritur çdo ditë ose duke luajtur një lojë për ta mësuar përmendsh.

Jepni Mësime me Objekte

Gjeni objekte që lidhen me kapitujt dhe vargjet që po i lexoni si familje. Ftoni pjesëtarë të familjes që të flasin rreth mënyrës se si secili objekt lidhet me mësimet në shkrimet e shenjta.

Zgjidhni një Temë

Lejojini pjesëtarët e familjes që të zgjedhin me radhë një temë të cilën familja do ta studiojë së bashku. Përdorni Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], Bible Dictionary [Fjalorin Biblik] ose Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org) për të gjetur fragmente të shkrimeve të shenjta rreth temës.

Vizatoni një Figurë

Lexoni disa vargje si familje dhe më pas lejoni kohë për pjesëtarë të familjes që të vizatojnë diçka që lidhet me atë që lexuat. Shpenzoni kohë duke i diskutuar vizatimet e njëri‑tjetrit.

Luani me Role një Histori

Pas leximit të një historie, ftoni pjesëtarë të familjes që ta luajnë atë me role. Pastaj, flisni rreth mënyrës se si historia lidhet me gjërat që ju po i përjetoni individualisht dhe si familje.

çift i moshuar duke lexuar shkrimet e shenjta

Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Secila lutje familjare, secili episod i studimit familjar të shkrimit të shenjtë dhe secila mbrëmje familjare në shtëpi është një gjurmë peneli në telajon e shpirtit tonë. As edhe një ndodhì nuk duket të jetë shumë mbresëlënëse apo e paharrueshme. Por, ashtu si penelatat e verdha, të arta dhe kafe të bojës, plotësojnë njëra-tjetrën dhe japin një kryevepër mbresëlënëse, po ashtu vazhdueshmëria jonë në kryerjen e gjërave në dukje të vogla, mund të çojë në rezultate shpirtërore të rëndësishme” (“Më të Zellshëm dhe më të Përfshirë në Shtëpi”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 19–20).