“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve në Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Këtu janë disa mënyra të thjeshta për ta rritur studimin tuaj të fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta:
Kërkoni të Vërteta rreth Jezu Krishtit
Shkrimet e shenjta na mësojnë se të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin (shih 2 Nefi 11:4; Moisiu 6:63), kështu që kërkojeni Atë në ngjarjet, historitë dhe mësimet e Dhiatës së Re. Mbani parasysh t’i shënoni ose t’i shenjoni vargjet që japin mësim rreth Shpëtimtarit dhe mënyrës se si ta ndjekim Atë.
Kërkoni Fjalë dhe Fraza Frymëzuese
Ju mund të gjeni se fjalë e fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju lënë mbresë, sikur të ishin shkruar posaçërisht për ju. Ato mund t’ju duken me domethënie vetjake dhe mund t’ju frymëzojnë e t’ju japin shtytje. Merrni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në një ditar studimi.
Kërkoni të Vërteta të Ungjillit
Nganjëherë të vërtetat e ungjillit (shpesh të quajtura doktrinë apo parime) shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një shembulli apo historie. Pyeteni veten: “Çfarë të vërtetash të përjetshme na mësohen në këto vargje?”
Dëgjojeni Shpirtin
Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe nëse ato nuk kanë lidhje me atë që po lexoni. Ato përshtypje mund të jenë pikërisht gjërat që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju t’i mësoni.
Përshtatini Shkrimet e Shenjta me Jetën Tuaj
Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet që po lexoni, gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta pyetni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me atë që po lexoj?” ose “Si mund ta ndjek shembullin e këtij personi në shkrimet e shenjta?”
Bëni Pyetje ndërsa Studioni
Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Këto pyetje mund të kenë lidhje me atë që po lexoni ose me jetën tuaj në përgjithësi. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje ndërkohë që vazhdoni t’i studioni shkrimet e shenjta.
Përdorni Ndihma për Studimin e Shkrimeve të Shenjta
Për të fituar ide shtesë për vargjet që lexoni, përdorni poshtëshënimet, Topical Guide [Udhëzuesin Tematik], Bible Dictionary [Fjalorin Biblik], Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.lds.org) dhe ndihma të tjera për studimin.
Mbani Shënim Mendimet dhe Ndjenjat Tuaja
Ka shumë mënyra se si t’i mbani shënim përshtypjet që ju vijnë teksa studioni. Për shembull, ju mund të shenjoni një fjalë apo frazë kuptimplote dhe t’i mbani shënim mendimet tuaja si një shënim në shkrimet tuaja të shenjta. Ju gjithashtu mund të mbani një ditar me idetë, ndjenjat dhe mbresat që merrni.
Studioni Fjalët e Profetëve dhe të Apostujve të Ditëve të Mëvonshme
Lexojeni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth parimeve që i gjeni në shkrimet e shenjta (për shembull, shih conference.lds.org dhe revistat e Kishës).
Jepni Ide
Diskutimi i ideve nga studimi juaj vetjak jo vetëm që është një mënyrë e mirë për t’i mësuar të tjerët, por edhe ndihmon në forcimin e kuptimit tuaj për atë që keni lexuar.
Jetoni sipas Asaj që Mësoni
Studimi i shkrimeve të shenjta jo vetëm që duhet të na frymëzojë – ai duhet të na udhëheqë që ta ndryshojmë mënyrën se si jetojmë. Dëgjojeni atë që Shpirti ju nxit të bëni ndërsa lexoni, dhe më pas zotohuni që të veproni sipas atyre nxitjeve.
Presidenti Tomas S. Monson tha: “Ndërsa i lexojmë dhe i përsiatim shkrimet e shenjta, ne vërtet do të përjetojmë pëshpëritjet e ëmbla të Shpirtit drejtuar shpirtrave tanë. Mund të gjejmë përgjigje për pyetjet tona. Mësojmë për bekimet që vijnë nëpërmjet zbatimit të urdhërimeve të Perëndisë. Fitojmë një dëshmi të sigurt për Atin tonë Qiellor dhe Shpëtimtarin tonë, Jezu Krishtin, dhe për dashurinë e Tyre për ne. Kur studimi i shkrimeve të shenjta ndërthuret me lutjet tona, ne mund ta dimë me siguri se ungjilli i Jezu Krishtit është i vërtetë. … Kur e kujtojmë lutjen dhe gjejmë kohë për t’u kthyer te shkrimet e shenjta, jeta jonë do të jetë pafundësisht më e bekuar dhe barrët tona do të bëhen më të lehta” (“Nuk Ecim Kurrë Vetëm”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 122).