“30 Janar – 5 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5: ‘Fryma e Zotit Është mbi Mua’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“30 Janar – 5 Shkurt. Mateu 4; Lluka 4–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
30 Janar – 5 Shkurt
Mateu 4; Lluka 4–5
“Fryma e Zotit Është mbi Mua”
Shpëtimtari përdori shkrimet e shenjta për t’u bërë ballë tundimeve të Satanit si edhe për të dëshmuar për misionin e Tij hyjnor (shih Lluka 4:1–21). Përsiatni se si shkrimet e shenjta mund ta ndërtojnë besimin tuaj dhe vendosmërinë tuaj për t’i bërë ballë tundimit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Që prej rinisë së Tij, Jezusi dukej se ishte në dijeni që Ai kishte një mision të pashoq, të shenjtë. Por ndërsa Jezusi u përgatit për të filluar shërbesën e Tij tokësore, kundërshtari u përpoq të mbillte dyshim në mendjen e Shpëtimtarit. “Nëse je Biri i Perëndisë”, tha Satani (Lluka 4:3, theksimi i shtuar). Por Shpëtimtari kishte biseduar me Atin e Tij në Qiell. Ai i njihte shkrimet e shenjta dhe Ai e dinte se kush ishte. Për Atë, oferta e Satanit – “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive” (Lluka 4:6) – ishte një ofertë boshe, pasi përgatitja që bëri Shpëtimtari gjatë gjithë jetës, e lejoi Atë të merrte “fuqinë e Frymës” (Lluka 4:14). Kështu që pavarësisht nga tundimi, sprovat dhe mospranimi, Jezu Krishti kurrë nuk u lëkund nga puna që i ishte caktuar: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë … sepse për këtë jam dërguar” (Lluka 4:43).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Bisedimi me Perëndinë më përgatit që t’i shërbej Atij.
Që të përgatitej për misionin e Tij, Jezusi shkoi në shkretëtirë “për të qenë me Perëndinë” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:1). Mendoni për atë që bëni për t’u ndier më pranë Perëndisë. Si ju përgatit kjo për punën që Ai dëshiron që ju ta bëni?
Jezu Krishti dha shembullin për mua duke i bërë ballë tundimit.
Ndonjëherë njerëzit ndihen fajtorë kur tundohen që të mëkatojnë. Por edhe Shpëtimtari, i cili jetoi “pa mëkatuar” (Hebrenjve 4:15), u tundua. Jezu Krishti i njeh tundimet me të cilat përballemi dhe mënyrën se si të na ndihmojë për t’i mposhtur ato (shih Hebrenjve 2:18; Alma 7:11–12).
Ndërsa lexoni vargjet te Mateu 4:1–11 dhe Lluka 4:1–13, çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë kur përballeni me tundime? Ju mund t’i organizoni mendimet tuaja në një tabelë si kjo:
Jezu Krishti |
Unë |
---|---|
Jezu Krishti Çfarë e tundoi Satani Krishtin që të bënte? | Unë Çfarë më tundon Satani mua që të bëj? |
Jezu Krishti Si u përgatit Krishti për t’i bërë ballë tundimit? | Unë Si mund të përgatitem unë për t’i bërë ballë tundimit? |
Jezu Krishti | Unë |
Çfarë idesh të mëtejshme merrni nga Përkthimi prej Joseph Smith-it të kapitullit te Mateu 4?
Shih edhe 1 Korintasve 10:13; Alma 13:28; Moisiu 1:10–22; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Temptation” [“Tundimi”], topics.ChurchofJesusChrist.org.
Jezu Krishti është Mesia për të cilin u profetizua.
Nëse do t’ju kërkohej ta përshkruanit atë që u dërgua Jezu Krishti të bënte në tokë, çfarë do të thoshit? Duke cituar një nga profecitë e Isaias rreth Mesias, Shpëtimtari përshkroi aspekte të vetë misionit të Tij (shih Lluka 4:18–19; Isaia 61:1–2). Çfarë mësoni rreth misionit të Tij teksa i lexoni këto vargje?
Cilat janë disa mënyra se si Shpëtimtari ju fton të merrni pjesë në veprën e Tij?
Ndonëse judenjtë kishin pritur për shekuj që të përmbushej profecia e Isaias, shumë njerëz nuk e pranuan që Jezusi ishte Mesia kur Ai shpalli: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja” (Lluka 4:21). Ndërsa lexoni vargjet te Lluka 4:20–30 (shih edhe Marku 6:1–6), përpiquni ta vini veten në vend të popullit të Nazaretit. A ka ndonjë gjë që mund t’ju pengonte ta pranonit plotësisht Krishtin si Shpëtimtarin tuaj vetjak?
Shih edhe Mosia 3:5–12; “Jesus Declares He Is the Messiah” [“Jezusi Shpall se Ai Është Mesia”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Kur kam mirëbesim te Zoti, Ai mund të më ndihmojë që ta arrij potencialin tim hyjnor.
Presidenti Ezra Taft Benson dha mësim: “Burrat dhe gratë që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër sesa ata prej jetës së tyre” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 46). Vini re se si kjo gjë i ndodhi Simon Pjetrit dhe shokëve të tij peshkatarë. Jezusi pa diçka më të madhe tek ata nga sa panë ata te vetja. Ai donte t’i bënte ata “peshkatarë njerëzish” (Mateu 4:19; shih edhe Lluka 5:10).
Ndërsa lexoni vargjet te Mateu 4:18–22 dhe Lluka 5:1–11, përsiatni mbi atë që po ju ndihmon Jezu Krishti të bëheni. Si e keni ndier Atë t’ju ftojë që ta ndiqni? Si mund t’ia tregoni Zotit se jeni të gatshëm të lini çdo gjë për ta ndjekur Atë? (Shih Lluka 5:11.)
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Mateu 4:1–2; Lluka 4:1–2.Çfarë idesh mund të marrim nga ky rrëfim rreth fuqisë së agjërimit? Për ta ndihmuar familjen tuaj të mësojë rreth agjërimit, ju mund të përdorni temën “Fasting and Fast Offerings” [“Agjërimi dhe Ofertat e Agjërimit”] tek Gospel Topics [Temat e Ungjillit] (topics.ChurchofJesusChrist.org). Pjesëtarë të familjes mund të tregojnë përvojat që kanë pasur me agjërimin. Ndoshta ju me lutje mund të bëni plane që të agjëroni së bashku për një qëllim të veçantë.
-
Mateu 4:3–4; Lluka 4:3–4.Kur Satani e tundoi Krishtin që ta kthente gurin në bukë, ai sfidoi identitetin hyjnor të Krishtit duke thënë: “Në qoftë se je Biri i Perëndisë” (Mateu 4:3, theksimi i shtuar). Përse përpiqet Satani që të na bëjë ta vëmë në dyshim identitetin tonë hyjnor – dhe identitetin hyjnor të Shpëtimtarit? Si përpiqet ai që ta bëjë këtë? (Shih edhe Moisiu 1:10–23.)
-
Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:11.Pasi Jezusi u vu në provë fizikisht dhe shpirtërisht, mendimet e Tij u drejtuan te nevojat e Gjon Pagëzorit, i cili ishte në burg: “Dhe tani Jezusi e dinte se Gjoni ishte futur në burg dhe dërgoi engjëj, dhe ja, ata erdhën dhe i shërbyen [Gjonit]” (Përkthimi prej Joseph Smith-it, Mateu 4:11). Si bekohemi ne kur e ndjekim shembullin e Krishtit që mendoi për të tjerët?
-
Lluka 4:16–21.A njohim ndonjë njeri që është zemërthyer apo që ka nevojë “për [t’u] çliruar”? (Lluka 4:18.) Si mund t’i ndihmojmë të tjerët që ta marrin shërimin dhe çlirimin nga Shpëtimtari? Ju gjithashtu mund të diskutoni se si bërja e ordinancave të tempullit ndihmon për të sjellë “çlirimin e të burgosurve” (Lluka 4:18).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Himni i sugjeruar: “Eja, Më Ndiq”, Himne, nr. 60.