“13–19 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6: ‘Lum Ju’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“13–19 Shkurt. Mateu 5; Lluka 6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
13–19 Shkurt
Mateu 5; Lluka 6
“Lum Ju”
Kushtojuni vëmendje mbresave që merrni teksa lexoni kapitujt te Mateu 5 dhe Lluka 6 dhe shënojini ato në një ditar studimi ose në ndonjë mënyrë tjetër. Ky përvijim i mësimit mund t’ju ndihmojë të përcaktoni disa parime të rëndësishme në këta kapituj, por jini të hapur ndaj të tjerave që zbuloni gjatë studimit tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në këtë pikë të shërbesës së Tij, qe e qartë se mësimet e Jezusit do të ishin ndryshe nga ajo që ishin mësuar të dëgjonin njerëzit në kohën e Tij. Skamësit do të marrin mbretërinë e Perëndisë? Zemërbutët do të trashëgojnë tokën? Lum ata që përndiqen? Skribët dhe farisenjtë nuk po i jepnin mësim të tilla gjëra. Dhe prapëseprapë ata që e kuptonin vërtet ligjin e Perëndisë, e dalluan të vërtetën te fjalët e Shpëtimtarit. “Sy për sy” dhe “urreje armikun tënd” ishin ligje më të ulëta (Mateu 5:38, 43). Por Jezu Krishti kishte ardhur të jepte mësim një ligj më të lartë (shih 3 Nefi 15:2–10), të hartuar për të na ndihmuar që një ditë të bëhemi “të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati [ynë], që është në qiej” (Mateu 5:48).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Mateu 5:1–12; Lluka 6:20–26, 46–49
Lumturia e përhershme vjen nga të jetuarit sipas mënyrës që dha mësim Jezu Krishti.
Të gjithë dëshirojnë të jenë të lumtur, por jo gjithkush e kërkon lumturinë në të njëjtat vende. Disa e kërkojnë atë te fuqia dhe pozitat e kësaj bote, të tjerë te pasuria ose te kënaqja e dëshirave fizike. Jezu Krishti erdhi që të jepte mësim udhën drejt lumturisë së përhershme, që të jepte mësim se çfarë do të thotë me të vërtetë të jesh i bekuar. Çfarë mësoni rreth fitimit të lumturisë së përhershme nga Mateu 5:1–12 dhe Lluka 6:20–26? Si është kjo e ndryshme nga pikëpamja e botës për lumturinë?
Çfarë ju mësojnë këto vargje, së bashku me vargjet te Lluka 6:46–49, rreth të qenit një dishepull i Jezu Krishtit? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni, për t’i zhvilluar cilësitë e përshkruara në këto vargje?
Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Lumturitë”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org; “Sermon on the Mount: The Beatitudes” [“Predikimi në Mal: Lumturitë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
“Ju jeni kripa e tokës.”
Kripa është përdorur prej kohësh për të ruajtur [si lëndë konservuese], për të dhënë shije e pastruar. Kripa kishte edhe domethënie fetare për izraelitët. Ajo kishte lidhje me praktikën e lashtë të flijimit të kafshëve sipas ligjit të Moisiut (shih Levitiku 2:13; Numrat 18:19). Kur kripa bëhet e amësht, ajo bëhet e padobishme ose “nuk vlen për asgjë” (Mateu 5:13). Kjo ndodh kur ajo përzihet me elementë të tjerë ose ndotet prej tyre.
Mbajeni këtë në mendje ndërsa përsiatni vargun te Mateu 5:13. Si do ta ruani shijen tuaj si një dishepull i Jezu Krishtit? Si do ta përmbushni punën tuaj ruajtëse dhe pastruese si kripa e tokës?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 103:9–10.
Ligji i Krishtit e zëvendëson ligjin e Moisiut.
Dishepujt mund të jenë habitur kur e dëgjuan Jezusin të thoshte se drejtësia e tyre nevojitej t’ia kalonte asaj të skribëve dhe farisenjve (shih Mateu 5:20), të cilët e mburrnin veten për atë se sa mirë e zbatonin ligjin e Moisiut.
Teksa lexoni vargjet te Mateu 5:21–48 dhe Lluka 6:27–35, merrni parasysh t’i shenjoni si mënyrat e sjelljes që kërkoheshin në ligjin e Moisiut (“Ju keni dëgjuar se …”) edhe ato që dha mësim Jezusi për t’i lartësuar ato mënyra sjelljeje. Si mendoni, përse mënyra e Shpëtimtarit është një ligj më i lartë?
Për shembull, çfarë dha mësim Jezusi te Mateu 5:27–28 rreth përgjegjësisë sonë për t’i kontrolluar mendimet tona? Si mund të keni më shumë kontroll mbi mendimet dhe ndjenjat që iu vijnë në mendje dhe zemër? (Shih Doktrina e Besëlidhje 121:45.)
Shih edhe “Sermon on the Mount: The Higher Law” [“Predikimi në Mal: Ligji më i Lartë”] (materiali filmik), ChurchofJesusChrist.org.
A pret me të vërtetë Ati Qiellor prej meje që të jem i/e përkryer?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim:
“Termi të përkryer u përkthye nga fjala greke teleios, që do të thotë ‘i plotësuar’. … Paskajorja e foljes është teleiono, që do të thotë ‘të arrish një qëllim përfundimtar, të jesh plotësisht i zhvilluar, të përmbushësh ose të përfundosh’. Ju lutem, vini re që fjala nuk nënkupton ‘i çliruar nga gabimi’; ajo nënkupton ‘arritjen e një pikësynimi të largët’. …
Zoti dha mësim: ‘Ju nuk jeni në gjendje ta duroni praninë e Perëndisë tani …; si rrjedhim, vazhdoni me durim derisa të përsoseni’ [Doktrina e Besëlidhje 67:13].
Ne nuk kemi nevojë të zhgënjehemi nëse përpjekjet tona të zellshme drejt përsosjes tani duken kaq të mundimshme dhe të pafundme. Përsosja është duke pritur. Ajo mund të vijë e plotë vetëm pas Ringjalljes dhe vetëm nëpërmjet Zotit. Ajo i pret të gjithë ata që e duan Atë dhe i zbatojnë urdhërimet e Tij” (“Perfection Pending”, Ensign, nëntor 1995, f. 86, 88).
Shih edhe 2 Pjetër 1:3–11; Moroni 10:32–33; Doktrina e Besëlidhje 76:69; Xhefri R. Holland, “Jini, pra, të Përkryer – Përfundimisht”, Liahona, nëntor 2017, f. 40–42.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Mateu 5:1–9.Cilat parime që na mësohen te Mateu 5:1–9, mund ta ndihmojnë shtëpinë tuaj që të jetë një vend më i lumtur? Ju mund të zgjidhni një ose dy parime që duken veçanërisht të rëndësishme për familjen tuaj. Për shembull, çfarë mësimesh gjejmë që mund të na ndihmojnë të jemi paqebërës? (Shih Mateu 5:21–25, 38–44.) Çfarë synimesh mund të vendosim? Si do ta ndjekim ecurinë?
-
Mateu 5:13.Hani së bashku disa ushqime të kripura dhe të njëjtat ushqime pa kripë. Çfarë ndryshimi vëmë re? Çfarë do të thotë të jesh “kripa e tokës”? Si mund ta bëjmë këtë?
-
Mateu 5:14–16.Për ta ndihmuar familjen tuaj të kuptojë se çfarë do të thotë të jeni “drita e botës”, ju mund të shqyrtoni disa prej burimeve të dritës në shtëpinë tuaj, në mëhallën tuaj dhe në botë. Mund të jetë e dobishme të tregoni se çfarë ndodh kur e fshihni një dritë. Çfarë nënkuptoi Jezusi kur tha: “Ju jeni drita e botës”? (Mateu 5:14.) Kush ka qenë si një dritë për familjen tonë? Si mund të jemi një dritë për të tjerët? (Shih 3 Nefi 18:16, 24–25).
-
Mateu 5:43–45.Ndërsa familja juaj lexon fjalët e Shpëtimtarit te këto vargje, ju mund të flisni rreth atyre, veçanërisht, që ndiheni se mund t’i doni, bekoni dhe për të cilët të luteni. Si mund ta rritim dashurinë tonë për ta?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Shkëlqe”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 96–97.