“29 Maj – 4 Qershor. Mateu 26; Marku 14; Gjoni 13: ‘Në Përkujtim’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“29 Maj – 4 Qershor. Mateu 26; Marku 14; Lluka 13”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
29 Maj – 4 Qershor
Mateu 26; Marku 14; Gjoni 13
“Në Përkujtim”
Ndërsa lexoni për ngjarjet e përshkuara te Mateu 26, Marku 14 dhe Gjoni 13, kushtojini vëmendje çdo mbrese që merrni, veçanërisht atyre mbresave që e thellojnë besimin tuaj te Jezu Krishti dhe zotimin tuaj ndaj Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ditën përpara se Jezusi të vdiste, Ai iu dha dishepujve të Tij diçka për ta kujtuar Atë. Ai “mori bukën, e bekoi, e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: ‘Merrni, hani; ky është trupi im’. Pastaj mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: ‘Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im’” (Mateu 26:26–28).
Kjo ndodhi rreth 2 000 vjet më parë, në një vend që shumica prej nesh nuk do ta shohin asnjëherë, në një gjuhë që shumë pak prej nesh mund ta kuptojnë. Por tani, çdo të diel në vendet tona të mbledhjeve, mbajtës të priftërisë, të autorizuar për të vepruar në emrin e Jezu Krishtit, bëjnë atë që Ai bëri dikur. Ata marrin bukë dhe ujë, e bekojnë atë dhe ia japin secilit prej nesh, dishepujve të Tij. Është një veprim i thjeshtë – a mund të ketë diçka më të thjeshtë, më thelbësore sesa ngrënia e bukës dhe pirja e ujit? Por ajo bukë dhe ai ujë janë të shenjta për ne pasi na ndihmojnë ta kujtojmë Atë. Ato janë mënyra jonë për të thënë: “Nuk do ta harroj kurrë Atë” – jo thjesht, “Nuk do ta harroj kurrë atë që kam lexuar rreth mësimeve të Tij dhe jetës së Tij”. Përkundrazi ne po themi: “Nuk do ta harroj kurrë atë që Ai bëri për mua”. “Nuk do ta harroj kurrë se si Ai më shpëtoi kur thirra për ndihmë.” Dhe “Nuk do ta harroj kurrë zotimin e Tij ndaj meje dhe zotimin tim ndaj Tij – besëlidhjen që kemi bërë”.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
“Ajo [erdhi] … [të] vajos[ë] … trupin tim për varrim.”
Me një akt të përulur adhurimi, gruaja e përshkruar në këto vargje tregoi se ajo e dinte se kush ishte Jezusi dhe se çfarë do të bënte Ai (shih Mateu 26:12). Përse mendoni se veprimet e saj ishin kaq domethënëse për Shpëtimtarin? (Shih vargun 13.) Çfarë ju bëri përshtypje te gruaja dhe besimi i saj? Përsiatni se si mund ta ndiqni shembullin e saj.
Shih edhe Gjoni 12:1–8.
Mateu 26:20–22; Marku 14:17–19
“Mos jam unë; Zot?”
Çfarë mësoni për dishepujt nga pyetja e tyre drejtuar Zotit në këto vargje? Përse mendoni se e bënë atë pyetje? Merrni parasysh se si mund t’ia bëni Zotit pyetjen: “Mos jam unë?”
Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Mos Jam Unë, Zot?”, Liahona, nëntor 2014, f. 56–59.
Mateu 26:26–29; Marku 14:22–25
Sakramenti është një mundësi që ta kujtojmë Shpëtimtarin.
Kur Shpëtimtari ua paraqiti sakramentin dishepujve të Tij, çfarë mendimesh dhe ndjenjash përfytyroni se do të kishin pasur ata? Mendoni rreth kësaj ndërsa lexoni për përvojën e tyre te Mateu 26:26–29 dhe Marku 14:22–25. Si mendoni, përse Jezusi zgjodhi këtë mënyrë për ne që ta kujtojmë Atë? Ju gjithashtu mund të përsiatni përvojat që keni pasur gjatë sakramentit. A ka ndonjë gjë që mund të bëni për ta bërë përvojën tuaj më të shenjtë dhe më kuptimplotë?
Pasi t’i lexoni dhe përsiatni këto vargje, ju mund të shkruani disa gjëra që u ndiet të frymëzuar t’i kujtonit rreth Shpëtimtarit. Ju mund t’i shqyrtoni këto gjëra herën e ardhshme që do të merrni sakramentin. Gjithashtu mund t’i shqyrtoni ato në herë të tjera, si një mënyrë që “gjithmonë ta kujto[ni] atë” (Moroni 4:3).
Shih edhe Lluka 22:7–39; 3 Nefi 18:1–13; Doktrina e Besëlidhje 20:76–79; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Sacrament” [“Sakramenti”], topics.ChurchofJesusChrist.org; “Always Remember Him” [“Gjithmonë Kujtojeni Atë”] (material filmik), ChurchofJesusChrist.org.
Shpëtimtari është shembulli ynë i shërbimit me përulësi ndaj të tjerëve.
Në kohën e Jezusit, larja e këmbëve të një personi tjetër ishte një detyrë për shërbëtorët, jo udhëheqësit. Por Jezusi donte që dishepujt e Tij të mendonin ndryshe mbi atë se çfarë do të thotë të udhëheqësh dhe të shërbesh. Çfarë mesazhesh gjeni në fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit te Gjoni 13:1–17? Në kulturën tuaj, larja e këmbëve të të tjerëve mund të mos jetë një mënyrë e zakonshme për të shërbyer. Por merrni parasysh se çfarë mund të bëni për ta ndjekur shembullin e Shpëtimtarit për shërbimin e përulur.
Mund të jetë interesante gjithashtu të vini re gjërat që dinte dhe ndjeu Jezusi gjatë kësaj kohe të shenjtë me Apostujt e Tij (shih vargjet 1 dhe 3). Çfarë ju ndihmojnë të mësoni këto ide rreth Shpëtimtarit?
Shih edhe Lluka 22:24–27.
Dashuria ime për të tjerët është një shenjë që jam një dishepull/e i/e vërtetë i/e Jezu Krishtit.
Më përpara, Jezusi kishte dhënë urdhërimin: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten” (Mateu 22:39). Tani Ai dha “një urdhërim të ri”. Çfarë mendoni se do të thotë t’i doni të tjerët siç ju do Jezusi? (Shih Gjoni 13:34.)
Ju gjithashtu mund të përsiatni se si njerëzit e tjerë e dinë se jeni një dishepull/e i/e Jezu Krishtit. Si mund të siguroheni se dashuria është karakteristika juaj përcaktuese si një i/e krishterë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Mateu 26:26–29; Marku 14:22–25.Si ngjan përvoja e familjes suaj gjatë sakramentit çdo javë? Leximi rreth sakramentit të parë mund të frymëzojë një diskutim rreth rëndësisë së sakramentit dhe mënyrave për ta përmirësuar përvojën tuaj. Merrni parasysh të paraqitni figurën Shpërndarja e Sakramentit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr.108) dhe të jepni ide rreth asaj që mund të bëni përpara, gjatë dhe pas sakramentit.
-
Mateu 26:30.Merrni parasysh të këndoni një himn, siç bënë Jezusi dhe Apostujt e Tij – ndoshta një himn sakramenti. Si mund të ketë qenë të kënduarit e një himni një bekim për Jezusin dhe Apostujt e Tij në atë kohë? Si janë himnet një bekim për ne?
-
Gjoni 13:1–17.Ndërsa lexoni këto vargje, ju mund të dëshironi t’i tregoni familjes figurën në fund të këtij përvijimi të mësimit. Çfarë të vërtetash dha mësim Shpëtimtari nëpërmjet veprimeve të Tij? Cilat hollësi në figurë na ndihmojnë t’i kuptojmë këto të vërteta? Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se si të jetuarit e këtyre të vërtetave u ka sjellë atyre lumturi (shih Gjoni 13:17).
-
Gjoni 13:34–35.Pasi t’i lexoni këto vargje, ju mund të flisni së bashku rreth mënyrës se si njerëz të tjerë e dinë se ju jeni dishepuj të Jezu Krishtit. Si dëshiron Shpëtimtari që të njihen pasuesit e Tij? Ju mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes të flasin rreth njerëzve dashuria e të cilëve për të tjerët tregon se ata janë dishepuj të vërtetë të Jezu Krishtit. Ju gjithashtu mund të diskutoni për mënyrat se si mund të tregoni më shumë dashuri si familje.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Doni Njëri-Tjetrin”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 74.