“12–18 Qershor. Lluka 22; Gjoni 18: ‘Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“12–18 Qershor. Lluka 22; Gjoni 18”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
12–18 Qershor
Lluka 22; Gjoni 18
“Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti”
Merrni kohën që ju duhet për të lexuar kapitujt te Lluka 22 dhe Gjoni 18 këtë javë. Përsiatni dhe lutuni për ato që lexoni. Bërja e kësaj gjëje i jep mundësi Shpirtit të japë dëshmi në zemrën tuaj se shkrimet e shenjta janë të vërteta.
Shënojini Mbresat Tuaja
Pati vetëm tre dëshmitarë të vdekshëm të vuajtjes së Jezu Krishtit në Kopshtin e Gjetsemanit – dhe ata fjetën gjatë pjesës më të madhe të saj. Në atë kopsht dhe më vonë në kryq, Jezusi mori mbi veten e Tij mëkatet, dhembjet dhe vuajtjet e çdo njeriu që jetoi ndonjëherë, edhe pse pothuajse askush i gjallë në atë kohë nuk e dinte se çka po ndodhte. Ngjarjet më të rëndësishme të përjetësisë shpesh kalojnë pa shumë vëmendje nga bota. Por Perëndia, Ati e dinte. Ai e dëgjoi përgjërimin e Birit të Tij besnik: “O Atë, po të duash, largoje këtë kupë nga unë! Megjithatë mos u bëftë vullneti im, por yti. Atëherë iu shfaq një engjëll nga qielli për t’i dhënë forcë” (Lluka 22:42–43). Ndonëse nuk ishim atje për ta dëshmuar këtë veprim vetëmohimi dhe nënshtrimi, ne jemi dëshmitarë të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Çdo herë që pendohemi dhe marrim falje për mëkatet tona, çdo herë që e ndiejmë fuqinë forcuese të Shpëtimtarit, ne mund të dëshmojmë për realitetin e asaj që ndodhi në Kopshtin e Gjetsemanit.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Lluka 22:31–34, 54–62; Gjoni 18:17–27
Kthimi në besim është një proces i vazhdueshëm.
Mendoni rreth përvojave që Pjetri pati me Shpëtimtarin – mrekullitë ku ishte dëshmitar dhe doktrinën që mësoi. Përse atëherë do t’i thoshte Shpëtimtari Pjetrit: “Kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu”? (Lluka 22:32; theksimi i shtuar.) Ndërsa e përsiatni këtë, mund t’ju ndihmojë marrja parasysh e asaj që Plaku Dejvid A. Bednar dha mësim rreth ndryshimit midis të pasurit të një dëshmie dhe të qenit të kthyer vërtet në besim (shih “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Liahona, nëntor 2012, f. 106–109).
Ndërsa lexoni për përvojat e Pjetrit te Lluka 22:31–34, 54–62 (shih edhe Gjoni 18:17–27), mendoni rreth vetë kthimit tuaj në besim. A jeni ndier ndonjëherë aq të zotuar sa, sikurse Pjetri, të ishit “gati të shko[nit] bashkë me [Shpëtimtarin] edhe në burg edhe në vdekje”? (Lluka 22:33.) Përse ndonjëherë këto ndjenja veniten? Ka mundësi të përditshme ose për ta mohuar ose për të dëshmuar për Shpëtimtarin; çfarë do të bëni ju për të qenë një dëshmitar i përditshëm i Tij? Çfarë mësimesh të tjera mësoni nga përvoja e Pjetrit?
Ndërsa vazhdoni ta lexoni Dhiatën e Re, shikoni për prova për kthimin e vazhdueshëm të Pjetrit në besim. Gjithashtu vini re mënyra se si ai e pranoi detyrën nga Zoti për t’i “forc[uar] vëllezërit e t[ij]” (Lluka 22:32; shih Veprat e Apostujve 3–4).
Shih edhe Marku 14:27–31.
Shpëtimtari vuajti për mua në Gjetseman.
Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të “shpenzojmë kohë për të mësuar rreth Shpëtimtarit dhe flijimit të Tij shlyes” (“Marrja e Fuqisë së Jezu Krishtit në Jetën Tonë”, Liahona, maj 2017, f. 40).
Merrni parasysh se çfarë do të bëni që ta pranoni ftesën e Presidentit Nelson. Ju mund ta filloni duke e përsiatur plot lutje vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman, siç përshkruhet në këto vargje, dhe duke i shkruar mbresat dhe pyetjet që ju vijnë në mendje.
Për një studim edhe më të thellë të Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, përpiquni t’i shqyrtoni shkrimet e tjera të shenjta për përgjigje ndaj pyetjeve si këto:
-
Përse ishte e domosdoshme Shlyerja e Shpëtimtarit? (Shih 2 Nefi 2:5–10, 17–26; 9:5–26; Alma 34:8–16; 42:9–26.)
-
Çfarë përjetoi Shpëtimtari ndërkohë që vuante? (Shih Isaia 53:3–5; Mosia 3:7; Alma 7:11–13; Doktrina e Besëlidhje 19:16–19.)
-
Si ndikon vuajtja e Krishtit në jetën time? (Shih Gjoni 10:10–11; Hebrenjve 4:14–16; 1 Gjon 1:7; Alma 34:31; Moroni 10:32–33; Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, nëntor 2015, f. 61–64.)
-
Pyetje të tjera që i kam:
Ndërsa mësoni rreth asaj që ndodhi në Gjetseman, mund të jetë interesante ta dini se Gjetsemani ishte një kopsht me pemë ulliri dhe përfshinte një presë ullinjsh, e përdorur për të shtypur ullinjtë dhe për të nxjerrë vajin që përdorej për ndriçim e ushqim si edhe për shërim (shih Lluka 10:34). Si mund të simbolizojë procesi i nxjerrjes së vajit të ullirit atë që Shpëtimtari bëri për ne në Gjetseman? Për disa ide, shihni mesazhin e Plakut D. Tod Kristoferson “Qëndroni në Dashurinë Time” (Liahona, nëntor 2016, f. 50–51).
Shih edhe Mateu 26:36–46; Marku 14:32–42.
“Mbretëria [e Shpëtimtarit] nuk është e kësaj bote.”
Si një udhëheqës politik, Ponc Pilati i njihte fuqitë dhe mbretëritë e kësaj bote. Por Jezusi foli për një lloj mbretërie shumë të ndryshme. Duke menduar sërish për atë që lexuat për jetën e Shpëtimtarit, çfarë provash shihni që “mbretëria [e Tij] nuk është e kësaj bote”? (Gjoni 18:36.) Përse është e rëndësishme që ju ta dini këtë gjë? Çfarë ju bën tjetër përshtypje nga fjalët e Jezusit drejtuar Pilatit?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Lluka 22:31–32.Si mund të jetë ndier Pjetri nga njohuria se Jezusi ishte lutur për të dhe besimin e tij? Për kë mund të lutemi ne “që besimi i [tij ose i saj] të mos mpaket”? (Vargu 32.)
-
Lluka 22:39–46.Të mësuarit për vuajtjen e Shpëtimtarit në Gjetseman mund të jetë një përvojë e shenjtë për familjen tuaj. Merrni parasysh se çfarë mund të bëni për të krijuar një shpirt nderimi dhe adhurimi ndërsa studioni vargjet te Lluka 22:39–46. Ju mund të luani ose këndoni së bashku disa nga himnet ose këngët e fëmijëve të parapëlqyera nga familja juaj rreth Shpëtimtarit. Ju mund të shihni një punë artistike të lidhur me të ose të shihni një material filmik si “The Savior Suffers in Gethsemane” [“Shpëtimtari Vuan në Gjetseman”] (ChurchofJesusChrist.org). Ndërsa ju lexoni vargjet, pjesëtarët e familjes mund të flasin për fragmente që janë veçanërisht domethënëse për ta – ndoshta një fragment që i ndihmon ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit (shih Mateu 26:36–46; Marku 14:32–42). Ju gjithashtu mund t’i ftoni ata të japin dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.
-
Lluka 22:42.Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë përvoja kur mësuan të thonë: “Mos u bëftë vullneti im, por i yti”.
-
Lluka 22:50–51; Gjoni 18:10–11.Çfarë mësojmë rreth Jezusit nga këto vargje?
-
Gjoni 18:37–38.Si do t’i përgjigjeshim pyetjes së Pilatit: “Ç’është e vërteta?” (Vargu 38.) Për disa ide, shihni Gjoni 8:32; Doktrina e Besëlidhje 84:45; 93:23–28; dhe “E Vërteta Çfar’ Ësht’?”, Himne, nr. 176.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Himni i sugjeruar: “Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113.