“Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
Dhënia Mësim Fëmijëve të Vegjël
Nëse keni fëmijë të vegjël në familjen tuaj, ja disa veprimtari që mund t’i ndihmojnë ata të mësojnë:
-
Këndoni. Himnet dhe këngët nga Libri i Këngëve të Fëmijëve na e mësojnë doktrinën në mënyrë të fuqishme. Përdorni treguesin tematik në fund të Librit të Këngëve të Fëmijëve që të gjeni këngë të cilat lidhen me parimet e ungjillit që po i jepni mësim. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i lidhin mesazhet e këngëve me jetën e tyre. (Shih edhe “Përfshirja e Muzikës së Shenjtë në Të Mësuarit e Ungjillit nga Ana Juaj” në këtë burim.)
-
Dëgjoni ose interpretoni me gjeste një histori. Fëmijët e vegjël i pëlqejnë shumë historitë – nga shkrimet e shenjta, nga jeta juaj, nga historia e familjes suaj ose nga revistat e Kishës. Kërkoni mënyra që t’i përfshini ata në tregimin e historive. Ata mund të mbajnë figura ose sende, të vizatojnë figura të asaj që po dëgjojnë, ta interpretojnë me gjeste historinë ose madje të ndihmojnë për ta treguar historinë. Ndihmojini fëmijët tuaj t’i dallojnë të vërtetat e ungjillit në historitë që tregoni.
-
Lexoni një shkrim të shenjtë. Fëmijët e vegjël mund të mos jenë në gjendje të lexojnë shumë, por ju ende mund t’i përfshini në leximin nga shkrimet e shenjta. Mund të keni nevojë të përqendroheni te një varg i vetëm, një frazë kyç ose një fjalë e vetme. Fëmijët madje mund të jenë në gjendje të mësojnë përmendsh fraza të shkurtra nga shkrimet e shenjta nëse i përsëritin ato disa herë. Kur e dëgjojnë fjalën e Perëndisë, ata do ta ndiejnë Shpirtin.
-
Shikoni një figurë ose shihni një material filmik. Kur u tregoni fëmijëve tuaj një figurë ose një material filmik që lidhet me një parim të ungjillit ose një histori nga shkrimet e shenjta, bëjuni atyre pyetje që i ndihmojnë të mësojnë nga ajo që po shohin. Për shembull, mund të pyesni: “Çfarë po ndodh në këtë figurë ose material filmik? Si ju bën të ndiheni?” Programi kompjuterik Gospel Media [Mjete Informimi për Ungjillin], GospelMedia.ChurchofJesusChrist.org dhe children.ChurchofJesusChrist.org janë vende të mira për të kërkuar figura dhe materiale filmike.
-
Krijoni. Fëmijët mund të ndërtojnë, vizatojnë ose ngjyrosin diçka që lidhet me historinë apo parimin që po mësojnë.
-
Merrni pjesë në mësime me sende. Një mësim i thjeshtë me sende mund t’i ndihmojë fëmijët tuaj që ta kuptojnë një parim të ungjillit që është i vështirë për t’u kuptuar. Kur përdorni mësime me sende, gjeni mënyra që t’i lejoni fëmijët tuaj të marrin pjesë. Ata do të mësojnë më shumë nga një përvojë ndërvepruese sesa thjesht nga shikimi i një paraqitjeje.
-
Interpretoni me role. Kur fëmijët e interpretojnë me role një situatë të cilën ka të ngjarë ta hasin në jetën reale, ata janë më në gjendje të kuptojnë se si zbatohet një parim i ungjillit në jetën e tyre.
-
Përsëritini veprimtaritë. Fëmijët e vegjël mund të kenë nevojë t’i dëgjojnë konceptet shumë herë që t’i kuptojnë ato. Mos kini frikë t’i përsëritni shpesh historitë ose veprimtaritë. Për shembull, ju mund ta tregoni një histori nga shkrimet e shenjta disa herë në mënyra të ndryshme – duke e lexuar nga shkrimet e shenjta, duke e përmbledhur me fjalët tuaja, duke shfaqur një material filmik, duke i lejuar fëmijët tuaj që t’ju ndihmojnë ta tregoni historinë, duke i ftuar ta interpretojnë me gjeste historinë e kështu me radhë.