Dhiata e Re 2023
Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta


“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve në Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)

“Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023

grua duke studiuar shkrimet e shenjta

Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Ja disa mënyra të thjeshta për ta përmirësuar studimin nga ana juaj të fjalës së Perëndisë në shkrimet e shenjta.

Kërkoni të Vërteta rreth Jezu Krishtit

Shkrimet e shenjta na mësojnë se të gjitha gjërat dëshmojnë për Krishtin (shih 2 Nefi 11:4; Moisiu 6:63), kështu që merreni parasysh t’u vini një shënim ose t’i shenjoni vargjet që ju mësojnë për Shpëtimtarin dhe mënyrën se si ta ndiqni Atë.

Kërkoni Fjalë dhe Fraza Frymëzuese

Ju mund të zbuloni se fjalë dhe fraza të caktuara në shkrimet e shenjta ju lënë mbresë, sikur të ishin shkruar posaçërisht për ju. Ato mund t’ju duken me domethënie vetjake dhe mund t’ju frymëzojnë e t’ju japin shtytje. Merreni parasysh t’i shenjoni ato në shkrimet tuaja të shenjta ose t’i shkruani ato në një ditar studimi.

Kërkoni të Vërteta të Ungjillit

Nganjëherë të vërtetat e ungjillit (shpesh të quajtura doktrinë ose parime) shprehen drejtpërsëdrejti dhe nganjëherë ato nënkuptohen nëpërmjet një shembulli apo historie. Pyeteni veten: “Çfarë të vërtetash të përjetshme na mësohen në këto vargje?”

Dëgjojeni Shpirtin

Kushtojuni vëmendje mendimeve dhe ndjenjave tuaja, edhe po të mos kenë lidhje me atë që po lexoni. Ato mbresa mund të jenë pikërisht gjërat që Ati juaj Qiellor dëshiron që ju t’i mësoni.

Përshtatini Shkrimet e Shenjta me Jetën Tuaj

Merreni parasysh mënyrën se si historitë dhe mësimet që po lexoni, gjejnë zbatim në jetën tuaj. Për shembull, ju mund ta pyetni veten: “Çfarë përvojash kam pasur që janë të ngjashme me atë që po lexoj?” ose “Si mund ta ndjek shembullin e këtij personi në shkrimet e shenjta?”

Bëni Pyetje ndërsa Studioni

Ndërsa i studioni shkrimet e shenjta, mund t’ju lindin pyetje në mendje. Këto pyetje mund të kenë lidhje me atë që po lexoni ose me jetën tuaj në përgjithësi. Përsiatini këto pyetje dhe kërkoni përgjigje ndërkohë që vazhdoni t’i studioni shkrimet e shenjta.

djalë duke studiuar shkrimet e shenjta

Përdorni Ndihma për Studimin e Shkrimeve të Shenjta

Për të marrë ide shtesë për vargjet që lexoni, përdorni Udhëzuesin për Shkrimet e Shenjta (scriptures.ChurchofJesusChrist.org) dhe ndihma të tjera për studimin.

Shqyrtojeni Kontekstin e Shkrimeve të Shenjta

Ju mund të gjeni ide kuptimplota rreth një shkrimi të shenjtë nëse shqyrtoni kontekstin e tij – rrethanat ose mjedisin e shkrimit të shenjtë. Për shembull, njohja e sfondit historik dhe e bindjeve të njerëzve të cilëve u foli një profet, mund t’ju ndihmojë të kuptoni qëllimin e fjalëve të tij.

Shënojini Mendimet dhe Ndjenjat Tuaja

Ka mënyra të shumta se si t’i mbani shënim përshtypjet që ju vijnë teksa studioni. Për shembull, ju mund ta shenjoni një fjalë apo frazë kuptimplotë dhe t’i mbani si shënim mendimet tuaja në shkrimet tuaja të shenjta. Gjithashtu mund të mbani një ditar me idetë, ndjenjat dhe mbresat që merrni.

Studiojini Fjalët e Profetëve dhe të Apostujve të Ditëve të Mëvonshme

Lexojeni atë që kanë dhënë mësim profetët dhe apostujt e ditëve të mëvonshme rreth parimeve që i gjeni në shkrimet e shenjta (për shembull, shih conference.ChurchofJesusChrist.org dhe revistat e Kishës).

Jepni Ide

Diskutimi rreth ideve që dalin nga studimi juaj vetjak, jo vetëm që është një mënyrë e mirë për t’i mësuar të tjerët, por ndihmon edhe në forcimin e të kuptuarit tuaj për atë që keni lexuar.

Jetoni sipas Asaj që Mësoni

Studimi i shkrimeve të shenjta jo vetëm që duhet të na frymëzojë, por edhe duhet të na drejtojë që ta ndryshojmë mënyrën se si jetojmë. Dëgjojeni atë që Shpirti ju nxit të bëni ndërsa lexoni, dhe më pas zotohuni që të veproni sipas atyre nxitjeve.

Plaku Dejvid A. Bednar tha: “Ne nuk duhet të presim që Kisha si organizatë të na mësojë ose të na thotë gjithçka që kemi nevojë të dimë e të bëjmë për t’u bërë dishepuj të përkushtuar dhe për të duruar trimërisht deri në fund [shih Doktrina e Besëlidhje 121:29]. Përkundrazi, përgjegjësia jonë vetjake është të mësojmë atë që duhet të mësojmë, të jetojmë ashtu sikurse e dimë se duhet të jetojmë dhe të bëhemi ata që Mësuesi do të donte të bëheshim. Dhe shtëpitë tona janë mjedisi kryesor për të mësuarit, të jetuarit dhe të bërit” (“Të Përgatitur për të Fituar Çdo Gjë të Nevojshme”, Liahona, maj 2019, f. 102).