“29 Mars – 4 Prill. Pashka: ‘Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)
“29 Mars – 4 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021
29 Mars – 4 Prill
Pashka
“Unë Jam Ai që Jeton, Unë Jam Ai që u Vra”
Një orë mësimore e Fillores në të dielën e Pashkës është një mundësi e shkëlqyer për t’i ndihmuar fëmijët ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij. Kërkoni udhërrëfimin e Zotit për mënyrën se si ta bëni atë. Ju mund të gjeni disa ide të dobishme në këtë përvijim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Lërini fëmijët t’ju tregojnë atë që dinë për arsyen pse e kremtojmë Pashkën. Pyetini ata se çfarë bëjnë familjet e tyre që ta kremtojnë Ringjalljen e Jezu Krishtit në kohën e Pashkës. Ose lërini të tregojnë se çfarë po mësojnë rreth Jezu Krishtit në shtëpi dhe në shkrimet e shenjta.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Doktrina e Besëlidhje 138:11–17
Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.
Teksa u jepni mësim fëmijëve mbi Ringjalljen e Jezu Krishtit, Doktrina e Besëlidhje 138:11–17 mund t’ju ndihmojë ta shpjegoni se çfarë do të thotë të jesh i ringjallur. Këto vargje gjithashtu mund të ndihmojnë për ta ndërtuar besimin e tyre se ata do të ringjallen një ditë.
Veprimtari të Mundshme
-
Shfaqni figura të vdekjes, varrimit dhe Ringjalljes së Shpëtimtarit (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 57, 58 dhe 59). Pyetini fëmijët mbi atë që dinë rreth këtyre ngjarjeve. Dëshmoni se Jezusi vdiq për ne dhe u ngrit nga vdekja kështu që ne të gjithë të mund të ringjallemi pasi të vdesim.
-
Mendoni për një mësim me sende që mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë se çfarë ndodh kur vdesim (shpirti dhe trupi ynë ndahen) dhe kur ringjallemi (shpirti dhe trupi ynë bashkohen prapë). Për shembull, çfarë ndodh kur e heqim baterinë nga një ndriçues dore ose mbajtësen e bojës nga një stilograf? Çfarë ndodh kur këto gjëra ribashkohen?
-
Lexojuni fëmijëve nga Doktrina e Besëlidhje 138:17: “Shpirti dhe trupi [do] të bashk[ohen] për të mos u ndarë më kurrë, që ata të mund të marrin plotësi të gëzimit”. Përse jemi mirënjohës për trupat tanë? Tregoni gëzimin që ndieni ngaqë e dini se ne do të ringjallemi dhe do t’i kemi sërish trupat tanë.
-
Këndoni së bashku një këngë për Ringjalljen, të tillë si “Jezusi a Jetoi Sërish?” ose “Jezusi u Ngrit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 45, 44). Jepuni fëmijëve figura që përfaqësojnë fjalë ose fraza nga kënga (për shembull, shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 59, 60 dhe 61) dhe ftojini t’i mbajnë lart figurat kur i këndojnë ato fjalë.
Doktrina e Besëlidhje 76:11–24; 110:1–7; Joseph Smith – Historia 1:14–17
Profeti Jozef Smith e pa Jezu Krishtin.
Një mënyrë për t’i ndihmuar fëmijët ta forcojnë besimin e tyre te Shpëtimtari është t’u thoni atyre dëshminë e Jozef Smithit: “Ai jeton! Sepse ne e pamë atë, madje në të djathtën e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 76:22–23).
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një figurë të Vegimit të Parë të Jozef Smithit (shih përvijimin e javës 4–10 janar tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ftojini fëmijët t’ju thonë se çfarë po ndodh në figurë dhe kërkojuni ta gjejnë Jezu Krishtin. Pyetini fëmijët nëse janë në dijeni për raste të tjera kur Jozef Smithi e pa Shpëtimtarin. Me vetë fjalët tuaja tregoni përvojat e përshkruara te Doktrina e Besëlidhje 76:11–24; 110:1–7. Tregojuni fëmijëve se si këto shkrime të shenjta e ndërtojnë besimin tuaj te Jezu Krishti.
-
Teksa fëmijët e ngjyrosin faqen e veprimtarisë së kësaj jave, lexojuni atyre shkrimet e shenjta të cilave iu referohet. Vini në dukje hollësi te figurat që përshkruhen te vargjet. Dëshmojuni fëmijëve se Profeti Jozef Smith e pa Jezu Krishtin dhe kjo është një arsye pse ne e dimë se Jezusi jeton.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Doktrina e Besëlidhje 76:11–24; 110:1–10; Joseph Smith – Historia 1:14–17
Profeti Jozef Smith dëshmoi se Jezu Krishti jeton.
Misioni më i rëndësishëm i një profeti është që të dëshmojë për Jezu Krishtin. Ndihmojini fëmijët ta ndërtojnë besimin e tyre te Shpëtimtari duke mësuar nga dëshmia e Jozef Smithit për Të.
Veprimtari të Mundshme
-
Fragmentet vijuese përshkruajnë raste kur Jezu Krishti iu shfaq Jozef Smithit: Doktrina e Besëlidhje 76:11–24; 110:1–10; Jozef Smith – Historia 1:14–17. Në tabelë, renditni disa të vërteta që mësojmë rreth Shpëtimtarit nga këto vargje. Ftojini fëmijët të përcaktojnë se cilat vargje japin mësim të vërtetat e renditura në tabelë. Çfarë mësojmë tjetër rreth Jezu Krishtit nga përvojat e Jozef Smithit?
-
Në faqen e veprimtarisë së kësaj jave, ndihmojini fëmijët t’i përkojnë figurat me vargjet e shkrimeve të shenjta. Përse është një bekim ta dimë se Jozef Smithi e pa Shpëtimtarin e ngritur? Jepni dëshminë tuaj që Jezu Krishti jeton dhe që Jozef Smithi është një profet.
Doktrina e Besëlidhje 63:49; 88:14–17, 27; 138:11, 14–17
Për shkak të Jezu Krishtit, unë do të ringjallem.
Si do t’i ndihmoni fëmijët ta thellojnë vlerësimin e tyre për dhuratën prej Shpëtimtarit të ringjalljes për të gjithë ne?
Veprimtari të Mundshme
-
Caktojini secilit fëmijë njërin prej fragmenteve vijuese nga shkrimet e shenjta: Doktrina e Besëlidhje 63:49; 88:14–17, 27; 138:11, 14–17. Ftojini fëmijët të kërkojnë në vargjet e tyre që të gjejnë një frazë që ata ndiejnë se e rrok mesazhin e Pashkës. Lërini t’i tregojnë mendimet e tyre. Nëse e lejon koha, lërini të bëjnë kartolina të cilat paraqitin frazat që i gjetën, të cilat ata mund t’ua japin pjesëtarëve të familjes ose miqve.
-
Pyetini fëmijët se si do t’ia shpjegonin një vëllai a motre më të vogël apo një miku se çfarë do të thotë të ringjallesh. Për ide, lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 138:14–17 dhe merrni parasysh pyetje si këto: Çfarë u ndodh shpirtrave dhe trupave tanë kur vdesim? Çfarë ndodh kur ringjallemi? Në ç’mënyrë e bëri të mundur ringjalljen Jezu Krishti?
-
Shfaqeni materialin filmik “Because He Lives” [“Sepse Ai Jeton”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe lërini fëmijët të tregojnë se si ndihen për atë që Shpëtimtari bëri për ne.
2:25
Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 58:42–43
Për shkak të Jezu Krishtit unë mund të marr falje për mëkatet e mia.
Përveç që na shpëtoi nga vdekja fizike, Jezu Krishti siguroi një mënyrë se si ne të shpëtohemi nga vdekja shpirtërore – me fjalë të tjera, të marrim falje për mëkatet tona dhe të kthehemi në prani të Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë dy tituj të ngjashëm me këta: Çfarë bëri Shpëtimtari dhe Çfarë duhet të bëj unë. Ftojeni secilin fëmijë të kërkojë te një nga fragmentet vijuese që të gjejë diçka që iu takon këtyre titujve: Doktrina e Besëlidhje 18:10–13; 19:16–19; 45:3–5; 58:42–43. Tregoni gëzimin dhe mirënjohjen tuaj për atë që Shpëtimtari bëri për ne.
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë nenin e tretë të besimit. Ju mund t’i ndihmoni ata që ta mësojnë përmendsh duke u paraqitur figura që shkojnë me frazat kyç.
-
Shfaqeni materialin filmik “The Shiny Bicycle” [“Biçikleta e Shndritshme”] (ChurchofJesusChrist.org), ose tregoni një histori tuajën për një fëmijë që bëri një zgjedhje të gabuar dhe më pas u pendua. Ndihmojini fëmijët ta diskutojnë se çfarë bëri fëmija në histori që të merrte falje. Si e ka bërë të mundur Shpëtimtari që ne të marrim falje?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për diçka që mund ta bëjnë, për t’u treguar njerëzve të tjerë – veçanërisht pjesëtarëve të familjes së tyre – se çfarë ka bërë Jezu Krishti për ne. Herës tjetër që do të takoheni, kërkojuni t’ju tregojnë se çfarë bënë.