Doktrina e Besëlidhje 2021
Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara


“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Doktrina e Besëlidhje 2021 (2020)

“Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2021

fëmijë duke kënduar

Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara

Udhëheqëset e Fillores kanë përgjegjësinë për t’ia dhënë mësim ungjillin e Jezu Krishtit të gjithë fëmijëve, përfshirë ata me aftësi të kufizuara. Në Fillore, çdo fëmijë duhet të mirëpritet, t’i jepet dashuri, të edukohet dhe të përfshihet. Në këtë atmosferë është më e lehtë për të gjithë fëmijët ta kuptojnë dashurinë e Atit tonë Qiellor e të Jezu Krishtit dhe ta ndiejnë e dallojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë. Idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë t’i plotësoni nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.

  • Mësoni rreth nevojave specifike të fëmijës. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që t’u flisni prindërve apo kujdestarëve të fëmijës. Zbuloni se në ç’mënyrë mëson më së miri fëmija dhe cilat strategji janë më të dobishmet. Ju mund të këshilloheni gjithashtu me udhëheqës e mësues të tjerë të Fillores, të cilët kanë përvojë dhe ide për të treguar.

  • Krijoni një atmosferë pozitive në të cilën çdo fëmijë ndihet i sigurt dhe ndien dashuri. Mësojini emrat e të gjithë fëmijëve në klasën tuaj dhe ndihmojini të ndihen të pranuar, të përfshirë dhe të ndiejnë dashuri. Fëmijët me aftësi të kufizuara shpesh i kritikojnë, kështu që kërkoni mundësi për t’i lavdëruar ata për sjelljet pozitive. Ndihmojini fëmijët e tjerë të jenë të dashur dhe pranues.

  • Bëni rregullime në mënyrë që çdo njeri të mund të marrë pjesë. Veprimtarive mund t’u bëhen ndryshime të vogla për të siguruar që të gjithë fëmijët të mund të mësojnë, përfshirë ata me kufizime fizike apo vështirësi në të mësuar. Për shembull, nëse një veprimtari sugjeron që të paraqitni një figurë, në vend të kësaj, ju mund të këndoni një këngë që ka lidhje me figurën, për t’i përfshirë fëmijët që kanë probleme me shikimin.

  • Krijoni rutina dhe një strukturë të qëndrueshme të klasës. Një mënyrë për ta bërë këtë është që të krijoni një afishe me programin e orës mësimore, i cili përvijon mënyrën se si do të rrjedhë ora mësimore. Programi juaj mund të përfshijë lutje, kohë mësimdhënieje dhe kohë veprimtarie. Kjo mund të ndihmojë në uljen e ndjenjave të pasigurisë që mund ta rritin ankthin te disa fëmijë.

  • Përdorni sugjerime pamore. Fëmijët me aftësi të kufizuara në të mësuar ose me probleme të sjelljes mund të përfitojnë nga sugjerime pamore, të tilla si figura që paraqitin sjellje të përshtatshme si ngritja e dorës përpara se t’i përgjigjen një pyetjeje.

  • Kuptoni arsyen përse ndodhin sjelljet problematike. Mësoni rreth aftësive të kufizuara ose rrethanave që mund të ndikojnë te një fëmijë që të veprojë në mënyrë të papërshtatshme. Kushtojini vëmendje me kujdes asaj që po ndodh kur shfaqen sjelljet problematike. Merrni parasysh me lutje se si ta ndryshoni situatën me qëllim që ta përkrahni më mirë fëmijën.

  • Ndihmojeni secilin fëmijë të rritet dhe të përparojë. Jozef Smithi dha mësim: “Të gjitha mendjet dhe shpirtrat që ka dërguar ndonjëherë Perëndia në botë janë të prirur për t’u përmirësuar” (Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 220). Mos hamendësoni se një fëmijë me aftësi të kufizuara nuk mund të mësojë ose të japë ndihmesë. Kërkojini Zotit t’ju ndihmojë të dini se si t’i ndihmoni fëmijët që ta arrijnë potencialin e tyre shpirtëror.