“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve: ‘Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“14–20 Tetor. Filipianëve; Kolosianëve”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
14–20 Tetor
Filipianëve; Kolosianëve
“Unë Mund të Bëj Gjithçka me anë të Krishtit që më Forcon”
Lexojini Letrat drejtuar Filipianëve dhe Kolosianëve, duke menduar rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Kërkoni frymëzim rreth mënyrës se si t’ua mësoni parimet në këto letra.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Pyetini fëmijët se çfarë bënë javën e kaluar për të ndihmuar dikë që kishte nevojë për një mik, siç u diskutua në orën e mësimit të javës së kaluar.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Filipianëve 1:3–4; Kolosianëve 1:3, 9
Udhëheqësit e Kishës më duan dhe luten për mua.
Pali shpesh i fillonte letrat e tij duke shprehur dashuri për anëtarët e Kishës dhe duke u thënë atyre se ai lutej për ta. Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se udhëheqësit e Kishës i duan ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojini Filipianët 1:3–4 dhe Kolosianët 1:3, 9 me zë të lartë dhe kërkojuni fëmijëve t’i palosin duart e tyre dhe ta ulin kokën sa herë që dëgjojnë fjalët lutur, duke u lutur dhe lutemi. Shpjegoni se Apostulli Pal u lut për anëtarët e Kishës, ashtu si udhëheqësit tanë luten për ne sot.
-
Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe tregoni shembuj të Atij duke u lutur për dikë (shih Lluka 22:32; 3 Nefi 19:21, 23). Çfarë kërkoi Jezusi kur u lut për të tjerët?
-
Ndihmojini fëmijët të përmendin disa nga udhëheqësit e Kishës, të tillë si Presidenten e Fillores, peshkopin dhe Presidentin e Kishës. Shpjegoni se këta udhëheqës i kërkojnë Atit Qiellor që t’i bekojë fëmijët dhe t’i ndihmojë ata të jetojnë me drejtësi. Merreni parasysh që t’u tregoni fëmijëve se çfarë thoni kur luteni për ta.
Unë mund të gëzohem në Zotin.
Pali i nxiti shenjtorët që të gëzohen – edhe pse po përballeshin me sprova të vështira dhe vetë Pali ishte në robëri. Si do t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se të jetuarit sipas ungjillit sjell gëzim?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndërsa lexoni Filipianëve 4:4, kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për një fjalë të përsëritur. Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë atë që mund të bëjnë kur gëzohen. Ndihmojini ata të kuptojnë se të “gëzoh[emi] … në Zotin” do të thotë të ndihemi të lumtur ngaqë kemi ungjillin dhe ngaqë Jezu Krishti na do.
-
Sillni sende ose figura që përfaqësojnë gjëra që ju ndihmojnë të “gëzoh[e]ni … në Zotin”. Ju mund të sillni një krijim të bukur të Perëndisë apo një figurë të një tempulli, të Shpëtimtarit të ringjallur, ose të një familjeje. Lërini fëmijët që me radhë të përzgjedhin një figurë apo një send dhe më pas tregojuni atyre arsyen përse ju bën të lumtur. Ftojini ata të tregojnë gjëra që i ndihmojnë të gëzohen në Zotin.
-
Lexoni së bashku Filipianëve 4:8, dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që përputhen me përshkrimet në varg (shih edhe Nenet e Besimit 1:13). Jepuni fëmijëve fleta letre dhe lërini të vizatojnë figura të këtyre gjërave për t’i ndihmuar të “mendo[jnë]” rreth gjërave që Pali i përshkroi.
Besimi im duhet të jetë “i rrënj[osur]” në Jezu Krishtin.
Nëse fëmijët mund ta ndërtojnë jetën e tyre dhe besimin e tyre te Shpëtimtari, ata do të jenë në gjendje t’i bëjnë ballë stuhive të jetës.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figurën e një peme që gjendet në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, ndërkohë që lexoni fraza kyç prej Kolosianëve 1:23; 2:6–7. (Ose shfaqni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat Shpirtërore”] në LDS.org.) Çfarë do t’i ndodhte kësaj peme nëse do të vinte një stuhi dhe pema të mos kishte rrënjë të forta? Lërini fëmijët të qëndrojnë në këmbë dhe të bëjnë sikur janë një pemë që ka rrënjë të dobëta në një stuhi dhe më pas një pemë që ka rrënjë të forta. Si mund të na ndihmojë besimi në Shpëtimtarin që të jemi si një pemë me rrënjë të forta?
-
Ftojeni një fëmijë të vizatojë një pemë në tabelë. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që mund të bëjnë për të qenë “të rrënj[osur]” në Jezu Krishtin. Sa herë që një fëmijë përmend diçka, ftojeni atë t’i shtojë një rrënjë vizatimit.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Nëse kam besim te Jezu Krishti, unë mund të jem i lumtur edhe gjatë kohëve të vështira.
Pali vuajti shumë sprova, por ai qe i lumtur për shkak se kishte besim te Jezu Krishti.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur janë në burg, ashtu siç ishte Apostulli Pal kur ua shkroi letrën filipianëve. Lexoni me fëmijët Filipianëve 4:4–13 dhe kërkojuni atyre të kërkojnë fjalët vijuese: gëzim, paqe, kënaqësi. Përse qe Pali në gjendje të gëzohej dhe të ndiente paqe edhe në burg? Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalët Zoti, Perëndi, dhe Krisht në [këto] vargje. Ndihmojini të kuptojnë se besimi i Palit te Jezu Krishti bëri të mundur që ai të gëzohej.
-
Ftojini fëmijët që t’ju ndihmojnë të plotësoni fjali si ato që vijojnë: Unë mund të jem në errësirë dhe prapë të shoh nëse kam një . Unë mund të jem jashtë në një ditë të nxehtë dhe prapë të ndiej freski nëse kam një . Unë mund të kem kohë të vështira dhe prapë të gjej gëzim nëse . Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund të gjejnë gëzim në Jezu Krishtin kur kalojnë kohë të vështira. Ata mund të këndojnë një himn, të lexojnë një shkrim të shenjtë të parapëlqyer, t’i shërbejnë dikujt apo të thonë një lutje falënderimi. Çfarë sugjeron Filipianëve 4:4–13? Tregojuni fëmijëve disa himne apo shkrime të shenjta që ju ndihmojnë të gjeni gëzim gjatë kohëve të vështira.
Mund të mendoj për gjëra që janë të vërteta, të ndershme dhe të dëlira.
Fëmijët shpesh ekspozohen ndaj gjërave që janë të liga e të papastra. Ju mund t’i ndihmoni ata të rendin pas gjërave lartësuese e të virtytshme.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini një fëmije të lexojnë me zë të lartë Filipianëve 4:8, ndërkohë që të tjerët kërkojnë fjalë te Nenet e Besimit 1:13 që janë të njëjta apo të ngjashme. Ftojeni dikë që t’i shkruajë këto fjalë në tabelë. Jepni përkufizime të thjeshta të këtyre fjalëve dhe vërini fëmijët që t’i përputhin përkufizimet me fjalët. Përse duhet të “mendo[jmë]” për këto gjëra? Si mund t’i “kërko[jmë]” ato?
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin gjëra që përputhen me përshkrimet te Filipianëve 4:8. Ftojini ata që këtë javë të mbajnë një listë të çdo gjëje që vërejnë se përputhet me këto përshkrime. Nxitini ta sjellin listën e tyre në Fillore javën e ardhshme dhe të tregojnë atë që gjetën.
Besimi im duhet të jetë i “rrënj[osur]” në Jezu Krishtin.
Satani përpiqet ta dobësojë besimin e fëmijëve nëpërmjet tundimeve dhe doktrinave të rreme. Si mund t’i frymëzoni fëmijët që ta forcojnë besimin e tyre te Shpëtimtari në mënyrë që të “mos lu[hen] nga shpresa e ungjillit”?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të cilat përfaqësojnë të vërtetat që ata gjejnë te Kolosianëve 1:23; 2:6–7. Lërini që t’ia tregojnë figurat e tyre klasës dhe të shpjegojnë të vërtetat që përfaqësojnë figurat e tyre.
-
Shfaqeni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat Shpirtërore”]. Cilat janë disa tundime dhe doktrina të rreme në botë sot që mund ta dobësojnë besimin tonë? Ç’mund të bëjmë për ta forcuar besimin tonë në mënyrë që të jemi të “rrënj[osur]” në Jezu Krishtin?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan rreth të qenit të “rrënj[osur]” në Krisht. Ata mund të përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave apo një shkrim të shenjtë që e lexuan gjatë orës së mësimit sot.