“21–27 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve: ‘Mos Lejoni që Menjëherë t’ju Prishet Mendja ose të Trazoheni’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“21–27 Tetor. 1 dhe 2 Thesalonikasve”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
21–27 Tetor
1 dhe 2 Thesalonikasve
“Mos Lejoni që Menjëherë t’ju Prishet Mendja ose të Trazoheni”
Ndërkohë që lexoni plot lutje 1 dhe 2 Thesalonikasve me fëmijët në mendje, ju do të gjeni parime të cilat kanë nevojë t’i kuptojnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Në mësimin e javës së shkuar, a i ftuat fëmijët ta vënë në jetë në ndonjë mënyrë atë që mësuan? Lejojini fëmijët t’i përdorin disa minuta të fillimit në orën mësimore të kësaj jave që të tregojnë përvojat e tyre.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Nëse i ndjek urdhërimet e Perëndisë, unë do të jem gati për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
Këshilla e Palit mund të na ndihmojë të jemi gati dhe të vëzhgojmë për atë ditë të madhërishme kur Shpëtimtari të vijë në tokë përsëri.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftoni një nënë të tregojë se si ndihej kur ajo priste që të lindej fëmija e saj pa e ditur saktësisht kur do të ndodhte lindja. Lexoni 1 Thesalonikasve 5:2–3 dhe u thoni fëmijëve se Jezu Krishti do të vijë në tokë përsëri, por askush nuk e di me saktësi se kur – po ashtu si një nënë nuk e di me saktësi kur do të lindet foshnja e saj.
-
Vërini fëmijët të flasin rreth një rasti kur u përgatitën për një udhëtim apo një ngjarje të veçantë. Çfarë bënë për t’u përgatitur? Sillni një valixhe ose çantë dhe lejojini fëmijët të bëjnë sikur po paketojnë duke u përgatitur për një udhëtim apo një ngjarje të veçantë. Shpjegoni se ne përgatitemi për Jezu Krishtin që të vijë përsëri, duke u lutur, duke i lexuar shkrimet e shenjta, duke e ndjekur profetin dhe duke jetuar me drejtësi çdo ditë. Vërini fëmijët të vizatojnë figura për mënyrën se si mund ta bëjnë këtë gjë dhe futini ato në valixhe.
-
Lexojuni fëmijëve 1 Thesalonikasve 5:6 dhe shpjegoni që, nëse nuk po përgatitemi për Jezusin që të vijë përsëri, është sikur të kemi rënë në gjumë dhe nuk do të jemi gati për Të. Ftojini fëmijët të bëjnë sikur po flenë. Shpjegoni që, nëse përgatitemi, është sikur të jemi të zgjuar dhe duke pritur për Të. Ftojini të zgjohen. Këndoni së bashku “When He Comes Again” [“Kur Ai të Vij’ Përs’ri”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 82–83).
Pali dha mësim se një braktisje do të ndodhte përpara se Jezu Krishti të vijë përsëri.
Kisha që krijoi Jezu Krishti, më në fund ra në braktisje, që do të thotë se autoriteti i priftërisë dhe të vërtetat e ungjillit u hoqën nga toka. Pali profetizoi se kjo braktisje, ose “rëni[e]”, do të ndodhte përpara Ardhjes së Dytë të Shpëtimtarit.
Veprimtari të Mundshme
-
Pasi të lexoni me fëmijët 2 Thesalonikasve 2:3, ndërtoni një kullë me gota ose blloqe plastike. U thoni fëmijëve se gotat ose blloqet përfaqësojnë pjesë të rëndësishme të Kishës së vërtetë, të tilla si të vërtetat e ungjillit, priftëria, vulosjet e tempullit dhe profetët. Pasi Pali dhe Apostujt e tjerë vdiqën, këto gjëra humbën dhe Kisha e vërtetë nuk ishte mbi tokë për shumë vjet. Ftojeni një fëmijë ta rrëzojë kullën dhe shpjegoni se kjo u quajt Braktisje ose “rëni[e]”. Kur Jezu Krishti e solli sërish Kishën e Tij, kjo u quajt Rivendosje. (Shih “Braktisja”, Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 26–27.)
-
Paraqitni një Libër të Mormonit dhe fotografi të profetit dhe të një tempulli. Ftojini fëmijët të thonë “Braktisje” kur i futni sendet në një çantë dhe “Rivendosje” kur i nxirrni jashtë sendet.
-
Këndoni këngë që japin mësim të vërteta të cilat u hoqën gjatë Braktisjes dhe u rivendosën në kohën tonë, të tilla si “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam”, Himne, nr. 196; “The Church of Jesus Christ” [“Kisha e Jezu Krishtit”] dhe “I Love to See the Temple” [“Tempullin Shum’ Dua t’Shoh”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] f. 77, 95).
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Nëse i ndjek urdhërimet e Perëndisë, unë do të jem gati për Ardhjen e Dytë të Jezu Krishtit.
Këshilla e Palit mund të na ndihmojë të jemi gati dhe të vëzhgojmë për atë ditë të madhërishme kur Shpëtimtari të vijë në tokë përsëri.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni një fëmijë të lexojë 1 Thesalonikasve 5:1–6 ndërkohë që fëmijët e tjerë e ndjekin. Pas çdo vargu, kërkojini një fëmije ta përmbledhë atë që ai ose ajo mendon se po thotë vargu. Ju mund të doni të shpjegoni se fraza “dita e Zotit” do të thotë Ardhja e Dytë e Jezu Krishtit. Si mendojnë fëmijët, përse Ardhja e Dytë krahasohet me një vjedhës natën apo me një grua shtatzënë që është gati për të lindur një foshnjë?
-
U thoni fëmijëve të përfytyrojnë se Shpëtimtari do ta vizitojë klasën tuaj në një kohë sot. Si mund ta përgatitim dhomën e klasës sonë për vizitën e Tij? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund t’i bëjnë për t’u përgatitur për ditën kur Jezu Krishti të kthehet. Për shembull, ne mund të pendohemi, të falim, të përmirësojmë marrëdhëniet tona me familjen tonë, ta ndjekim profetin dhe të mbajmë besëlidhjet tona. Nxitini fëmijët të zgjedhin një gjë që do ta bëjnë për t’u përgatitur që të presin Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij.
Pali dha mësim se një braktisje do të ndodhte përpara se Jezu Krishti të vijë përsëri.
Nëse fëmijët e kuptojnë se Kisha e Jezu Krishtit dhe ungjilli i Tij u hoqën nga toka gjatë Braktisjes së Madhe, domosdoshmëria e Rivendosjes do të bëhet më e qartë për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojeni njërin nga fëmijët të lexojë 2 Thesalonikasve 2:1–3. Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhej të ndodhte përpara “dit[ës së] Krishtit”, që do të thotë përpara Ardhjes së Dytë? A e di ndonjëri prej fëmijëve se çfarë do të thotë “rënia”? Sigurohuni që fëmijët ta kuptojnë se kjo do të thotë Braktisja e Madhe, e cila ndodhi pas vdekjes së Apostujve të Shpëtimtarit. Ju mund të doni të jepni informacionin nga “Braktisja”, Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 26–27.)
-
Ndihmojini fëmijët të renditin në tabelë disa prej të vërtetave dhe bekimeve që i gëzojmë për shkak të ungjillit. (Disa shembuj mund të përfshijnë tempujt, profetët, priftërinë dhe dhuratën e Frymës së Shenjtë.) Fshijini këto gjëra njëra pas tjetrës dhe pyetini fëmijët se si do të ishte e ndryshme jeta e tyre pa këto gjëra. Shpjegoni se këto të vërteta humbën gjatë Braktisjes së Madhe. Përse ishte e rëndësishme që Kisha e Jezu Krishtit të rivendosej në tokë në ditët e mëvonshme? Ftojini fëmijët të “rivendosin” ose rishkruajnë të vërtetat dhe bekimet në tabelë.
Ati Qiellor dëshiron që unë të punoj.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta shohin punën si bekim, jo si diçka për t’u shmangur?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që me radhë të lexojnë vargje nga 2 Thesalonikasve 3:7–13 dhe të kërkojnë problemin me të cilin po përballeshin shenjtorët. Pse dëshiron Ati Qiellor që ne të punojmë? Çfarë do të ndodhte nëse nuk do të mësonim kurrë për të punuar shumë? Lejojini fëmijët të interpretojnë me radhë punë të thjeshta ndërkohë që fëmijë të tjerë marrin me mend se çfarë po bëjnë.
-
Ftojini fëmijët të flasin rreth një rasti kur punuan shumë për një detyrë, projekt ose synim. Si u ndien për veten e tyre kur mbaruan? Çfarë do të thotë “mos u lodhni së bëri të mirën”? (2 Thesalonikasve 3:13.)
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë një pjesëtari të familjes ose një shoku apo një shoqeje një arsye përse janë mirënjohës që ne e kemi ungjillin në tokë sot (faqja e veprimtarisë së kësaj jave mund t’i ndihmojë të kujtojnë).