“28 Tetor – 3 Nëntor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit: ‘Bëhu Shembull për Besimtarët’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“28 Tetor – 3 Nëntor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
28 Tetor – 3 Nëntor
1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit
“Bëhu Shembull për Besimtarët”
Me lutje studioni 1 dhe 2 Timoteut; Titit; dhe Filemonit që të mësoni se si mund t’i përdorni këto letra që t’i udhëzoni fëmijët me drejtësi (shih 2 Timoteut 3:16).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të flasin për dikë që sipas tyre është një “shembull [i mirë] për besimtarët”. Çfarë po bëjnë ata që të jenë shembuj të mirë për të tjerët?
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Peshkopët udhëheqin lagjen si shërbëtorë të Perëndisë.
Pali u dha mësim Timoteut dhe Titit për rëndësinë e peshkopëve. Si mund t’u mësoni fëmijëve se çfarë bën peshkopi? (Një president dege është i krahasueshëm me një peshkop.)
Veprimtari të Mundshme
-
Vizatoni në tabelë një figurë të thjeshtë të peshkopit tuaj. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që dinë rreth peshkopit. Çfarë njeriu është ai? Çfarë bën ai? Si e bekon ai lagjen? (Ju mund t’i gjeni disa prej tipareve të një peshkopi te 1 Timoteut 3:1–2 dhe Titit 1:7–9.) Ndërsa fëmijët japin idetë e tyre, shkruajini ato në shirita letre dhe lejojini fëmijët t’i vendosin në tabelë pranë vizatimit.
-
Shkruani detyrat e një peshkopi në fletë letre – të tilla si pranimi i së dhjetës dhe ofertave të agjërimit, dhënia e thirrjeve, kryerja e intervistave me anëtarët, ndihma për të varfrit e nevojtarët dhe lutja për të tjerët. Vendosini këto fletë në një enë mbajtëse dhe ftojeni secilin fëmijë të marrë një. Më pas ndihmojini fëmijët që t’i interpretojnë me role këto detyra me ju. Jepni dëshminë tuaj që peshkopi juaj thirret nga Perëndia.
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të peshkopit duke u shërbyer anëtarëve të lagjes. Sugjeroni që ata t’ia japin atij vizatimet e tyre për ta falënderuar. Çfarë mund të bëjmë që ta ndihmojmë atë?
Unë mund të jem “shembull për besimtarët”.
Çfarë mund të bëni që t’i frymëzoni fëmijët të ndiejnë siguri në aftësinë e tyre për të qenë “shembu[j] për besimtarët”?
Veprimtari të Mundshme
-
Këndoni me fëmijët “Do as I’m Doing” [“Bëj siç Bëj Unë”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 276). Kërkojuni fëmijëve ta ndjekin shembullin tuaj duke bërë veprimet që bëni ju. Lejojini fëmijët të udhëheqin me radhë pjesën tjetër të klasës në ndjekjen e veprimeve të tyre. Lexoni 1 Timoteun 4:12 dhe pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë që të jenë shembuj të mirë për të tjerët.
-
Tregoni për një përvojë kur ju u përpoqët të ishit shembull i mirë për dikë ose kur dikush ishte shembull i mirë për ju. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se kur janë shembuj të mirë, ata mund t’i ndihmojnë pjesëtarët e familjes dhe shokët ose shoqet e tyre.
Shkrimet e shenjta do të më ndihmojnë të mësoj të vërtetën.
Nëse mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë t’i duan shkrimet e shenjta, ju do ta bekoni jetën e tyre për vitet që do të vijnë.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një komplet të shkrimeve të shenjta dhe ndihmojini fëmijët të bëhen të njohur me to, duke u treguar faqet e titullit për Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Ftojeni një fëmijë t’i mbajë këta libra ndërkohë që ju lexoni 2 Timoteut 3:15–17. Shpjegoni se Ati Qiellor i ka urdhëruar profetët gjatë gjithë historisë që të shkruajnë të vërtetat që Ai ua zbulon atyre. Ne mund t’i mësojmë këto të vërteta kur i lexojmë shkrimet e shenjta.
-
Kërkojuni fëmijëve të flasin për gjënë më të çmuar që zotërojnë. Çfarë bëjnë me të? Lejojini t’i mbajnë shkrimet e shenjta me radhë dhe t’i hapin faqet me kujdes. Për çfarë i përdorim shkrimet e shenjta? Përse duhet të tregojmë shumë kujdes për to? Ndihmojini fëmijët që të krijojnë veprime që përputhen me këngë rreth shkrimeve të shenjta, të tilla si “Search, Ponder, and Pray” [“Kërko, Përsiat dhe Lutu”] ose “Book of Mormon Stories” [“Ngjarjet e Librit të Mormonit”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] f. 109, 118).
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë mund të jem “shembull për besimtarët”.
Timoteu ishte relativisht i ri në moshë si udhëheqës i Kishës, por Pali donte që ai ta dinte se gjithsesi mund të ishte një shembull. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të ndiejnë siguri në aftësinë e tyre për të qenë shembull i mirë.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku 1 Timoteut 4:12 dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë gjashtë mënyra që Pali i tregoi se si ne mund të jemi “shembull për besimtarët”. Ndajini fëmijët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe që të mendojë për një situatë në të cilën ata mund të jenë shembull për besimtarët. Vërini ta interpretojnë me role situatën e tyre për pjesën tjetër të klasës.
-
Pyetini fëmijët nëse do të donin të tregonin ndonjë përvojë kur u përpoqën të ishin shembull i mirë për të tjerët. Thuajuni se si kanë qenë ata shembuj besimtarësh dhe se si e keni vënë re që ata kanë dhënë shembuj të mirë për të tjerët.
Duhet t’i dua gjërat e përjetshme më shumë se paratë.
Në një botë që po bëhet gjithnjë e më shumë materialiste, si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta mbajnë përqendrimin dhe dashurinë e tyre të qendërzuar tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që të flasin për çfarë do të blinin nëse i kishin të gjitha paratë e botës. Ftojeni një fëmijë të lexojë 1 Timoteun 6:7–12 dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë të përmbledhin atë që i mësoi Pali Timoteut lidhur me paranë. Më pas ftojini fëmijët të lexojnë sërish vargjet duke kërkuar gjëra që Pali i përmendi, të cilat janë më të vlefshme se paratë.
-
Paraqitni figura të gjërave të botës (të tilla si para, lodra apo argëtime) dhe gjërave të përjetshme (të tilla si familje ose tempuj). Ftojini fëmijët që t’i ndajnë figurat në dy grupe – gjëra që na sjellin më pranë Krishtit dhe gjëra që mund të na e largojnë vëmendjen prej Krishtit, në qoftë se i duam ato më shumë sesa e duam Atë. Përse është “lakmia për para… rrënja e gjithë të këqijave”?
Ati Qiellor na dha shkrime të shenjta që të na ndihmojë ta dallojmë të vërtetën nga gabimi.
Fëmijët mund të përjetojnë bekimet e leximit të shkrimeve të shenjta. Ndërkohë që u jepni mësim fëmijëve rreth shkrimeve të shenjta, kërkoni mënyra që t’i nxitni të kenë vetë përvojat e tyre të fuqishme me fjalën e Perëndisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë 2 Timoteut 3:15–17. Sillni një figurë që përshkruan një histori nga secila prej katër veprave standarde dhe vendosini figurat në një kuti të mbuluar. Ftojini disa fëmijë që ta marrin një figurë dhe të tregojnë historinë. Pyetini fëmijët nëse mund të tregojnë diçka tjetër rreth atij libri të shkrimit të shenjtë. Në ç’mënyrë shkrimet e shenjta “mund të [na] bëjnë të ditur për shpëtimin”?
-
Ftojini fëmijët të tregojnë vargun e tyre të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta ose një përvojë kur i ka ndihmuar e vërteta në shkrimet e shenjta. Ju mund të doni të tregoni vetë vargun ose përvojën tuaj.
-
Vëreni një fëmijë të lexojë Moronin 10:4–5. Çfarë premtoi Moroni në këto vargje? Pyetini fëmijët se çfarë kanë bërë që të fitojnë dëshmi se shkrimet e shenjta janë të vërteta. Ftojini ata t’i lexojnë ose t’i dëgjojnë shkrimet e shenjta rregullisht.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan për shkrimet e shenjta, dhe të gjejnë një varg të shkrimit të shenjtë që mund t’ia tregojnë klasës javën e ardhshme (me ndihmë nga prindërit e tyre, nëse është e nevojshme).