“11–17 Nëntor. Hebrenjve 7–13: ‘Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“11–17 Nëntor. Hebrenjve 7–13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
11–17 Nëntor
Hebrenjve 7–13
“Kryeprifti i të Mirave që do të Vijnë”
Teksa shqyrtoni dhe përsiatni këtë përvijim, kushtojuni vëmendje nxitjeve që merrni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Shpirti do t’ju ndihmojë të gjeni mesazhe për ta te Hebrenjve 7–13.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë gjëra që ata dhe familjet e tyre i bëjnë që të mësojnë ungjillin në shtëpi. Ftojini të tregojnë disa prej përvojave të tyre të parapëlqyera lidhur me mësimin e ungjillit me familjet e tyre.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Priftëria mund të na ndihmojë në shumë mënyra.
Hebrenjve 7:1–6 mund të japë mundësi për t’u paraqitur fëmijëve bekimet e priftërisë.
Veprimtari të Mundshme
-
Shpjegoni shkurtimisht se kush ishte Abrahami dhe më pas përdorni Hebrenjve 7:1–6 dhe Përkthimin prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 14:36–40 (në Perlën me Vlerë të Madhe) për të dhënë mësim që Abrahami i pagoi të dhjetë Melkisedekut. Shpjegoni se Melkisedeku mbante priftërinë më të lartë, e cila është fuqia e Perëndisë dhënë njerëzve në tokë, dhe e përdori atë që të bekonte Abrahamin. Fëmijëve mund t’u pëlqejë ta interpretojnë historinë me role duke përdorur sende të thjeshta skenike, si një kurorë dhe një zarf të dhjete.
-
Ftojeni një mbajtës të Priftërisë Aarone dhe një të Priftërisë Melkizedeke që ta vizitojnë klasën dhe t’u tregojnë fëmijëve se si ata e kanë përdorur priftërinë për t’i bekuar të tjerët. Më pas tregojuni fëmijëve figura të ndryshme të ordinancave të priftërisë (për shembull, shih figurat 103–108 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit). Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë se cila priftëri kërkohet për secilën ordinancë dhe jepjani atë figurë mbajtësit të duhur të priftërisë për ta mbajtur.
Besimi është të besojmë në gjëra që nuk mund t’i shohim.
Edhe pse ata nuk mund ta shohin Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin apo të përjetojnë të gjitha bekimet e ungjillit, fëmijët të cilëve u jepni mësim, zhvillojnë besim duke mësuar nga shembujt te Hebrenjve 11.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni një figurë të Jezusit. Vendosni nëpër dhomë disa sende që përfaqësojnë “prova” që Ai është i vërtetë edhe pse nuk mund ta shohim Atë (të tilla si shkrimet e shenjta, një figurë të Vegimit të Parë dhe një figurë të tokës). Ftojini fëmijët t’i gjejnë artikujt dhe më pas u tregoni se si secili artikull na ndihmon të kemi besim se Jezusi jeton.
-
Sillni një pajisje freskimi dhe vërini fëmijët ta ndiejnë me radhë ajrin që lëshon freskuesja nëpër fytyrat e tyre. Mësojuni se ne nuk mund ta shohim ajrin, por mund ta ndiejmë atë. Në mënyrë të ngjashme, ne nuk mund ta shohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, por mund ta ndiejmë dashurinë e Tyre dhe të kemi besim që Ata ekzistojnë vërtet.
-
Tregoni historitë e një ose më shumë njerëzve të përmendur te Hebrenjve 11:4–32. Merreni parasysh të përdorni Old Testament Stories [Tregime nga Dhiata e Vjetër] (shih kapitujt 4–6, 8–10, 15–17, 23 dhe 28). Çfarë bënë këta njerëz që të tregonin se kishin besim në diçka që nuk mund ta shihnin? Tregoni për disa bekime që i keni marrë për shkak të besimit tuaj.
Ati Qiellor dhe Jezu Krishti do të na ndihmojnë dhe kurrë nuk do të largohen prej nesh.
Çfarë sprovash mund të jenë duke përjetuar fëmijët? Si mund t’i ndihmojë ata mesazhi te Hebrenjve 13:5–6?
Veprimtari të Mundshme
-
Rishikoni disa histori të Dhiatës së Re që fëmijët i kanë mësuar këtë vit, në të cilat Shpëtimtari i ndihmoi të tjerët, të tilla si kur Ai shëroi burrin e paralizuar (shih Lluka 5:18–26) ose ushqeu 5 000 veta (shih Mateu 14:15–21). Ndihmojini fëmijët ta mësojnë frazën “Perëndia është ndihmuesi im” (Hebrenjve 13:6).
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të një rasti kur ata patën frikë. Lexojuni atyre Hebrenjve 13:5–6 dhe dëshmojuni se Ati Qiellor do të na ndihmojë dhe nuk do të largohet kurrë prej nesh. Ndihmojini fëmijët të presin zemra letre aq të mëdha sa t’i mbulojnë vizatimet. Cilat janë disa gjëra që na ndihmojnë të ndihemi më pranë Atit Qiellor? Shkruani disa prej këtyre gjërave brenda zemrave.
-
Mësojuni fëmijëve strofën e dytë të këngës “Tell Me, Dear Lord” [“Më Trego, Zot”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 176). Sipas kësaj kënge, çfarë mund të marrim kur Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë pranë nesh? Flisni për një kohë kur Ati Qiellor ishte pranë jush dhe ju ndihmoi.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Mbajtësit e denjë të priftërisë e ndjekin Shpëtimtarin.
Si mund t’i përdorni këto vargje që t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se ata që mbajnë priftërinë, duhet të jenë besnikë dhe t’u shërbejnë të tjerëve sikurse bëri Shpëtimtari?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të renditin gjëra që i dinë për dy mbajtës të mëdhenj të priftërisë, Abrahamin dhe Melkisedekun. Ata mund të gjejnë ndihmë te Hebrenjve 7:1–4; Abraham 1:1–2; dhe Përkthimi prej Joseph Smith-it, Zanafilla 14:25–40 (te Perla me Vlerë të Madhe). Çfarë cilësish si të Krishtit kishin këta burra, të cilat i ndihmuan ta nderonin priftërinë?
-
Vërini fëmijët të lexojnë Hebrenjve 7:1–2 dhe të kërkojnë titujt e përdorur për ta përshkruar Melkisedekun. Si na e sjellin ndërmend Jezu Krishtin këta tituj? Ndihmojini të mendojnë për mënyra në të cilat Jezusi ishte “mbret i paqes”. A dinë për ndonjë mbajtës tjetër të priftërisë që gjithashtu është një shembull i ndjekjes së Shpëtimtarit?
-
Tregoni një përvojë në të cilën një mbajtës i drejtë i priftërisë ju ndihmoi të vini më pranë Shpëtimtarit. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra se si i ka bekuar ata shërbimi nga mbajtësit e priftërisë.
Ati Qiellor i shpërblen ata që kanë besim.
Hebrenjve 11 përmban shumë shembuj të njerëzve të cilët u bekuan kur vepruan me besim. Cila prej historive do të jetë më frymëzuesja ose më ndihmuesja për fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të bëjnë në tabelë një listë të gjërave që mësojnë rreth besimit te Hebrenjve 11:1–3, 6. Jepini secilit prej fëmijëve emrin e dikujt të përmendur te Hebrenjve 11 dhe ftojini të lexojnë vargjet që lidhen me atë njeri. Kërkojuni të tregojnë të dhëna kyç rreth personit që fëmijët e tjerë të mund të sugjerojnë se kush është. Si treguan besim këta njerëz dhe si i shpërbleu ata Ati Qiellor? (Për figura të këtyre njerëzve, shihni seksionin Dhiata e Vjetër te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit).
-
Pas leximit të disa prej shembujve besnikë te Hebrenjve 11, kërkojuni fëmijëve të shkruajnë rreth një njeriu që e njohin, i cili tregoi besim. Ftojini disa fëmijë t’ia tregojnë klasës shembujt e tyre.
Zoti i qorton ata që Ai i do.
Këto vargje mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se Ati Qiellor, prindërit e tyre dhe njerëz të tjerë i korrigjojnë ngaqë i duan dhe dëshirojnë që ata të mësojnë prej gabimeve të tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku Hebrenjve 12:5–11 dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë arsye përse Ati Qiellor na qorton (korrigjon ose disiplinon). Çfarë na mëson kjo rreth arsyes përse prindërit tokësorë gjithashtu i korrigjojnë fëmijët e tyre? Si duhet t’i përgjigjemi korrigjimit që bëhet me dashuri?
-
Tregoni shembuj të njerëzve në shkrimet e shenjta të cilët u qortuan nga Zoti dhe u penduan (për shembull, shih 1 Nefi 16:25–27; Ethëri 2:13–15). Si janë ata shembuj të mirë të parimeve te Hebrenjve 12:5–11?
-
Pas leximit të Hebrenjve 12:5–11, ftojini fëmijët të shkruajnë disa gjëra që do të përpiqen t’i mbajnë mend kur të korrigjohen për mëkatet e tyre.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët të shkruajnë ose vizatojnë një figurë të asaj që ndiejnë se është gjëja më e rëndësishme që e mësuan në klasë. Ftojini t’ua tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan.