Dhiata e Re 2023
11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: “Paqtohuni me Perëndinë”


“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7: ‘Paqtohuni me Perëndinë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“11–17 Shtator. 2 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Jezu Krishti

11–17 Shtator

2 Korintasve 1–7

“Paqtohuni me Perëndinë”

Fillojeni përgatitjen tuaj duke lexuar kapitujt te 2 Korintasve 1–7. Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i studioni këta kapituj dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide për mësimdhënien.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Disa nga fëmijët në klasën tuaj mund të kenë shkruar letra gjatë kësaj jave rreth mënyrës se si një pjesëtar i familjes është shembull i mirë i një dishepulli të Jezu Krishtit (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Nëse e bënë këtë, kërkojuni atyre paraprakisht që t’ia lexojnë klasës një letër. Ose kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka tjetër që mësuan.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

2 Korintasve 1:3–4

Ati Qiellor më ngushëllon dhe unë mund t’i ngushëlloj të tjerët.

Si mund t’u jepni fëmijëve vetëbesimin se Ati Qiellor do t’i ngushëllojë ata? Si mund t’i nxitni ata që t’i ngushëllojnë të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve disa gjëra që japin ngushëllim, të tilla si një batanije ose një fashë. Pyetini fëmijët se çfarë i ngushëllon ata kur janë të trishtuar ose të frikësuar apo kur kanë probleme të tjera. Lexoni me fëmijët te 2 Korintasve 1:3–4 dhe shpjegoni se “shtrëngim” është një fjalë tjetër për probleme tepër të vështira. Tregoni disa mënyra se si Ati Qiellor ju ka ngushëlluar dhe dëshmoni se Ai do t’i ngushëllojë edhe fëmijët.

  • Tregoni figura të njerëzve që po pagëzohen (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 103–104) ndërkohë që u lexoni fëmijëve te 2 Korintasve 1:4. Shpjegoni se kur pagëzohemi, ne premtojmë t’i ngushëllojmë të tjerët. Si mund ta ndjekim këshillën e Palit për t’i “ngushëll[uar] ata që janë në çfarëdo shtrëngimi”?

2 Korintasve 2:7–8, 10

Unë mund t’i fal të tjerët.

Përzgjidhni nga veprimtaritë vijuese – ose krijoni veprimtaritë tuaja – për të ndihmuar që të forcohet dëshira e fëmijëve për t’i falur të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegojuni fëmijëve se Pali dëshironte që shenjtorët korintas ta falnin një njeri që kishte mëkatuar. Lexoni te 2 Korintasve 2:7–8, 10 dhe ftojini fëmijët t’i vendosin duart e tyre në zemër sa herë që dëgjojnë fjalët falni dhe falur.

  • Ftojini fëmijët të interpretojnë me role mënyrën se si mund të përgjigjen në situata kur dikush ka bërë diçka të pakëndshme. Lërini të thonë me radhë: “Më vjen keq” dhe “Unë të fal”. Si i ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se ne i falim ata? Shpjegoni se një mënyrë mund të jetë që t’u “shfaqni dashuri” ose t’u tregoni dashuri atyre (2 Korintasve 2:8).

2 Korintasve 4:1–2

Unë besoj në të qenit i/e ndershëm/me.

Pali dha mësim se shërbëtorët e Krishtit kanë “hequr dorë plotësisht nga gjërat e turpshme që bëhen në fshehtësi”. Përsiatni mbi mënyrat se si mund t’ua forconi fëmijëve dëshirën për të qenë të ndershëm në të gjitha gjërat.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh frazën: “Ne besojmë në qenien të ndershëm” (Nenet e Besimit 1:13). Shkruajeni këtë frazë në byzylykë prej letre që fëmijët mund t’i zbukurojnë dhe t’i vënë në duar. Shpjegoni se të jesh i ndershëm përfshin thënien e së vërtetës.

  • Kërkojuni fëmijëve t’i ngrenë duart e tyre lart kur thoni diçka që është e vërtetë dhe t’i ulin ato kur thoni diçka që nuk është e vërtetë. Thoni pohime të thjeshta por të qarta, të tilla si: “Sot është e diel” ose “Unë kam 3 hundë”. Përsëriteni veprimtarinë disa herë, duke i lënë fëmijët që me radhë të jenë personi që thotë pohime të vërteta dhe të rreme. Përse dëshiron Ati Qiellor që ne të themi të vërtetën?

  • Shfaqni materialin filmik “A Visit with Elder Ulisses Soares” [“Një Vizitë me Plakun Ulises Soares”] (ChurchofJesusChrist.org). Çfarë mësoi Plaku Soares kur ishte i ri rreth ndershmërisë? Nxitini fëmijët që të përgatiten për besëlidhjen e tyre të pagëzimit duke qenë të ndershëm.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Korintasve 1:3–4

Ati Qiellor më ngushëllon dhe unë mund t’i ngushëlloj të tjerët.

Të kujtuarit e mënyrës se si Perëndia na ka ngushëlluar, na frymëzon për t’u ofruar ngushëllim të tjerëve.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndërsa lexoni te 2 Korintasve 1:3–4, kërkojuni fëmijëve që të mbajnë vesh për një përgjigje ndaj pyetjes: “Çfarë bën Perëndia për ne?” Ndihmojini fëmijët të renditin mënyrat se si na ngushëllon Perëndia. Ftojini fëmijët që të tregojnë përvoja kur ishin të trishtuar ose të shqetësuar apo të frikësuar dhe Perëndia i ngushëlloi ata.

  • Ftojini fëmijët të tregojnë mënyra se si mund ta mbajmë besëlidhjen tonë të pagëzimit për të ngushëlluar të tjerët (shih Mosia 18:9). Jepuni atyre kohë të mendojnë për dikë që e njohin, i cili ka nevojë për ngushëllim dhe të bëjnë një plan për ta ndihmuar atë person.

2 Korintasve 2:5–11

Unë mund t’i fal të tjerët.

Mund të jetë e vështirë t’i falim të tjerët kur ata nuk janë dashamirës ndaj nesh. Por fëmijët të cilëve u jepni mësim do të përjetojnë dashuri, paqe dhe lumturi ndërsa mësojnë të falin.

Veprimtari të Mundshme

  • Thuajuni fëmijëve se dikush në Korint kishte mëkatuar dhe kishte “shkaktuar trishtim” për shenjtorët (shih 2 Korintasve 2:5). Kërkojini klasës të shqyrtojë vargjet te 2 Korintasve 2:7–8 për të zbuluar atë çfarë donte Pali që të bënin shenjtorët.

  • Tregoni një përvojë kur ju e falët dikë – ose dikush ju fali juve – dhe shpjegoni mënyrën se si u ndiet më pas. Ose shfaqni materialin filmik “The Goal: A Story of Faith, Friendship and Forgiveness” [“Synimi: Një Histori Besimi, Miqësie dhe Faljeje”] (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të tregojnë përvojat e tyre lidhur me faljen.

2 Korintasve 5:6–7

Unë “eci nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit”.

Merreni në shqyrtim mënyrën se si mund t’i nxitni fëmijët që t’i zbatojnë urdhërimet e Perëndisë edhe kur nuk i shohin menjëherë bekimet që dëshirojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët te 2 Korintasve 5:6–7 dhe Alma 32:21, dhe vërini ata të kërkojnë fjalë e fraza që ndihmojnë për të shpjeguar se çfarë është besimi. Kërkojuni të shkruajnë përkufizimet e tyre dhe t’ia tregojnë ato njëri‑tjetrit.

  • Ftojeni njërin nga fëmijët të mbyllë sytë dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë që t’i japin udhëzime për ta ndihmuar të kryejë një detyrë të tillë si të ndërtojë një kullë me blloqe apo të ecë përmes klasës. Si na ndihmon kjo veprimtari të kuptojmë se çfarë do të thotë të “ecim nëpërmjet besimit” te Perëndia?

  • Shfaqni materialin filmik “Reunited by Faith” [“Të Ribashkuar nëpërmjet Besimit”] (ChurchofJesusChrist.org) dhe pyetini fëmijët se si i riu në materialin filmik eci nëpërmjet besimit. Tregoni një përvojë kur ju ecët nëpërmjet besimit dhe nxitini fëmijët të tregojnë përvoja.

2 Korintasve 7:8–10

Trishtimi sipas Perëndisë më çon drejt pendimit.

Është e natyrshme që të ndihemi të turpëruar apo të ndrojtur kur kapemi duke bërë diçka të gabuar. Ndihmojini fëmijët t’i dallojnë këto ndjenja nga trishtimi sipas Perëndisë, i cili çon drejt pendimit.

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se te 2 Korintasve 7:8–10, Pali iu referua një letre që ua kishte shkruar më parë shenjtorëve, duke i paralajmëruar me guxim për mëkatet e tyre. Lexojini këto vargje së bashku. Përse Pali qe i gëzuar që shenjtorët ishin të trishtuar? Vini në dukje se ky lloj trishtimi quhet trishtimi sipas Perëndisë.

  • Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për një rast kur ata bënë diçka të gabuar dhe u ndien keq për të. Ftojini që ta pyesin veten: “Përse u ndjeva keq?” dhe më pas të tregojnë përgjigjet e tyre. Shkruajini përgjigjet e tyre në tabelë (për shembull, “Kisha frikë se do të futesha në telashe” ose “E dija se e kisha zhgënjyer Atin Qiellor” ose “E bëra dikë të qante”). Cilat prej përgjigjeve në tabelë duken si “trishtimi sipas Perëndisë”? (2 Korintasve 7:10.) Përse është trishtimi sipas Perëndisë më i mirë sesa llojet e tjera të trishtimit që mund të ndiejmë pasi bëjmë diçka të gabuar?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Thuajuni fëmijëve t’u tregojnë familjeve të tyre njërën prej veprimtarive nga ora e sotme mësimore, ndoshta gjatë një mbrëmjeje të shtëpisë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Paraqitni një shkrim të shenjtë. Përzgjidhni një varg të shkrimit të shenjtë që ju duket domethënës dhe vëreni në klasën tuaj atje ku fëmijët do ta shohin shpesh. Ndoshta fëmijët mund të përzgjedhin me radhë një shkrim të shenjtë për ta paraqitur.