Dhiata e Re 2023
28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13: “Ju Jeni Trupi i Krishtit”


“28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13: ‘Ju Jeni Trupi i Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“28 Gusht – 3 Shtator. 1 Korintasve 8–13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

mbledhje sakramenti

28 Gusht – 3 Shtator

1 Korintasve 8–13

“Ju Jeni Trupi i Krishtit”

Ndërsa lexoni kapitujt te 1 Korintasve 8–13, mbani vesh për nxitje nga Shpirti në lidhje me mënyrën se si t’i jepni mësim parimet në këta kapituj. Kujtoni se secila prej ideve të veprimtarisë mund të përshtatet si për fëmijët më të mëdhenj, edhe për ata më të vegjël.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë diçka që bënë gjatë mbledhjes së sakramentit për të menduar rreth Jezusit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

1 Korintasve 10:13

Ati Qiellor do të më ndihmojë të bëj zgjedhje të drejta.

Nuk është përherë e lehtë të zgjedhësh të drejtën dhe Ati Qiellor e di atë. Kur e pyesim, Ai do të na ndihmojë ngaqë Ai dëshiron që ne të kemi sukses.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te 1 Korintasve 10:13, duke i ftuar që t’i japin dorën njëri‑tjetrit kur dëgjojnë fjalët “tundojnë” ose “tundim”. Shpjegoni se çfarë kuptimi ka ky varg për ju.

  • Tregoni disa histori të shkurtra të njerëzve që janë gati duke e bërë një zgjedhje të gabuar. Ndërsa fëmijët dëgjojnë, ftojini që t’i ngrenë duart e tyre ose një letër me shenjën ‘ndal’ kur personi në histori bën një zgjedhje të gabuar. Cila do të ishte zgjedhja e drejtë? Dëshmoni se Ati Qiellor do të na ndihmojë që të zgjedhim të drejtën.

  • Paraqitni një figurë të Jezusit dhe këndoni me fëmijët një këngë rreth Tij, të tillë si “Përpiqem t’Jem si Jezusi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 40–41). Flisni rreth mënyrës se si të kujtuarit e Jezusit ju ndihmon të bëni zgjedhje të mira. Paraqitni figura të gjërave të tjera që na ndihmojnë të bëjmë zgjedhje të mira, të tilla si prindërit ose shkrimet e shenjta. Pyetini fëmijët se çfarë i ndihmon ata që të bëjnë zgjedhje të mira.

1 Korintasve 12:4, 7–12

Ati Qiellor më ka bekuar me dhunti shpirtërore.

Ati Qiellor u ka dhënë dhunti shpirtërore të gjithë fëmijëve të Tij. Çfarë dhuntish shpirtërore shihni te fëmijët të cilëve u jepni mësim?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një vizatim të një dhurate të parapëlqyer që kanë marrë. Shpjegoni se Ati Qiellor na jep dhunti shpirtërore për ta forcuar besimin tonë dhe për të na ndihmuar të bekojmë të tjerët. Tregojuni fëmijëve për disa nga dhuntitë shpirtërore të përshkruara te 1 Korintasve 12:7–11.

  • Shkruani një pusullë për secilin fëmijë, duke përshkruar një dhunti shpirtërore që keni parë tek ai apo ajo (ose ju mund të ftoni prindërit që t’i shkruajnë këto pusulla). Vendosni shënime te zarfet. Lejojini fëmijët t’i hapin zarfet dhe ndihmojini që të lexojnë rreth dhuntive të tyre shpirtërore.

kuti dhuratash

Ati Qiellor u ka dhënë të gjithë fëmijëve të Tij dhunti shpirtërore.

1 Korintasve 13

Unë mund t’i dua të tjerët.

Shkrimet e shenjta na mësojnë se dashuria hyjnore është “dashuria e pastër e Krishtit” (Moroni 7:47). Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta zhvillojnë dhe shprehin dashurinë si të Krishtit?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni vargjet te 1 Korintasve 13:8 dhe Moroni 7:47, dhe ndihmojini fëmijët ta përsëritin frazën “Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit”. Paraqitni figura të Jezusit duke qenë i dashur dhe i mirë, dhe pyetini fëmijët se si e shfaqi Ai dashurinë për të tjerët (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit për ide).

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth pasjes së dashurisë për të tjerët, të tillë si “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’” ose “Doni Njëri-Tjetrin” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39, 74). Paraqitni figura të njerëzve të ndryshëm (të tillë si një prind, vëlla ose motër, mësues, shok ose shoqe) dhe kërkojuni fëmijëve të flasin për mënyrën se si ata mund t’i shërbejnë atij personi. Ftojini fëmijët të mendojnë për dikë të cilit mund t’i shërbejnë, dhe më pas të shkruajnë një pusullë ose të bëjnë një vizatim që t’ia japin atij personi. Nëse kanë nevojë për ide të tjera lidhur me mënyrën se si të shërbejnë, paraqitni materialin filmik “Pass It On” [“Përçojeni Atë”] (ChurchofJesusChrist.org).

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Korintasve 10:13

Ati Qiellor do të më ndihmojë t’i bëj ballë tundimit.

Premtimet në këtë varg mund t’u japin fëmijëve vetëbesimin se ata mund t’i bëjnë ballë tundimit me ndihmën e Atit Qiellor.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te 1 Korintasve 10:13 në dyshe dhe ta përmbledhin vargun me vetë fjalët e tyre. Ftojini fëmijët të tregojnë një përvojë në të cilën Ati Qiellor i ndihmoi që ta shmangnin tundimin ose t’i bënin ballë atij. Çfarë mund të bëjmë për t’u mbështetur tek Ati Qiellor kur tundohemi?

  • Shkruani në copëza letre tundimet me të cilat mund të përballen sot fëmijët. Ftojini fëmijët që secili të zgjedhë një letër dhe të tregojë se çfarë na ka dhënë Ati Qiellor për të na ndihmuar t’i shmangim këto tundime ose t’u bëjmë ballë atyre. Për disa ide, lexoni së bashku tek Alma 13:28–29.

1 Korintasve 11:23–29

Gjatë sakramentit, unë mund të mendoj për mënyrën se si po e ndjek Shpëtimtarin.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, të kuptojnë se sakramenti është një mundësi për ta “shqyrt[uar]” veten dhe për të përtërirë besëlidhjen e tyre të pagëzimit që t’i shërbejnë Zotit dhe të zbatojnë urdhërimet e Tij (1 Korintasve 11:28).

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojini një fëmije të lexojë te 1 Korintasve 11:28. Çfarë do të thotë ta “shqyrto[ni]” veten para se ta merrni sakramentin? Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për njerëz të tjerë që shqyrtojnë gjëra, si p.sh. mjekët, detektivët apo shkencëtarët (për shembull, mjekët i shqyrtojnë trupat tanë për t’u siguruar që jemi të shëndetshëm). Kur marrim sakramentin, çfarë mund të bëjmë për të shqyrtuar se si po i jetojmë besëlidhjet tona të pagëzimit?

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një listë të gjërave për të cilat mund të mendojnë kur marrin sakramentin. Ftojini që t’i përdorin listat e tyre si një kujtues për ta shqyrtuar veten gjatë sakramentit.

1 Korintasve 12:4, 7–12, 31; 13:1–8

Unë kam dhunti shpirtërore.

Pali dha mësim se “secilit i jepe[n]” dhuntitë e frymës (1 Korintasve 12:7). Ky parim mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë ndjenjën e tyre të vetëvlerësimit, veçanërisht ndërsa i përdorin dhuntitë e tyre për të bekuar të tjerët.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të shkruajnë në tabelë dhuntitë shpirtërore që gjejnë te 1 Korintasve 12:7–11; 13:2. Ftojini të gjejnë ndonjë dhunti shtesë të përmendur te Moroni 10:8–18 dhe Doktrina e Besëlidhje 46:13–26. Tregojuni atyre disa dhunti të tjera shpirtërore, të përmendura nga Plaku Marvin J. Ashton: “Dhuntia e bërjes së pyetjeve; dhuntia e të dëgjuarit; … dhuntia e shmangies së grindjes; … dhuntia e kërkimit të asaj që është e drejtë; dhuntia e mosgjykimit; dhuntia e të shikuarit te Perëndia për udhërrëfim; … dhuntia e përkujdesjes ndaj të tjerëve; … dhuntia e bërjes së lutjes; dhuntia e dhënies së një dëshmie të fortë” (“There Are Many Gifts”, Ensign, nëntor 1987, f. 20). Ftojini fëmijët të flasin për dhuntitë shpirtërore që i shohin te njëri-tjetri.

  • Përpara fillimit të orës mësimore, pyetini prindërit e fëmijëve në klasën tuaj për dhuntitë që shohin te fëmijët e tyre ose mendoni vetë për dhuntitë e fëmijëve. Tregojuni fëmijëve për këto dhunti. Ftojini fëmijët të shkruajnë një mënyrë se si do t’i përdorin dhuntitë e tyre për ta bekuar dikë këtë javë.

  • Tregoni situata të ndryshme në të cilat njerëzit mund ta përdorin një dhunti shpirtërore nga 1 Korintasve 12:7–10. Ftojini fëmijët t’i përcaktojnë dhuntitë shpirtërore që mund të përdoren në secilën situatë.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Sugjeroni që fëmijët të diskutojnë me familjet e tyre për diçka që folët gjatë orës mësimore. Për shembull, ju mund t’i ftoni fëmijët t’ua tregojnë dhuntitë e tyre shpirtërore familjeve të tyre dhe t’i pyesin pjesëtarët e familjes së tyre se cilat janë dhuntitë e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jepni ftesa që e respektojnë lirinë e zgjedhjes. Ndërsa i ftoni fëmijët të veprojnë në përputhje me atë që po mësojnë, mendoni për mënyra se si ta nderoni lirinë e tyre të zgjedhjes. Në vend që të jepni ftesa të veçanta, merreni parasysh t’i ftoni të mendojnë për vetë mënyrat e tyre se si ta vënë në jetë atë që kanë mësuar.