“21–27 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“21–27 Gusht. 1 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
21–27 Gusht
1 Korintasve 1–7
“Të Jeni Plotësisht të Bashkuar”
Fryma e Shenjtë do t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të ungjillit te 1 Korintasve 1–7 do t’i ndihmojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ndërsa i lexoni me lutje këta kapituj, mbani shënim mendimet dhe ndjenjat që ju vijnë nga Shpirti.
Ftojini të Tregojnë
Pyetini fëmijët nëse u treguan familjeve të tyre diçka që mësuan në Fillore javën e fundit. (Mund të keni nevojë ta rishikoni shkurtimisht mësimin e javës së kaluar.) Nëse po, çfarë treguan ata?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Fryma e Shenjtë më mëson të vërteta të ungjillit.
Një prej roleve të Frymës së Shenjtë është që të na mësojë të vërtetën. Çfarë përvojash mund t’u tregoni fëmijëve që t’i ndihmoni ta kuptojnë këtë?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni sende ose figura që paraqesin mënyrat se si mësojmë rreth botës (të tilla si një shkollë, libër ose celular). Çfarë mund të mësojmë kur i përdorim këto gjëra? Shpjegoni se te 1 Korintasve 2:11, 14, Pali dha mësim se ne mund të mësojmë rreth Perëndisë vetëm nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë, që është Fryma e Shenjtë. Çfarë mund të bëjmë që t’i mësojmë “gjërat e Perëndisë”?
-
Duartrokitni ndërsa e thoni secilën rrokje në fjalinë: “Fryma e Shenjtë na mëson të vërtetën”. Kërkojuni fëmijëve të duartrokasin dhe ta përsëritin frazën. Tregojuni fëmijëve një përvojë kur Fryma e Shenjtë ju ndihmoi të dinit se diçka ishte e vërtetë.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth Frymës së Shenjtë, të tillë si “Fryma e Shenjtë” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 56). Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalë dhe fraza te kënga që na mësojnë se në ç’mënyrë na flet Fryma e Shenjtë dhe se çfarë na mëson Ai.
Jezu Krishti është themeli im.
Fëmijët po hedhin një themel për dëshmitë e tyre dhe ju mund t’i ndihmoni ata të ngrenë një themel të fortë te Jezu Krishti.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargun te 1 Korintasve 3:11 dhe shpjegoni se Jezu Krishti është themeli ynë. Tregojuni fëmijëve disa figura të gjërave për të cilat ne mund të kemi dëshmi, përfshirë një figurë të Jezu Krishtit. Ndihmojini t’i rregullojnë figurat në mënyrë që figura e Jezusit të jetë në fund, si një themel, dhe figurat e tjera të “ndërto[he]n” mbi bazën e dëshmisë për Të.
-
Krijoni veprime për këngën “Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 132), dhe këndojeni këngën me fëmijët. Jepini secilit fëmijë një gur me fjalinë: “Jezu Krishti është themeli im”, të shkruar mbi të. Lërini t’i marrin gurët në shtëpi për t’u kujtuar atyre atë që mësuan.
-
Paraqitni figura që pasqyrojnë disa prej historive tuaja të parapëlqyera nga jeta e Shpëtimtarit dhe kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë se çfarë po ndodh te figurat. Lërini të tregojnë disa prej historive të tyre të parapëlqyera rreth Jezusit. Jepni dëshminë tuaj se Jezu Krishti është themeli i besimit tuaj.
Trupi im është si një tempull.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët t’i çmojnë trupat e tyre si dhuratë nga Perëndia dhe të kenë dëshirë më të madhe për t’u kujdesur për ta?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqituni fëmijëve figura të tempujve (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe lexojini këto fjalë nga 1 Korintasve 6:19: “Trupi juaj është tempulli i Frymës së Shenjtë”. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se Ati Qiellor do që ne t’i mbajmë trupat tanë të pastër dhe të shenjtë, si një tempull.
-
Paraqitni një figurë të një fëmije dhe vendosni përreth saj figura të gjërave që janë të mira për trupat tanë dhe të gjërave që janë të këqija për ta. Ftojini fëmijët që me radhë t’i përcaktojnë gjërat e mira dhe t’i heqin gjërat e këqija.
-
Këndoni së bashku një këngë për trupat, të tillë si “Kok’, Shpatull’, Gjunj’, Gishta” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 129 A) dhe pyetini fëmijët se përse ata janë mirënjohës për trupat e tyre.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Të qenit të urtë nënkupton të mirëbesosh tek urtësia e Perëndisë.
Fëmijët të cilëve u jepi mësim, do të zbulojnë, nëse nuk e kanë zbuluar tashmë, që disa njerëz japin mësim gjëra që bien në kundërshtim me urtësinë e Perëndisë. Studimi i vargjeve te 1 Korintasve 1:23–25 mund t’i ndihmojë fëmijët të kuptojnë se ne mund të mirëbesojmë tek urtësia e Perëndisë, sepse ajo është më e madhe se urtësia jonë.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te 1 Korintasve 1:23–25 dhe të gjejnë fjalët dituri[a] dhe marrëzia. Shpjegoni që shumë njerëz mendonin se mësimet e Palit ishin marrëzi, por Pali shpjegoi se besimi në ungjillin e Krishtit është dituri e vërtetë. Përse është gjë e mençur ta besosh atë që jep mësim Perëndia?
-
Ndihmojini fëmijët të interpretojnë me role mënyrën se si ata mund t’u përgjigjen njerëzve që mendojnë se urdhërimet e Perëndisë janë “marrëzi” – të tilla si urdhërimi për të pasur besim te Shpëtimtari, për të mbajtur Fjalën e Urtësisë ose për t’u bindur ndaj ligjit të së dhjetës. Për shembull, ata mund të dëshmojnë për bekimet që vijnë nga të jetuarit e këtyre mësimeve.
-
Tregoni një përvojë kur të tjerët menduan që bindjet tuaja janë marrëzi ose tregoni një shembull nga shkrimet e shenjta. Lejojini fëmijët të tregojnë përvoja të ngjashme. Si mund të na ndihmojë vargu te 1 Korintasve 1:25 që të qëndrojmë besnikë kur të tjerët i quajnë bindjet tona marrëzi?
Fryma e Shenjtë më mëson të vërteta të ungjillit.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se ata kanë nevojë për Frymën e Shenjtë që t’i kuptojnë “gjërat e Perëndisë”?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një listë të mënyrave se si ne mësojmë rreth botës – për shembull, librat, shkolla dhe interneti. Më pas lexoni së bashku te 1 Korintasve 2:11–14. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si mësojmë për “gjërat e Perëndisë”?
-
Tregoni për një rast kur ju mësuat diçka nëpërmjet Shpirtit të Perëndisë. Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë raste kur e ndien Shpirtin. Cilat nga “gjërat e Perëndisë” (1 Korintasve 2:11) na ka ndihmuar Shpirti t’i kuptojmë?
-
Ftojeni secilin fëmijë të lexojë njërin prej këtyre shkrimeve të shenjta: 1 Korintasve 2:11–14; 1 Nefi 10:17; Moroni 10:3–5 dhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësuan nga këto shkrime të shenjta rreth mënyrës se si na mëson Fryma e Shenjtë. Përse jemi mirënjohës për dhuratën e Frymës së Shenjtë?
Unë duhet ta trajtoj trupin tim me respekt dhe ta mbaj të shenjtë.
Të kuptuarit se trupat tanë janë dhurata nga Ati Qiellor do t’i ndihmojë fëmijët t’i mbajnë trupat e tyre të shenjtë, edhe kur tundohen të veprojnë ndryshe.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni një enë me figurën e një fëmije dhe të një tempulli brenda saj. Ftojini fëmijët të lexojnë te 1 Korintasve 6:19–20 dhe të hamendësojnë se çfarë ka brenda enës. Lërini ta hapin atë dhe diskutoni se në ç’mënyrë trupat tanë janë të ngjashëm me tempujt.
-
Diskutoni me fëmijët për mënyrën se si duhet ta trajtojmë një tempull. Nëse trupat tanë janë si tempujt, si duhet t’i trajtojmë ne trupat tanë? Të kënduarit ose të lexuarit e fjalëve të një kënge rreth tempujve, të tillë si “Zoti më Dha një Tempull” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73), mund të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Kur bëjmë gabime, si mund t’i bëjmë përsëri të pastër “tempu[jt]” tanë?
-
Lexoni së bashku pjesën “Trupi Juaj Është i Shenjtë” (te Për Forcën e Rinisë, [udhëzues, 2022] f. 22–29). Ftojini fëmijët të renditin në tabelë këshillat që gjejnë rreth mënyrës se si të kujdesemi për trupat tanë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre për një këngë që e kënduan në klasë, dhe atë që mësuan prej saj.