“31 Korrik – 6 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28: ‘Shërbyes dhe Dëshmues’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“31 Korrik – 6 Gusht. Veprat e Apostujve 22–28”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
31 Korrik – 6 Gusht
Veprat e Apostujve 22–28
“Shërbyes dhe Dëshmues”
Ndërsa lexoni te Veprat e Apostujve 22–28, rrëfime nga shërbesa e Palit, Apostullit, kërkoni parime që do të jenë domethënëse për fëmijët të cilëve iu jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni figura që mund t’u kujtojnë fëmijëve historitë nga Veprat e Apostujve 22–28, të tilla si një qeli burgu, një anije dhe një gjarpër. Ftojini fëmijët të tregojnë ndonjë histori që dinë rreth Palit, të cilat kanë të bëjnë me këto figura.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor dhe Jezusi kujdesen për mua dhe do të më ndihmojnë gjatë periudhave të vështira.
Të mësuarit se në ç’mënyrë Shpëtimtari e ndihmoi Palin, mund të ndërtojë besimin e fëmijëve se Ati Qiellor dhe Jezusi kujdesen për ta.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni historinë e Shpëtimtarit duke e vizituar Palin në burg, te Veprat e Apostujve 23:10–11. Ose shfaqni materialin filmik “Be of Good Cheer” [“Kurajë”] (ChurchofJesusChrist.org), i cili e portretizon këtë histori. Tregoni një rast kur patët një sprovë dhe morët udhërrëfim e ngushëllim nga Perëndia. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur u ndien të ngushëlluar nga Perëndia.
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh atë që Jezusi i tha Palit: “Kurajo”. Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për dikë që mund ta ftojnë të marrë kurajë – ndoshta dikë që është i trishtuar ose i shqetësuar.
-
Këndoni një këngë me fëmijët rreth të qenit të lumtur, të tillë si “Buzëqeshjet” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 128).
Unë mund t’ua jap dëshminë time të tjerëve.
Rishikimi i dëshmisë së Palit para mbretit Agripa mund t’i ndihmojë fëmijët të mësojnë se si të flasin për atë që e dinë se është e vërtetë.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni një kurorë letre në klasë dhe lëreni një fëmijë ta vërë atë në kokë dhe të hiqet sikur është mbreti Agripa. Ftojeni një fëmijë tjetër të qëndrojë përpara mbretit për të luajtur rolin e Palit, ndërsa ju përmblidhni dëshminë e Palit dhe reagimin e mbretit Agripa, që gjendet te Veprat e Apostujve 26:1–29 (shih “Kapitulli 63: Pali Mbaron Misionin e Tij”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 162–166, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni se ne mund t’ua themi dëshmitë tona të tjerëve, siç bëri Pali.
-
Kërkojuni fëmijëve të dëgjojnë ndërsa ju këndoni ose lexoni një këngë për dëshminë, të tillë si “E Di, Ati Im Rron” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 8). Ftojini fëmijët të ngrenë duart kur dëgjojnë diçka që e dinë se është e vërtetë. Ju mund të doni ta këndoni këngën disa herë; ftojini fëmijët që të këndojnë së bashku me ju sapo t’i kenë mësuar fjalët. Ndihmojini që të ushtrojnë dhënien e dëshmive të tyre për gjëra të cilat i dinë se janë të vërteta.
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të mendojnë rreth diçkaje që mund të thonë kur japin dëshminë e tyre (shih Nenet e Besimit për më shumë ide). Ftojini që t’ia japin dëshminë e tyre dikujt brenda familjes së tyre.
Profetët më paralajmërojnë për rrezikun.
Merrni parasysh në ç’mënyrë rrëfimi i mbytjes së anijes ku ishte Pali, mund t’u mësojë fëmijëve që profetët e shohin rrezikun fizik dhe shpirtëror që ne nuk mund ta shohim.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të hiqen sikur janë në një anije që është duke u mbytur në stuhi. Lexojeni paralajmërimin e Palit drejtuar njerëzve, që gjendet te Veprat e Apostujve 27:9–10, dhe tregojeni historinë e mbytjes së anijes që ndodhi ngaqë ata nuk ia vunë veshin paralajmërimit të tij (shih Veprat e Apostujve 27:11, 39–44). Paraqitni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe jepni dëshminë tuaj se ai mund të na paralajmërojë ndaj rreziqeve shpirtërore.
-
Vendosni nëpër klasë disa figura ose sende që përfaqësojnë gjëra që profetët na kanë mësuar që t’i bëjmë që të jemi më shumë si Jezusi, të tilla si t’i duam të tjerët ose të pagëzohemi. Si klasë, ecni nëpër të, duke ndaluar te çdo figurë apo send për të folur mbi atë se si zbatimi i mësimeve të profetit ndihmon për të na mbajtur të sigurt nga rreziku.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Veprat e Apostujve 23:10–11; 27:18–25; 28:1–6
Kur përballem me vështirësi, Perëndia nuk më braktis.
Gjatë sprovave që përjetoi Pali, Zoti qe me të. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që t’i krahasojnë përvojat e Palit me vetë jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Duke përdorur vargun te Veprat e Apostujve 23:10, shpjegoni se Pali u fut në burg ngaqë u mësoi njerëzve rreth Jezusit. Më pas lexoni me fëmijët te Veprat e Apostujve 23:11. Ose shfaqni materialin filmik “Be of Good Cheer” [“Kurajë”] (ChurchofJesusChrist.org), i cili e portretizon këtë histori. Si mund të kishte Pali “kurajo” edhe pse ishte në burg?
-
Shkruani në tabelë Veprat e Apostujve 23:10–11; Veprat e Apostujve 27:18–25 dhe Veprat e Apostujve 28:1–6. Paraqitni figurat e një burgu, anijeje dhe një gjarpri, dhe ftojini fëmijët t’i përsëritin këto vargje dhe t’i lidhin ato me figurat. Në secilin nga këto rrëfime, si i tregoi Zoti Palit që Ai ishte me të? Tregoni një përvojë kur Zoti ishte me ju gjatë një kohe të vështirë dhe se si ajo e forcoi dëshminë tuaj për Të. Nxitini edhe fëmijët të tregojnë përvoja.
Unë mund ta jap me guxim dëshminë time për Jezu Krishtin.
Kuraja e Palit në dhënien e dëshmisë së tij mund t’i ndihmojë fëmijët që të jenë të guximshëm kur japin dëshmitë e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Zgjidhni vargje nga Veprat e Apostujve 26 për t’i lexuar me fëmijët që t’i ndihmoni ata të kuptojnë atë që Pali i tha mbretit Agripa rreth përvojave të tij (të tilla si vargjet 9–16) dhe asaj që ai dha mësim rreth Jezu Krishtit (të tilla si vargjet 18, 23). Ju mund të tregoni gjithashtu një fragment nga materiali filmik “Paul: A Chosen Vessel” [“Pali: Një Vegël e Zgjedhur”] (ChurchofJesusChrist.org). Përse mund të ketë qenë e frikshme për Palin të fliste për këto gjëra para mbretit? Ftojini fëmijët të renditin disa parime të ungjillit që ata e dinë se janë të vërteta. Kërkojuni të mendojnë për dikë që njohin, i cili ose e cila ka nevojë të dëgjojë dëshminë e tyre për këto të vërteta.
-
Ftojini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të shkruar diçka që mund ta thonë kur të japin dëshminë e tyre.
Profetët më paralajmërojnë për rrezikun.
Fëmijët mund t’ua vënë veshin mesazheve të profetëve të gjallë dhe t’i dallojnë paralajmërimet e tyre. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë se si t’ua vënë veshin atyre paralajmërimeve?
Veprimtari të Mundshme
-
Priteni një copë letër në formën e anijes, në copëza si një figurëformuese. Ftojini fëmijët t’i shkruajnë në copëzat e prera paralajmërimet e Palit te Veprat e Apostujve 27:9–11 dhe t’i bashkojnë për të formuar figurëformuesen. Përse njerëzit nuk ia vunë veshin Palit? (Shih vargun 11.) Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet 18–20 dhe 40–44 për të zbuluar se çfarë ndodhi si rrjedhojë. (Shpjegoni se ngaqë njerëzit e ndoqën këshillën e mëpasshme të Palit për të qëndruar në anije, asnjë nuk vdiq nga mbytja e anijes; shih vargjet 30–32.) Çfarë mund të mësojmë nga kjo përvojë rreth ndjekjes së profetit?
-
Sillni një mesazh të fundit të konferencës së përgjithshme nga Presidenti i Kishës dhe tregojuni fëmijëve ndonjë paralajmërim ose këshillë që dha ai. Ftojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si ata mund ta ndjekin profetin.
-
Shfaqni materialin filmik “Blessed and Happy Are Those Who Keep the Commandments of God” [“Të Bekuar dhe të Lumtur Janë Ata që i Zbatojnë Urdhërimet e Perëndisë”] (ChurchofJesusChrist.org). Si ngjasojnë profetët me burrin me dylbitë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Kërkojuni fëmijëve ta përdorin atë që mësuan rreth Palit, për t’i nxitur familjet e tyre që të studiojnë mesazhet më të fundit të profetit dhe të diskutojnë se si mund ta ndjekin këshillën e tij.