Dhiata e Re 2023
7–13 Gusht. Romakëve 1–6: “Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”


“7–13 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“7–13 Gusht. Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pali duke shkruar një letër

7–13 Gusht

Romakëve 1–6

“Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”

Çfarë nxitjesh merrni ndërsa i lexoni kapitujt te Romakëve 1–6? Këto nxitje mund t’ju ndihmojnë të zgjidhni nga idetë vijuese të mësimdhënies ose përgatitni një ide tuajën.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë bënë në përgjigje të ndonjë ftese që ju u bëtë atyre në mësimin e javës së kaluar.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Romakëve 1:16–17

Unë mund ta tregoj besimin tim te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë.

Pali dha mësim se ungjilli ka fuqinë t’i sjellë shpëtim gjithkujt që jeton me anë të besimit te Jezu Krishti. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta tregojnë besimin e tyre te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë?

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve te Romakëve 1:17 dhe ndihmojini ta mësojnë përmendsh frazën: “I drejti do të jetojë me anë të besimit”. Ju mund t’i caktoni secilit fëmijë një fjalë te fraza dhe t’u kërkoni që ta thonë fjalën kur ju tregoni me gisht nga ata. Shpjegoni se kjo frazë do të thotë që ne duhet të kemi besim te Jezu Krishti. Pyetini fëmijët nëse e dinë se çfarë është besimi. Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit dhe shpjegoni se ne besojmë që Ai është i vërtetë, edhe pse nuk e kemi parë Atë. Ky është besimi – të besuarit te diçka edhe pse nuk e kemi parë atë.

  • Shpjegoni se ne e tregojmë besimin tonë te Jezu Krishti duke iu bindur Atij. Fshihni nëpër klasë figura të njerëzve të cilët po bëjnë atë që Jezusi na ka kërkuar të bëjmë. Lërini fëmijët që me radhë t’i gjejnë dhe t’i përshkruajnë figurat. Çfarë mund të bëjmë për ta ndjekur Jezusin?

  • Kërkojini njërit prej fëmijëve të mbyllë sytë dhe rrëfejini atij ose asaj udhën nëpër klasë drejt një figure të Jezusit. Nëse e lejon koha, lejojini fëmijët e tjerë që ta bëjnë këtë me radhë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata mund t’i ndjekin mësimet e Jezusit pikërisht ashtu si ndoqën udhërrëfimin tuaj.

Romakëve 6:1–11

Të pagëzohesh është si të bëhesh një njeri i ri.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim, po përgatiten për pagëzim. Çfarë mund të mësojmë për pagëzimin nga Romakëve 6?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët ta përsëritin frazën: “Ec[ni] në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Tregojuni fëmijëve se çfarë do të thotë kjo për ju. Për shembull, ju mund të tregoni kujtime rreth ditës që u pagëzuat dhe të flisni rreth mënyrës se si pagëzimi juaj ju ka ndihmuar të bëheni më shumë si Jezu Krishti. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u mësuar fëmijëve që pagëzimi na ndihmon të bëhemi një njeri i ri.

  • Nëse ndonjë prej fëmijëve ka marrë pjesë në një pagëzim, ftojeni që të tregojë përvojën e tij ose të saj. Ose tregoni figurën e dikujt duke u pagëzuar (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 35103–104). Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se në pagëzim ne bëjmë premtime për t’u bërë si Jezusi. Ftojini të bëjnë vizatime të vetes duke u pagëzuar dhe tregoni se çfarë mund të bëjnë për t’u përgatitur për pagëzimet e tyre.

  • Këndoni me fëmijët një këngë rreth pagëzimit, të tillë si “Kur Un’ t’Pagëzohem” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53). Çfarë mësojmë rreth pagëzimit nga kjo këngë?

fëmijë që po pagëzohet

Pagëzimi simbolizon fillimin e një jete të re si dishepull i Krishtit.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Romakëve 1:16–17

Unë mund ta tregoj besimin tim te Jezu Krishti duke e ndjekur Atë.

Pali dha mësim se ungjilli ka fuqinë t’i sjellë shpëtim gjithkujt që jeton me anë të besimit te Jezu Krishti. Besimi te Jezu Krishti është parimi i parë i ungjillit. Ai na nxit që t’u bindemi urdhërimeve. Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë më mirë besimin?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojini një fëmije ta gjejë Romën në një hartë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se gjatë disa javëve në vijim, ata do të mësojnë nga letrat që Pali u shkroi anëtarëve të Kishës në vende të ndryshme, duke filluar me letrën e tij drejtuar romakëve.

  • Shkruajeni në tabelë tekstin nga Romakëve 1:16, duke i zëvendësuar disa fjalë me vende bosh. Kërkojuni fëmijëve ta shikojnë shkrimin e shenjtë dhe t’i plotësojnë vendet bosh. Ftojini fëmijët të tregojnë se çfarë do të thotë për ta fraza: “Unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit” (Romakëve 1:16).

  • Ftojeni një fëmijë të lexojë me zë të lartë te Romakëve 1:17 dhe kërkojuni fëmijëve të tjerë që të mbajnë vesh për një fjalë që përsëritet. Çfarë do të thotë të “jetojë me anë të besimit”? Ndihmojini fëmijët të gjejnë një përkufizim për besimin në një burim të tillë si Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Besim” (scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Si do të ishte jeta jonë ndryshe nëse nuk do të kishim besim te Jezu Krishti?

  • Tregojuni fëmijëve një bimë e një farë dhe pyetini se si e ndihmojmë një farë që të bëhet bimë. Shpjegoni se kur e mbjellim dhe e ujitim një farë, ne tregojmë se kemi besim që ajo do të rritet. Si e tregojmë ne se kemi besim te Jezu Krishti? Merreni parasysh të këndoni një këngë rreth besimit, të tillë si “Besimi” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 50–51), si pjesë të kësaj veprimtarie.

Romakëve 3:23–24

Ne të gjithë kemi nevojë për Jezu Krishtin në mënyrë që të falemi për mëkatet tona.

Pali donte që romakët ta kuptonin se shpëtimi vjen vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit dhe hirit të Tij. Përsiatni se si mund t’ua mësoni këtë të vërtetë fëmijëve.

Veprimtari të Mundshme

  • Jepini çdo fëmije një frazë nga Romakëve 3:23–24, të shkruar në një fletë letre. Ftojini fëmijët që t’i vendosin frazat sipas radhës së duhur dhe lexojini së bashku vargjet. Pyetini fëmijët se çfarë mësojnë nga këto vargje. Shpjegoni se fjala “hi[r]” te vargu 24 nënkupton dhuratën e dashurisë dhe të mëshirës së Shpëtimtarit, e cila bën të mundur që ne të marrim falje për mëkatet tona dhe të bëhemi më të mirë.

  • Varni një figurë lart në mur ose në një vend tjetër që fëmijët nuk mund ta kapin dot vetë. Lërini të përpiqen ta kapin atë dhe krahasojeni këtë me atë që dha mësim Pali te Romakëve 3:23. Më pas ndihmojini që ta arrijnë figurën. Çfarë ka bërë Shpëtimtari për ne që ne nuk mund ta bëjmë dot për veten tonë? Ftojini fëmijët të tregojnë se si ndihen rreth Shpëtimtarit kur mendojnë për atë që Ai ka bërë dhe mund të bëjë për t’i ndihmuar ata.

Romakëve 6:1–11

Të pagëzohesh është si të bëhesh një njeri i ri.

Pali dha mësim se pagëzimi simbolizon vdekjen dhe Ringjalljen e Krishtit. Ai gjithashtu simbolizon ngritjen që të “ecim në risinë e jetës” (Romakëve 6:4). Ne e përtërijmë zotimin tonë për të ecur në risinë e jetës sa herë që e marrim sakramentin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni një fëmijë të lexojë te Romakëve 6:3–6. Si tha Pali, me çfarë është i “ngjash[ëm]” pagëzimi?

  • Diskutoni se në ç’mënyrë pagëzimi simbolizon vdekjen dhe ringjalljen. Mund të jetë e dobishme të paraqitni një figurë të një pagëzimi ose të tregoni një material filmik si “The Baptism of Jesus” [“Pagëzimi i Jezusit”] (ChurchofJesusChrist.org). Përse janë vdekja dhe ringjallja simbole të mira të asaj çfarë ndodh kur pagëzohemi?

  • Lexoni së bashku lutjet e sakramentit (shih Doktrina e Besëlidhje 20:77, 79). Kujtojini fëmijët që kur marrim sakramentin, ne ripërtërijmë zotimin për ta ndjekur Jezu Krishtin që e bëmë kur u pagëzuam. Si na ndihmon sakramenti që të “ecim në risinë e jetës”?

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë figura që tregojnë se çfarë do të thotë për ta që të “eci[n] në risinë e jetës”. Fëmijët mund t’i varin këto figura në dhomat e tyre për t’i ndihmuar që të mbajnë mend të bëjnë zgjedhje të mira.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Sugjeroni që fëmijët t’u kërkojnë pjesëtarëve të familjes që t’ua bëjnë të ditur atyre kur po bëjnë diçka që tregon besim.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Krijoni vetëbesimin te fëmijët. Përgëzojini fëmijët kur ata marrin pjesë në orën mësimore. Kjo është një mënyrë për ta ndërtuar vetëbesimin e tyre se ata mund ta mësojnë ungjillin.