Dhiata e Re 2023
24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: “Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin”


“24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21: ‘Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“24–30 Korrik. Veprat e Apostujve 16–21”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

Pali duke dhënë mësim në kodër

24–30 Korrik

Veprat e Apostujve 16–21

“Zoti na Kishte Thirrur që t[a] Shpallim … Ungjillin”

Pas leximit të kapitujve te Veprat e Apostujve 16–21, ndiqini nxitjet e Shpirtit dhe merrni parasysh idetë në këtë përvijim të mësimit teksa përgatiteni për të dhënë mësim. Për ndihmë të mëtejshme, merrni këshillë nga pjesa “Plotësimi i Nevojave të Fëmijëve Më të Vegjël” në këtë manual.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë atë që dinë rreth përvojave të Palit për përhapjen e ungjillit. Ata mund të flasin edhe rreth misionarëve të tjerë që i njohin ose rreth përvojave të veta për përhapjen e ungjillit me dikë tjetër.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Veprat e Apostujve 16:25–34

Misionarët u mësojnë njerëzve rreth Jezusit.

A e dinë fëmijët të cilëve u jepni mësim, se çfarë bëjnë misionarët? Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se ata mund të flasin për ungjillin me të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të luajnë me role vargjet te Veprat e Apostujve 16:25–34, ndërsa ju përmblidhni rrëfimin e Palit dhe Silas duke përhapur ungjillin në burg (shih edhe “Kapitulli 61: Pali dhe Sila në Burg”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 158–160, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni se edhe sot misionarët u mësojnë njerëzve për Jezusin dhe i ndihmojnë ata të përgatiten për t’u pagëzuar.

  • Bëni etiketa emri si të misionarëve për fëmijët që t’i përdorin, dhe ndihmojini që t’i shkruajnë emrat e tyre tek etiketat. Mësojuni fëmijëve thënie të thjeshta doktrinore që mund t’ua thonë të tjerëve, të tilla si: “Unë jam fëmijë i Perëndisë”, “Perëndia flet nëpërmjet një profeti të gjallë” ose “Jezu Krishti është Shpëtimtari ynë”. Kujtojuni fëmijëve se nuk është e nevojshme një etiketë emri si misionar që të flasim për ungjillin me të tjerët.

Veprat e Apostujve 17:10–12

Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Ndonëse disa prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, mund të mos jenë ende në gjendje që të lexojnë, ju mund t’i ndihmoni që të zhvillojnë dashuri për shkrimet e shenjta dhe të shohin se si ato dëshmojnë për Shpëtimtarin.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojeni njërin nga fëmijët ta lexojë frazën: “Ata … i shqyrtua[n] çdo ditë Shkrimet” (Veprat e Apostujve 17:11). Ftojini fëmijët të tregojnë me gisht nga secila ditë e javës në një kalendar ndërkohë që e përsëritin këtë frazë me ju. Këndoni së bashku një këngë që na mëson për bekimet e leximit të shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66).

  • Për t’u mësuar fëmijëve që shkrimet e shenjta dëshmojnë për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, ndihmojini të kthehen te një kapitull në shkrimet e shenjta, si Veprat e Apostujve 17 ose 18, dhe të gjejnë fjalë si Perëndi, Zot ose Jezus. (Ju mund të dëshironi t’i shenjoni këto fjalë që më parë, në mënyrë që fëmijët të mund t’i gjejnë më me lehtësi.) Sa herë që fëmijët gjejnë njërën nga këto fjalë, ftojini që të tregojnë diçka që dinë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Veprat e Apostujve 17:22–31

Unë jam fëmijë i Perëndisë.

Në aeropag, Pali dha mësim të vërteta bazë rreth natyrës së Perëndisë, përfshirë të vërtetat që ne jemi fëmijët e Tij dhe se Ai “nuk është larg nga secili prej nesh” (Veprat e Apostujve 17:27). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të ndihen pranë Atit të tyre Qiellor?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta përsëritin frazën: “Ne jemi pasardhës të Perëndisë” (Veprat e Apostujve 17:29) dhe shpjegoni se fjala pasardhës do të thotë fëmijë. Jepini dëshminë tuaj secilit fëmijë, një e nga një, që ai ose ajo është një fëmijë i Perëndisë. Ftojini të tregojnë se si ndihen rreth Atit të tyre Qiellor.

  • Shfaqni fotografi të fëmijëve me familjet e tyre (nëse është e mundur, përfshini fotografi të fëmijëve në klasën tuaj). Kërkojuni fëmijëve të tregojnë me gisht drejt prindërve në fotografi. Shpjegoni se ne jemi fëmijët e nënave dhe etërve tanë dhe se ne të gjithë jemi fëmijë shpirtërorë të prindërve tanë qiellorë.

  • Këndoni një këngë rreth Atit Qiellor, të tillë si “E Di, Ati Im Rron” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 8). Me ndihmën e fëmijëve, shkruani në tabelë fjalë ose vizatoni figura të cilat përfaqësojnë gjëra që i mësojmë rreth Atit Qiellor nga kënga.

  • Lexojuni fëmijëve këto fjalë nga Veprat e Apostujve 17:27: “Ai nuk është larg nga secili prej nesh”. Flitni rreth rasteve kur u ndiet pranë Atit Qiellor dhe ftojini fëmijët të bëjnë të njëjtën gjë.

burrë duke mbajtur një vajzë të vogël

Çdo njeri është një fëmijë i Perëndisë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Veprat e Apostujve 16:14–15, 25–34; 18:7–8, 24–28

Unë mund të jem misionar/e tani.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të jenë si Pali dhe të flasin me të tjerët për atë që po mësojnë rreth ungjillit?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Veprat e Apostujve 16:14–15, 25–34; 18:7–8, 24–28 dhe të bëjnë një listë të njerëzve, të cilëve Pali dhe Apollo u folën për ungjillin. Pastaj ftojini që të bëjnë një listë të njerëzve me të cilët mund të flasin për ungjillin. Lërini fëmijët të interpretojnë me role mënyrën se si ata mund t’u tregojnë këtyre njerëzve për Jezu Krishtin ose si t’i ftojnë ata në kishë. Ju gjithashtu mund t’i ftoni fëmijët që t’u shkruajnë këtyre njerëzve pusulla duke u dhënë dëshmi për një të vërtetë të ungjillit.

  • Ftoni misionarë kohëplotë të tanishëm, misionarë të kthyer ose misionarët e lagjes ta vizitojnë klasën dhe të tregojnë për përvojat e tyre lidhur me përhapjen e ungjillit. Nxitini fëmijët të bëjnë pyetje rreth mënyrës se si ata mund të flasin për ungjillin me të tjerët.

Veprat e Apostujve 17:2–4, 10–12; 18:28

Shkrimet e shenjta dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Të gjithë profetët dëshmojnë për Jezu Krishtin. Si mund t’i mësoni fëmijët ta gjejnë Atë në shkrimet e shenjta, edhe kur Ai nuk përmendet me emër?

Veprimtari të Mundshme

  • Vërini fëmijët të lexojnë te Veprat e Apostujve 17:2–4, 10–12; 18:28 dhe ftojini të kërkojnë se çfarë kanë të përbashkët këto fragmente. Sipas këtyre vargjeve, çfarë i ndihmoi këta njerëz ta besonin ungjillin e Jezu Krishtit? Ftojini fëmijët të tregojnë histori të parapëlqyera rreth Jezusit, që i kanë mësuar nga shkrimet e shenjta.

  • Në copa letre, shkruani referenca të shkrimeve të shenjta që na mësojnë për Shpëtimtarin (ju mund të gjeni disa tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Jezu Krisht”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Fshihini letrat nëpër klasë dhe ftojini fëmijët t’i gjejnë ato. Ndihmojini fëmijët t’i shikojnë referencat që gjejnë, dhe kërkojuni t’i tregojnë njëri-tjetrit se çfarë na mëson secili shkrim i shenjtë për Jezusin.

Veprat e Apostujve 17:22–31

Unë jam fëmijë i Perëndisë.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të mbajnë mend se janë fëmijë të Perëndisë?

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve një gur dhe shpjegoni se në kohën e Palit njerëzit adhuronin perëndi që i bënin prej guri dhe materialesh të tjera. Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Veprat e Apostujve 17:27–29. Çfarë mësojmë rreth Perëndisë nga këto vargje? Shpjegoni se pasardhës do të thotë fëmijë. Pyetini fëmijët se si i bën që të ndihen, njohuria se ata janë fëmijë të Perëndisë?

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Veprat e Apostujve 17:27. Ftojini fëmijët të shkruajnë për mënyrat ose të vizatojnë figura të mënyrave se si ata mund “ta gjejnë” Perëndinë ose si t’i afrohen më pranë Perëndisë. Kur e kanë ndier ata që Ai “nuk është larg nga [ata]”?

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nxitini fëmijët të kërkojnë një shkrim të shenjtë këtë javë që i mëson rreth Jezu Krishtit (kjo mund të ndodhë gjatë studimit të tyre vetjak ose familjar të shkrimit të shenjtë). Javën e ardhshme, ftojini të tregojnë atë që gjetën.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Ndihmojini fëmijët të bëhen nxënës më të mirë. Qëllimi juaj në mësimdhënien ndaj fëmijëve nuk është që thjesht t’u flisni për të vërtetën. Ju duhet gjithashtu t’i ndihmoni që të zhvillohen për t’u bërë kërkues të së vërtetës të mbështetur te vetja. Për shembull, në vend që thjesht t’u tregoni fëmijëve historinë e Palit duke predikuar në aeropag, ju mund të planifikoni veprimtari, si ato të sugjeruara në këtë përvijim mësimi, që i ndihmojnë ata të zbulojnë të vërteta për veten e tyre.