“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9: ‘Ç’Don Ti të Bëj Unë?’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“10–16 Korrik. Veprat e Apostujve 6–9”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
10–16 Korrik
Veprat e Apostujve 6–9
“Ç’Don Ti të Bëj Unë?”
Fillojeni duke lexuar te Veprat e Apostujve 6–9. Përvijimi i mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë t’i studioni këta kapituj. Veprimtaritë për fëmijët më të vegjël në këtë përvijim mësimi mund të përshtaten për fëmijët më të mëdhenj dhe anasjelltas.
Ftojini të Tregojnë
Shkruani në tabelë emrat e disa prej njerëzve nga Veprat e Apostujve 6–9, të tillë si Sauli, Stefani dhe Tabitha. Ftojini fëmijët të tregojnë diçka që e dinë rreth këtyre njerëzve.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin duke e mbrojtur atë që është e drejtë.
Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga Stefani rreth të qenit pasues i Jezu Krishtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë veprime që të përshtaten me një këngë që flet për zgjedhjen e së drejtës, të tillë si “Mbro Drejtësin’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 81). Përdorni vargjet te Veprat e Apostujve 7:51–60 për t’u mësuar fëmijëve atë që dha mësim Stefani rreth Jezu Krishtit, edhe pse kjo i zemëroi shumë udhëheqësit judeas (shih edhe “Kapitulli 57: Njerëz të Ligj Vrasin Stefanin”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 150–151, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Si e mbrojti Stefani atë që ishte e drejtë?
-
Jepuni fëmijëve disa skenarë me fëmijë që duhet të bëjnë një zgjedhje ndërmjet të drejtës dhe të gabuarës. Pyetini fëmijët se çfarë do të bënin për ta mbrojtur të drejtën.
Fryma e Shenjtë më frymëzon që të flas për ungjillin me të tjerët.
Filipi ndoqi nxitjet e Shpirtit dhe ndihmoi një njeri etiopas, i cili kishte vështirësi për t’i kuptuar shkrimet e shenjta. Çfarë mësimesh përmban kjo histori për fëmijët të cilëve u jepni mësim?
Veprimtari të Mundshme
-
Afroni dy karrige së bashku për të formuar një karrocë. Ftojini dy fëmijë të ulen te karroca, njëri që të luajë rolin e Filipit dhe tjetri të etiopasit. Më pas tregojeni historinë se si Filipi ia mësoi ungjillin atij njeriu nga Etiopia.
-
Tregoni një përvojë në të cilën e ndiet Frymën e Shenjtë t’ju thotë që t’i flisni dikujt për ungjillin. Dëshmoni që Fryma e Shenjtë mund të na ndihmojë t’u flasim të tjerëve për Jezusin.
Ati Qiellor më fton të pendohem dhe të ndryshoj.
Kur Jezusi i tha Saulit që të ndalonte së përndjekuri Kishën e Zotit, Sauli menjëherë u pendua dhe ndryshoi. Si mund t’i ndihmojë ky rrëfim fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të dëshirojnë të ndryshojnë sa më shpejt kur bëjnë një gabim?
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni historinë e kthimit në besim të Saulit, që gjendet te Veprat e Apostujve 9:1–20 (shih edhe “Kapitulli 59: Sauli Mëson mbi Jezusin”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 154–155, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org).
-
Flitni me fëmijët rreth gjërave që ndryshojnë, të tilla si një fulterëz që kthehet në bretkosë, ose një vemje që kthehet në flutur. Paraqitni fotografi nëse është e mundur. Si ndryshoi Sauli kur Jezu Krishti e vizitoi atë?
-
Vizatoni në tabelë një udhë që degëzohet në dy rrugë. Ftojini fëmijët të përmendin vende që do t’u pëlqente t’i vizitonin dhe shkruajini ato në krye të njërës udhë. Çfarë do të ndodhte nëse ne do të shkonim në drejtim të udhës së gabuar? Krahasojeni pendimin me kthimin në udhën e drejtë.
-
Kërkojuni fëmijëve ta përsëritin atë që Sauli i tha Zotit: “Ç’don ti të bëj unë?” (Veprat e Apostujve 9:6.) Çfarë dëshiron Zoti që të bëjmë ne?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë do të jem dëshmitar/e i/e Jezu Krishtit.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të mësojnë nga shembulli i Stefanit në lidhje me qëndrimin si dëshmitar i Jezu Krishtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni me fëmijët vargjet te Veprat e Apostujve 6:5–15 dhe 7:51–60. Çfarë e bëri Stefanin të ishte një dëshmitar kaq i fuqishëm i Jezu Krishtit? Ftoni një ose më shumë fëmijë të hiqen sikur janë Stefani dhe të tregojnë përse besojnë te Jezu Krishti.
-
Ftojini fëmijët që të lexojnë te Veprat e Apostujve 6:3–10, duke kërkuar cilësitë që kishte Stefani, të cilat e ndihmuan të rritej.
-
Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë të mendoni për situata në të cilat ata mund të qëndrojnë si dëshmitarë të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij. Ndihmojini që t’i interpretojnë me role disa prej atyre situatave. Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Mosia 18:9. Vini në dukje se të qenit dëshmitar i Jezu Krishtit është përfshirë në premtimet që bëjmë në pagëzim.
Priftëria është një dhuratë e paçmuar nga Perëndia.
Satani nxit mesazhin që gjërat materiale na sjellin lumturi. Si mund ta përdorni historinë e Simonit që t’i ndihmoni fëmijët t’i çmojnë gjërat shpirtërore të tilla si priftërinë dhe bekimet e saj?
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidheni historinë e Simonit, që gjendet te Veprat e Apostujve 8:9–24 (shih edhe “Kapitulli 58: Simoni dhe Priftëria”, në Tregime nga Dhiata e Re, f. 152–153, ose materialin filmik përkatës te ChurchofJesusChrist.org). Përse nuk mund ta marrim priftërinë duke e blerë atë? Si e merr në të vërtetë dikush autoritetin e priftërisë? (Shih Nenet e Besimit 1:5.)
-
Tregoni figura të sakramentit, të një tempulli (për të përfaqësuar bekimet e tempullit), të një pagëzimi dhe të bekimeve të tjera që i marrim nëpërmjet priftërisë. Shpjegoni që këto dhurata nga Perëndia nuk mund të blihen me para. Përse janë ato më të vlefshme sesa ndonjë gjë që mund ta blejmë? Si i marrim ne këto bekime?
Ati Qiellor më fton të pendohem dhe të ndryshoj.
Kur Jezusi i tha Saulit që të ndalonte së përndjekuri Kishën e Zotit, Sauli menjëherë u pendua dhe ndryshoi. Si mund t’i ndihmojë ky rrëfim fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të dëshirojnë të ndryshojnë sa më shpejt kur bëjnë një gabim?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta palosin një fletë letre në dysh. Kërkojuni që të shkruajnë Përpara në njërën gjysmë dhe Pasi në gjysmën tjetër. Lexoni me fëmijët vargjet te Veprat e Apostujve 8:1–3; 9:1–2; dhe 9:17–22, dhe kërkojuni të shkruajnë fjalë ose fraza që përshkruajnë Saulin përpara dhe pasi ai e pa Zotin.
-
Ftojeni një anëtar/e të lagjes të tregojë historinë e tij ose të saj të kthimit në besim dhe se si të qenit anëtar/e i/e Kishës e ka ndryshuar jetën e tij apo të saj, ashtu siç u ndryshua jeta e Saulit.
-
Vizatoni në tabelë një “rrug[ë] për Damask”. Ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet te Veprat e Apostujve 9:6, 11, 18, 20–22, duke kërkuar se çfarë bëri Sauli për t’u penduar dhe kthyer te Krishti dhe shkruajini këto veprime përgjatë rrugës në tabelë. Çfarë mësojmë nga Sauli rreth mënyrës se si mund të bëhemi më shumë si Krishti?
-
Ftojini fëmijët ta vizatojnë pjesën e tyre të parapëlqyer të rrëfimit të kthimit në besim të Saulit dhe t’ia tregojnë vizatimin e tyre klasës.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Nxitini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre rreth veprimtarisë së tyre të parapëlqyer nga ora mësimore sot dhe çfarë mësuan prej saj.