“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15: ‘Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“17–23 Korrik. Veprat e Apostujve 10–15”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
17–23 Korrik
Veprat e Apostujve 10–15
“Fjala e Perëndisë Rritej dhe Përhapej”
Studioni me lutje kapitujt te Veprat e Apostujve 10–15, duke menduar rreth fëmijëve në klasën tuaj. Çfarë gjetët në këta kapituj që ndiheni të frymëzuar t’ua jepni mësim fëmijëve?
Ftojini të Tregojnë
Për t’i ndihmuar fëmijët të tregojnë atë që po mësojnë dhe përjetojnë, ju mund t’u kërkoni që të tregojnë gjëra të cilat po i bëjnë për të treguar se ata besojnë te Jezu Krishti.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij.
Një doktrinë bazë, që edhe fëmijët e vegjël mund ta kuptojnë, është se çdo njeri është fëmijë i Perëndisë dhe se Ai i do të gjithë fëmijët e Tij.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figurën Krishti dhe Fëmijë nga e gjithë Bota (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr.116), ndërsa lexoni te Veprat e Apostujve 10:34–35. Shpjegoni se në kohën e Pjetrit disa njerëz besuan se bekimet e ungjillit nuk ishin për çdo njeri. Por Pjetri mësoi se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe Ai do që ata të gjithë ta mësojnë ungjillin.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të vetes. Teksa i tregojnë vizatimet, flisni rreth diçkaje që e pëlqeni shumë rreth secilit fëmijë. Jepni dëshminë tuaj se Ati Qiellor e do secilin prej tyre dhe të gjithë fëmijët e Tij, pavarësisht se si duken nga pamja apo se nga janë.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth dashurisë për të tjerët, si për shembull, “Do t’Ec’ me Ty” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 78–79). Ftojini fëmijët të tregojnë mënyra se si mund të shfaqin dashuri ndaj çdo njeriu, ashtu siç bëri Jezusi.
-
Drejtohuni nga secili fëmijë një e nga një dhe i thoni atij ose asaj: “Ati Qiellor e do [emrin]”. Lërini fëmijët që me radhë të drejtohen nga njëri-tjetri dhe ta thonë këtë frazë.
Unë jam i/e krishterë, sepse besoj te Jezu Krishti dhe e ndjek Atë.
Si do t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë se ç’do të thotë të jesh i krishterë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve vargun te Veprat e Apostujve 11:26 dhe ftojini të ngrihen në këmbë kur ju dëgjojnë të thoni fjalën të Krishterë. Pyetini se çfarë mendojnë se do të thotë të jesh i krishterë. Shpjegoni se një person që beson dhe e ndjek Jezu Krishtin quhet i krishterë, kështu që ne jemi të krishterë.
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth ndjekjes së Jezu Krishtit, të tillë si “Kisha e Jezu Krishtit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 48). Si mund ta tregojmë që jemi pasues të Jezu Krishtit dhe i përkasim Kishës së Tij? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund t’i bëjnë për ta ndjekur Jezusin në shtëpi, në shkollë dhe në vende të tjera.
Ati Qiellor i dëgjon dhe iu përgjigjet lutjeve.
Rrëfimi për engjëllin duke çliruar Pjetrin nga burgu na mëson në mënyrë të fuqishme se Ati Qiellor u përgjigjet lutjeve.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta luajnë me role rrëfimin e Pjetrit tek çlirohet nga burgu te Veprat e Apostujve 12:1–17, ndërsa ju e përmblidhni historinë. Si iu përgjigj Ati Qiellor lutjeve të atyre që po luteshin për Pjetrin?
-
Këndoni një këngë rreth lutjes, për shembull “Kokat Ulim” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 18b) dhe sugjeroni veprime që të shkojnë me fjalët që mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë se si të luten. Ndihmojini fëmijët të tregojnë shembuj të gjërave për të cilat mund ta falënderojnë Atin Qiellor dhe të cilat mund t’ia kërkojnë Atij në lutje.
-
Tregoni figura të njerëzve duke u lutur (shih, për shembull, Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 111–112) ndërsa tregoni një përvojë kur Ati Qiellor iu përgjigj lutjeve tuaja.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Veprat e Apostujve 10:34–35; 15:6–11
“Perëndia nuk tregohet i anshëm.”
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, kanë nevojë të kuptojnë se Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij, pavarësisht se si duken nga pamja, se nga janë apo se çfarë zgjedhjesh bëjnë.
Veprimtari të Mundshme
-
Pyetini fëmijët nëse mund ta kuptojnë se si është një person si njeri thjesht duke e parë atë apo duke hamendësuar se nga është. Sipas Veprave të Apostujve 10:35, si e përcakton Perëndia nëse një person është “i pranuar nga ai”?
-
Lexoni me fëmijët te Veprat e Apostujve 10:34–35; 15:6–11. Shpjegoni se në kohën e Pjetrit, judenjtë besonin se Perëndia nuk i pranonte njerëzit që nuk ishin judeas (këta njerëz quheshin johebrenj). Por Perëndia i mësoi Pjetrit se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij, si judenjtë edhe johebrenjtë. Këndoni së bashku “Fëmi’ i Per’ndis’ Jam” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 2–3). Ftojini fëmijët t’i zëvendësojnë me emrat e njëri-tjetrit fjalë të tilla si: un’ ose më [mua].
-
Ftojini fëmijët të tregojnë diçka unike rreth dikujt tjetër në klasë. Shpjegoni se thënia “Perëndia nuk tregohet i anshëm” do të thotë që Ati Qiellor i do të gjithë fëmijët e Tij dhe për shkak se Ai i do ata, Ai do që të gjithë fëmijët e Tij ta dëgjojnë ungjillin.
I krishterë është një person që e beson dhe e ndjek Jezu Krishtin.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se fjalët dhe veprimet e tyre tregojnë se ata janë të krishterë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet te Veprat e Apostujve 11:26; 3 Nefi 27:3–8 dhe Doktrina e Besëlidhje 115:4. Shkruani në tabelë të Krishterë dhe nënvizoni pjesën [e fjalës] që thotë “Krisht”. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë domethënie mendojnë se ka të qenit i krishterë.
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin emrat e grupeve të ndryshme të cilëve u përkasin ata, të tilla si familja ose kombi. Ftojini të tregojnë arsyet përse janë mirënjohës që janë të krishterë dhe i përkasin Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Si mund t’ua tregojmë të tjerëve se ne jemi të krishterë?
-
Paraqitni disa sende ose figura që përfaqësojnë të vërteta të pashoqe në lidhje me Kishën e Jezu Krishtit, të tilla si një figurë për rivendosjen e priftërisë (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 93–94). Kërkojini një fëmije ta zgjedhë një prej sendeve ose figurave dhe të përshkruajë se si ajo përbën një bekim në Kishën tonë. Shpjegoni se ndërsa të krishterët anembanë botës i përkasin shumë kishave të ndryshme, ne i përkasim të njëjtës Kishë që Jezu Krishti ngriti në tokë.
-
Shfaqni materialin filmik “True Christianity” [“Krishterimi i Vërtetë”] (ChurchofJesusChrist.org). Ftojini fëmijët të shkruajnë ose vizatojnë gjëra që mund t’i bëjnë për të qenë të krishterë të vërtetë.
Kur lutem me besim, Ati Qiellor do të përgjigjet.
Përsiatni për rastet kur Ati Qiellor iu është përgjigjur lutjeve tuaja. Si mund t’i përdorni këto përvoja për t’u dhënë mësim fëmijëve që Ati Qiellor do t’i dëgjojë dhe do t’u përgjigjet lutjeve të tyre në vetë mënyrën dhe kohën e Tij?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të luajnë me role historinë e engjëllit duke çliruar Pjetrin nga burgu, ndërkohë që një fëmijë tjetër lexon historinë te Veprat e Apostujve 12:1–17.
-
Pyetini fëmijët se çfarë mendojnë se do të thotë fraza “bënin lutje të vazhdueshme” (Veprat e Apostujve 12:5). Si morën përgjigje lutjet e njerëzve? Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja në të cilat Ati Qiellor iu përgjigj një lutjeje vetjake apo familjare. Ju gjithashtu mund të tregoni një përvojë në të cilën Ai iu përgjigj lutjes suaj. Ju mund të përfshini përvoja në të cilat përgjigjja erdhi në një mënyrë të papritur. Dëshmoni se Perëndia na do dhe do t’u përgjigjet lutjeve tona në mënyrën dhe kohën që është më e mira për ne.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të bëjnë diçka që u kujton atë që mësuan sot, të tillë si një kujtues për t’u lutur.