“21–27 Gusht. 1 Korintasve 1–7: ‘Të Jeni Plotësisht të Bashkuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“21–27 Gusht. 1 Korintasve 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
21–27 Gusht
1 Korintasve 1–7
“Të Jeni Plotësisht të Bashkuar”
Shënojini mbresat tuaja ndërsa lexoni kapitujt te 1 Korintasve 1–7. Këto mbresa mund të përfshijnë nxitje për ta studiuar më tej një ide, për t’u treguar të tjerëve diçka që mësuat, apo për të bërë ndryshime në jetën tuaj.
Shënojini Mbresat Tuaja
Gjatë muajve që Pali i kaloi në Korint, “shumë Korintas, duke [e] dëgjuar [atë], besuan dhe u pagëzuan” (Veprat e Apostujve 18:8). Kështu që duhet të ketë qenë pikëlluese për Palin të merrte vesh që, vetëm pak vite më vonë, mes shenjtorëve korintas kishte “ndasi” dhe “grindje” dhe që gjatë mungesës të tij ata filluan t’ia vinin veshin “dituri[s]ë [së] kësaj bote” (1 Korintasve 1:10–11, 20). Si përgjigje, Pali shkroi letrën të cilën ne tani e quajmë 1 Korintasve. Ajo është plot me doktrinë të thellë dhe prapëseprapë, në të njëjtën kohë, Pali duket i zhgënjyer që shenjtorët nuk ishin gati ta pranonin të gjithë doktrinën që ai dëshironte t’ua jepte. “Unë, o vëllezër, nuk munda t’ju flas si njerëz frymëror[ë]”, tha ai me pikëllim, “sepse jeni akoma të mishit” (1 Korintasve 3:1–3). Ndërsa përgatitemi për t’i lexuar fjalët e Palit, mund të jetë e dobishme të analizojmë gatishmërinë tonë vetjake për ta pranuar të vërtetën, përfshirë gatishmërinë tonë për t’ia vënë veshin Shpirtit dhe për t’u përpjekur fort për unitet brenda familjeve tona, me bashkëshenjtorët tanë dhe me Perëndinë.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Anëtarët e Kishës së Krishtit përpiqen fort që të jenë të bashkuar.
Ne nuk i dimë të gjitha hollësitë rreth mungesës së unitetit mes shenjtorëve korintas, por jemi në dijeni për mungesën e unitetit në vetë marrëdhëniet tona. Mendoni për një marrëdhënie në jetën tuaj që mund të ketë dobi nga rritja e unitetit; pastaj kërkojeni atë që dha mësim Pali te 1 Korintasve 1:10–17; 3:1–11 rreth mungesës së unitetit mes shenjtorëve korintas. Çfarë idesh mund të fitoni rreth mënyrës se si të zhvilloni unitet më të madh me të tjerët?
Shih edhe Mosia 18:21; 4 Nefi 1:15–17; Doktrina e Besëlidhje 38:23–27; 105:1–5; Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Unity” [“Uniteti”], topics.ChurchofJesusChrist.org.
Për ta përmbushur punën e Perëndisë, unë kam nevojë për diturinë e Perëndisë.
Ndërkohë që është e mirë – madje nxitemi – që të kërkojmë dituri kudo ku mund ta gjejmë atë (shih 2 Nefi 9:29; Doktrina e Besëlidhje 88:118), Pali dha disa paralajmërime të formuluara fuqishëm rreth diturisë së mangët njerëzore, të cilën ai e quajti “dituri[a] e kësaj bote”. Ndërsa lexoni vargjet te 1 Korintasve 1:17–25, përsiatni se çfarë kuptimi mund të ketë kjo frazë. Çfarë mendoni se nënkuptoi Pali me frazën “dituri[a] e Perëndisë”? Përse kemi nevojë për diturinë e Perëndisë për ta përmbushur punën e Perëndisë?
Në përpjekjet tuaja për t’i plotësuar përgjegjësitë tuaja në përmbushjen e punës së Perëndisë, a e keni përjetuar ndonjëherë “frikë[n] dhe drithërimë[n e] madhe” që ndjeu Pali kur u dha mësim shenjtorëve korintas? (1 Korintasve 2:3.) Çfarë gjeni te 1 Korintasve 2:1–5 që ju jep kurajë? Merrni parasysh se si mund të tregoni se mirëbesoni në “fuqinë e Perëndisë” më shumë sesa në “diturinë e njerëzve”.
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 1:17–28.
Unë kam nevojë për Frymën e Shenjtë me qëllim që t’i kuptoj gjërat e Perëndisë.
Nëse do të donit të mësonit më shumë për diçka si mekanika e automojeteve apo arkitektura mesjetare, si do ta bënit atë? Sipas 1 Korintasve 2:9–16, si është të mësuarit e “gjëra[ve të] Perëndisë” ndryshe nga të mësuarit e “gjëra[ve të] njeriut”? Përse duhet ta kemi Frymën e Shenjtë me qëllim që t’i kuptojmë gjërat e Perëndisë? Pasi i lexoni këto vargje, çfarë ndieni se duhet të bëni që t’i kuptoni gjërat shpirtërore më plotësisht? Si mund ta ndihmojnë fjalët e Palit dikë që po has vështirësi lidhur me dëshminë e tij apo të saj?
Trupi im është i shenjtë.
Shumica e njerëzve në Korint mendonin se imoraliteti seksual ishte i pranueshëm dhe se trupat e tyre ishin krijuar kryesisht për të pasur kënaqësi. Me fjalë të tjera, Korinti nuk ishte aq i ndryshëm nga bota sot. Çfarë dha mësim Pali te 1 Korintasve 6:13–20 që mund t’ju ndihmojë t’u shpjegoni të tjerëve arsyen përse dëshironi të jetoni një jetë të dëlirë?
Ashtu si Pali, Motra Uendi W. Nelson i nxiti shenjtorët të jenë të dëlirë; shih mesazhin e saj “Dashuria dhe Martesa” (takim shpirtëror mbarëbotëror për të rinjtë në moshë madhore, 8 janar 2017, broadcasts.ChurchofJesusChrist.org). Sipas Motrës Nelson, çfarë bekimesh vijnë nga të jetuarit e standardeve të Zotit lidhur me dashurinë dhe intimitetin?
A dha mësim Pali se është më mirë të jesh i pamartuar sesa i martuar?
Disa vargje te 1 Korintasve 7 duket se sugjerojnë që ndonëse martesa është e pranueshme, parapëlqehet të qëndruarit beqarë dhe heqja dorë plotësisht nga marrëdhëniet seksuale. Megjithatë, vargjet te Përkthimi prej Joseph Smith-it, 1 Korintasve 7:29–33 (tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta) na ndihmojnë të kuptojmë që Pali po u referohej atyre që thirreshin të ishin misionarë kohëplotë, duke vënë në dukje se ata ishin në gjendje t’i shërbenin më mirë Perëndisë nëse qëndronin beqarë gjatë misioneve të tyre. Zoti ka dhënë mësim nëpërmjet shërbëtorëve të Tij, përfshirë Palin, që martesa është pjesë e planit të Tij të përjetshëm dhe e nevojshme për ekzaltimin (shih 1 Korintasve 11:11; Doktrina e Besëlidhje 131:1–4).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
1 Korintasve 1:10–17; 3:1–11.Ndërsa pjesëtarët e familjes suaj i lexojnë këto vargje, ftojini që të gjejnë një ide që mund t’i ndihmojë të jenë më të bashkuar.
-
1 Korintasve 3:1–2.Ndoshta mund t’i lexoni këto vargje ndërsa pini qumësht dhe hani mish. Ju mund ta krahasoni mënyrën se si rriten foshnjat dhe bëhen të rritur me mënyrën se si ne rritemi shpirtërisht.
-
1 Korintasve 3:4–9.Pali i krahasoi përpjekjet e tij misionare me mbjelljen e farave. Çfarë na mëson krahasimi i tij rreth përhapjes së ungjillit?
-
1 Korintasve 6:19–20.Krahasimi i trupave tanë me tempujt, siç bëri Pali, mund të jetë një mënyrë e efektshme për të dhënë mësim për shenjtërinë e trupave tanë. Ndoshta ju mund të tregoni figura të tempujve, të tilla si ato që shoqërojnë këtë përvijim të mësimit. Përse janë të shenjtë tempujt? Si janë trupat tanë të ngjashëm me tempujt? Çfarë mund të bëjmë që t’i trajtojmë trupat tanë si tempuj? (Shih edhe numrin e veçantë të botimit të gushtit 2020 të revistës Liahona rreth seksualitetit.)
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Zoti më Dha një Tempull”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 73.