“7–13 Gusht. Romakëve 1–6: ‘Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2023 (2022)
“7–13 Gusht. Romakëve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2023
7–13 Gusht
Romakëve 1–6
“Fuqia e Perëndisë për Shpëtimin”
Të shënuarit e nxitjeve do t’ju ndihmojë ta mbani mend atë që po ju mëson Shpirti. Merreni parasysh gjithashtu të shkruani se si ndiheni rreth këtyre nxitjeve.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në kohën kur Pali e shkroi letrën e tij drejtuar anëtarëve romakë të Kishës, të cilët ishin një grup i përzier judenjsh dhe johebrenjsh, Kisha e Jezu Krishtit ishte rritur shumë më tepër sesa një grup i vogël besimtarësh nga Galilea. Rreth 20 vite pas Ringjalljes së Shpëtimtarit, kishte bashkësi të krishterësh pothuajse kudo ku logjikisht Apostujt mundeshin të udhëtonin – përfshirë Romën, kryeqytetin e një perandorie të fuqishme. Megjithatë, krahasuar me shtrirjen e perandorisë romake, Kisha ishte e vogël dhe shpesh iu nënshtrua përndjekjes. Në të tilla kushte, disa mund të “k[enë] turp për ungjillin e Krishtit” – por, sigurisht, jo Pali. Ai e dinte dhe dëshmoi se fuqia e vërtetë, “fuqia e Perëndisë për shpëtimin”, gjendet tek ungjilli i Jezu Krishtit (Romakëve 1:16).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Çfarë janë Letrat dhe si janë organizuar ato?
Letrat janë dokumente të shkruara nga udhëheqësit e Kishës drejtuar shenjtorëve në vende të ndryshme të botës. Apostulli Pal shkroi shumicën e letrave në Dhiatën e Re, duke filluar me letrën drejtuar Romakëve dhe duke përfunduar me atë drejtuar Hebrenjve. Letrat e tij janë të organizuara sipas gjatësisë, përveç letrës drejtuar Hebrenjve (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Letra të Palit”). Ndonëse letra drejtuar Romakëve është letra e parë në Dhiatën e Re, ajo në të vërtetë u shkrua nga fundi i udhëtimeve misionare të Palit.
“I drejti do të jetojë me anë të besimit.”
Përkufizimet në vijim mund t’ju ndihmojnë që ta kuptoni më mirë Letrën drejtuar Romakëve:
-
Ligji.Kur Pali shkroi për “ligjin”, ai po i referohej ligjit të Moisiut. Fjala “veprat” te shkrimet e Palit u referohet veprimeve të jashtme që lidhen me ligjin e Moisiut. Merrni parasysh se si ligji i Moisiut dhe punët e kërkuara sipas tij, janë të ndryshme nga “ligji i besimit” i përshkruar te Romakëve 3:23–31.
-
Rrethprerja, mosrrethprerja/parrethprerja.Në lashtësi, rrethprerja ishte një shenjë apo simbol i besëlidhjes që bëri Perëndia me Abrahamin. Pali e përdori termin “rrethprerje” për t’iu referuar judenjve (popullit të besëlidhjes) dhe termin “mosrrethprerje/parrethprerje” për t’iu referuar johebrenjve. Përsiatni se çfarë na mësojnë vargjet te Romakëve 2:25–29 rreth asaj se çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh populli i besëlidhjes së Perëndisë. Vini re se rrethprerja nuk është më një shenjë e besëlidhjes së Perëndisë me popullin e Tij (shih Veprat e Apostujve 15:23–29).
-
Shfajësim/justifikim, shfajësoj, shfajësuar.Këto terma i referohen heqjes apo faljes së mëkatit. Kur shfajësohemi, ne falemi, shpallemi të pafajshëm dhe çlirohemi nga ndëshkimi i përjetshëm për mëkatet tona. Kur t’i shihni këto terma, vini re se çfarë dha mësim Pali mbi atë se çfarë e bën të mundur shfajësimin (shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shfajësim, Shfajësoj”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org). Te Romakëve, fjalët si “i drejtë” dhe “drejtësi” mund të shihen si sinonime për fjalët si “të drejtë/të shfajësuar” dhe “shfajësim/justifikim”.
-
Hiri.Hiri është “ndihmë ose forcë … hyjnore, dhënë nëpërmjet mëshirës bujare dhe dashurisë së Jezu Krishtit”. Nëpërmjet hirit, të gjithë njerëzit do të ringjallen dhe do të marrin pavdekësi. Përveç kësaj, “hiri është një fuqi aftësuese që i lejon burrat dhe gratë të sigurojnë jetën e përjetshme dhe ekzaltimin pasi të kenë bërë përpjekjet e tyre më të mira”. Ne nuk e fitojmë hirin nëpërmjet përpjekjeve tona; përkundrazi, është hiri ai që na jep “forcë dhe ndihmë për të bërë vepra të mira që përndryshe nuk do të ishim në gjendje t’i vazhdonim” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Hir”; shih edhe 2 Nefi 25:23; Diter F. Uhtdorf, “Dhurata e Hirit”, Liahona, maj 2015, f. 107–110; Bred Uilkoks, “Hiri i Tij është i Mjaftueshëm”, Liahona, shtator 2013, f. 43–45). Ndërsa lexoni te Romakëve, shënojeni atë që mësoni rreth hirit të Shpëtimtarit.
Veprimet e mia duhet ta pasqyrojnë dhe rritin kthimin tim në besim.
Disa prej të krishterëve judeas në Romë me sa duket ende besonin se ritet dhe ceremonitë e ligjit të Moisiut sillnin shpëtim. Ky mund të duket si një problem që nuk gjen më zbatim, meqenëse ne nuk jetojmë sipas ligjit të Moisiut. Por ndërsa i lexoni shkrimet e Palit, veçanërisht vargjet te Romakëve 2:17–29, mendoni për përpjekjet tuaja vetjake për ta jetuar ungjillin. A po ju çojnë kryerjet tuaja të jashtme, të tilla si marrja e sakramentit apo frekuentimi i tempullit, tek thellimi i kthimit tuaj në besim dhe forcimi i besimit tuaj te Krishti? (Shih Alma 25:15–16.) A ka diçka që ju duhet ta ndryshoni në mënyrë që veprimet tuaja të jashtme të çojnë në një ndryshim të zemrës?
Shih edhe Dallin H. Ouks, “The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 32–34.
Nëpërmjet Jezu Krishtit, unë mund të falem për mëkatet e mia.
Disa njerëz mund të ndihen të shkurajuar nga shpallja e guximshme e Palit që “nuk ka asnjeri të drejtë, as edhe një” (Romakëve 3:10). Por ka edhe mesazhe shpresëdhënëse te Romakëve. Kërkojini ato te kapitujt 3 dhe 5, dhe merrni parasysh arsyen përse të kujtuarit që “të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë” (Romakëve 3:23), është një hap i rëndësishëm drejt të mësuarit që të “mburremi në shpresën” nëpërmjet Jezu Krishtit (Romakëve 5:2).
Jezu Krishti më fton që të “eci në risinë e jetës”.
Pali dha mësim se ungjilli i Jezu Krishtit duhet ta ndryshojë mënyrën se si ne jetojmë. Cilat thënie në kapitullin te Romakëve 6 e përshkruajnë mënyrën se si ndjekja e Shpëtimtarit ju ka ndihmuar të “ec[ni] në risinë e jetës”? (Vargu 4.)
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen e Shtëpisë
-
Romakëve 1:16–17.Si mund të tregojmë se nuk kemi “turp për ungjillin e Krishtit”?
-
Romakëve 3:23–28.Ndërsa i lexoni këto vargje, ju mund të diskutoni ndryshimin midis “fitimit” të hirit të Perëndisë, të cilin nuk mund ta bëjmë asnjëherë, dhe marrjes së tij, të cilin duhet ta bëjmë. Kur e kemi ndier hirin e Perëndisë? Si mund ta marrim atë më plotësisht?
-
Romakëve 5:3–5.Çfarë shtrëngimesh [shqetësimesh] kemi përjetuar? Si na kanë ndihmuar këto shtrëngime që të zhvillojmë durim, përvojë dhe shpresë?
-
Romakëve 6:3–6.Çfarë tha Pali në këto vargje rreth simbolikës së pagëzimit? Ndoshta familja juaj mund të planifikojë që të marrë pjesë në një pagëzim të afërt. Ose një person në familjen tuaj mund të tregojë fotografi apo kujtime nga pagëzimi i tij ose i saj. Si na ndihmon bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve tona të pagëzimit që të “ecim në risinë e jetës”?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.
Kënga e sugjeruar: “Kur Un’ t’Pagëzohem”, Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 53.