Rinia
Trupi juaj është i shenjtë


“Trupi juaj është i shenjtë”, Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (2022)

“Trupi juaj është i shenjtë”, Për Forcën e Rinisë

Pikturë e një gruaje duke u lutur.

Trupi juaj është i shenjtë

1 Korintasve 6:18–20

ikonë e njerëzve duke luajtur futboll

Trupi juaj është një dhuratë e mahnitshme nga Ati juaj Qiellor. Ai jua dha atë për t’ju ndihmuar që të bëheni më shumë si Ai. Pasja e një trupi ju jep më shumë fuqi për të ushtruar lirinë tuaj për të zgjedhur. Ungjilli i rivendosur i Jezu Krishtit mund t’ju ndihmojë ta shihni trupin tuaj nga këndvështrimi i Perëndisë. Dhe kjo sjell një ndryshim të madh në zgjedhjet tuaja se çfarë të bëni me trupin tuaj dhe si të kujdeseni për të.

Të vërtetat e përjetshme

Trupi juaj është sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, Qenies më të lavdishme, më madhështore në tërë gjithësinë. Shkrimet e shenjta i krahasojnë trupat tanë me një tempull të shenjtë, një vend ku mund të banojë Shpirti. Sigurisht, trupi juaj nuk është i përsosur tani. Por përvojat që keni me trupin tuaj, mund t’ju ndihmojnë të përgatiteni që një ditë të merrni një trup të përsosur, të ringjallur dhe të përlëvduar.

Fryma juaj përbëhet nga trupi juaj dhe shpirti juaj. Për këtë arsye, shëndeti fizik dhe shëndeti shpirtëror janë të lidhur ngushtë. Shpëtimtari zbuloi Fjalën e Urtësisë për të dhënë mësim parimet e kujdesit për trupin tuaj dhe për të premtuar bekime fizike dhe shpirtërore.

Ndjenjat seksuale janë një pjesë e rëndësishme e planit të Perëndisë për të krijuar martesa të lumtura dhe familje të përjetshme. Këto ndjenja nuk janë mëkatare, ato janë të shenjta. Për shkak se ndjenjat seksuale janë kaq të shenjta dhe kaq të fuqishme, Perëndia ju ka dhënë ligjin e Tij të dëlirësisë për t’ju përgatitur që t’i përdorni këto ndjenja ashtu siç e ka për qëllim Ai. Ligji i dëlirësisë thotë se Perëndia e miraton aktivitetin seksual vetëm midis një burri dhe një gruaje që janë të martuar. Shumë njerëz në botë e shpërfillin ose madje tallen me ligjin e Perëndisë, por Zoti na fton të jemi dishepujt e Tij dhe të jetojmë një standard më të lartë se ai i botës.

Një familje duke ecur përgjatë një rruge në qytet.

Ftesat

Trajtojini me respekt trupin tuaj dhe trupat e njerëzve të tjerë. Ndërsa merrni vendime për veshjen, stilin e flokëve dhe pamjen tuaj, pyeteni veten: “A po e nderoj trupin tim si një dhuratë të shenjtë nga Perëndia?” Ati Qiellor dëshiron që ne ta shohim njëri-tjetrin ashtu siç jemi në të vërtetë: jo thjesht trupa fizikë, por fëmijët e Tij të dashur me një fat hyjnor. Shmangini stilet që theksojnë ose tërheqin vëmendje të papërshtatshme ndaj trupit tuaj fizik në vend të asaj se kush jeni si një fëmijë i Perëndisë me një të ardhme të përjetshme. Lërini pastërtinë morale dhe dashurinë për Perëndinë t’i udhërrëfejnë zgjedhjet tuaja. Kërkoni këshilla nga prindërit tuaj.

Dy djem të rinj në një pyll tropikal.

Bëni gjëra që do ta forcojnë trupin tuaj, mos bëni asgjë që do ta lëndojë apo dëmtojë atë. Shijojini me mirënjohje gjërat e shumta të mira që ka dhënë Perëndia. Por mbani mend se alkooli, duhani, kafeja, çaji, drogat dhe substanca të tjera të dëmshme nuk janë për trupin tuaj ose shpirtin tuaj. Madje edhe substancat ndihmëse, si ilaçet me recetë, mund të jenë shkatërruese nëse nuk përdoren siç duhet.

Mbajini të shenjta seksin dhe ndjenjat seksuale. Ato nuk duhet të jenë objekti i shakave apo argëtimit. Jashtë martesës midis një burri dhe një gruaje, është e gabuar të prekësh pjesët private, të shenjta të trupit të një personi tjetër, edhe nëse është i veshur. Në zgjedhjet tuaja se çfarë të bëni, shikoni, lexoni, dëgjoni, mendoni, afishoni ose shkruani, shmangiuni çdo gjëje që qëllimisht ngjall emocione epshore tek të tjerët ose te vetja. Kjo përfshin pornografinë në çdo formë. Nëse zbuloni që situatat ose veprimtaritë i bëjnë tundimet më të forta, shmangini ato. Ju e dini se cilat janë ato situata dhe veprimtari. Dhe nëse nuk jeni të sigurt, Shpirti, prindërit tuaj dhe udhëheqësit tuaj mund t’ju ndihmojnë ta dini. Tregojini Atit tuaj në Qiell se ju e nderoni dhe respektoni fuqinë e shenjtë për të krijuar jetë.

Dy djem duke ndihmuar nënën e tyre të gatuajë.

Bekimet e premtuara

Respekti juaj për veten dhe të tjerët do të rritet kur e nderoni trupin tuaj nëpërmjet sjelljes, pamjes dhe veshjes suaj.

Zoti u ka premtuar thesare të mëdha njohurie atyre që e zbatojnë Fjalën e Urtësisë. Një trup i shëndetshëm, i lirë nga varësia, rrit gjithashtu aftësinë tuaj për të marrë zbulesë vetjake, për të menduar qartë dhe për t’i shërbyer Zotit.

Të jetuarit e ligjit të dëlirësisë sjell miratimin e Perëndisë dhe fuqi vetjake shpirtërore. Kur të martoheni, ky ligj do të sjellë dashuri, mirëbesim dhe unitet më të madh në martesën tuaj. Bindja ndaj këtij ligji do të bëjë të mundur që ju të përparoni përjetësisht dhe të bëheni më shumë si Ati juaj Qiellor. Vetëbesimi juaj do të rritet ndërsa jetoni si një dishepull i Jezu Krishtit.

Pikturë e Jezusit duke u predikuar Maries dhe Martës.
ikona pyetje dhe përgjigje

Pyetje dhe përgjigje

Cili është standardi i Zotit për veshjen, përkujdesin për paraqitjen e jashtme, tatuazhet dhe shpimet? Standardi i Zotit është që ju ta nderoni shenjtërinë e trupit tuaj, edhe kur kjo do të nënkuptojë që të jeni të ndryshëm nga bota. Lejojini këtë të vërtetë dhe Shpirtin që të jenë udhërrëfyesit tuaj ndërsa merrni vendime, veçanërisht vendime që kanë efekte të përhershme në trupin tuaj. Jini të urtë e besnikë dhe kërkoni këshilla nga prindërit dhe udhëheqësit tuaj.

Si mund t’i kapërcej tundimet dhe zakonet e këqija? Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë fuqinë që t’ju ndihmojnë. Mbusheni jetën tuaj me gjëra që e ftojnë atë fuqi në jetën tuaj, të tilla si lutja, studimi i shkrimeve të shenjta dhe shërbimi ndaj të tjerëve. Drejtohuni te Jezu Krishti dhe ungjilli i Tij dhe do të zbuloni se dobësitë mund të bëhen anë të forta. Kërkoni ndihmë nga prindërit, udhëheqësit dhe këshilluesit profesionistë sipas nevojës. Për ata që vuajnë nga varësia, Kisha ofron një program për shërimin nga varësia. Këto janë bekime që Kisha e Shpëtimtarit i siguron për t’ju ndihmuar që të rifitoni kontroll mbi jetën tuaj. Do të kërkojë kohë, prandaj jini të duruar dhe mos u dorëzoni kurrë.

Një vajzë duke lexuar shkrimet e shenjta.

Unë kam tërheqje ndaj njerëzve të së njëjtës gjini. Si gjejnë zbatim këto standarde për mua? Të ndiesh tërheqje ndaj së njëjtës gjini nuk është mëkat. Nëse i keni këto ndjenja dhe nuk i ndiqni apo nuk veproni sipas tyre, ju po e jetoni ligjin e shenjtë të Atit Qiellor për dëlirësinë. Ju jeni një fëmijë i dashur i Perëndisë dhe një dishepull i Jezu Krishtit. Mbani mend se Shpëtimtari e kupton gjithçka që ju përjetoni. Nëpërmjet lidhjes suaj besëlidhëse me Të, ju do të gjeni forcë për t’iu bindur urdhërimeve të Perëndisë dhe për të marrë bekimet që premton Ai. Mirëbesojini Atij dhe ungjillit të Tij.

U keqtrajtova dhe ndiej turp. A jam fajtor për mëkatin? Të qenit viktimë e ndonjë keqtrajtimi apo sulmi nuk ju bën fajtor për mëkatin. Ju lutemi, mos ndieni faj apo turp. Shpëtimtari ju do. Ai dëshiron t’ju ndihmojë, t’ju shërojë dhe t’ju japë paqe. Këshilluesit profesionistë, pjesëtarët e familjes suaj dhe udhëheqësit tuaj gjithashtu mund të ndihmojnë.

Shihni te Zanafilla 1:27 (ne u krijuam sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë); Gjoni 14:18 (Shpëtimtari premton ngushëllim); Filipianëve 4:7 (paqja e Perëndisë ia tejkalon zgjuarsisë); Doktrina e Besëlidhje 88:15 (shpirti dhe trupi janë fryma); 89 (Fjala e Urtësisë); 121:45 (mendimet e virtytshme çojnë drejt vetëbesimit të shtuar).

ikonë e tempullit

Pyetjet për rekomandimin e tempullit

Zoti ka thënë se gjithçka duhet të “bëhet … në pastërti” përpara Tij (Doktrina e Besëlidhje 42:41). A përpiqeni fort për pastërti morale në mendimet dhe sjelljen tuaj? A i bindeni ligjit të dëlirësisë?

A e kuptoni dhe i bindeni Fjalës së Urtësisë?