“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve: ‘Ecni sipas Frymës’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“25 Shtator – 1 Tetor. Galatasve”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
25 Shtator – 1 Tetor
Galatasve
“Ecni sipas Frymës”
Ndërsa lexoni letrën drejtuar Galatasve, çfarë mbresash keni rreth asaj që fëmijët në klasën tuaj kanë nevojë të mësojnë?
Ftojini të Tregojnë
Jepuni fëmijëve disa minuta për të vizatuar diçka që e kanë mësuar nga një diskutim i kohëve të fundit për ungjillin në shtëpi ose në kishë. Lërini fëmijët të tregojnë se çfarë përfaqëson secili vizatim.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Fryma e Shenjtë më ndihmon të ndiej dashuri, gëzim e paqe.
Fëmijët më të vegjël mund ta dallojnë frytin e Frymës. Kjo do t’i përgatitë ata që të kërkojnë ndikimin e Frymës së Shenjtë gjatë gjithë jetës së tyre.
Veprimtari të Ndryshme
-
Paraqitni ose tregoni figura të llojeve të ndryshme të frutave dhe kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë se çfarë shije ka secila frutë. Shpjegoni se ashtu si frutat kanë shije të ndryshme, ne mund ta ndiejmë Frymën e Shenjtë në mënyra të ndryshme, të tilla si dashuri dhe paqe. Përshkruani disa prej mënyrave që e keni ndier Frymën e Shenjtë në jetën tuaj dhe lejojini fëmijët të tregojnë se si i bën të ndihen Fryma e Shenjtë.
-
Lexoni me fëmijët te Galatasve 5:22–23 dhe shpjegojini fjalët që ata mund të mos i dinë. Ftojeni çdo fëmijë të përzgjedhë një fryt të Frymës të përmendur në këto vargje dhe ndihmojeni të mendojë për një rast kur ai ose ajo e ka përjetuar atë. Ftojini fëmijët që të vizatojnë figura të thjeshta të përvojave të tyre.
Jezu Krishti dëshiron që unë t’i ndihmoj njerëzit nevojtarë.
Udhëzimi te Galatasve 6:2 është i ngjashëm me mësimin e Almës te Mosia 18:8 drejtuar njerëzve që ishin gati të pagëzoheshin. Përdoreni këtë mundësi për t’i ndihmuar fëmijët që të përgatiten për besëlidhjet e pagëzimit.
Veprimtari të Ndryshme
-
Tregoni një figurë të një fëmije që po pagëzohet (të tillë si te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 104). Pyetini fëmijët se çfarë po bën fëmija. Shpjegoni se kur pagëzohemi, ne bëjmë besëlidhje ose premtime. Lexoni te Galatasve 6:2 ose Mosia 18:8 për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë një prej gjërave që ne premtojmë të bëjmë: të mbajmë barrët e njëri-tjetrit. Ftojini fëmijët të vizatojnë figura të mënyrave se si mund t’i ndihmojnë të tjerët që po mbajnë barrë.
-
Lexojuani fëmijëve këtë frazë prej Galatasve 6:2: “Mbani barrët e njëri-tjetrit”. Për të ilustruar se çfarë do të thotë kjo, jepini njërit prej fëmijëve diçka të rëndë për ta mbajtur. Më pas kërkojini një vullnetari që ta ndihmojë fëmijën për ta mbajtur sendin. Shpjegojuni fëmijëve se shumë gjëra mund të ndihen si barrë, si për shembull të jesh i sëmurë ose të ndihesh i trishtuar apo i vetmuar. Çfarë mund të bëjmë për ta ndihmuar një person me këtë lloj barre?
Veprimet tona, si të mirat edhe të këqijat, kanë pasoja.
Duke dhënë mësim se ne korrim atë që mbjellim, siç shpjegohet te Galatasve 6:7–9, ju mund t’u mësoni fëmijëve të marrin parasysh pasojat e veprimeve të tyre.
Veprimtari të Ndryshme
-
Paraqitni një farë dhe një perime. Lexojuni fëmijëve te Galatasve 6:7–9. Kërkojuni fëmijëve të bëjnë sikur po mbjellin një farë kur të dëgjojnë fjalën mbjellë. Kërkojuni atyre të hiqen sikur po këpusin një perime nga një bimë kur të dëgjojnë fjalën korrë.
-
Tregojuni fëmijëve disa lloje perimesh dhe ndihmojini që të gjejnë farat e secilës prej tyre. Vendosini farat në një mbajtëse dhe lërini fëmijët që me radhë të zgjedhin njërën prej tyre dhe të tregojnë se ç’perime do të rritet nëse e mbjellin atë. Ndihmojini ata të kuptojnë se ashtu si farat që mbjellim përcaktojnë perimet që marrim, zgjedhjet që bëjmë përcaktojnë pasojat dhe bekimet që marrim përfundimisht.
-
Bëni një vijë në dysheme me ngjitëse. Vendosni një fytyrë të lumtur dhe një fytyrë të trishtuar në anët e kundërta të vijës. Ftojeni një fëmijë të qëndrojë në mes të vijës dhe ndihmojini fëmijët e tjerë të mendojnë për zgjedhje që do të çojnë drejt lumturisë ose trishtimit. Për çdo zgjedhje, kërkojini fëmijës në mes të vijës që të ecë përpara drejt anës së lumtur ose drejt anës së trishtuar. Përsëriteni veprimtarinë disa herë dhe lërini fëmijët e tjerë që me radhë të qëndrojnë mbi ngjitësen.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Të qenit të pagëzuar na bën “një në Jezu Krishtin”.
Pali u dha mësim shenjtorëve galatas se kur u pagëzuan, ata do të bëheshin “një në Jezu Krishtin”. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të përpiqen fort për unitetin e përshkruar te Galatasve 3:26–28?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Galatasve 3:26–28 duke pasur këtë pyetje në mendje: Çfarë ndodh kur unë pagëzohem? Mund të doni të përqendroheni te fraza si “Krishtin keni veshur” ose “një në Jezu Krishtin”. Çfarë mund të nënkuptojnë këto fraza? Si është “të veshurit e Krishtit” i ngjashëm me marrjen e emrit të Tij mbi veten tonë? (Shih Doktrina e Besëlidhje 20:75–79.) Çfarë mund të bëjmë për t’u treguar të tjerëve se kemi marrë mbi vete emrin e Tij?
-
Lexoni së bashku te Galatasve 3:28 dhe përcaktoni disa prej mënyrave se si njerëzit e përcaktuan veten kur u pagëzuan në kohën e Palit. Ndihmojini fëmijët të përmendin disa mënyra se si e përcaktojnë veten sot. Çfarë po përpiqet të na mësojë Pali rreth mënyrës se si duhet ta shohim njëri‑tjetrin kur pagëzohemi?
Nëse “ec[i] në Frymë”, unë do ta marr “fryti[n e] Frymës”.
Kur pagëzohemi dhe marrim dhuratën e Frymës së Shenjtë, ne mund ta marrim më shumë frytin e Frymës në jetën tonë. Si do t’i ndihmoni fëmijët që ta dallojnë këtë fryt në jetën e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Jepini secilit fëmijë një fletë letre (mund ta prisni fletën në formën e një frute) dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë një “fryt [të] Frymës” të renditur te Galatasve 5:22–23. Ftojini ata që në njërën anë të letrës të shkruajnë një prej fryteve dhe në anën tjetër një fjalë që nënkupton të kundërtën e saj. (Ndihmojini ata të kuptojnë fjalë që nuk janë të njohura për ta.) Ftojini ata që t’i tregojnë klasës frytet e tyre. Çfarë mund të bëjmë që ta kemi gjithmonë Frymën e Shenjtë me ne?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë rreth frytit të Frymës te Galatasve 5:22–23 dhe të shkruajnë apo të vizatojnë një figurë të një rasti kur ata e ndien njërin prej atyre fryteve. Kërkojuni atyre që t’ia tregojnë historinë apo figurën e tyre një personi tjetër në klasë. Përse është fryti një mënyrë e mirë për të na ndihmuar që të kuptojmë mënyrën se si na ndikon Fryma?
Veprimet tona, si të mirat edhe të këqijat, kanë pasoja.
Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se pasojat e sjelljes sonë ndonjëherë vijnë menjëherë dhe herë të tjera mund të vijnë “në kohën e vet” (vargu 9).
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni së bashku te Galatasve 6:7–9. Jepni një listë të veprimeve (ose farave që “mbjell[im]”) dhe pasojave (ose fryteve që “korr[im]”). Kërkojuni fëmijëve t’i përputhin veprimet me pasojat e tyre.
-
Ftojini fëmijët të renditin disa nga bekimet që ata shpresojnë të marrin nga Ati Qiellor. Ndihmojini të mendojnë për “farat” që duhet të mbjellin me qëllim që t’i “korr[in]” këto bekime.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të kërkojnë mënyrat se si të vërtetat që mësuan sot, gjejnë zbatim në jetën e tyre të përditshme. Për shembull, ju mund t’i ftoni të vështrojnë për pasojat e mira, ose “frytin”, që vjen për shkak të veprimeve të mira që bëjnë.