Dhiata e Re 2023
23–29 Tetor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit: “Bëhu Shembull për Besimtarët”


“23–29 Tetor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit: ‘Bëhu Shembull për Besimtarët’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)

“23–29 Tetor. 1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023

tri gra duke ecur jashtë tempullit

23–29 Tetor

1 dhe 2 Timoteut; Titit; Filemonit

“Bëhu Shembull për Besimtarët”

Pali dha mësim se “Shkrimi është … për edukim me drejtësi” (2 Timoteut 3:16). Ndërsa i studioni këto letra, përsiatni se si mund t’i frymëzoni fëmijët që të jetojnë me drejtësi.

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Kërkojuni fëmijëve të flasin për dikë që sipas tyre është një “shembull [i mirë] për besimtarët”. Çfarë po bëjnë ata që të jenë shembuj të mirë për të tjerët?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

1 Timoteut 3:1–2; Titit 1:7–9

Peshkopët udhëheqin lagjen si shërbëtorë të Perëndisë.

Pali u dha mësim Timoteut dhe Titit për rëndësinë e peshkopëve. Si mund t’u mësoni fëmijëve se çfarë bën peshkopi? (Një president dege është i krahasueshëm me një peshkop.)

Veprimtari të Mundshme

  • Vizatoni në tabelë një figurë të thjeshtë të peshkopit tuaj. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që dinë rreth peshkopit. Çfarë njeriu është ai? Çfarë bën ai? Si e bekon ai lagjen? (Ju mund t’i gjeni disa prej tipareve të një peshkopi te 1 Timoteut 3:1–2 dhe Titit 1:7–9.) Ndërsa fëmijët japin idetë e tyre, shkruajini ato në shirita letre dhe lejojini fëmijët t’i vendosin në tabelë pranë vizatimit.

  • Shkruani detyrat e një peshkopi në fletë letre – të tilla si ndihma ndaj fëmijëve dhe të rinjve e të rejave në lagje, pranimi i së dhjetës dhe ofertave të agjërimit, dhënia e thirrjeve, kryerja e intervistave me anëtarët dhe ndihma për njerëzit nevojtarë. Vendosini këto fletë në një enë mbajtëse dhe ftojeni secilin fëmijë të marrë një. Më pas ndihmojini fëmijët që t’i interpretojnë me role këto detyra me ju. Jepni dëshminë tuaj që peshkopi juaj thirret nga Perëndia.

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të peshkopit duke u shërbyer anëtarëve të lagjes. Sugjeroni që ata t’ia japin atij vizatimet e tyre për ta falënderuar. Çfarë mund të bëjmë që ta ndihmojmë atë?

dy misionarë duke folur me një burrë

“Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët” (1 Timoteut 4:12).

1 Timoteut 4:12

Unë mund të jem “shembull për besimtarët”.

Çfarë mund të bëni që t’i frymëzoni fëmijët të jenë “shembu[j] për besimtarët”?

Veprimtari të Mundshme

  • Këndoni me fëmijët “Do as I’m Doing” [“Bëj siç Bëj Unë”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 276). Kërkojuni fëmijëve ta ndjekin shembullin tuaj duke bërë veprimet që bëni ju. Lejojini fëmijët të udhëheqin me radhë pjesën tjetër të klasës në ndjekjen e veprimeve të tyre. Lexoni te 1 Timoteut 4:12 dhe pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjnë që të jenë shembuj të mirë për të tjerët.

  • Tregoni për një përvojë kur ju u përpoqët të ishit shembull i mirë për dikë ose kur dikush ishte shembull i mirë për ju (ndoshta duke përfshirë fëmijët në klasën tuaj). Ftojini fëmijët të jenë shembuj të mirë për pjesëtarët e familjes dhe miqtë e tyre.

2 Timoteut 3:14–17

Shkrimet e shenjta do të më ndihmojnë të mësoj të vërtetën.

Nëse mund t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë t’i duan shkrimet e shenjta, mësimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre për vitet që do të vijnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një komplet të shkrimeve të shenjta dhe ndihmojini fëmijët të familjarizohen me to, duke u treguar faqet e titullit për Biblën, Librin e Mormonit, Doktrinën e Besëlidhjet dhe Perlën me Vlerë të Madhe. Ftojeni një fëmijë t’i mbajë këta libra ndërkohë që ju lexoni te 2 Timoteut 3:15–17. U thoni fëmijëve përse i pëlqeni shumë shkrimet e shenjta dhe lejojini fëmijët të shprehin ndjenjat e tyre.

  • Kërkojuni fëmijëve të flasin për gjënë më të çmuar që zotërojnë. Çfarë bëjnë me të? Si e trajtojnë atë? Lejojini t’i mbajnë shkrimet e shenjta me radhë dhe t’i hapin faqet me kujdes. Për çfarë i përdorim shkrimet e shenjta? Përse duhet të tregojmë shumë kujdes për to? Dëshmoni se shkrimet e shenjta përmbajnë të vërteta të cilat Ati Qiellor dëshiron që ne t’i dimë.

  • Ndihmojini fëmijët që të krijojnë veprime që përputhen me këngët rreth shkrimeve të shenjta, të tilla si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66).

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

1 Timoteut 4:12

Unë mund të jem “shembull për besimtarët”.

Timoteu ishte i ri në moshë për të qenë udhëheqës i Kishës, por Pali donte që ai ta dinte se ai ende mund të ishte një shembull. Ju mund t’i frymëzoni fëmijët që të japin shembuj të mirë për njerëzit përreth tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni së bashku te 1 Timoteut 4:12 dhe kërkojuni fëmijëve të gjejnë gjashtë mënyra që Pali i tregoi se si ne mund të jemi “shembull për besimtarët”. Ndajini fëmijët në dyshe dhe ftojeni secilën dyshe që të mendojë për një situatë në të cilën ata mund të jenë shembull për besimtarët. Vërini ta interpretojnë me role situatën e tyre për pjesën tjetër të klasës.

  • Pyetini fëmijët nëse do të donin të tregonin ndonjë përvojë kur u përpoqën të ishin shembull i mirë për të tjerët. U thoni se si kanë qenë ata shembuj besimtarësh për ju dhe se si e keni vënë re që ata kanë dhënë shembuj të mirë për të tjerët.

1 Timoteut 6:7–12

Gjërat e përjetshme janë më të vlefshme sesa paratë.

Bota vë përparësi të madhe mbi paratë dhe gjërat që mund të blejnë paratë. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që ta mbajnë përqendrimin dhe dashurinë e tyre të qendërzuar tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët që të flasin për çfarë do të blinin nëse i kishin të gjitha paratë e botës. Lexoni me fëmijët vargjet te 1 Timoteut 6:7–12 dhe kërkojuni të përmbledhin atë që Pali i mësoi Timoteut rreth parasë. Më pas ftojini fëmijët të lexojnë sërish vargjet 11–12 duke kërkuar gjërat që Pali i përmendi, të cilat janë më me vlerë se paratë.

  • Paraqitni figura të gjërave të botës (të tilla si para, lodra apo argëtime) dhe gjërave të përjetshme (të tilla si familje ose tempuj). Ftojini fëmijët që t’i ndajnë figurat në dy grupe – gjëra që na sjellin më pranë Krishtit dhe gjëra që mund të na e largojnë vëmendjen prej Krishtit, në qoftë se i duam ato më shumë sesa e duam Atë. Përse është “lakmia për para … rrënja e gjithë të këqijave”? Si na bën të lumtur përqendrimi te Jezu Krishti?

2 Timoteut 3:14–17

Ati Qiellor na dha shkrime të shenjta që të na ndihmojë ta dallojmë të vërtetën nga gabimi.

Ndërkohë që u jepni mësim fëmijëve rreth shkrimeve të shenjta, kërkoni mënyra që t’i nxitni të kenë vetë përvojat e tyre të fuqishme me fjalën e Perëndisë.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te 2 Timoteut 3:15–17. Paraqitni figura që përshkruajnë një histori nga secila prej katër veprave standarde dhe ftojini disa fëmijë që të marrin një figurë dhe të tregojnë historinë. (Ju mund të gjeni figura te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit dhe te materialet Eja, Më Ndiq.) Kërkojuni fëmijëve të tregojnë diçka tjetër që dinë rreth atij libri të shkrimit të shenjtë. Në ç’mënyrë shkrimet e shenjta “mund të [na] bëjnë të ditur për shpëtimin”?

  • Tregoni një varg të parapëlqyer nga shkrimet e shenjta ose një përvojë kur shkrimet e shenjta ju ndihmuan të ndërtoni besimin tuaj tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Ftojini fëmijët të tregojnë një varg të parapëlqyer ose një përvojë nga vetja.

  • Vëreni një fëmijë të lexojë te Moroni 10:4–5. Çfarë premtoi Moroni në këto vargje? Pyetini fëmijët se si kanë fituar dëshmi që shkrimet e shenjta janë të vërteta. Ftojini ata t’i lexojnë ose t’i dëgjojnë shkrimet e shenjta rregullisht dhe të pyesin Perëndinë nëse ato janë të vërteta.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’u tregojnë familjeve të tyre atë që mësuan për shkrimet e shenjta dhe të gjejnë një varg të shkrimit të shenjtë që mund t’ia tregojnë klasës javën e ardhshme (me ndihmë nga prindërit e tyre, nëse është e nevojshme).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përshtatini veprimtaritë për të përmbushur nevojat. Në vend që t’i shihni këto përvijime si udhëzime që duhet t’i ndiqni, përdorini ato si burim idesh për t’i dhënë shkëndijë frymëzimit tuaj vetjak ndërsa përsiatni nevojat e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Ju mund t’i përshtatni veprimtaritë për t’u dhënë mësim fëmijëve të çdo moshe.