“30 Tetor – 5 Nëntor. Hebrenjve 1–6: ‘Jezu Krishti, ‘Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“30 Tetor – 5 Nëntor. Hebrenjve 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
30 Tetor – 5 Nëntor
Hebrenjve 1–6
Jezu Krishti, “Vepronjësi i Shpëtimit të Amshuar”
Cilat të vërteta i gjeni te Hebrenjve 1–6 që ndiheni të frymëzuar t’ua jepni mësim fëmijëve? Kushtojuni vëmendje nxitjeve nga Shpirti që vijnë teksa përgatiteni, dhe sigurohuni që t’i shënoni ato.
Ftojini të Tregojnë
A e pranuan fëmijët ftesën në fund të mësimit të javës së shkuar që të gjenin një varg nga shkrimi i shenjtë për t’ia treguar klasës? Nëse po, jepuni kohë ta tregojnë atë shkrim. Nëse jo, ndihmojini të mendojnë për diçka që e kanë mësuar nga shkrimet e shenjta kohët e fundit, për të cilën mund t’u tregojnë të tjerëve.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Hebrenjve 1:1–10; 2:8–10, 17–18
Unë besoj te Jezu Krishti.
Këto vargje mund t’i ndihmojnë fëmijët të mësojnë më shumë rreth Jezu Krishtit dhe ta forcojnë marrëdhënien e tyre me Të.
Veprimtari të Mundshme
-
Gjeni disa të vërteta rreth Jezu Krishtit te Hebrenjve 1:1–10; 2:8–10, 17– 18 dhe shkruajini ato në shirita letre. Fshihini letrat nëpër dhomë dhe ftojini fëmijët t’i gjejnë ato. Ndihmojini fëmijët që t’i lexojnë të vërtetat e shkruara në letra dhe flisni për domethënien që kanë këto të vërteta. Nëse është e nevojshme, shpjegoni se Jezusi quhet Biri i Perëndisë ngaqë Ati Qiellor është ati i shpirtit të Tij si edhe trupit të Tij.
-
Mbani lart një figurë të Shpëtimtarit dhe tregoni përse jeni mirënjohës për Të. Lejojeni secilin fëmijë me radhë të mbajë lart figurën dhe përse ai ose ajo është mirënjohës për Jezu Krishtin.
Ati Qiellor dëshiron që ne të “mos i ngurtëso[jmë] zemrat [tona]”.
Kapitulli te Hebrenjve 3 përshkruan izraelitët tek i ngurtësuan zemrat e tyre dhe nuk i pranuan bekimet e Zotit. Ky mund të jetë një paralajmërim për ne të gjithë që të mos i ngurtësojmë zemrat tona.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni në klasë diçka që thith (si një sfungjer ose shtupë) dhe diçka të fortë (si një gur). Ftojini fëmijët t’i prekin sendet dhe të përshkruajnë se çfarë ndjenje kanë nga sendet. Hidhni disa pika uji mbi secilin send dhe vini në dukje që uji thithet nga sendi thithës më mirë sesa nga guri. Shpjegoni se zemrat tona nevojiten të jenë të buta dhe jo të ngurta, në mënyrë që të mund t’i pranojmë të vërtetat e Atit Qiellor dhe dashurinë e Tij.
-
Prisni një formë si zemër nga një material i butë, i tillë si një cohë, dhe nga një material më i fortë, i tillë si një karton. Diskutoni me fëmijët për ndryshimin midis të pasurit e një zemre të butë dhe një zemre të fortë. Tregoni disa shembuj nga shkrimet e shenjta të njerëzve që kishin zemër të butë ose zemër të ngurtë, të tillë si Nefi, Lamani dhe Lemueli (1 Nefi 2:16–19); Pali (Veprat e Apostujve 9:1–22) ose Jozef Smithi (Joseph Smith – Historia 1:11–20). Ndërkohë që tregoni secilin shembull, ftojini fëmijët të tregojnë me gisht drejt zemrës së butë ose zemrës së fortë.
Mbajtësit e Priftërisë thirren nga Perëndia.
Vargu te Hebrenjve 5:4 është një varg i rëndësishëm ngaqë sqaron se mbajtësit e priftërisë duhet të thirren nga Perëndia. E njëjta gjë është e vërtetë për këdo që thirret të shërbejë në Kishën e Zotit.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve te Hebrenjve 5:4. Kërkojini një mbajtësi të priftërisë që të shpjegojë se çfarë është priftëria. Ai gjithashtu mund të tregojë se si u shërben të tjerëve teksa përmbush detyrat e tij. Gjithashtu kërkojini një motre në lagje që të tregojë përvojën e vet kur u veçua në një thirrje në Kishë. Nxiteni të tregojë se si Zoti e bekoi atë me fuqi për të përmbushur thirrjen e saj.
-
Ndihmojini fëmijët të mësojnë përmendsh fraza prej nenit të pestë të besimit. Jepni dëshminë tuaj që njerëzit, të cilët thirren që të bëjnë punën e Perëndisë, thirren nga Perëndia nëpërmjet zbulesës.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Hebrenjve 1:1–10; 2:8–10, 17–18
Unë besoj te Jezu Krishti.
Letra drejtuar Hebrenjve u shkrua për ta forcuar besimin e shenjtorëve hebrenj te Jezu Krishti. Ajo mund të bëjë të njëjtën gjë për fëmijët të cilëve u jepni mësim.
Veprimtari të Mundshme
-
Caktojini secilit fëmijë disa vargje nga Hebrenjve 1:1–10; 2:8–10, 17–18 dhe ftojini fëmijët të kërkojnë në ato vargje për të vërteta rreth Jezu Krishtit. Lejojini të tregojnë ose të shkruajnë në tabelë atë që gjejnë. Ç’gjë tjetër dimë për Jezu Krishtin? Fëmijët mund të gjejnë disa ide te këngët, të tilla si: “E Di, Jeton Shëlbuesi Im” (Himne, nr. 74) ose “Ai Dërgoi Birin e Tij” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 20–21).
-
Ftojini fëmijët të vizatojnë figura ku janë ata vetë bashkë me prindërit e tyre. Kërkojuni të tregojnë çfarë kanë të përbashkët me prindërit e tyre. Shpjegoni se kur te Hebrenjve 1:3 thuhet që Jezu Krishti është “vula e qenies së [Perëndisë]”, kjo do të thotë që Jezusi dhe Ati Qiellor kanë të njëjtat cilësi dhe tipare. Diskutoni me fëmijët rreth mënyrës se si ndjekja e Jezu Krishtit na sjell më pranë Atit Qiellor.
Për të marrë udhërrëfimin dhe bekimet e Atit Qiellor, ne duhet të “mos j[emi] zemërgur”.
Te Hebrenjve 3, historia e izraelitëve në shkretëtirë përdoret për të dhënë mësim për rëndësinë e mosngurtësimit të zemrave tona. Si mund ta përdorni këtë histori për t’ua dhënë mësim këtë parim fëmijëve në klasën tuaj?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të mendojnë për gjëra që janë të forta (të ngurta) dhe të buta. (Nëse është e mundur, sillni disa shembuj që t’ua tregoni.) Lexoni së bashku te Hebrenjve 3:8. Çfarë do të thotë të kesh një zemër të ngurtë? Përse Perëndia dëshiron që ne të kemi zemra të buta?
-
Me fjalët tuaja, tregoni historinë e izraelitëve që i ngurtësuan zemrat e tyre kundër Zotit në shkretëtirë (shih Numrat 14:1–12; Hebrenjve 3:7–19). Lërini fëmijët ta luajnë me role historinë. Çfarë do të ndodhë nëse i ngurtësojmë zemrat tona kundër Zotit dhe ungjillit të Tij?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë vargjet te Mateu 13:15; Hebrenjve 3:15; Mosia 11:29; dhe Moisiu 6:27. Kërkojuni të vizatojnë në tabelë pjesët e trupit që përmenden në këto vargje. Çfarë do të thotë të kesh veshë të rëndë, sy të verbuar dhe zemra të ngurtësuara shpirtërisht? Si mund të sigurohemi që veshët, sytë dhe zemrat tona janë të gatshme për ta dalluar zërin e Shpirtit?
Mbajtësit e Priftërisë thirren nga Perëndia.
Kapitulli te Hebrenjve 5 jep një mundësi për të diskutuar se çfarë është priftëria – fuqia dhe autoriteti për të vepruar në emrin e Perëndisë – dhe se si merret ajo.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqiteni figurën Moisiu i Jep Priftërinë Aaronit (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 15) ndërkohë që një fëmijë lexon te Hebrenjve 5:4. Shpjegoni se Priftëria Aarone e mori emrin prej Aaronit. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për detyrat që kryejnë mbajtësit e Priftërisë Aarone (të tilla si pagëzimi, bekimi dhe shpërndarja e sakramentit, si dhe të ftuarit e të tjerëve që të vijnë te Krishti, shih Doktrina e Besëlidhje 20:46–48, 59).
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyra të ndryshme sipas të cilave njerëzit marrin autoritet. Për shembull, si e merr autoritetin një mësues, mjek apo udhëheqës politik? Si e jep Perëndia autoritetin e Tij? Ftojini fëmijët të mendojnë për këtë pyetje teksa lexojnë te Hebrenjve 5:4 dhe nenin e pestë të besimit. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për njerëz në lagje të cilët kanë autoritet nga Perëndia – përfshirë mbajtësit e priftërisë, si edhe burrat dhe gratë që janë veçuar për të shërbyer në thirrje të veçanta.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të flasin rreth një shkrimi të shenjtë, kënge apo veprimtarie që e mësuan në klasë sot, me familjet e tyre gjatë mbrëmjes së shtëpisë.