“13–19 Nëntor. Jakob [Bibël]: ‘Bëhuni Bërës të Fjalës dhe Jo Vetëm Dëgjues’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2023 (2022)
“13–19 Nëntor. Jakob [Bibël]”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2023
13–19 Nëntor
Jakob [Bibël]
“Bëhuni Bërës të Fjalës dhe Jo Vetëm Dëgjues”
Letra drejtuar Jakobit përmban shumë të vërteta që mund t’i bekojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim. Ndiqeni Shpirtin që të përcaktoni cilat të vërteta do t’u tregoni atyre. Idetë në këtë përvijim mësimi mund të ndihmojnë.
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të flasin për një parim të ungjillit që e mbajnë mend nga mësimi me familjen e tyre gjatë javës së shkuar ose nga ora e tyre e mësimit në Fillore të dielën e shkuar. Pasi secili fëmijë të flasë, ftojeni një fëmijë tjetër në klasë që ta përmbledhë atë që u tha.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’i kërkoj Atit Qiellor të më ndihmojë të mësoj atë që është e vërtetë.
Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, ta kuptojnë se ata mund të drejtohen tek Ati Qiellor për urtësi [njohuri]. Duke e bërë këtë ata do të bekohen shumë kur të përballen me pyetje të vështira.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të përsëritin frazën: “Në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia” (Jakob [Bibël] 1:5). Si i bëjmë pyetje Perëndisë? Si na përgjigjet Ai?
-
Paraqitni figurën Vegimi i Parë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 90) ose shfaqni materialin filmik “Joseph Smith’s First Vision” [“Vegimi i Parë i Jozef Smithit” te https://www.churchofjesuschrist.org/media-library/video/2017-01-0100-ask-of-god-joseph-smiths-first-vision?lang=alb] (ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni se si leximi i vargut te Jakob [Bibël] 1:5 e nxiti Jozef Smithin që t’i kërkonte Atit Qiellor ta ndihmonte për një pyetje (shih te Joseph Smith – Historia 1:1–20). Jepni dëshminë tuaj që Perëndia u përgjigjet lutjeve dhe dëshmoni se fëmijët mund t’i luten Atij kur kanë pyetje. Lejojini fëmijët të bëjnë vizatimet e tyre për Jozef Smithin duke lexuar te Jakob [Bibël] 1:5 dhe duke iu lutur Atit Qiellor.
Unë mund të flas me mirësi.
Siç dëshmoi Jakobi, kur mësojmë të themi vetëm gjëra të mira për të tjerët, kjo do të na ndihmojë të bëhemi si Jezu Krishti (shih te Jakob [Bibël] 3:2).
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figura të diçkaje të ëmbël dhe diçkaje të thartë. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se Ati Qiellor na kërkon ta përdorim gjuhën tonë që të themi gjëra të ëmbla (ose të mira) dhe të mos themi gjëra të tharta (ose jo të mira) (shih te Jakob [Bibël] 3:10). Ndihmojini të mendojnë për shembuj të gjërave të mira që mund t’ua themi të tjerëve.
-
Jepini secilit fëmijë një vizatim të thjeshtë të një njeriu duke folur. Ftojini fëmijët ta ngrenë lart vizatimin kur ju thoni diçka të mirë që mund të vijë nga fjalët tona (të tilla si të themi të vërtetën, të themi fjalë lavdëruese dhe t’i ofrojmë ndihmë dikujt) dhe ta ulin poshtë atë kur ju thoni diçka që nuk duhet të dalë nga goja jonë (të tilla si të themi gënjeshtra, t’u vëmë epitete njerëzve të tjerë dhe të mos pranojmë që t’i bindemi një prindi).
-
Përforcojeni mesazhin nga Jakob [Bibël] 3:1–13 duke kënduar së bashku një këngë rreth të qenit të mirë, të tillë si “Mir’sia Fillon tek Ti” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 83).
Marrja e bekimeve të Perëndisë kërkon durim.
Durimi nuk vjen gjithmonë në mënyrë të natyrshme, veçanërisht për fëmijët. Merreni parasysh se si mund ta përdorni këshillën e Jakobit për t’i ndihmuar fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të mësojnë të kenë durim.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të mendojnë për raste kur iu është dashur të presin për diçka që vërtet e dëshironin. Tregoni një përvojë kur ju duhej të prisnit. Shpjegoni se pritja pa u ankuar për diçka që e dëshirojmë, do të thotë që ne jemi të durueshëm.
-
Përmblidheni me fjalët tuaja vargun te Jakob [Bibël] 5:7 dhe paraqitni një figurë të një fare ose një filizi. Përse na nevojitet durim kur rritim bimë? Çfarë do të ndodhte nëse do të përpiqeshim ta tërhiqnim filizin që ta bënim të rritej më shpejt? Ju gjithashtu mund të flitni me fëmijët se çfarë do të thotë të jesh i duruar me të tjerët dhe vetveten. Dëshmoni se Perëndia mund të na ndihmojë të mësojmë që të jemi të duruar.
-
Tregoni historinë e Jobit, i cili përmendet te Jakob [Bibël] 5:11 si shembull durimi (shih “Jobi”, tek Tregime nga Dhiata e Vjetër. ChurchofJesusChrist.org Si u bekua Jobi ngaqë ishte i duruar?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Ati Qiellor do të më ndihmojë ta mësoj të vërtetën nëse e kërkoj ndihmën e Tij.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim, janë vetëm pak vite më të vegjël nga ç’ishte Jozef Smithi kur lexoi vargun te Jakob [Bibël] 1:5 dhe u frymëzua që t’i afrohej Atit Qiellor nëpërmjet lutjes. Merreni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta formojnë besimin e tyre se Perëndia do t’i ndihmojë kur u mungon urtësia.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve t’ju tregojnë historinë e Vegimit të Parë të Jozef Smithit me fjalët e veta (shih te Joseph Smith – Historia 1:5–20; shihni edhe materialin filmik “Joseph Smith’s First Vision” [“Vegimi i Parë i Jozef Smithit” te https://www.churchofjesuschrist.org/media-library/video/2017-01-0100-ask-of-god-joseph-smiths-first-vision?lang=alb] në ChurchofJesusChrist.org). Si e ndihmoi Jozefin vargu që lexoi te Jakob [Bibël] 1:5? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për shembuj të tjerë të njerëzve në shkrimet e shenjta të cilët morën përgjigje për lutjet e tyre, të tillë si Nefi (shih te 1 Nefi 11:1–6) dhe vëllai i Jaredit (shih tek Ethëri 2:18–3:9). Cilat janë disa gjëra që mund t’ia kërkojmë Atit Qiellor në lutje?
-
Lexoni me fëmijët te Joseph Smith – Historia 1:10–14. Ftojini fëmijët të gjejnë gjëra që i bëri Jozef Smithi për të marrë përgjigje për pyetjet e tij. Si mund ta ndjekim shembullin e Jozefit kur kemi pyetje?
Jakob [Bibël] 1:22–27; 2:14–26
“Besimi pa vepra është i vdekur.”
Si do t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë lidhjen midis asaj që besojnë dhe asaj që bëjnë?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqituni fëmijëve një elektrik dore pa bateri, një laps pa majën që shkruan, ose diçka tjetër që është e pavlerë ose e “vdekur” [pa funksion]. Kërkojuni fëmijëve të lexojnë te Jakob [Bibël] 2:14–17. Si e ilustrojnë këto sende të vërtetën në këto vargje?
-
Ftojini disa nga fëmijët të lexojnë në heshtje vargjet te Jakob [Bibël] 1:22–27 dhe të tjerët të lexojnë te 2:14–18. Më pas ftojini të tregojnë se çfarë mund të bënin që të tregojnë se janë bërës të fjalës. Për shembull, si po e mbajnë besëlidhjen e tyre të pagëzimit? A njohin dikë që është i sëmurë apo i vetmuar që mund ta vizitojnë? Si mund t’u shërbejnë më shumë familjeve të tyre? Ju mund t’u kujtoni gjithashtu fjalë që mund t’i kenë dëgjuar në mbledhjen e sakramentit sot. Si mund të jemi bërës të këtyre fjalëve?
Unë mund të zgjedh që të flas me mirësi.
Fjalët që i themi njëri‑tjetrit mund të mos duken të rëndësishme, por, sikurse dëshmoi Jakobi, ato mund të kenë ndikim të fuqishëm, për mirë ose për keq.
Veprimtari të Mundshme
-
A ka ndonjë njeri në lagjen tuaj të kishës, ndoshta njëri prej fëmijëve të cilëve u jepni mësim, që është marrë me kuaj ose di diçka për anijet? Ju mund ta ftoni atë që të japë ide rreth mësimeve të Jakobit te Jakob [Bibël] 3:3–4 për përdorimin e fjalëve të mira. Ose jepni disa ide tuajat. Çfarë mësojmë rreth kontrollit të fjalëve që nxjerrim nga goja nga këta shembuj?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë te Jakob [Bibël] 3:1–13 dhe të bëjnë një vizatim të diçkaje që e gjejnë, e cila u mëson rreth kontrollimit të fjalëve që nxjerrin nga goja. Jepuni kohë që të tregojnë figurat e veta dhe atë që mësuan. Këndoni së bashku një këngë rreth përdorimit të fjalëve të mira, të tillë si “Le t’Flasim Fjal’ t’Mira Njëri‑Tjetrit” (Himne, nr. 148).
-
Pas shqyrtimit së bashku të vargjeve te Jakob [Bibël] 3:1–13, rishikojini standardet për fjalorin te Për Forcën e Rinisë ([broshurë, 2022], f. 12). Ndihmojini fëmijët të vendosin një synim për ta përmirësuar mënyrën se si u flasin të tjerëve dhe nxitini t’i kërkojnë Atit Qiellor që t’i ndihmojë me këtë synim.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të bëjnë diçka këtë javë për ta vënë në jetë atë që mësuan në klasë, si lutja drejtuar Atit Qiellor me një pyetje ose përpjekja për të qenë më të duruar. Kërkojuni ta tregojnë përvojën e tyre në orën e ardhshme mësimore.