Eja, Më Ndiq
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës


“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2020

Pamja
grua duke folur në klasë

Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës

Përgatitja për të Dhënë Mësim në Shkollën e së Dielës

Studimi vetjak dhe familjar në shtëpi duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për ata të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që i hulumtoni shkrimet e shenjta dhe kërkoni frymëzimin nga Fryma e Shenjtë.

Manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është një pjesë e rëndësishme e studimit tuaj vetjak si edhe e përgatitjes suaj për të dhënë mësim. Ai do t’ju ndihmojë të fitoni një kuptim më të thellë për parimet doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta. Gjithashtu do të bëjë të mundur që t’i frymëzoni dhe ftoni anëtarët e klasës që ta përdorin manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për të përmirësuar studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta (për më shumë ndihmë që ta bëni këtë, shihni “Ide për Nxitjen e Studimit Vetjak dhe Familjar” në këtë burim). Teksa e bëni këtë, mbani mend që të jeni i ndjeshëm ndaj anëtarëve të klasës rrethanat familjare të të cilëve mund të mos e mbështetin studimin e rregullt familjar të shkrimeve të shenjta dhe mbrëmjen familjare.

Gjatë përgatitjes suaj, mendime dhe mbresa do t’ju vijnë rreth njerëzve të cilëve u jepni mësim, mënyrës se si parimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre dhe se si mund t’i frymëzoni që t’i zbulojnë ato parime teksa i studiojnë vetë shkrimet e shenjta.

Ide për Mësimdhënien

Ndërkohë që përgatiteni për të dhënë mësim, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke i shqyrtuar përvijimet e mësimeve në këtë burim. Mos i shikoni këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni anëtarët e klasës suaj dhe do t’i njihni edhe më mirë ndërsa mësoni së bashku në klasë. Edhe Zoti i njeh ata dhe Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të ndërtojnë mbi të mësuarit e ungjillit që po e bëjnë në shtëpinë e tyre.

Shumë burime të tjera janë në dispozicionin tuaj për t’u përdorur ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revistat e Kishës. Për informacion të mëtejshëm mbi këto dhe burime të tjera shtesë, shih pjesën e titulluar “Burimet Shtesë” në këtë burim.

Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje

  • Shtëpia është vendi më i mirë për ta mësuar ungjillin. Si mësues, ju keni një përgjegjësi të rëndësishme që ta mbështetni e nxitni të mësuarit e ungjillit në shtëpi nga anëtarët e klasës dhe të ndërtoni mbi atë mësim.

  • Kthimi i anëtarëve të klasës në besim tek ungjilli i Jezu Krishtit do të forcohet kur ata e kuptojnë dhe e zbatojnë doktrinën e vërtetë. Nxitini të mbajnë shënim dhe të veprojnë sipas mbresave që i marrin nga Fryma e Shenjtë.

  • Mësimdhënia është më shumë se dhënie leksioni, por është edhe më shumë sesa thjesht drejtimi i një diskutimi. Pjesë e rolit tuaj është të nxitni një pjesëmarrje që lartëson dhe bazohet te shkrimet e shenjta. Ju gjithashtu duhet të tregoni idetë e frymëzuara që i morët kur i studiuat shkrimet e shenjta.

  • Ati Qiellor dëshiron që ju t’ia dilni mbanë si mësues. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth sfidave me të cilat përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e ushtroni parimet e mësimdhënies si të Krishtit.

  • Njerëzit mësojnë më mirë kur kanë mundësi për të dhënë mësim. Me raste, merreni parasysh që t’i lini anëtarët e klasës, përfshirë të rinjtë, që të japin mësim një pjesë të mësimit. Bazojeni këtë vendim mbi nevojat dhe aftësitë e anëtarëve të klasës. Nëse e ftoni një anëtar/e të klasës të japë mësim, gjeni kohë që ta ndihmoni atë për t’u përgatitur paraprakisht duke përdorur idetë që gjenden në këtë burim dhe te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Mbani mend që si mësuesi i thirrur, ju jeni përfundimisht përgjegjës për atë që jepet mësim në klasë.

  • Ky burim përfshin përvijime të mësimeve për çdo javë të vitit me përjashtim të dy të dielave kur mbahet konferenca e përgjithshme. Në të dielat kur nuk mbahet Shkolla e së Dielës për shkak të konferencës së kunjit apo për ndonjë arsye tjetër, familjet mund ta vazhdojnë leximin e Librit të Mormonit në shtëpi sipas programit të përvijuar te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Me qëllim që ta mbani orën tuaj të Shkollës të së Dielës sipas programit mësimor, ju mund të zgjidhni që ta lini një mësim pa bërë ose të ndërthurni dy mësime. Që të shmanget pështjellimi, presidentët e Shkollës të së Dielës mund të dëshirojnë t’i këshillojnë mësuesit e Shkollës të së Dielës rreth këtyre ndryshimeve paraprakisht.

Shtyp në Letër