Eja, Më Ndiq
14–20 Janar. Lluka 2; Mateu 2: Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë


“14–20 Janar. Lluka 2; Mateu 2: Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“14–20 Janar. Lluka 2; Mateu 2”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

Dijetarë duke udhëtuar mbi deve

Le Ta Adhurojmë Atë, nga Dana Mario Wood

14–20 Janar

Lluka 2; Mateu 2

Ne Kemi Ardhur për ta Adhuruar Atë

Përpara se të lexoni idetë në këtë përvijim të mësimit, studiojeni Llukën 2 dhe Mateun 2, dhe shënojini mbresat tuaja shpirtërore. Kjo do t’ju ndihmojë të merrni zbulesë për mënyrën se si t’i plotësoni më së miri nevojat e klasës suaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Si mund t’i nxitni anëtarët e klasës të tregojnë ide dhe përvoja që kanë pasur teksa i kanë studiuar këto shkrime të shenjta individualisht dhe me familjet e tyre? Ndonëse ka gjasë ta njohin rrëfimin e lindjes së Shpëtimtarit, ata mund të marrin përherë ide të reja shpirtërore. Merrni parasysh të ftoni disa anëtarë të klasës të tregojnë një mesazh që kanë gjetur te Lluka 2 ose Mateu 2, që u la mbresë në një mënyrë të re.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Lluka 2:1–38; Mateu 2:1–12

Ka shumë dëshmitarë të lindjes së Krishtit.

  • Rrëfimet e drejtpërdrejta të adhuruesve te Lluka 2 dhe Mateu 2 mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës suaj të përsiatin mënyrat se si ata e tregojnë dashurinë e tyre për Shpëtimtarin. Rishikojeni tabelën në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Disa njerëz në klasën tuaj mund të kenë ide për të ndarë nga kjo veprimtari ose ju mund ta bëni veprimtarinë si klasë. Përse është domethënëse që këta dëshmitarë të Krishtit vinin nga shtresa të ndryshme shoqërore dhe ekonomike në jetë? Si mund ta ndjekim shembullin e tyre?

  • Përpara se këta dëshmitarë ta adhuronin fëmijën Krisht, ata e kërkuan Atë. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të mësojnë nga shembulli i tyre, ju mund të shkruani në tabelë titujt vijues: Barinjtë, Ana, Simeoni dhe Dijetarët. Më pas, ftojini anëtarët e klasës ta shqyrtojnë Llukën 2 dhe Mateun 2, dhe të shkruajnë në tabelë atë çfarë bënë këta njerëz për ta kërkuar Shpëtimtarin. Çfarë sugjerojnë këto rrëfime rreth disa prej mënyrave se si ne mund ta kërkojmë Krishtin?

    bari me dele

    Barinjtë u bënë disa prej dëshmitarëve të parë të lindjes së Shpëtimtarit.

  • A do t’i frymëzonte një mësim me objekt anëtarët e klasës suaj që të bëjnë vend për Shpëtimtarin në jetën e tyre? Merrni parasysh idenë vijuese: Sillni një poçe qelqi në klasë dhe, pasi ta rishikoni së bashku Llukën 2:7, kërkojuni anëtarëve të klasës ta mbushin poçen me objekte të ndryshme që paraqesin mënyra se si ne e harxhojmë kohën tonë. Kur poçja e qelqit të jetë plot, ftojeni dikë që të përpiqet të fusë brenda një figurë të Shpëtimtarit. Çfarë sugjeron kjo analogji rreth të bërit vend për Krishtin në jetën tonë? Çfarë mund të bëjmë ndryshe që të bëjmë vend për Të? Thënia nga Presidenti Tomas S. Monson te “Burime Shtesë” mund të ndihmojë për t’ju përgjigjur kësaj pyetjeje.

Mateu 2:13–23

Prindërit mund të marrin zbulesë për të mbrojtur familjet e tyre.

  • Një mësim nga ikja e Jozefit dhe Maries në Egjipt është se Zoti mund të japë zbulesë për t’i ndihmuar prindërit t’i mbrojnë familjet e tyre prej rrezikut. Për të ngjallur diskutim rreth kësaj pike, merrni parasysh t’i ftoni anëtarët e klasës të renditin në tabelë disa prej rreziqeve me të cilat përballen familjet sot. Çfarë mësojmë nga Mateu 2:13–23 rreth mënyrës se si t’i mbrojmë familjet tona dhe veten nga këto rreziqe? Si na ka ndihmuar zbulesa vetjake t’i mbrojmë familjet tona apo njerëz të tjerë të dashur nga rreziku? Çfarë këshille kanë dhënë profetët dhe apostujt për të na ndihmuar t’i mbrojmë familjet tona?

  • Si pjesë të këtij diskutimi, ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës të këndojnë së bashku: “Parajs’ mund t’Jet’ Shtëpia”, Himne, nr. 193, ose një këngë tjetër për familjet. Çfarë na mëson kënga rreth asaj që mund të bëjnë prindërit për të jetuar të denjë që zbulesa ta udhëheqë familjen e tyre?

Lluka 2:40–52

Edhe kur ishte i ri, Jezusi qe i përqendruar në bërjen e vullnetit të Atit të Tij.

  • Historia e Jezusit duke mësuar në tempull kur ishte vetëm 12 vjeç, mund të jetë veçanërisht me ndikim të fuqishëm për të rinjtë që pyesin veten rreth ndihmesës që mund të japin ata në punën e Perëndisë. Ju mund ta ndani klasën dyshe-dyshe që ta lexojnë së bashku Llukën 2:40–52 (shih idenë nga Përkthimi prej Joseph Smith-it që gjendet te PJS, Lluka 2:46, [Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, f. 230]). Secila dyshe mund të kalojë disa minuta për t’i treguar njëri-tjetrit atë çfarë i frymëzon ata rreth këtij rrëfimi. Çfarë mundësish kemi për të folur për atë që dimë rreth ungjillit? Çfarë përvojash mund të tregojmë?

  • Nëse po u jepni mësim të rriturve, ky rrëfim mund të jetë një mundësi për të diskutuar për mënyrën se si t’i ndihmojmë të rinjtë ta arrijnë potencialin e tyre. Dikush mund ta përmbledhë rrëfimin te Lluka 2:40–52, dhe klasa mund të diskutojë se si këto ngjarje ndikojnë në mënyrën se si ata e shohin rininë e Kishës. Çfarë mundësish mund t’u japim të rinjve që të marrin pjesë në bërjen e “punë[ve] [të] Atit” siç veproi Jezusi? (Lluka 2:49). Kur jemi habitur nga një këndvështrim shpirtëror i dhënë nga një i ri apo fëmijë? Këto fjalë nga Presidenti Henri B. Ajring mund ta përforcojnë këtë diskutim: “Kur flet një mbajtës i Priftërisë Aarone, … unë gjithmonë pres që do të dëgjoj fjalën e Perëndisë. Jam rrallëherë i zhgënjyer dhe shpesh i mahnitur” (“Që Ai të Mund të Forcohet Gjithashtu”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 77).

  • Çfarë na mëson Lluka 2:40–52 rreth asaj se si ishte Jezusi kur ishte i ri? Modeli për rritjen vetjake i sugjeruar te Lluka 2:52 mund të frymëzojë një diskutim për atë se çfarë po bëjmë ne që të bëhemi më shumë si Krishti. Ju mund të sugjeroni që anëtarët e klasës të përsiatin se si po rriten në dituri (nga ana intelektuale), në shtat (fizikisht), në hir përpara Perëndisë (shpirtërisht) dhe në hir përpara të tjerëve (nga ana shoqërore). Ata madje mund t’i vënë vetes qëllime në një ose më shumë nga këto fusha.

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të përgatiten që të diskutojnë për Gjonin 1 javës tjetër, kërkojuni atyre të mbajnë shënim çdo rast në këtë kapitull në të cilin dikush jep dëshmi për Jezu Krishtin.

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Lluka 2; Mateu 2

Formula se si ta kërkojmë Krishtin.

Presidenti Tomas S. Monson dha mësim:

“Formula se si ta gjejmë Jezusin ka qenë dhe do të jetë përherë e njëjta – lutja e zellshme dhe e sinqertë nga një zemër e përulur dhe e dëlirë. …

Përpara se të mund të ndërmarrim në mënyrë të suksesshme një kërkim personal për Jezusin, ne duhet së pari të sigurojmë kohë për Të në jetën tonë dhe të bëjmë vend për Të në zemrën tonë. Në këto ditë të ngarkuara, ka shumë njerëz që kanë kohë për golf, kohë për pazar, kohë për punë, kohë për lojëra – por aspak kohë për Krishtin.

Shtëpi të bukura mbushin tokën dhe sigurojnë vende për të ngrënë, vende për të fjetur, vende argëtimi, vende për qepje, vende për televizor – por asnjë vend për Krishtin.

A ndiejmë një sëmbim të ndërgjegjes kur kujtojmë vetë fjalët e Tij: ‘Dhelprat i kanë strofkat, dhe zogjtë e qiellit i kanë çerdhet, por Biri i njeriut nuk ka as ku të mbështetë kokën’. (Mateu 8:20.) Apo skuqemi nga turpi kur kujtojmë: ‘Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta’. (Lluka 2:7.) Nuk kishte vend. Nuk kishte vend. Nuk kishte vend. Kështu ka qenë gjithmonë.

Ndërsa ndërmarrim kërkimin tonë personal për Jezusin, të ndihmuar dhe të udhëhequr nga parimi i lutjes, është thelbësore që ne të kemi një koncept të qartë për Atë të cilin po e kërkojmë. Barinjtë e lashtësisë kërkuan Jezusin fëmijë. Por ne kërkojmë Jezusin, Krishtin, Vëllanë tonë më të Madh, Ndërmjetësin tonë me Atin, Shëlbuesin tonë, Vepronjësin e shpëtimit tonë; Atë që ishte në fillim me Atin; Atë që mori përsipër mëkatet e botës dhe për pasojë vdiq me dëshirë që ne të mund të jetojmë përgjithmonë. Ky është Jezusi që ne kërkojmë” (“The Search for Jesus”, Ensign, dhjetor 1990, f. 4–5).

Vepra artistike të lindjes së Krishtit.

Merrni parasysh mënyrën se si veprat artistike mund ta përmirësojnë diskutimin tuaj rreth lindjes së Krishtit. (Për shembuj, shih Librin e Figurave Artistike të Ungjillit ose history.lds.org/exhibit/birth-of-christ.)

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përfshijini nxënësit që nuk i kanë studiuar shkrimet e shenjta në shtëpi. Ndonëse disa anëtarë të klasës mund të mos kenë qenë në gjendje ta lexonin Llukën 2 dhe Mateun 2 para orës mësimore, ata prapëseprapë mund të tregojnë ide domethënëse ndërsa studioni së bashku në klasë. Sigurohuni që të gjithë anëtarët e klasës të kenë mundësi të marrin pjesë dhe kontribuojnë në diskutim.