Eja, Më Ndiq
31 Dhjetor – 6 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak


“31 Dhjetor – 6 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)

“31 Dhjetor – 6 Janar. Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019

familje duke parë një album fotografish

31 Dhjetor – 6 Janar

Ne Jemi Përgjegjës për Të Mësuarin Tonë Vetjak

Teksa i lexoni dhe i përsiatni fragmentet e shkrimit të shenjtë në këtë përvijim të mësimit, shënojini mbresat shpirtërore që merrni. Ato do të ftojnë Shpirtin gjatë përgatitjes suaj. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe idetë në vijim mund t’ju ndihmojnë që t’i frymëzoni njerëzit në klasën tuaj ta studiojnë Dhiatën e Re këtë vit.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Një prej synimeve tuaja si mësues është që t’i nxitni anëtarët e klasës të mësojnë nga shkrimet e shenjta më vete dhe me familjet e tyre. Të dëgjuarit e përvojave të të tjerëve mund t’i frymëzojë ata që të përpiqen për të pasur vetë përvojat e tyre. Kështu që, në fillim të çdo ore mësimore, kërkojuni anëtarëve të klasës të tregojnë shkrime të shenjta nga studimi i tyre, të cilat i frymëzuan apo u lanë mbresa atyre.

ikona e mësimdhënies

Jepni Mësim Doktrinën

Në mënyrë që të mësojmë me të vërtetë nga Shpëtimtari, ne duhet ta pranojmë ftesën e Tij: “Eja e më ndiq”.

  • Studimi i Dhiatës së Re është një mundësi jo vetëm që të mësojmë për Shpëtimtarin dhe doktrinën e Tij, por edhe që të zbulojmë mënyrën se si ta ndjekim Atë më me përsosuri. Rrëfimi te Mateu 19:16–22 është një mënyrë e mirë për ta parashtruar këtë temë (shih edhe materialin filmik “Christ dhe the Rich Young Ruler” [“Krishti dhe Sunduesi i Ri Pasanik”] te LDS.org). Ju mund t’u kërkoni anëtarëve të klasës të kërkojnë te ky rrëfim diçka që mësojnë rreth të bërit dishepull i Jezu Krishtit dhe të tregojnë atë që gjejnë. Për një ide tjetër për një veprimtari të lidhur me këtë parim, shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet.

Të mësuarit kërkon veprim me besim.

  • Si mund t’i frymëzoni anëtarët e klasës suaj që të ndërmarrin një rol më aktiv në të mësuarin e tyre, në vend që t’ia lënë përgjegjësinë vetëm mësuesit? Këtu është një ide. Ftojeni një anëtar të klasës t’ju hedhë një objekt të butë, ndërkohë që ju nuk bëni asnjë përpjekje për ta kapur atë. Përdoreni këtë veprimtari për të nisur një diskutim rreth roleve të nxënësit dhe mësuesit në të mësuarin e ungjillit. Thënia e Plakut Dejvid A. Bednar rreth të mësuarit me anë të besimit që gjendet te “Burime Shtesë”, mund të vijë në ndihmë në këtë diskutim.

  • Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë se të mësuarit e ungjillit kërkon besim për të vepruar, ju mund t’i ndani ata në grupe dhe ta ftoni secilin grup që të lexojë një prej rrëfimeve në vijim: Marku 5:25–34; Lluka 5:17–26; dhe Gjoni 9:1–7. Çfarë bënë njerëzit në secilin rrëfim për të treguar besimin e tyre te Shpëtimtari? Çfarë veprimesh mund të ndërmarrim ne që ta mësojmë ungjillin dhe të tregojmë besimin tonë se Zoti do të na ndihmojë që ta mësojmë të vërtetën?

  • Të gjithë anëtarët e klasës kanë përgjegjësi që ta ftojnë Shpirtin në orën mësimore. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës ta kuptojnë këtë, kërkojuni atyre të lexojnë Almën 1:26 dhe Doktrina e Besëlidhjet 50:13–22; 88:122–123 dhe të tregojnë atë që mund të bëjnë mësuesit dhe studentët për ta ftuar Shpirtin. Mund të jetë e dobishme t’i shkruani përgjigjet e tyre në tabelë nën tituj të tillë si këta: Ajo çfarë mund të bëjë mësuesi dhe Ajo çfarë mund të bëjnë nxënësit. A do të sillte dobi të krijonit një afishe me përgjigjet e anëtarëve të klasës, që mund të rrijë e varur për disa javë në vijim?

Ne kemi nevojë ta dimë të vërtetën për vete.

  • Shumë fragmente në Dhiatën e Re na mësojnë parime që mund ta udhërrëfejnë kërkimin tonë për të vërtetën. Shembuj përfshijnë: Lluka 11:9–13; Gjoni 5:39; 7:14–17; dhe 1 Korintasve 2:9–11. Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës suaj që i kanë lexuar këto fragmente gjatë studimit të tyre vetjak, të tregojnë atë që kanë mësuar. Ose ju mund t’i lexoni këto fragmente si klasë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës të tregojnë se si e fituan dëshminë e tyre.

    të rinj dhe të reja në klasë

    Synimi për të mësuar me anë të besimit, do të na ndihmojë të fitojmë dëshmitë tona personale.

  • Nuk ka rëndësi se për sa kohë kemi qenë në Kishë, ne të gjithë kemi nevojë që t’i forcojmë dëshmitë tona në mënyrë të vazhdueshme. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të dallojnë të vërteta që kanë nevojë t’i dinë për vete, ju mund të shkruani në shirita letre disa referenca të shkrimit të shenjtë që na mësojnë të vërteta të rëndësishme, të tilla si: Gjoni 3:16–17; 1 Korintasve 15:22; Mosia 3:13; Alma 7:11–13; dhe Doktrina e Besëlidhje 135:3. Kërkojuni anëtarëve të klasës që t’i lexojnë këto shkrime të shenjta, të bëjnë një përmbledhje të të vërtetave të përjetshme që gjejnë, dhe të diskutojnë për atë që mund të bëjnë për ta fituar një dëshmi lidhur me to. Për ta bërë këtë veprimtari më tërheqëse për rininë, merrni parasysh t’i fshihni shiritat e letrës nëpër dhomë dhe t’i ftoni të rinjtë që “të kërkojnë të vërtetën”.

  • Veprat e Apostujve 17:10–12 përshkruan shenjtorë që i shqyrtuan shkrimet e shenjta dhe fituan dëshminë e tyre vetjake për të vërtetën. Për t’i nxitur anëtarët e klasës ta ndjekin shembullin e tyre, lexojini këto vargje së bashku dhe ftoni anëtarë të klasës të tregojnë fragmente të shkrimit të shenjtë që e kanë forcuar dëshminë e tyre për ungjillin.

Si mund ta bëjmë më domethënës të studiuarin tonë të shkrimeve të shenjta?

  • Krijimi i zakonit të studimit të shkrimit të shenjtë mund të jetë sprovues për anëtarë të klasës që ndiejnë se nuk e kanë kohën, kuptueshmërinë apo aftësitë e nevojshme. Çfarë mund të bëni për t’i ndihmuar ata të jenë të suksesshëm? Ju mund të filloni duke diskutuar për historinë e druvarëve te “Burime Shtesë”. Për t’i ndihmuar anëtarët e klasës të fitojnë vetëbesimin për t’i studiuar shkrimet e shenjta, ju mund të jepni informacion nga “Ide për ta Përmirësuar Studimin Tuaj Vetjak të Shkrimeve të Shenjta” tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Ndoshta ju ose anëtarë të tjerë të klasës mund të tregojnë përvoja lidhur me përdorimin e disa prej këtyre ideve ose përvoja të tjera domethënëse me studimin e shkrimeve të shenjta. Ju gjithashtu mund të zgjidhni një kapitull te Dhiata e Re dhe të përpiqeni ta studioni atë si klasë duke përdorur disa prej këtyre ideve.

ikona e të mësuarit

Nxitni të Mësuarin në Shtëpi

Për t’i nxitur anëtarët e klasës që ta studiojnë Mateun 1 dhe Llukën 1 në shtëpi si përgatitje për diskutimin e javës tjetër, ju mund të bëni këtë pyetje: “A ju është kërkuar ndonjëherë të bëni diçka që dukej e pamundshme?” Këta kapituj ilustrojnë të vërtetën se “me Perëndinë asgjë s’është e pamundshme” (Lluka 1:37).

ikona e burimeve

Burime Shtesë

Marrja e njohurisë shpirtërore për veten tonë.

Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Kam vërejtur një karakteristikë të ngjashme mes mësuesve që kanë pasur ndikimin më të madh në jetën time. Ata më kanë ndihmuar ta kërkoj të mësuarit me anë të besimit. Ata nuk pranuan të më japin përgjigje të lehta për pyetje të vështira. Në fakt, nuk më dhanë fare përgjigje. Përkundrazi, ata më treguan mënyrën dhe më ndihmuan të ndërmerrja hapat për t’i gjetur vetë përgjigjet e mia. … Një përgjigje e dhënë nga një person tjetër, zakonisht nuk mbahet mend për shumë kohë, për të mos thënë që nuk mbahet mend fare. Por një përgjigje që ne e zbulojmë ose e marrim nëpërmjet ushtrimit të besimit, si rregull, kujtohet gjithë jetën. … Vetëm në këtë mënyrë një individ mund të bëjë përpara, përtej mbështetjes te njohuria dhe përvoja shpirtërore e të tjerëve dhe t’i pretendojë ato bekime për veten e tij apo të saj” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 67).

Gjetja e kohës për studimin e shkrimit të shenjtë.

Vëllai Ted R. Kelister dha mësim:

“Dy druvarë … bënë një garë për të përcaktuar se kush mund të priste më shumë pemë brenda një dite. Me të lindur dielli, gara filloi. Çdo orë, burri më shtatvogël endej brenda pyllit për 10 minuta a diçka e tillë. Sa herë që ai e bënte këtë, kundërshtari i tij buzëqeshte dhe miratonte me kokë, i sigurt se po dilte përpara. Burri më shtatmadh nuk lëvizi asnjëherë nga vendi i tij, nuk ndaloi asnjëherë së preri, nuk bëri asnjëherë pushim.

Kur mbaroi dita, burri më shtatmadh u trondit kur mësoi se kundërshtari i tij, që dukej sikur po humbiste aq shumë kohë, kishte prerë shumë më tepër pemë se ai. ‘Si e arrite këtë kur bëre aq shumë pushime?’, e pyeti ai.

Fituesi u përgjigj: ‘Ah, unë mprehja sëpatën time’.

Sa herë i studiojmë shkrimet e shenjta, ne mprehim sëpatën tonë shpirtërore” (“The Joy of Learning”, Ensign, tetor 2016, f. 14).

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Qëndroni të përqendruar te doktrina. Sigurohuni që diskutimet në orët mësimore të jenë të bazuara te shkrimet e shenjta dhe mësimet e profetëve. Ju mund ta bëni këtë duke bërë pyetje si këto: “Çfarë të vërtetash të ungjillit mësojmë nga komentet që kemi dëgjuar?” ose “A mundet ndonjëri të tregojë një shkrim të shenjtë që ka lidhje me atë për të cilën kemi diskutuar?” (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 20–21.)