“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Një Model për Mësimdhënien”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
Një Model për Mësimdhënien
Në këtë burim, ju do të gjeni modelin vijues të përsëritur në secilin përvijim të mësimit: ftojini të tregojnë, jepni mësim doktrinën dhe nxitni të mësuarin në shtëpi. Në shumë raste, teksa jepni mësim, elementet e këtij modeli mund të mbivendosen ose të ndodhin në një rend të ndryshëm. Për shembull, merrni parasysh që të treguarit është një mundësi për të dhënë mësim doktrinën dhe mësimdhënia e doktrinës duhet të përfshijë ftesa për të treguar. Po ashtu, nxitja e të mësuarit në shtëpi mund të ndodhë gjatë gjithë diskutimit në klasë. Lejojeni këtë mbivendosje të ndodhë natyrshëm, duke ndjekur nxitjet e Shpirtit që të plotësohen nevojat e njerëzve të cilëve u jepni mësim.
Ftojini të Tregojnë
Si pjesë e çdo ore mësimore, ftoni anëtarë të klasës që të tregojnë ide dhe përvoja që i patën gjatë javës së shkuar teksa studiuan shkrimet e shenjta si individë e familje dhe e vunë në jetë atë që lexuan. Ndihmojini anëtarët e klasës ta kuptojnë se të mësuarit e tyre vetjak jashtë orës mësimore është i rëndësishëm. Kthimi i tyre individual në besim do të vijë jo vetëm nëpërmjet të mësuarit të dielën, por edhe nëpërmjet përvojave të tyre të përditshme. Kur anëtarët e klasës i dëgjojnë përvojat e njëri-tjetrit, ata ka më shumë të ngjarë të frymëzohen që të kërkojnë përvoja të ngjashme për veten e tyre.
Jo çdo njeri do t’i ketë lexuar kapitujt për secilin mësim dhe madje disa që vërtet i lexuan, mund të mos ndihen mirë për të treguar. Sigurohuni që të gjithë anëtarët e klasës të ndihen si pjesëmarrës të vlerësuar të orës mësimore, pavarësisht nëse ata kanë ose jo diçka për të treguar.
Jepni Mësim Doktrinën
Ju dhe anëtarët e klasës suaj duhet të përqendroheni te doktrina – të vërtetat e përjetshme të ungjillit – që gjenden në fragmentet e caktuara të shkrimeve të shenjta. Teksa diskutoni doktrinë nga shkrimet e shenjta, çfarë vargjesh, citimesh, përvojash, pyetjesh dhe burimesh shtesë mund të tregoni? Si mund t’i përdorni këto burime që t’i ndihmoni anëtarët e klasës për të zbuluar dhe kuptuar parime të ungjillit? Si mund t’i nxitni anëtarët e klasës të mbajnë shënim e të veprojnë sipas mendimeve dhe mbresave që marrin?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Në fund të mësimit, shpenzoni një çast që të shikoni paraprakisht diskutimin e javës së ardhshme. Merreni parasysh se si t’i frymëzoni anëtarët e klasës që ta vazhdojnë të mësuarin nga Dhiata e Re në shtëpi, si individualisht ashtu edhe me familjet e tyre.