“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
Përdorimi i Manualit Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës
Përgatitja për të Dhënë Mësim në Shkollën e së Dielës
Shtëpia duhet të jetë qendra e të mësuarit të ungjillit. Kjo është e vërtetë për ju dhe për ata të cilëve u jepni mësim. Ndërsa përgatiteni të jepni mësim, fillojeni duke pasur vetë përvojat tuaja me shkrimet e shenjta. Përgatitja juaj më e rëndësishme do të ndodhë ndërkohë që kërkoni frymëzimin nga Fryma e Shenjtë.
Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet është gjithashtu një pjesë e rëndësishme e përgatitjes suaj. Ky manual do t’ju ndihmojë të fitoni kuptim më të thellë të parimeve doktrinore që gjenden në shkrimet e shenjta. Ju gjithashtu do të jeni në gjendje t’i frymëzoni dhe ftoni anëtarët e klasës që ta përdorin manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet për ta përmirësuar studimin e tyre vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta (për ndihmë që ta bëni këtë, shihni “Ide për Nxitjen e Studimit Vetjak dhe Familjar” në këtë burim). Teksa e bëni këtë, mbani mend që të jeni i ndjeshëm ndaj anëtarëve të klasës rrethanat familjare të të cilëve mund të mos e mbështetin studimin e rregullt familjar të shkrimeve të shenjta.
Gjatë përgatitjes suaj, ide dhe mbresa do t’ju vijnë rreth njerëzve të cilëve u jepni mësim, mënyrës se si parimet në shkrimet e shenjta do ta bekojnë jetën e tyre dhe se si mund t’i frymëzoni që t’i zbulojnë ato parime teksa i studiojnë vetë shkrimet e shenjta.
Ide për Mësimdhënien
Ndërkohë që bëni planin tuaj të mësimdhënies, ju mund të merrni frymëzim shtesë duke shqyrtuar përvijimet e mësimeve në këtë burim. Mos mendoni për këto ide si udhëzime hap pas hapi, por përkundrazi si sugjerime që e nxitin vetë frymëzimin tuaj. Ju i njihni anëtarët e klasës tuaj dhe Zoti i njeh ata gjithashtu. Ai do t’ju frymëzojë me mënyrat më të mira për t’i ndihmuar anëtarët e klasës që të shtojnë mbi të mësuarit e ungjillit që po e bëjnë në shtëpitë e tyre.
Ju keni shumë burime të tjera në dispozicion ndërkohë që përgatiteni, duke përfshirë idetë në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe revista të Kishës. Për informacion të mëtejshëm mbi këto dhe burime të tjera shtesë, shih “Burime Shtesë”.
Disa Gjëra që t’i Mbani në Mendje
-
Shtëpia është vendi më i mirë për të mësuarin e ungjillit. Si mësues, ju keni përgjegjësi të rëndësishme që ta mbështetni e nxitni mësimin e ungjillit në shtëpi dhe të shtoni mbi atë mësim.
-
Kthimi i anëtarëve të klasës në besimin tek ungjilli i Jezu Krishtit do të forcohet kur ata e kuptojnë dhe e zbatojnë doktrinën e vërtetë. Nxitini të mbajnë shënim dhe të veprojnë sipas mbresave që i marrin nga Fryma e Shenjtë.
-
Mësimdhënia është më shumë se dhënie leksioni, por është gjithashtu më shumë sesa thjesht drejtim i një diskutimi. Pjesë e rolit tuaj është të nxitni pjesëmarrje që lartëson dhe bazohet te shkrimet e shenjta.
-
Ati Qiellor dëshiron që ju të keni sukses si mësues. Ai ka siguruar burime të shumta për t’ju ndihmuar të keni sukses, përfshirë mbledhjet e këshillit të mësuesve. Në këto mbledhje ju mund të këshilloheni me mësues të tjerë rreth ndonjë sfide me të cilën mund të përballeni. Ju gjithashtu mund të diskutoni e praktikoni parime të mësimdhënies si Krishti.
-
Njerëzit mësojnë më mirë kur kanë mundësi për të dhënë mësim. Me raste, merreni parasysh që të lejoni anëtarë të klasës, përfshirë rininë, që ta japin një pjesë të mësimit. Bazojeni këtë vendim mbi nevojat dhe aftësitë e anëtarëve të klasës. Nëse vërtet e ftoni një anëtar ose anëtare të klasës të japë mësim, gjeni kohë që ta ndihmoni atë për t’u përgatitur që më parë duke përdorur idetë që gjenden në këtë burim dhe në manualin Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Mbani mend që si mësuesi i thirrur, ju jeni përgjegjës për atë që jepet mësim në klasë.
-
Ky burim përfshin përvijime të mësimeve për çdo javë të vitit me përjashtim të dy të dielave kur mbahet konferenca e përgjithshme. Në të dielat kur nuk mbahet Shkolla e së Dielës për shkak të konferencës së kunjit apo ndonjë arsye tjetër, familjet mund ta vazhdojnë leximin e Dhiatës së Re në shtëpi në përputhje me programin e përvijuar. Me qëllim që ta mbani orën tuaj të Shkollës të së Dielës sipas programit mësimor, ju mund të zgjidhni që ta lini një mësim pa bërë ose të ndërthurni dy mësime. Që të shmanget pështjellimi, presidentët e Shkollës të së Dielës mund të dëshirojnë t’i këshillojnë mësuesit e Shkollës të së Dielës rreth këtyre ndryshimeve që më parë.