“15–21 Prill. Pashka: ‘O Ferr, Ku Është Fitorja Jote?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“15–21 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
15–21 Prill
Pashka
“O Ferr, Ku Është Fitorja Jote?”
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim këtë javë, merrni në shqyrtim mënyrën se si diskutimi juaj në klasë mbi të dielën e Pashkës mund ta ndërtojë besimin te Jezu Krishti dhe Shlyerja e Tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Pyetini anëtarët e klasës se si do t’i përgjigjeshin pyetjeve të tilla si: “Çfarë është Shlyerja e Jezu Krishtit?” dhe “Si mund t’i marr unë bekimet e Shlyerjes së Krishtit?” A kanë lexuar ndonjë shkrim të shenjtë këtë javë që ndihmon për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve?
Jepni Mësim Doktrinën
Jezu Krishti na çliron nga mëkati dhe vdekja, na forcon në dobësitë tona dhe na ngushëllon në sprovat tona.
-
A e kuptojnë anëtarët e klasës se përveçse mposhti mëkatin dhe vdekjen, Jezu Krishti mund të na ngushëllojë gjithashtu në sprovat tona dhe të na forcojë në dobësitë tona? Një mënyrë për t’i ndihmuar ata që t’i zbulojnë këto parime mund të jetë që t’i shkruajnë këto fjalë në tabelë: Mëkat, Vdekje, Sprova, Dobësi. Kërkojini çdo anëtari të klasës që të lexojë një prej shkrimeve të shenjta të renditura te “Burimet Shtesë” dhe të përsiatë mbi mënyrën se si na ndihmon Shpëtimtari që t’i mposhtim apo t’i durojmë këto gjëra. Anëtarët e klasës mund ta shkruajnë atë që mësojnë nga këto shkrime të shenjta nën secilin titull dhe të japin dëshminë e tyre për Shpëtimtarin dhe Shlyerjen e Tij.
-
Çfarë japin mësim shkrimet e shenjta rreth çmimit që pagoi Jezu Krishti për shpëtimin tonë? Për shembull, shih Lluka 22:39–44; Mosia 3:7 dhe Doktrina e Besëlidhje 19:16–19. Çfarë çmimi pagoi Ati ynë Qiellor? (shih Gjoni 3:16).
-
Përpara orës së mësimit, merreni parasysh që t’i ftoni disa anëtarë të klasës të sjellin një citim nga një mesazh i konferencës, i cili përshkruan mënyrën se si na bekon Shpëtimtari nëpërmjet Shlyerjes së Tij (për disa shembuj, shih “Burimet Shtesë”). Si e zgjerojnë mësimet e profetëve të ditëve të sotme të kuptuarin tonë për bekimet e Shlyerjes së Shpëtimtarit? Si e forcojnë ato dëshminë tonë për fuqinë e Shlyerjes së Tij?
-
Ndoshta një mësim i thjeshtë me sende mund të ndihmojë për të ilustruar ndryshimin midis të qenit i pastruar nga mëkati dhe të qenit i përsosur: Ju mund të shkruani në tabelë pak nga rreshtat e parë të Moronit 10:32, por përfshini gabime në germëzim ose ato gramatikore. Më pas ftojini anëtarët e klasës që t’i fshijnë gabimet. A e zgjidhi kjo problemin? Çfarë mësimesh mësojmë nga ky shkrim i shenjtë dhe ky mësim me sende rreth ndikimit që mund të ketë Shlyerja te ne? Kjo thënie nga Presidenti Diter F. Uhtdorf mund të ndihmojë gjithashtu: “Nëse shpëtimi nënkupton vetëm fshirjen e gabimeve dhe mëkateve tona, atëherë shpëtimi – aq i mrekullueshëm saç është – nuk i përmbush aspiratat e Atit për ne. Qëllimi i Tij është shumë më i lartë: Ai dëshiron që bijtë dhe bijat e Tij të bëhen si Ai” (“Dhurata e Hirit”, Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 108).
-
Historitë dhe analogjitë mund të na ndihmojnë për ta kuptuar Shlyerjen e Krishtit. Për shembull, Plaku Xhefri R. Holland në mesazhin e tij “Ku Drejtësia, Dashuria e Mëshira Takohen” (Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 104–106) tregon një histori rreth dy vëllezërve që po ngjiteshin në një shpat kanioni. Në LDS.org ka edhe një material filmik me të njëjtin titull. Ose ju mund të shihni së bashku “Handel’s Messiah: Debtor’s Prison” [“Mesian e Handelit: Burgu i Borxhliut”] (LDS.org; shih përshkrimin te “Burimet Shtesë”) dhe të diskutoni mbi mënyrën se si na çliron Shlyerja e Jezu Krishtit nga [vetë] burgjet tona.
Dëshmitarë në Dhiatën e Re dhanë dëshmi se Jezu Krishti e mposhti vdekjen.
-
Merreni parasysh ta rishikoni tregimin e shkrimit të shenjtë të Pashkës së parë – Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ju mund ta ftoni një anëtar të klasës që ta ritregojë historinë me fjalët e tij apo të saj (shih Gjoni 20:1–17). Ju mund të shfaqni gjithashtu një material filmik nga Bibla, të tillë si “Ai Është Ngritur” (LDS.org).
-
Ndoshta klasa juaj do të fitonte një kuptueshmëri më të thellë mbi rëndësinë e dëshmitarëve për Ringjalljen e Jezu Krishtit nëse përfytyrojnë sikur janë juristë apo reporterë lajmesh që po hetojnë pretendimin se Krishti u ringjall. Ftojini ata të gjejnë njerëz në shkrimet e shenjta që mund të shërbejnë si dëshmitarë (shih Mateu 28:1–10; Lluka 24:13–35; Gjoni 20:19–29; 1 Korintasve 15:3–8, 55–58). Ata madje mund të shkruajnë një përmbledhje të shkurtër të asaj që këta njerëz mund të thonë kur dëshmojnë në gjyq apo kur intervistohen në lajme.
-
Një mënyrë për ta thelluar vlerësimin tonë për Ringjalljen e Shpëtimtarit është që të mendojmë rreth mënyrës se si do t’ua shpjegonim bindjet tona të tjerëve. Në ç’mënyrë do t’i jepnin anëtarët e klasës dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin në situatat vijuese: një pjesëtar i familjes është diagnostikuar me një sëmundje të rëndë; një mik ka humbur një njeri të dashur; një fqinj ju pyet përse e kremtoni Pashkën. Nxitini ata që t’i drejtohen shkrimeve të shenjta (të tilla si ato te “Burimet Shtesë”) ndërsa planifikojnë përgjigjet e tyre. Ftojini disa anëtarë të klasës që të japin mendimet e tyre.
Jezu Krishti na jep shpresë dhe gëzim.
-
Të gjithë ne mund të kemi shpresë dhe të marrim zemër për shkak të Shpëtimtarit. Ju mund të lexoni Gjonin 16:33 dhe të diskutoni se si na ndihmon Shlyerja e Jezu Krishtit të jemi të gëzuar pavarësisht nga sprovat tona. Si kemi marrë gëzim dhe jemi përkrahur gjatë sprovave tona?
-
Leximi i dëshmisë së Pjetrit te 1 Pjetër 1:3–11 mund t’i japë anëtarëve të klasës më shumë shpresë te Shlyerja e Jezu Krishtit. Jepuni atyre kohë të përsiatin mbi këto vargje dhe të punojnë në dyshe për të gjetur shkrime të tjera të shenjta që gjithashtu përshkruajnë se si të gjejnë shpresë në Jezu Krishtin (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpresë”). Ata mund t’i përdorin shkrimet e shenjta që gjejnë për të bërë një afishe që ta shfaqin në shtëpitë e tyre apo në internet (shih shembuj të citimeve frymëzuese me figurë në LDS.org). Anëtarët e klasës mund të marrin në shqyrtim rrethanat e pjesëtarëve të familjes apo të miqve që mund të kenë nevojë të ndjejnë më shumë shpresë.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Çfarë do t’i frymëzonte anëtarët e klasës që t’i lexonin Mateun 18 dhe Llukën 10? Ju mund t’u thoni atyre se këta kapituj përmbajnë dy nga shëmbëlltyrat më të paharrueshme të Shpëtimtarit, ku të dyja përçojnë mësime të rëndësishme rreth mënyrës se si duhet ta trajtojmë njëri-tjetrin.
Burime Shtesë
Pashka
Shkrime të shenjta rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Mesazhe rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit.
-
Presidenti Tomas S. Monson, “Ai Ësht’ Ngritur!” Ensign ose Liahona, maj 2010, f. 87–90
-
Plaku D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 111–114
-
Plaku Dallin H. Ouks, “Të Forcuar nga Shlyerja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 61–64
-
Motra Karol M. Stivens, “Mësuesi Shërues”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 9–12
Himne rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit.
Anëtarët e klasës mund të kënaqen duke i kënduar disa nga këto himne dhe duke i lexuar shkrimet e shenjta përkatëse të cituara në fund të faqes. Disa anëtarë të klasës mund t’i kenë mësuar disa himne si pjesë e studimit të tyre familjar të shkrimit të shenjtë këtë javë; nxitini që t’i tregojnë përvojat e tyre.
-
“Sa i Fort’ një Themel”, Himne, nr. 41
-
“Ku Mund të Gjej Paqe?” Himne, nr. 67
-
“Qëndroj Plot Habi”, Himne, nr. 113
-
“Ai Ësht’ Ngritur!” Himne, nr. 118
Materiale filmike rreth Pashkës.
Çdo vit Kisha prodhon mesazhe për Pashkë, të cilat gjenden në mormon.org/easter.
Jezu Krishti na çliron.
Në vitin 1741, Xhorxh Frederik Handel kompozoi një oratorio rreth Jezu Krishtit të titulluar Messiah [Mesia]. Handeli vendosi që të ardhurat nga një shfaqje e Messiah [Mesias] do të dhuroheshin për të paguar lirimin e borxhlinjve nga burgu i borxhliut. Si rrjedhojë, mbi 140 njerëz që ishin futur në burg ngaqë nuk ishin të gjendje t’i paguanin borxhet e tyre, u liruan. Duke komentuar mbi këtë ngjarje, Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Pa Shlyerjen e Jezu Krishtit, të gjithë ne do të ishim borxhlinj të pashpresë, ashtu siç ishin ata njerëz në burgun e borxhliut. Shëlbuesi ynë, Zoti Jezu Krisht, erdhi për të paguar një borxh që Ai vetë nuk e kishte, ngaqë ne kishim një borxh që nuk mund ta paguanim”. Për një përshkrim pamor të kësaj ngjarjeje, shih “Handel’s Messiah: Debtor’s Prison” [“Mesia i Handelit: Burgu i Borxhliut”] në LDS.org.