“22–28 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’” Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: Dhiata e Re 2019 (2019)
“22–28 Prill. Mateu 18; Lluka 10”, Eja, Më Ndiq – Për Shkollën e së Dielës: 2019
22–28 Prill
Mateu 18; Lluka 10
“Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”
Lexoni Mateun 18 dhe Llukën 10, dhe mbajini shënim mbresat tuaja shpirtërore. Ndërsa merrni mbresa, ju mund të pyetni, ashtu siç sugjeroi Plaku Riçard G. Skot: “A ka edhe më shumë që duhet ta di?” (“Të Fitosh Udhëheqje Shpirtërore”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 8).
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Këta kapituj përmbajnë shumë shembuj të mësimeve të ungjillit që janë të ndryshëm nga ajo që na mëson bota. Çfarë të vërtetash gjetën anëtarët e klasës në këta kapituj, të cilat janë të vështira për disa njerëz që t’i pranojnë apo jetojnë?
Jepni Mësim Doktrinën
Ne duhet t’i falim të tjerët nëse duam të marrim falje nga Zoti.
-
Herët a vonë, të gjithëve na duhet ta falim dikë që na ka fyer. Si mund ta përdorni shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm, për ta frymëzuar klasën që të falë më shumë? Ndoshta ju mund të shkruani në tabelë pyetje si këto që vijojnë dhe t’i ftoni anëtarët e klasës që t’i përsiatin ato teksa një person ritregon shëmbëlltyrën: Kë përfaqëson mbreti? Kë përfaqëson shërbëtori i pamëshirshëm? Çfarë përfaqëson borxhi i tij? Kë përfaqëson bashkëshërbëtori i tij? Çfarë përfaqëson borxhi i tij? Informacioni rreth talenteve dhe dinarëve te “Burimet Shtesë” mund t’i japë anëtarëve të klasës një ide se sa shumë të ndryshme janë të dyja borxhet në shëmbëlltyrë. Ftojini anëtarët e klasës që të përsiatin se çfarë mesazhesh ka shëmbëlltyra për ta në veçanti.
-
Ju mund ta ftoni klasën të krijojë një përshtatje të shëmbëlltyrës së shërbëtorit të pamëshirshëm, e cila na mëson të njëjtin mësim rreth faljes, por duke përdorur situata dhe hollësi bashkëkohore. (Merreni parasysh që t’i vini ata të punojnë për këtë në grupe.) Diskutoni mbi mënyrën se si shëmbëlltyra iu përgjigj pyetjes së Pjetrit se sa herë duhet të falte ai.
-
Materiali filmik “Forgive Every One Their Trespasses: The Parable of the Unmerciful Servant” [“Faljani Njëri-Tjetrit Çdo Shkelje: Shëmbëlltyra e Shërbëtorit të Pamëshirshëm”] (LDS.org) mund ta ndihmojë klasën tuaj që ta përfytyrojë shëmbëlltyrën. Përveç Mateut 18:35, shkrimet e shenjta vijuese mund t’i ndihmojnë anëtarët e klasës që të kuptojnë përse Zoti do që ne ta falim çdo njeri që mëkaton ndaj nesh: Mateu 6:12–15; Efesianëve 4:32 dhe Doktrina e Besëlidhje 64:7–11.
Për të marrë jetë të përjetshme, ne duhet ta duam Perëndinë dhe t’i duam të afërmit tanë.
-
Ja ku është një ide që mund t’u japë anëtarëve të klasës një këndvështrim të ri për shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë: Ftojini ata të hiqen sikur po hetojnë një rast sulmi dhe vjedhjeje në rrugën midis Jerikos dhe Jerusalemit. Kërkojini disa anëtarëve të klasës që të vijnë në klasë të përgatitur për të përfaqësuar njerëzit e ndryshëm në shëmbëlltyrë dhe të flasin rreth përfshirjes së tyre në këtë çështje. Për shembull, pse nuk ndaluan prifti dhe leviti për ta ndihmuar njeriun e plagosur? Përse ndaloi samaritani? Çfarë mendimesh mund të shtojë hanxhiu? Çfarë ndjeu njeriu i plagosur për secilin prej të tjerëve? Sigurohuni që diskutimi t’i frymëzojë anëtarët e klasës të jenë si samaritani i mirë dhe hanxhiu, dhe ta shmangin të qenit si prifti dhe leviti. Kur janë ndier anëtarët e klasës si “burr[i]” që kishte dëshpërimisht nevojë për ndihmë? Si erdhi ndihma? Në ç’mënyrë mund të punojmë së bashku si anëtarë të lagjes për t’i ndihmuar të tjerët, ashtu siç bënë samaritani i mirë dhe hanxhiu?
-
Përveçse jep mësim se çfarë do të thotë ta duam fqinjin tonë, shëmbëlltyra e samaritanit të mirë mund të simbolizojë gjithashtu fuqinë e Jezu Krishtit për të na shpëtuar. (Hollësitë rreth këtij interpretimi mund të gjenden te “Burimet Shtesë”.) Ju mund t’i ftoni anëtarët e klasës që ta lexojnë shëmbëlltyrën, duke kërkuar për këtë dhe kuptime të tjera simbolike të mundshme. Çfarë mësojmë rreth Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij kur e lexojmë shëmbëlltyrën në këtë mënyrë?
Ne duhet të zgjedhim “pjesën më të mirë” duke bërë zgjedhje të përditshme që çojnë drejt jetës së përjetshme.
-
Jeta është e mbushur me gjëra që ia vlejnë të bëhen. Historia e Maries dhe Martës mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës që të marrin në shqyrtim se si ta zgjedhin “pjesën më të mirë” (vargu 42; shih edhe përvijimin e mësimit për këtë javë tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Pasi ta lexoni Llukën 10:38–42 së bashku, ndoshta ju mund t’i pyetni anëtarët e klasës se si do të kishin reaguar ndaj këshillës së Shpëtimtarit nëse do të kishin qenë në vend të Martës. Si mund të kishte ndikuar kjo përvojë te zgjedhjet e tyre të ardhshme? Si mund ta dimë se cilat gjëra në vetë jetën tonë janë të “nevojshme”? (Lluka 10:42). Si mund t’i ndihmojë anëtarët e klasës mesazhi i Plakut Dallin H. Ouks “Mirë, Më Mirë, Më e Mira”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 104–108)?
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Thuajini klasës suaj se ndërsa i lexojnë deklaratat e Shpëtimtarit rreth vetë Hyjnisë së Tij te Gjoni 7–10 për orën e ardhshme mësimore, ata mund të arrijnë ta dinë me një siguri më të madhe se Ai është Krishti.
Burime Shtesë
Talentat dhe denarët.
Është e vështirë ta dimë vlerën e saktë të shumës së parave të përmendur në shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm (shih Mateu 18:23–35). Megjithatë, në Dhiatën e Re ka tregues që mund të na ndihmojnë ta kuptojmë ndryshimin shumë të madh midis borxhit prej 100 denarësh dhe borxhit prej 10 000 talentash.
Bashkëshërbëtori në shëmbëlltyrë kishte borxhin e vogël prej 100 denarësh. Te Mateu 20:2, një denar (forma njëjës e fjalës denarë) është paga që paguhej për një ditë pune në një vresht. Si rrjedhojë, bashkëshërbëtorit do t’i duhej të punonte 100 ditë për të fituar 100 denarë që të paguante borxhin e tij. Por kjo sasi është tmerrësisht e vogël kur krahasohet me borxhin prej 10 000 talentash të shërbëtorit të pamëshirshëm. Te Mateu 25:14–15, e gjithë pasuria e burrit – “pasuritë e veta” – vlerësohet me vetëm tetë talenta. Prandaj, do të duhej pasuria e marrë së bashku e grumbulluar e mbi 1000 burrave si ky burrë, që të paguhej borxhi i shërbëtorit të pamëshirshëm.
Borxhi i pamasë që Jezu Krishti pagoi për secilin prej nesh.
Plaku Xhefri R. Holland tregoi atë që mësoi rreth shëmbëlltyrës së shërbëtorit të pamëshirshëm ndërkohë që po merrte pjesë në një klasë instituti:
“[Mësuesi] vuri në dukje se falja prej 100 denarësh, të cilën pritej që të gjithë ne t’ia jepnim njëri-tjetrit dhe ta pranonim si një sasi mjaft të mirë parash, ishte … jashtëzakonisht e vogël për t’u kërkuar në dritën e faljes prej 10 000 talentash që Krishti na kishte dhënë ne.
Ai borxh i fundit, borxhi ynë, ishte një numër astronomik, na kujtoi [mësuesi], pothuajse i pamundur për t’u kuptuar. Por kjo, tha ai, ishte saktësisht qëllimi i Shpëtimtarit në këtë mësim, një pjesë thelbësore e shëmbëlltyrës. Jezusi kishte për qëllim që dëgjuesit e tij të ndienin paksa nga qëllimi i përjetshëm dhe dhurata e madhe e mëshirës së tij, e faljes së tij, e Shlyerjes së tij.
… Për herë të parë në jetën time më kujtohet që ndjeva diçka për madhështinë e flijimit të Krishtit për mua – një dhuratë e rrethuar edhe sot e kësaj dite me pamundësi për t’u kuptuar. Por një dhuratë që më bëri, për herë të parë, ta merrja në shqyrtim seriozisht nevojën time për t’i falur njerëzit e tjerë dhe për të qenë bujar në mënyrë të vazhdueshme për sa u takon ndjenjave të tyre dhe nevojave të tyre dhe rrethanave të tyre” (“Students Need Teachers to Guide Them” [transmetim satelitor i Sistemit Arsimor të Kishës, 20 qershor 1992]).
Interpretim i hershëm i krishterë i shëmbëlltyrës së samaritanit të mirë.
Përgjatë shekujve, të krishterët kanë gjetur simbole në shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë, të cilat japin mësim rreth rolit të Jezu Krishtit si Shpëtimtari ynë. Për shembull, burri që ra pre e hajdutëve mund të përfaqësojë të gjithë ne. Hajdutët mund të përfaqësojnë mëkatin dhe vdekjen. Samaritani mund të përfaqësojë Shpëtimtarin. Hani mund të përfaqësojë Kishën dhe premtimi i samaritanit për t’u kthyer mund të përfaqësojë Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit. (Shih John W. Welch, “The Good Samaritan: Forgotten Symbols”, Ensign, shkurt 2007, f. 40–47.)