Eja, Më Ndiq
22–28 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’


“22–28 Prill. Mateu 18; Lluka 10: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“22–28 Prill. Mateu 18; Lluka 10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Samaritani i mirë

Samaritani i Mirë, nga Dan Burr

22–28 Prill

Mateu 18; Lluka 10

“Çfarë Duhet të Bëj që të Trashëgoj Jetën e Përjetshme?”

Ndërsa lexoni dhe përsiatni plot lutje për Mateun 18 dhe Llukën 10, kushtojini vëmendje nxitjeve të qeta të Frymës së Shenjtë. Ai do t’ju tregojë mënyrën se si zbatohen këto mësime dhe histori për ju. Mbajini shënim mbresat që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Kur i bëni një pyetje Zotit, ju mund të merrni një përgjigje që nuk e prisnit. Kush është i afërmi im? Çdokush që ka nevojë për ndihmën dhe dashurinë tuaj. Kush është më i madhi në mbretërinë e qiejve? Një fëmijë. A është e mjaftueshme ta falni shtatë herë një person që ju ka fyer? Jo, ju duhet ta falni shtatëdhjetë herë shtatë. (Shih Lluka 10:29–37; Mateu 18:4, 21–22.) Nëse po kërkoni të bëni vullnetin e Zotit, jo që ta “justifikoni veten” (Lluka 10:29), por ngaqë ju me të vërtetë doni të mësoni prej Tij, Zoti do t’ju mësojë se si të jetoni në një mënyrë që çon drejt jetës së përjetshme me Të.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mateu 18:21–35

Duhet t’i fal të tjerët nëse dua të marr falje nga Zoti.

Sugjerimi i Pjetrit se ai mund ta falte dikë shtatë herë mund të duket shumë zemërgjerë, por Jezusi dha mësim një ligj më të lartë. Përgjigja e Tij, “Unë nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë”, ishte një mësim jo rreth numrave, por për më tepër rreth qëndrimit si të Krishtit ndaj faljes. Ndërsa e lexoni shëmbëlltyrën e shërbëtorit të pamëshirshëm, përsiatni për rastet kur ju i keni ndier mëshirën dhe dhembshurinë e Perëndisë. A ekziston ndonjë njeri që ka nevojë të ndiejë mëshirë dhe dhembshuri nga ju?

Plaku Dejvid E. Sorensen, i Të Shtatëdhjetëve, dha mësim: “Do të doja ta bëja të qartë se falja e mëkateve nuk duhet të ngatërrohet me lejimin e së ligës. … Megjithëse duhet ta falim një të afërm që na lëndon, ne ende duhet të punojmë në mënyrë pozitive që ta parandalojmë përsëritjen e atij lëndimi” (“Forgiveness Will Change Bitterness to Love”, Ensign ose Liahona, maj 2003, f. 12).

Shih edhe “Forgiveness [Falje]”, Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.lds.org.

Lluka 10:1–20

Kush janë Të Shtatëdhjetët?

Duke ndjekur një model të vendosur në kohët e Dhiatës së Vjetër (shih Eksodi 24:1; Numrat 11:16), Jezu Krishti “caktoi të shtatëdhjetë të tjerë” përveç Dymbëdhjetë Apostujve të Tij, që të dëshmonin për Të, ta predikonin ungjillin e Tij dhe ta ndihmonin në punën e Tij. Ky model vazhdon në Kishën e rivendosur. Të Shtatëdhjetët thirren që të ndihmojnë Të Dymbëdhjetët në misionin e tyre si dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit për të gjithë botën. Të Shtatëdhjetët organizohen në kuorume. Anëtarët e dy kuorumeve të para veçohen si Autoritete të Përgjithshme Të Shtatëdhjetë, ndërkohë që anëtarët e kuorumeve të tjera veçohen si Të Shtatëdhjetë Zonalë. (Shih edhe DeB 107:25–26, 33–34, 97.)

Lluka 10:25–37

Për të marrë jetë të përjetshme, duhet ta dua Perëndinë dhe ta dua të afërmin tim porsi vetveten.

A është e dobishme të kujtojmë se shëmbëlltyra e samaritanit të mirë ishte mënyra e Jezusit për t’iu përgjigjur pyetjes: “Kush është i afërmi im?” Ndërsa e lexoni këtë shëmbëlltyrë, mbajeni atë pyetje në mendje. Çfarë përgjigjesh gjeni?

Deri në kohën e Jezusit, armiqësia midis judenjve dhe samaritanëve kishte zgjatur për shekuj. Samaritanët ishin pasardhës të judenjve që jetonin në Samari, të cilët ishin bashkuar në martesë me johebrenjtë. Judenjtë mendonin se samaritanët ishin korruptuar nga shoqërimi i tyre me johebrenjtë dhe se e kishin braktisur besimin. Judenjtë udhëtonin për kilometra të tërë që ta shmangnin kalimin nëpërmjet Samarisë. (Shih edhe Lluka 9:52–54; 17:11–18; Gjoni 4:9; 8:48.)

Si mendoni ju, përse Shpëtimtari zgjodhi një samaritan, dikë që urrehej nga judenjtë, si një shembull i dhembshurisë dhe dashurisë për të afërmin e vet? Çfarë ju frymëzon kjo shëmbëlltyrë të bëni për t’u treguar mëshirë të tjerëve?

Shih edhe Mosia 2:17; “Parable of the Good Samaritan” [“Shëmbëlltyra e Samaritanit të Mirë”] (material filmik, LDS.org); “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek”, Himne, nr. 137.

Lluka 10:38–42

Ne e zgjedhim “pjesën më të mirë”, duke bërë zgjedhje që çojnë drejt jetës së përjetshme.

Motra Boni D. Parkin, ish-Presidente e Përgjithshme e Shoqatës së Ndihmës, dha mësim: “Marta dhe Maria jemi unë dhe ju. … Ato të dyja e deshën Zotin dhe donin ta tregonin atë dashuri. Në këtë rast, më duket se Maria e shprehu dashurinë e saj duke i dëgjuar fjalët e Tij, ndërsa Marta e shprehu dashurinë e saj duke i shërbyer Atij. … Jezusi nuk e hodhi poshtë shqetësimin e Martës, por në vend të kësaj e ridrejtoi përqendrimin e saj duke i thënë të zgjidhte “pjesën më të mirë”. Dhe cila është ajo? … Ajo që nevojitet është që të zgjedhim jetën e përjetshme [shih 2 Nefi 2:28]. Ne zgjedhim çdo ditë” (“Choosing Charity: That Good Part”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 104). Si do ta përmblidhnit me vetë fjalët tuaja këshillën e Zotit për Martën? Shqyrtojeni programin tuaj – a ka diçka të “nevojshme” që kërkon më shumë vëmendje nga ju?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Kur i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë ta dini se cilat parime të theksoni dhe diskutoni me qëllim që të plotësohen nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 18; Lluka 10

Çfarë himnesh mund të këndojë familja juaj që lidhen me të vërtetat e dhëna mësim në këta kapituj? Dy shembuj janë “Zot, Un’ Ty do të t’Ndjek” dhe “A Kam Bër’ Ndonjë të Mir’?” Himne, nr. 137, 139, por ka edhe shumë të tjerë. Si ju ndihmojnë fjalët në këto himne për ta ndihmuar familjen tuaj që t’i kuptojë më mirë mësimet e Shpëtimtarit?

Mateu 18:1–11

Përse Jezusi do të donte që ne të bëheshim si një fëmijë i vogël? Cilat janë disa karakteristika të fëmijëve që do të na bënin më shumë si Krishti nëse i përfshijmë ato në jetën tonë? (Shih Mosia 3:19.)

Jezusi me fëmijë në prehrin e Tij

Jezusi do që dishepujt e Tij të bëhen si fëmijë të vegjël.

Lluka 10:25–37

Çfarë do ta bënte shëmbëlltyrën e samaritanit të mirë që të kishte lidhje me familjen tuaj? A do t’u pëlqente atyre që të vishnin kostume dhe ta interpretonin atë? Sigurohuni që t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj të shohin mënyrën se si ata mund të jenë si samaritani i mirë. A ka ndonjë nevojtar në shkollë apo kishë, të cilin mund të mos e kemi vënë re? Çfarë mund të bëjmë për këtë njeri?

Lluka 10:40–42

A është ndonjëherë e vështirë të gjeni vend për gjëra shpirtërore në programin tuaj familjar? Historia e Maries dhe Martës mund ta frymëzojë një këshill familjar apo mbrëmje familjare rreth mënyrës se si ta bëjë këtë. Si një familje, ju mund të bëni një listë të mënyrave për të zgjedhur “pjesën më të mirë” (shih Lluka 10:42).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Krijoni një mjedis dashurie. Mënyra se si ndihen pjesëtarët e familjes rreth njëri-tjetrit dhe mënyra se si e trajtojnë njëri-tjetrin, mund të ndikojë thellësisht në frymën e shtëpisë suaj. Ndihmojini të gjithë pjesëtarët e familjes suaj të bëjnë pjesën e tyre për të krijuar një shtëpi me dashuri e plot respekt, në mënyrë që çdokush do të ndihet i sigurt të tregojë përvoja, pyetje dhe dëshmi. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 15.)

Krishti me Marien dhe Martën

Krishti në Shtëpinë e Maries dhe të Martës, nga Walter Rane