“1–14 Prill. Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9: ‘Ti Je Krishti’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)
“1–14 Prill. Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019
1–14 Prill
Mateu 16–17; Marku 9; Lluka 9
“Ti Je Krishti”
Gjatë dy javëve të ardhshme, përsiatni mbi dëshminë e Pjetrit që gjendet te Mateu 16:15–17 dhe dëshmitë e profetëve dhe apostujve që ju do t’i dëgjoni gjatë konferencës së përgjithshme.
Shënojini Mbresat Tuaja
A nuk është e çuditshme që farisenjtë dhe saducenjtë do të kërkonin që Jezusi t’u tregonte “një shenjë nga qielli”? A nuk ishin të mjaftueshme mrekullitë e Tij të mirënjohura? Po mësimet e Tij të fuqishme apo mënyrat e shumta se si Ai i kishte përmbushur profecitë e lashta? Kërkesa e tyre nuk u nxit nga mungesa e shenjave, por nga mosgatishmëria për t’i “kupt[uar] shenjat” dhe për t’i pranuar ato. (Shih Mateu 16:1–4.)
Pjetri, ashtu si farisenjtë dhe saducenjtë, i dëshmoi mrekullitë e Shpëtimtarit dhe i dëgjoi mësimet e Tij. Por dëshmia vendimtare e Pjetrit: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë”, nuk erdhi nëpërmjet ndjesive të tij fizike – “mishi[t] as gjakut” të tij. Dëshmia iu zbulua atij nga “Ati … që është në qiej.” Zbulesa është shkëmbi mbi të cilën Shpëtimtari e ndërtoi Kishën e Tij, atëherë dhe tani – zbulesë nga qielli për shërbëtorët e Tij. Dhe ky është shkëmbi mbi të cilin ne mund ta ndërtojmë dishepullimin tonë – zbulesa që Jezusi është Krishti dhe se shërbëtorët e Tij mbajnë “çelësat e mbretërisë”. Kur ndërtohemi mbi këtë themel, “dyert e ferrit nuk do t[ë na] mundin”. (Mateu 16:15–19.)
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Një dëshmi për Jezu Krishtin vjen me anë të zbulesës.
Nëse Jezu Krishti do t’i pyeste njerëzit sot “Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i Njeriut?”, përgjigjet e tyre do të ndryshonin nga përgjigjet e dhëna nga njerëzit në kohën e Tij. Çfarë qëndrimesh bashkëkohore keni vënë re ndaj Jezusit? Si do të përgjigjeshit nëse Jezusi do t’ju pyeste: “Kush thoni se jam unë?” (Shih Mateu 16:13–15.)
Përsiatni mbi dëshminë tuaj për Shpëtimtarin dhe se si e morët atë. Çfarë mësoni nga Mateu 16:15–17 që mund ta forcojë atë? Nëse do t’ju pëlqente të mësoni më shumë rreth dëshmisë dhe zbulesës vetjake, shqyrtojini këto shkrime të shenjta: Gjoni 15:26; 1 Korintasve 12:3; 2 Nefi 31:18; Alma 5:45–48 dhe Doktrina e Besëlidhje 8:2–3.
Mateu 17:1–9; Marku 9:2–10; Lluka 9:28–36
Çfarë ndodhi në malin e Shpërfytyrimit?
Kur Jezusi i mori Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin në “një mal të lartë”, Ai u shpërfytyrua (apo u përlëvdua) përpara tyre. U shfaqën gjithashtu Moisiu dhe Eliasi (Elija), dhe Apostujve iu dhanë çelësat e priftërisë. Këto çelësa u mundësuan atyre që ta udhëhiqnin Kishën e Krishtit në tokë pas Ringjalljes së Tij (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shpërfytyrim”). Këto çelësa u rivendosën edhe në kohën tonë (shih DeB 110).
Çfarë janë “çelësat e mbretërisë së qiejve”?
“Çelësat e mbretërisë së qiejve” që Shpëtimtari premtoi t’ia jepte Pjetrit janë çelësat e priftërisë (Mateu 16:19). “Çelësat e priftërisë janë autoriteti që Perëndia u ka dhënë udhëheqësve të priftërisë për të drejtuar, kontrolluar dhe qeverisur përdorimin e priftërisë së Tij në tokë. Ushtrimi i autoritetit të priftërisë qeveriset nga ata që i mbajnë çelësat e saj (shih DeB 65:2; 81:2; 124:123). Ata që i mbajnë çelësat e priftërisë, kanë të drejtën ta kryesojnë dhe drejtojnë Kishën brenda një juridiksioni” (Manuali 2: Administrimi i Kishës [2010], 2.1.1).
Çelësat e priftërisë që iu dhanë Pjetrit dhe Apostujve të tjerë në malin e Shpërfytyrimit u rivendosën në kohën tonë (shih DeB 110:11–16). Ata që i mbajnë çelësat e priftërisë përfshijnë Presidencën e Parë dhe Kuorumin e Dymbëdhjetë Apostujve dhe Autoritete të tjera të Përgjithshme; presidentët e tempujve, të misioneve, kunjeve dhe distrikteve; dhe peshkopët, presidentët e degëve dhe presidentët e kuorumeve.
Shih edhe Nil L. Andersen, “Fuqi në Priftëri”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 92–95; Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 128–129; “Priesthood Keys: The Restoration of Priesthood Keys” [“Çelësat e Priftërisë: Rivendosja e Çelësave të Priftërisë”] (material filmik, LDS.org).
Kur kërkoj besim më të madh, duhet të mbahem së pari te besimi që tashmë kam.
Babai i përmendur te Mateu 17 dhe Marku 9 kishte arsye të dyshonte se Jezusi mund ta shëronte birin e tij. Ai u kishte kërkuar dishepujve të Jezusit që t’ia shëronin të birin dhe ata nuk mundën ta bënin atë. Por kur Shpëtimtari e ftoi që të ushtronte besim, ai nuk u përqendrua te dyshimet e tij. “Unë besoj, o Zot”, tha ai, dhe më pas, duke e pranuar se besimi i tij nuk ishte i përsosur, shtoi: “Ndihmo mosbesimin tim”.
Çfarë ju mësoi Shpirti ndërkohë që lexuat rreth kësaj mrekullie? Si ju ka ndihmuar Ati Qiellor që ta shtoni besimin tuaj? Çfarë mund të bëni për të ndërtuar mbi besimin që ju tashmë e keni? Ndoshta ju mund të hartoni një listë me shkrime të shenjta, mesazhe konferencash apo përvojash që e kanë forcuar besimin tuaj.
Shih edhe Xhefri R. Holland, “Unë Besoj, o Zot”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 93–95.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se çfarë parimesh të theksoni e diskutoni në mënyrë që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:
Që t’u mësoni fëmijëve rreth çelësave të priftërisë, ju mund të tregoni historinë e Plakut Geri E. Stevenson kur ngeli jashtë makinës së tij (shih “Ku Janë Çelësat dhe Autoriteti i Priftërisë?” Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 29–32). Ju mund t’i lini fëmijët tuaj që t’i përdorin çelësat për të hapur shtëpinë, makinën apo dryj të tjerë. Merreni parasysh të tregoni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe të dëshmoni se ai i mban të gjithë çelësat e priftërisë, ashtu siç bëri edhe Pjetri.
Profetët me besim te Jezu Krishti kanë lëvizur male (shih Jakobi [LiM] 4:6; Moisiu 7:13). Dëshmia vijuese nga Peshkopi Riçard C. Exhli, mund t’ju ndihmojë që ta bëni këtë varg të ketë lidhje me familjen tuaj: “Nuk e kam dëshmuar kurrë zhvendosjen e një mali të vërtetë. Por, për shkak të besimit, kam parë male dyshimi e dëshpërimi të zhvendosen dhe të zëvendësohen me shpresë dhe optimizëm. Për shkak të besimit, kam dëshmuar personalisht që një mal mëkati zëvendësohet me pendim dhe falje. Dhe, për shkak të besimit, kam dëshmuar personalisht që një mal dhimbjeje zëvendësohet me paqe, shpresë dhe mirënjohje. Po, kam parë male të zhvendosen” (“Besim – Zgjedhja Është e Juaja”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 33). Cilat janë disa male në jetën tonë që kanë nevojë të lëvizen? Si mund të tregojmë besim te fuqia e Perëndisë që të na ndihmojë t’i lëvizim këto male?
Çfarë do të thotë të shohim prapa pasi e kemi vendosur dorën në parmendë? Përse ky qëndrim do të na bënte të papërshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.