Eja, Më Ndiq
25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’


“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Dhiata e Re 2019 (2019)

“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2019

Krishti duke ushqyer turmën

Ushqejini Ata, nga Jorge Cocco

Mars 25–31

Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6

“Mos Kini Frikë”

Ndërsa lexoni Mateun 14–15; Markun 6–7 dhe Gjonin 5–6, kërkoni për të vërteta që janë domethënëse për ju. Ju mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si: “Si lidhen tregimet në këta kapituj me mua?” “Çfarë mesazhesh gjej për jetën time?” ose “Çfarë do të doja t’i tregoja familjes sime apo të tjerëve?”

Shënojini Mbresat Tuaja

Çfarë mund ta ketë frymëzuar Pjetrin që të largohej nga siguria e barkës së tij në mes të detit të Galilesë gjatë një stuhie të fortë? Çfarë e bëri atë të besonte që nëse Jezusi mund të ecte mbi ujë, edhe ai mund të ecte mbi ujë? Nuk mund ta dimë me siguri, por ndoshta Pjetri e kuptoi se Biri i Perëndisë nuk erdhi vetëm për të bërë gjëra të mrekullueshme për njerëzit, por për t’i fuqizuar njerëzit si Pjetri që edhe ata të bënin gjëra të mrekullueshme. Mbi të gjitha, ftesa e Jezusit ishte; “Eja e më ndiq” (Lluka 18:22). Pjetri e kishte pranuar një herë këtë ftesë dhe ishte i gatshëm ta pranonte atë sërish, edhe nëse nënkuptonte përballjen me frikën e tij dhe të bënte diçka që dukej e pamundur. Ndofta Zoti nuk do të na kërkojë që të dalim nga barka në mes të një stuhie apo të japim ofertën e pakët të bukës kur mijëra vetë kanë nevojë të hanë, por Ai mund të na kërkojë që të pranojmë udhëzime edhe kur nuk i kuptojmë ato plotësisht. Cilado qofshin ftesat e Tij për ne, ato ndonjëherë mund të duken befasuese ose madje frikësuese. Por mrekullitë mund të ndodhin nëse, ashtu si Pjetri, ne do ta lëmë mënjanë frikën tonë, dyshimet tona dhe kuptueshmërinë tonë të kufizuar dhe ta ndjekim Atë me besim.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Gjoni 5:17–47

Jezu Krishti e nderon Atin e Tij.

Marrëdhënia midis Atit Qiellor dhe secilit prej fëmijëve të Tij ka për qëllim të jetë një marrëdhënie e shenjtë. Në këto vargje, Jezu Krishti na dha një model frymëzues që ta ndjekim në marrëdhënien tonë me Atin Qiellor. Lexojeni Gjonin 5:17–47 dhe shenjoni apo vëreni çdo rast të fjalës Atë. Si e nderon Biri Atin dhe si mund ta ndiqni shembullin e Tij? Çfarë mësoni rreth mënyrës se si ndihet Ati rreth Birit? Në ç’mënyrë forcimi i marrëdhënies suaj me Atin Qiellor mund ta shtojë gatishmërinë tuaj për ta kërkuar vullnetin e Tij dhe për t’iu bindur atij?

Shih edhe Gjoni 17; Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Ensign ose Liahona, nëntor 2003, f. 70–73.

Mateu 14:16–21; Marku 6:33–44; Gjoni 6:5–14

Shpëtimtari mund ta lartësojë ofertën time të përulur për t’i përmbushur qëllimet e Tij.

A jeni ndier ndonjëherë të paaftë për t’i plotësuar të gjitha nevojat që shihni përreth jush – në shtëpinë tuaj, në marrëdhëniet tuaja apo në shoqërinë tuaj? Dishepujt e Jezusit duhet të jenë ndier të paaftë kur Ai u kërkoi atyre që të ushqenin mbi pesë mijë njerëz të uritur (shih Mateu 14:21), kur kishte vetëm pesë bukë dhe dy peshq në dispozicion. Ndërsa lexoni për mrekullitë që ndodhën më pas, përsiatni mbi mënyrën se si mund ta përdorë Perëndia ofertën tuaj të përulur të shërbesës për t’i bekuar ata që janë përreth jush. Si mund t’i lartësojë Ai përpjekjet tuaja ndërsa shërbeni në Kishë? Merreni në shqyrtim këtë thënie nga Presidenti Xhejms E. Faust: “Shumë njerëz të panjohur, me dhurata të barabarta me vetëm pesë bukë e dy peshq të vegjël, i lartësojnë thirrjet e tyre dhe shërbejnë pa kërkuar vëmendje apo pranim, duke ushqyer në mënyrë të drejtpërdrejtë mijëra njerëz” (“Five Loaves and Two Fishes”, Ensign, maj 1994, f. 5).

Mateu 14:22–33; Marku 6:45–52; Gjoni 6:15–21

Jezu Krishti më fton që t’i lë mënjanë frikën dhe dyshimet e mia e të ushtroj besim tek Ai.

Përfytyroni në mendjen tuaj hollësitë e tablosë së përshkruar te Mateu 14:22–33; Marku 6:45–52 dhe Gjoni 6:15–21. Përfytyroni se si mund të jenë ndier Pjetri dhe dishepujt e tjerë. Çfarë mësoni rreth dishepullimit nga fjalët dhe veprimet e Shpëtimtarit në këto vargje? Çfarë mësoni nga fjalët dhe veprimet e Pjetrit? (Shih edhe 1 Nefi 3:7.) Çfarë po ju fton Zoti të bëni që mund të jetë sikur po dilni nga barka? Çfarë gjeni në këto vargje që ju jep guxim për ta ushtruar besimin tuaj te Jezu Krishti?

Gjoni 6:22–71

Si një dishepull i Jezu Krishtit, unë duhet të jem i gatshëm ta besoj dhe ta pranoj të vërtetën, edhe kur është e vështirë për ta bërë.

Ditën pasi Jezusi siguroi mrekullisht bukë për turmat në shkretëtirë, pasuesit e Tij e gjetën Atë dhe kërkuan më shumë ushqim. Sidoqoftë, ata u zhgënjyen dhe madje u fyen kur Ai në vend të kësaj u ofroi një lloj ushqimi shpirtëror – “buk[ën] e jetës” (Gjoni 6:48). Shumë njerëzve iu duk se kjo “e folur i[shte] e rëndë” (Gjoni 6:60).

A keni pasur ndonjëherë ndonjë përvojë kur ju keni ndier se diçka që dha mësim Shpëtimtari apo një nga shërbëtorët e Tij ishte një doktrinë e “rëndë” apo e vështirë për ta pranuar? Ndërsa e lexoni këtë tregim mendoni rreth përvojave të tilla, veçanërisht për fjalët e Pjetrit në vargjet 68–69. Cilat janë disa “fjalë jete të përjetshme” (Gjoni 6:68) që ju ndihmojnë të qëndroni të zotuar për ta ndjekur Shpëtimtarin?

Shih edhe M. Rasëll Ballard, “Te Kush të Shkojmë?” Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 90–92.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se çfarë parimesh të theksoni e diskutoni në mënyrë që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa sugjerime:

Mateu 14:16–21

Ndërsa lexoni rreth ushqyerjes së pesë mijë vetave, ju mund të hani pak bukë dhe peshq, dhe të përfytyroni se sa shumë do të duhej për të ushqyer pesë mijë njerëz. Si është ushqyer familja juaj shpirtërisht nga Krishti? Si ju ka përdorur Ai për t’i ushqyer të tjerët?

bukë dhe peshq

Jezusi ushqeu mrekullisht 5.000 njerëz me pesë bukë dhe dy peshq.

Mateu 14:22–33

Familja juaj mund të kënaqet duke e rivënë në skenë historinë në këto vargje. Përse ishin të frikësuar dishepujt? Përse qe Pjetri në gjendje ta mposhte frikën e tij dhe të dilte nga barka? Si tregoi ai besim edhe kur filloi të zhytej? Në ç’mënyrë jemi ne ndonjëherë si Pjetri?

Gjoni 5:1–16

Ftojini pjesëtarët e familjes të vërejnë rastet e frazës “shërohej” në këto vargje. Në çfarë mënyrash mund t’i shërojë Jezu Krishti njerëzit? Kur dhe si na ka shëruar Ai?

Gjoni 6:28–58

Jepini çdo pjesëtari të familjes një copë bukë për të ngrënë dhe diskutoni mbi përfitimet që marrim nga buka dhe ushqime të tjera të shëndetshme. Më pas hetojini këto vargje së bashku, duke kërkuar arsyen përse Jezu Krishti e quajti Veten e Tij “buka e jetës” (Gjoni 6:35).

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkoni vetë pikëpamjet tuaja shpirtërore. Në studimin tuaj vetjak dhe familjar, mos e kufizoni veten tuaj te fragmentet e shkrimit të shenjtë që trajtohen në këto përvijime të mësimeve. Zoti ka gjasa të ketë mesazhe për ju në këta kapituj që nuk përfshihen këtu. Kërkojini ato plot lutje.

Jezusi duke e nxjerrë Pjetrin nga uji

Kundër Erës, nga Liz Lemon Swindle