“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6: ‘Mos Kini Frikë’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“25–31 Mars. Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
25–31 Mars
Mateu 14–15; Marku 6–7; Gjoni 5–6
“Mos Kini Frikë”
Ndërsa përgatiteni për të dhënë mësim nga Mateu 14–15; Marku 6–7 dhe Gjoni 5–6, kërkoni mesazhe që lidhen me jetën e fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Si mendoni, çfarë do t’i ndihmojë ata që t’i kuptojnë këto mesazhe? Ky përvijim i mësimit mund t’ju japë disa ide.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni një figurë ku Jezusi ecën mbi ujë (shih përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet) dhe kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që dinë rreth historisë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Jezu Krishti e di se çfarë na nevojitet dhe mund të na ndihmojë.
Ndërsa lexoni rreth Jezusit që shëron një burrë në pellgun e Betesdës, përsiatni për mënyrën se si mund t’i ndihmoni fëmijët të shohin atë që na mëson historia rreth mirësisë, dashurisë dhe cilësive të tjera të Jezusit.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdoreni figurën Krishti Shëron të Sëmurin në Betesda (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 42) për t’u treguar fëmijëve historinë te Gjoni 5:1–9. Ose shfaqni materialin filmik “Jesus Heals a Man on the Sabbath” [“Jezusi Shëron një Burrë në Shabat”] (LDS.org). Kërkojuni fëmijëve që të përfytyrojnë sikur ata janë njeriu që Jezusi e shëroi. Si do të ndiheshin kur Jezusi t’i shëronte ata?
-
Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që janë të vështira për ata ose që i trishtojnë. Tregojuni atyre një rast nga jeta juaj kur morët ndihmë nga Shpëtimtari gjatë një sprove të vështirë. Dëshmoni se Jezusi i di të gjitha problemet tona dhe dëshiron të na ndihmojë.
Ne e ndjekim shembullin e Jezusit kur jemi të mirë me të tjerët.
Një mënyrë se si Jezusi tregoi dashuri ishte duke i ushqyer pasuesit e Tij kur ata ishin të uritur. Si mund t’i ndihmoni fëmijët që të mësojnë t’u shërbejnë të tjerëve ashtu siç bëri Jezusi?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve një shportë dhe pak bukë ndërsa rrëfeni historinë te Mateu 14:13–21. Shpjegoni që edhe pse Jezusi ishte përpjekur të gjente një vend ku të ishte vetëm, njerëzit donin të ishin pranë Tij. Tregojuni fëmijëve pjesën tjetër të historisë dhe kërkojuni të dëgjojnë për atë që bëri Jezusi për t’u treguar mirësi dhe dashuri atyre.
-
Kërkojuni fëmijëve që të tregojnë mënyrat se si dikush ka qenë i mirë me ta. Çfarë mund të bëjnë ata këtë javë që të jenë të mirë me të tjerët? Për çdo përgjigje që japin, vizatoni në tabelë një bukë apo një peshk. U thoni fëmijëve se kur i bëjnë këto gjëra, ata po ndjekin shembullin që dha Jezusi kur Ai ushqeu pesë mijë njerëz të cilët ishin të uritur.
Besimi te Jezu Krishti mund të na ndihmojë që të mos kemi frikë.
Pjetri tregoi besim të madh kur eci mbi ujë drejt Jezusit. Çfarë mësimesh mund të ketë në këtë histori për fëmijët?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën Jezusi Ecën mbi Det (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 43) ndërsa e rrëfeni historinë me fjalët tuaja. Merreni parasysh që ta përdorni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët që t’jua tregojnë sërish historinë. Ju gjithashtu mund të sillni një tas të vogël me ujë dhe t’i ftoni fëmijët që të bëjnë sikur “eci[n]” me gishtat e tyre përgjatë sipërfaqes së ujit.
-
Shfaqeni materialin filmik “Wherefore Didst Thou Doubt?” [“Pse Dyshove?”] (LDS.org) dhe më pas kërkojuni fëmijëve që të shohin se çfarë e bëri Pjetrin të frikësohej. Pastaj kërkojuni atyre të tregojnë raste kur u ndien të frikësuar dhe të thonë se çfarë i ndihmoi ata. Ndihmojini të kuptojnë se besimi në Jezu Krisht na ndihmon që ta mposhtim frikën.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezu Krishti na mëson rreth Atit Qiellor.
Si mund t’i ndihmojnë fëmijët mësimet e Jezusit për Atin e Tij që ata të mësojnë rreth Atit Qiellor?
Veprimtari të Mundshme
-
Krijoni dy lloje kartash që përputhen, të emërtuara me fjalë që Jezusi i përdori për të dhënë mësim rreth Atit Qiellor te Gjoni 5, të tilla si dashuri, jetë dhe vepra (shih Gjoni 5:20, 26, 36). Vërini kartat përmbys dhe kërkojuni fëmijëve që të shohin se cilat përputhen, duke i kthyer dy karta në të njëjtën kohë. Kur ndodh një përputhje, lexojeni vargun që e përmban fjalën dhe pyetini fëmijët se çfarë na mëson fjala rreth Atit Qiellor.
-
Kërkojuni fëmijëve të lexojnë Gjonin 5:30 dhe më pas të plotësojnë këtë fjali: “Nuk kërkoj vullnetin tim, por …” Si e bëri Krishti vullnetin e Atit të Tij Qiellor? Si mund ta bëjmë ne vullnetin e Atit Qiellor?
Ofertat tona të vogla mund të sjellin ndryshim.
Ishte një djalë i vogël që siguroi bukën dhe peshqit, të cilat Jezusi i përdori për të ushqyer pesë mijë njerëz. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të shohin se si mund të ndihmojnë në punën e Zotit?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndani midis fëmijëve disa biskota apo copa buke. Ndihmojini të përfytyrojnë se sa e madhe do të ishte një turmë njerëzish prej pesë mijë vetash. Si do të ishte të ushqeje aq shumë njerëz me vetëm pesë bukë dhe dy peshq?
-
Ftojeni një fëmijë që ta tregojë me fjalët e tij apo të saj historinë e ushqyerjes së pesë mijë njerëzve. Në ç’mënyrë mund të jemi ne si djali te Gjoni 6:9? Ftojini fëmijët të vizatojnë bukë dhe peshq në letër dhe të shkruajnë mbi to disa nga gjërat që mund t’ia japin Zotit për ta ndihmuar në punën e Tij.
-
Jepuni fëmijëve një figurëformuese të vogël për ta plotësuar. Çfarë do të ndodhte nëse njëra prej pjesëzave të figurëformueses do të mungonte? Shpjegoni që secili prej nesh është si një pjesëz e figurëformueses – të gjithë kemi diçka të rëndësishme për të dhënë në jetën e të tjerëve. Si japin ndihmë fëmijët në familjet apo klasat e tyre?
Besimi te Jezu Krishti mund të na ndihmojë që të mos kemi frikë.
Besimi dhe frika luajnë role të spikatura në historinë ku Jezusi dhe Pjetri ecën mbi det. Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga ky tregim?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet. Kërkojuni fëmijëve të gjejnë një varg te Mateu 14 që e përshkruan figurën.
-
Kërkojuni fëmijëve që të kërkojnë shenja besimi dhe shenja frike ndërsa lexojnë Mateun 14:22–33. Ju gjithashtu mund të shfaqni materialin filmik “Wherefore Didst Thou Doubt?” [“Pse Dyshove?”] (LDS.org). Çfarë do të thotë për ju që të keni besim te Jezu Krishti? Si e zëvendësojmë frikën me besim?
-
Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur ishin të pranishëm dhe kishin një aparat fotografik kur Jezusi dhe Pjetri ecën mbi det. Cilin çast do të zgjidhnin për ta fotografuar dhe përse? Sugjerojuni që ta shqyrtojnë Mateun 14:22–33 për ide. Ftojini të vizatojnë një figurë të çastit që zgjodhën, t’i tregojnë figurat e tyre dhe të shpjegojnë arsyen përse e zgjodhën atë çast.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Nëse fëmijët e kanë plotësuar faqen e veprimtarisë së kësaj jave, ftojini që ta përdorin atë për t’u mësuar familjeve të tyre atë që mësuan sot.