“25 Shkurt–3 Mars. Mateu 6–7: ‘Ai i Mësonte, si Një Që Ka Autoritet’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“25 Shkurt–3 Mars. Mateu 6–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
25 Shkurt–3 Mars
Mateu 6–7
“Ai i Mësonte, Si Një Që Ka Autoritet”
Fillojeni duke lexuar Mateun 6–7 ndërsa mendoni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Çfarë mesazhesh nga këta kapituj kanë nevojë të dëgjojnë ata? Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe ky përvijim i mësimit mund të jenë të dobishëm për t’ju dhënë ide për mësimdhënien sipas nevojës.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë bënë gjatë javës së kaluar për të qenë një dritë ose shembull për dikë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’i lutem Atit tim Qiellor siç bëri Jezusi.
Fëmijët mund të mësojnë të luten duke dëgjuar lutjet e të tjerëve. Si mund t’i ndihmoni ata të mësojnë nga lutja e Jezu Krishtit në këto vargje?
Veprimtari të Mundshme
-
Përsëritni mësimet e Jezusit rreth lutjes që gjenden te Mateu 6:5–13. Ju mund të përdorni “Kapitullin 20: Jezusi Jep Mësim mbi Lutjen”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 51–52, ose materialin filmik përkatës (LDS.org).
-
Përdorni faqen e veprimtarisë të kësaj jave për t’i ndihmuar fëmijët të kujtojnë pjesët e ndryshme të lutjes.
-
Vizatoni në një copë letër konturin e dorës të secilit fëmijë. Flisni rreth asaj çfarë duhet të bëjmë me duart dhe krahët tanë kur lutemi. Në secilin konturim të dorës, shkruani diçka që bëjmë për të treguar nderim kur lutemi (për shembull, ulja e kokës sonë, mbyllja e syve tanë dhe kështu me radhë).
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë një afishe ose skicë që do t’i ndihmojë të kujtohen që të luten në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe ftojini t’ia tregojnë atë familjes së tyre.
-
Këndoni një këngë rreth lutjes me fëmijët (të tillë si “We Bow Our Heads” [“Kokat Ulim”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 25), dhe jepni dëshminë tuaj rreth fuqisë së lutjes. Ju gjithashtu mund t’i ftoni fëmijët të tregojnë përvojat e tyre në lidhje me lutjen.
Unë duhet t’i trajtoj të tjerët ashtu siç dua që të më trajtojnë mua.
Mësimi i Jezusit te Mateu 7:12 – i njohur edhe si Rregulli i Artë – jep një udhëzim të thjeshtë për mënyrën si t’i trajtojmë të tjerët. Çfarë do t’i ndihmojë fëmijët të cilëve u jepni mësim, ta jetojnë këtë parim?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni Mateun 7:12 dhe parafrazojeni atë me fjalë të thjeshta që fëmijët mund t’i kuptojnë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë disa mënyra për ta plotësuar një fjali si ajo në vijim: “Më pëlqen kur të tjerët për mua”. Pas çdo fjalie, ftojini të përsëritin me ju: “Kështu që unë duhet për të tjerët”.
-
Këndoni me fëmijët “Jesus Said Love Everyone” [“Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 61, dhe të sajojnë gjeste të thjeshta për ta shoqëruar këngën. Pyetini fëmijët se çfarë mësuan rreth mënyrës se si duhet t’i trajtojmë të tjerët nisur nga shembulli i Shpëtimtarit.
-
Ftojini fëmijët të renditin gjëra dashamirësie që prindërit e tyre ose pjesëtarë të tjerë të familjes bëjnë për ta. Lexojeni Mateun 7:12 dhe ftojini fëmijët të krijojnë një listë me gjëra dashamirësie që mund të bëjnë për familjet e tyre.
Unë mund të ndërtoj mbi një themel të fortë duke e ndjekur Jezusin.
Përdorimi i shëmbëlltyrës së Shpëtimtarit rreth ndërtimit të shtëpisë mbi rërë ose mbi shkëmb, mund të jetë një mënyrë e paharrueshme për t’u mësuar fëmijëve rreth rëndësisë që ka të vepruarit në bazë të asaj që mësojmë.
Veprimtari të Mundshme
-
Këndoni me fëmijët “The Wise Man and the Foolish Man” [“Burri i Urt’ dhe Burri Pa Mend”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 281, dhe përdorni gjeste që përshtaten me fjalët.
-
Përdorni Mateun 7:24 për të mësuar rreth ndryshimeve ndërmjet njeriut të zgjuar dhe njeriut budalla. Ftojini fëmijët që të bëjnë gjoja sikur po ndërtojnë një shtëpi. Si mund të jemi ne sikurse njeriu i zgjuar?
-
Lërini fëmijët të bëjnë vizatime për shëmbëlltyrën e njeriut të zgjuar dhe njeriut budalla.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Predikimi në Mal përmban mesazhe për mua.
Këta kapituj kanë shumë mesazhe që mund të gjejnë zbatim për fëmijët të cilëve u jepni mësim. Lexojini duke pasur në mendje fëmijët. Çfarë ju lë mbresë?
Veprimtari të Mundshme
-
Kujtojini fëmijët se ata kanë qenë duke mësuar rreth asaj çfarë dha mësim Jezusi gjatë Predikimit në Mal. Çfarë të vërtetash u kujtohen nga mësimi i javës së fundit?
-
Shkruani në tabelë disa fraza nga Predikimi në Mal dhe disa fraza të tjera që nuk janë nga shkrimet e shenjta. Ftojini fëmijët të përcaktojnë se cilat fraza vijnë nga Predikimi në Mal dhe të tregojnë atë çfarë mësojnë prej tyre.
-
Përzgjidhni disa vargje nga Mateu 6–7 që ju ndieni se do të jenë domethënëse për fëmijët. Shkruajini referencat e shkrimit të shenjtë në skeda letre dhe i fshihni ato nëpër dhomë. Lërini fëmijët t’i gjejnë, të lexojnë vargjet dhe të shpjegojnë arsyen përse këto mësime janë të rëndësishme për ta.
-
Tregoni një fragment të parapëlqyer nga Mateu 6–7 dhe shpjegoni arsyen përse e pëlqeni atë. Nëse fëmijët kanë një fragment që e pëlqejnë, ftojini të tregojnë arsyen përse e pëlqejnë atë dhe çfarë mësojnë prej tij.
-
Këndoni me fëmijët “I’m Trying to Be like Jesus” [“Përpiqem t’Jem si Jezusi”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 78–79, dhe ndaleni këngën kur arrini te një frazë që lidhet me një parim që na mësohet te Mateu 6–7 (të tillë si: “m’soj shok’ve t’u shërbej”). Ndihmojini fëmijët të bëjnë lidhjet me gjërat që po mësojnë nga këta kapituj.
Ati Qiellor do të më dëgjojë dhe do të më përgjigjet kur lutem.
Teksa e studioni Mateun 6:5–13; 7:7–11, çfarë mendoni se duhet të kuptojnë fëmijët rreth lutjes?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta lexojnë Mateun 6:9–13 me zë të lartë dhe pastaj të renditin gjërat që Shpëtimtari tha në lutjen e Tij. Si mund ta ndjekim shembullin e Tij kur lutemi?
-
Këndoni me fëmijët një këngë rreth lutjes, të tillë si “Lutjen a e The?” Himne, nr. 78. Ndihmojini fëmijët të kërkojnë te teksti që të gjejnë arsyet për të cilat lutemi dhe bekimet që vijnë nga lutja.
-
Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh Mateun 7:7 duke bërë një lojë si ajo në vijim: Një fëmijë thotë fjalën ose frazën e parë nga vargu dhe pastaj hedh një top te një fëmijë tjetër, i cili pastaj thotë fjalën apo frazën tjetër.
-
Aktrojeni me role Mateun 7:9–10 bashkë me fëmijët duke përdorur objekte të thjeshta skenike. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë u mëson kjo rreth lutjes.
-
Tregoni një përvojë kur lutjet tuaja morën përgjigje.
Unë mund të kërkoj thesare të përjetshme në vend të thesareve tokësore.
Si do t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që t’i vënë theks më të madh gjërave të përjetshme sesa gjërave të botës?
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni një kuti “thesari” të mbushur me objekte ose figura, të cilat përfaqësojnë gjërat që çmon bota – për shembull, para ose lodra. Lexojeni së bashku Mateun 6:19–21 dhe pastaj kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë të mendoni për thesaret qiellore që mund t’i zëvendësojnë gjërat e botës te kutia.
-
Ftojini fëmijët të përmendin ose të vizatojnë disa gjëra që mund të bëjnë për të “mbl[edhur] … thesare në qiell” (Mateu 6:20).
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët t’i tregojnë familjes së tyre mësimin e tyre të parapëlqyer nga Predikimi në Mal.