“4–10 Mars. Mateu 8–9; Marku 2–5: ‘Besimi Yt Të Ka Shëruar’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“4–10 Mars. Mateu 8–9; Marku 2–5”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
4–10 Mars
Mateu 8–9; Marku 2–5
“Besimi Yt Të Ka Shëruar”
Fillojeni duke lexuar Mateun 8–9 dhe Markun 2–5. Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojë që t’i kuptoni këta kapituj, dhe ky përvijim i mësimit mund t’ju japë ide mbi mësimdhënien.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë një histori ku Jezusi kreu një mrekulli (shih listën e mrekullive te përvijimi i mësimit të kësaj jave në Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Ju gjithashtu mund të tregoni figura që lidhen me këtë (shih Librin e Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 40, 41, ose LDS.org).
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Jezusi ka fuqi të kryejë mrekulli.
Ndërsa lexoni rreth mrekullive shëruese të Shpëtimtarit, përsiatni se cilat mrekulli të tregoni. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim që ta kuptojnë rolin e besimit në mrekullitë që kreu Jezusi?
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni rrëfimin e burrit të paralizuar te Marku 2:1–12. Për ndihmë, shihni “Kapitullin 23: Burri Që Nuk Mund të Ecte”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 57–58, ose materialin filmik përkatës (LDS.org). Tregojuni fëmijëve që burri i paralizuar nuk mund të ecte. Ndihmojini ata të kuptojnë se ky njeri u shërua dhe u fal nga Shpëtimtari.
-
Ftojini fëmijët të hiqen sikur po “zgjohen nga gjumi” ashtu si bija e Jairit ndërsa lexoni nga Marku 5:22–23, 35–43. Ndihmojini ata të kuptojnë se Jezusi ka bërë të mundur që të gjithë ne të kemi jetë të përjetshme.
-
Lexojeni Markun 5:34. Ndihmojini fëmijët ta mësojnë përmendsh frazën “Besimi yt të shëroi”, ndoshta duke i dhënë çdo fëmije një fjalë dhe më pas duke i bërë fëmijët që t’i thonë fjalët e tyre me radhë. A është shëruar ndonjëherë dikush që ata e njohin kur ishte sëmurë?
-
Kërkojuni fëmijëve t’i mbyllin sytë dhe të dëgjojnë ndërkohë që ju lexoni nga Mateu 9:27–30. Kur të lexoni rreth shërimit të burrave të verbër nga Jezusi, ftojini fëmijët që t’i hapin sytë. Si do të ndiheshin fëmijët po t’i kishte shëruar Jezusi?
-
Ftojini fëmijët që të flasin rreth një rasti kur ishin të sëmurë. Rrëfejini një prej tregimeve kur Jezusi i shëroi të sëmurët dhe dëshmoni se fuqia e Jezusit mund të na shërojë e bekojë ndërsa lutemi dhe i marrim bekimet e priftërisë. Shpjegoni që megjithëse Zoti ndonjëherë nuk na i jep mrekullitë që dëshirojmë, Ai na do dhe është në dijeni të nevojave tona. Ai do të na japë ngushëllimin që na nevojitet.
Kur kam frikë apo jam në rrezik, Jezusi mund të më ndihmojë të ndiej paqe.
Tregimi i Jezusit që fashiti një stuhi mund t’i ndihmojë fëmijët të dinë se Ai mund t’u japë paqe atyre kur ndihen të frikësuar.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të përfytyrojnë sikur janë në anije ndërsa lexoni Markun 4:35–41. (Shih edhe “Kapitullin 21: Jezusi Urdhëron Erën dhe Dallgët”, Tregime nga Dhiata e Re, f. 53, ose materialin filmik përkatës në LDS.org.) Kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë se si do të ishin ndier po të kishin qenë aty. Kur kanë pasur frikë fëmijët? Si gjetën ngushëllim?
-
Ftojini fëmijët të krijojnë tingujt e një stuhie dhe të ndalojnë kur dikush thotë: “Pusho dhe fashitu”. Dëshmoni se ashtu si Jezusi mund të na sjellë paqe kur ka një stuhi jashtë, kështu Ai mund të na sjellë paqe në zemrat tona kur ndihemi keq përbrenda.
-
Mendoni për veprime që e shoqërojnë vargun e tretë të këngës “Tell Me the Stories of Jesus” [“Tregom’ Ngjarjet e Jezusit”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] f. 57.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Jezusi mund të kryejë mrekulli në jetën time kur kam besim tek Ai.
Jezusi kreu shumë mrekulli gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të jenë të vetëdijshëm për mrekullitë që ndodhin [edhe] sot?
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin një prej mrekullive vijuese për ta lexuar dhe vizatuar: Marku 2:1–12; Marku 5:22–23, 35–43; ose Marku 5:24–34. Ftojini fëmijët që t’ia shpjegojnë klasës vizatimet e tyre. Çfarë mësojnë ata rreth Jezusit nga këto histori?
-
Kërkojuni fëmijëve që ta interpretojnë me aktrim mënyrën se si ndihen kur janë të sëmurë, të trishtuar, të frikësuar apo të shqetësuar. Si mund të na ndihmojë Jezusi kur i kemi këto ndjenja? Dëshmoni se Jezusi mund t’i ndihmojë fëmijët në të gjitha këto situata.
-
Ftojini fëmijët që të tregojnë përvoja kur ata apo dikush që ata e njohin mori një bekim priftërie. Si u shërua apo u bekua ai njeri?
Unë mund të tregoj dashuri për të tjerët ashtu siç tregoi Jezusi.
Jezusi tregoi dashuri të madhe duke i shëruar të sëmurët dhe të munduarit. Përsiatni mbi mënyrën se si mund t’u mësoni fëmijëve që të tregojnë dhembshuri për njerëzit në nevojë.
Veprimtari të Mundshme
-
Zgjidhni një ose më shumë prej mrekullive të Jezusit që ta rishikoni me fëmijët, të tilla si ato te Marku 2:1–12; Marku 5:22–23, 35–43, ose Marku 5:24–34. (Shihni edhe materialet filmike “Jesus Forgives Sins and Heals a Man Stricken with Palsy” [“Jezusi i Fal Mëkatet dhe Shëron një Burrë të Goditur nga Paraliza”], “Jesus Raises the Daughter of Jairus” [“Jezusi Ngre të Bijën e Jairit”] dhe “Jesus Heals a Woman of Faith” [“Jezusi Shëron një Grua me Besim”] në LDS.org.) Ftojini fëmijët që të tregojnë për një rast kur ata e ndihmuan dikë në nevojë dhe mënyrën se si u ndien.
-
Shfaqeni materialin filmik “Gordon Hinckley: Lessons I Learned as a Boy” [“Gordon B. Hinkli: Mësime që i Mësova kur Isha Djalë”] ose “The Coat” [“Palltoja”] (LDS.org). Si e ndoqën djemtë në këto materiale filmike shembullin e Jezusit? Ftojini fëmijët që të tregojnë për situata të tjera kur dikush mund të jetë në nevojë. Çfarë mund të bëjmë ne për t’i ndihmuar ata?
-
Kujtojuni fëmijëve se ndihma ndaj të tjerëve është pjesë e besëlidhjes së tyre të pagëzimit (shih Mosia 18:8–10; Alma 34:28).
Kur kam frikë apo jam në rrezik, Jezusi mund të më ndihmojë të ndiej paqe.
Fëmijët kanë nevojë të dinë se Shpëtimtari mund t’u japë paqe kur përballen me stuhitë e jetës – tani dhe në të ardhmen.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojini njërit prej fëmijëve që t’i përdorë Markun 4:35–41 dhe figurën Jezusi Fashit Stuhinë (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 40) për të treguar historinë e Jezusit që fashit stuhinë. Kërkojuni fëmijëve ta përshkruajnë se si do të ishin ndier po të kishin qenë aty.
-
Ftojini fëmijët që të tregojnë përvoja kur ata ndien paqe pasi u lutën për ndihmë. Kujtojuni atyre se kjo paqe vjen nga Shpëtimtari.
-
Këndoni me fëmijët këngën “M’sues, Furtuna po Shtohet”, Himne, nr. 55, duke i ftuar ata që të pëshpëritin kur të këndojnë “Pusho dhe fashitu”.
-
Jepini çdo fëmije një re shiu prej letre dhe kërkojuni që të shkruajnë mbi të një sfidë që dikush mund të ketë. Vendosini të gjitha retë në tabelë, duke e mbuluar një figurë të Shpëtimtarit. Ftojeni një fëmijë që ta heqë njërën prej reve dhe të sugjerojë mënyra se si mund ta ndihmojmë dikë që e ka atë sfidë të gjejë paqe. Kur të jenë hequr të gjitha retë, dëshmoni mbi fuqinë e Shpëtimtarit për t’i fashitur stuhitë në jetën tonë.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ndihmojini fëmijët të shkruajnë një vepër shërbimi që do ta kryejnë këtë javë për dikë.