“18–24 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13: ‘Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, Le të Dëgjojë!’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Dhiata e Re 2019 (2019)
“18–24 Mars. Mateu 13; Lluka 8; 13”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2019
18–24 Mars
Mateu 13; Lluka 8; 13
“Kush Ka Vesh për të Dëgjuar, Le të Dëgjojë!”
Shëmbëlltyrat janë histori të thjeshta që mund t’i bëjnë për vete fëmijët. Ky përvijim dhe Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund t’ju ndihmojnë që t’i përdorni shëmbëlltyrat e Shpëtimtarit për t’u mësuar fëmijëve të vërteta të rëndësishme.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Sillni disa sende që mund t’i ndihmojnë fëmijët të kujtojnë disa nga shëmbëlltyrat te Mateu 13, të tillë si një farë, një perlë apo një kuti thesari. Ftojini fëmijët të tregojnë atë që mbajnë mend rreth shëmbëlltyrave.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Vegjël
Duhet të përgatitem për t’i mësuar mësimet e Jezusit.
Fëmijët më të vegjël mund të mos jenë në gjendje ta kuptojnë të gjithë simbolikën në shëmbëlltyrën e mbjellësit, por ata mund të mësojnë të vërtetat e thjeshta të ungjillit që ajo jep mësim. Si mund t’i ndihmoni ata që ta kuptojnë më mirë se si lidhet kjo shëmbëlltyrë me ta?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni lloje të ndryshme toke (ose figura të dheut) ndërsa përmblidhni Mateun 13:3–8. Jepini çdo fëmije një farë që ta mbjellë në dhé. Pyetini fëmijët se çfarë mund të bëjmë për t’i ndihmuar farat tona të rriten. Shpjegoni se pasja e besimit tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti është një mënyrë se si mund ta ndihmojmë “farë[n]” e dëshmisë sonë të rritet.
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave që t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se çfarë na mëson secila lloj toke e përshkruar te Mateu 13 për zemrën tonë. Pyetini fëmijët se çfarë lloj zemre do Jezusi që ata të kenë me qëllim që t’i mësojnë mësimet e Tij.
-
Lexojeni Mateun 13:9, 15, dhe ftojini fëmijët të tregojnë me gisht te pjesë të ndryshme të trupit të tyre kur t’i dëgjojnë ato të përmenden. Si mund t’i përdorim këto pjesë të trupit për t’i mësuar mësimet e Jezusit?
Ati Qiellor do që unë të zgjedh të drejtën.
Disa nga shëmbëlltyrat e Jezusit japin mësim se në ditën e fundit, Perëndia do t’i ndajë të ligjtë nga të drejtët. Si mund t’i përdorni shëmbëlltyrat për t’i frymëzuar fëmijët që të zgjedhin të drejtën?
Veprimtari të Mundshme
-
Lërini fëmijët ta interpretojnë shëmbëlltyrën e grurit dhe të egjrës (shih Mateu 13:24–30). Shpjegoni se gruri përfaqëson njerëz që bëjnë zgjedhje të drejta dhe egjra (bimë e dëmshme) përfaqëson njerëz që nuk bëjnë zgjedhje të drejta. Një ditë, Ati Qiellor do t’i mbledhë njerëzit e drejtë që të jetojnë me Të.
-
Tregoni disa histori të thjeshta fëmijësh që bëjnë zgjedhje. Kërkojuni fëmijëve të thonë “zgjedhje gruri” kur fëmijët në historitë zgjedhin të drejtën dhe “zgjedhje egjre” kur fëmijët bëjnë një zgjedhje të gabuar.
-
Sillni figura kallinjsh gruri dhe lërini fëmijët të vizatojnë te figurat disa mënyra se si mund të jenë të drejtë.
-
Krijoni një lojë në të cilën fëmijët përputhin hollësi nga shëmbëlltyra e mbjellësit me interpretimin te Mateu 13:18–23.
Anëtarësia ime në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një thesar.
Si mund ta përdorni figurën e thesarit dhe të perlave të çmuara për t’i ndihmuar fëmijët që ta kuptojnë vlerën e të qenit pjesë e Kishës së Krishtit?
Veprimtari të Mundshme
-
Fshihni figura të një arke thesari dhe të një perle në dhomë, dhe lërini fëmijët që t’i gjejnë ato. Përdorini figurat për t’ju ndihmuar që të jepni mësim rreth shëmbëlltyrave te Mateu 13:44–46. Çfarë do të jepnin fëmijët për të pasur një perlë të bukur apo një thesar në një fushë? Shpjegoni se ndonjëherë ne heqim dorë nga diçka e mirë për diçka më të mirë. Tregojuni fëmijëve arsyen përse ungjilli është i çmuar për ju.
-
Vendosni në një kuti apo arkë disa sende apo figura që përfaqësojnë “thesar[et]” në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme, të tilla si tempujt apo Libri i Mormonit. Kërkojini secilit fëmijë që të zgjedhë një send apo figurë dhe të flasë se përse ai është një thesar.
-
Këndoni së bashku këngën “The Church of Jesus Christ” [“Kisha e Jezu Krishtit”], Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 77, dhe kërkojini fëmijëve të mbajnë vesh për bekimet që vijnë nga të qenit një anëtar i Kishës. Dëshmoni për bekimet që keni përjetuar për shkak të anëtarësisë suaj në Kishë.
Jepni Mësim Doktrinën
Fëmijët Më të Mëdhenj
Unë duhet ta përgatit zemrën time për t’i pranuar mësimet e Jezusit.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë rëndësinë e pasjes së një zemre të butë dhe të gatshme me qëllim që Jezusi të mund t’i mësojë ata?
Veprimtari të Mundshme
-
Caktojeni secilin fëmijë që të lexojë rreth njërës prej katër llojeve të tokës te Mateu 13:4–8. Ftojini ata të kërkojnë dhe të tregojnë atë që i ndodh farës në llojin e tokës për të cilin lexuan. Si mund të jenë zemrat tona si llojet e ndryshme të tokës? (shih Mateu 13:19–23).
-
Jepini secilit prej fëmijëve dy fara dhe ftojini që t’i mbjellin farat e tyre në tokë të butë dhe në një grumbull gurësh. Cila farë ka mundësi më të mirë për t’u rritur? Si mund të sigurohemi se zemrat tona janë si toka e butë në mënyrë që të mund t’i pranojmë mësimet e Shpëtimtarit?
-
Ftojini fëmijët të lexojnë Mateun 13:9–17. Vizatoni një sy, një vesh dhe një zemër në tabelë. Si e përdorim secilën nga këto pjesë të trupit për t’i mësuar mësimet e Jezusit?
Unë mund ta zgjedh të drejtën edhe kur ata përreth meje nuk e bëjnë.
Kur ju i lexoni këto vargje me fëmijët në mendje, çfarë mbresash ju vijnë?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që të vizatojnë skena të ndryshme nga shëmbëlltyra e grurit dhe e egjrës që gjendet te Mateu 13:24–30, dhe t’ia tregojnë klasës vizatimet e tyre. Kërkojuni atyre që t’i emërtojnë vizatimet e tyre duke përdorur interpretimin e shëmbëlltyrës që gjendet te Mateu 13:36–43. Shpjegoni se egjra është një bimë e dëmshme.
-
Nëse është e mundur, paraqitni një figurë të grurit dhe të egjrës. Shpjegoni se gruri dhe egjra do të rriten së bashku deri në mbarim të botës. Kjo na mëson se ne jetojmë si me të mirën, ashtu edhe me të keqen përreth nesh dhe duhet të jemi të kujdesshëm që të zgjedhim të drejtën. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë mënyrën se si mund ta bëjnë dallimin midis së mirës dhe së keqes.
Anëtarësia ime në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme është një thesar.
A e shohin fëmijët të cilëve u jepni mësim anëtarësinë e tyre në Kishë si një thesar të çmuar? Ndoshta shëmbëlltyrat te Mateu 13:44–46 mund t’i ndihmojnë ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët ta lexojnë vetë Mateun 13:44–46 dhe t’ia tregojnë shëmbëlltyrat me fjalët e tyre një anëtari tjetër të klasës.
-
Pritini disa rrathë që të përfaqësojnë monedha dhe vendosini ato në një kuti thesari. Ftojini fëmijët të zgjedhin një monedhë dhe të vizatojnë apo të shkruajnë mbi të një gjë që atyre u pëlqen shumë nga të qenit anëtar i Kishës. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se çfarë vendosën mbi monedhën e tyre.
-
Ftojeni një anëtar të lagjes që t’u tregojë fëmijëve historinë e tij apo të saj të kthimit në besim dhe të tregojë atë që ai apo ajo sakrifikoi për t’u bashkuar me Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.
Nxitni të Mësuarin në Shtëpi
Ftojini fëmijët që t’u mësojnë familjeve të tyre një prej shëmbëlltyrave që mësuan në Fillore.